Problem është se ne si shoqëri e kemi përvetësuar si normë mospërfilljen e ligjeve, në fakt shkeljen e tyre sipas tekeve; si shoqëri kemi hequr dorë nga marrja e përgjegjësive dhe e kemi shlyer vetë idenë se të drejtat bartin edhe obligime, të cilat me shumë qejf mundohemi t’ua lëmë kile të tjerëve; si shoqëri, jemi shndërruar në parazitë, në njerëz që presim që të tjerët të kujdesen për ne, se nuk na ka ënda punën
Ndërkohë që telenovela SBASHK-mësimdhënës-Qeveri dhe parodia në Qirkuz vazhdojnë pa ndalur, lajmi i javës, i cili për mua e qiti në hije edhe dorëheqjen e Rifat Latifit, qe fitorja e Ballkanit në Turqi.
Kampioni i Kosovës, për katër a sa ndeshje që i luajti në Evropë, arriti t’i inkasojë madje mbi 3,5 milionë euro. Uroj të ketë ende fitore në garat në të cilat po merr pjesë dhe kështu mbase do të arrijë të mbledhë një shumë të konsiderueshme të hollash për ta ndërtuar një stadium të vetin në Suharekë – një që do t’i plotësonte kushtet e FIFA-s dhe UEFA-s për gara ndërkombëtare.
Pra, një ekip që është detyruar të endet prej një ane të Kosovës në tjetrën sepse nuk ka pasur as fushë me një tribunë e gjysmë për t’i luajtur ato në shtëpi, tregon një lojë të bukur dhe bindëse, me gjithë gabimet që po i bën, dhe mbi të gjitha tregon diçka që tradicionalisht na ka munguar qëmoti: luan pa asnjë kompleks inferioriteti dhe me shumë motivim.
Me trajnerin shqiptar, me shumicën e lojtarëve shqiptarë, Ballkani dëshmon se talenti nuk na ka munguar kurrë, porse atë talent nuk kemi ditur ta kanalizojmë si duhet. Kemi vepruar në të gjitha sportet (pos xhudos që është shkollë e filozofi më vete), veç për një sezon, apo aq sa na ka “dhezë” dashuria për ndonjë skuadër apo një individ.
Rasti i Ballkanit e shpërfaq mjerimin tonë – të një vendi që nuk qe në gjendje të aftësojë më shumë se një stadium për të luajtur lojë ndërkombëtare. Për shkak se me miliona euro kanë shkuar në riparime të kota dhe, në fund, kemi mbetur me fusha që në kushte normale do të duhej të shërbenin si terrene ndihmëse e jo si arena kryesore.
Fushat e sportit është dashur të jenë të nivelit evropian, luajtëm në ato gara, apo jo, për shkak se kjo është mënyra më efikase e kultivimit të dashurisë ndaj sportit dhe krijimit të talenteve të reja. Dhe të mos më thotë kush se nuk patëm para për këtë punë – sepse vend më të pasur se Kosova s’paska pasur: sa paraja është vjedhur e keqpërdorur, në vend se të ishte investuar për të mirën e të gjithëve, kushedi ku ishim sot.
* * *
E sot jemi jo shumë larg prej aty ku qëndrojmë qe sa vjet. Po mahnitem e njëkohësisht edhe po dëshpërohem me faktin se si jemi në gjendje të humbim aq shumë energji në punë që nuk janë të rëndësisë jetike.
Nuk e di a ka vend në rajon që i kalon thuajse një muaj e gjysmë duke folur për temën e njëjtë – grevën. Gjashtë javë ku merremi me “më tha vëlla”; “jam krenar që jam përkrahës i çlirimtarëve”; “na ndalët bukën e gojës” (do të më falni, por shprehje më patetike, nuk e di a njeh gjuha shqipe); “ne jemi sakrifikuar”, etj., etj. Dhe jo pse arsimi nuk është problem. Në fakt është problem madhor për shoqërinë kosovare, ngase do të duhej të ishte shtylla e zhvillimit e këtij vendi, e nuk është.
Problem është se ne si shoqëri e kemi përvetësuar si normë mospërfilljen e ligjeve, në fakt shkeljen e tyre sipas tekeve; si shoqëri kemi hequr dorë nga marrja e përgjegjësive dhe e kemi shlyer vetë idenë se të drejtat bartin edhe obligime, të cilat me shumë qejf mundohemi t’ua lëmë kile të tjerëve; si shoqëri, jemi shndërruar në parazitë, në njerëz që presim që të tjerët të kujdesen për ne, se nuk na ka ënda punën.
Përderisa fushat na rrinë djerrë, e përderisa numri i zanatlinjve bëhet thuajse i padukshëm, ndërkohë që numri i skemave sociale rritet – ky vend nuk do të ketë përparim. Dhe jo, për mospunën në fusha e zanate nuk mund ta fajësoj këtë Qeveri, ngase ky fenomen është shfaqur menjëherë pas luftës dhe është ushqyer nga të gjitha qeveritë që prioritet i kanë pasur tenderët. Por këtë Qeveri e fajësoj për skemat që i shpik çdo tre-katër muaj, përderisa paratë e grumbulluara në buxhet nuk i fut në investime dhe punë publike që me automatizëm krijojnë vende të reja pune. Natyrisht, për ata që duan të punojnë.
* * *
E kur jemi te puna, mbase ministri Latifi do të ketë ardhur me qëllimin më të mirë për ta ndihmuar reformimin e shëndetësisë. Porse gjatë mandatit të tij fjala “udhëtime” e ka zëvendësuar fjalën “punë”, duke mos arritur të bënte ndonjë ndryshim minimal, bile në ndonjërin segment të sistemit të shëndetësisë.
Para dy ditësh dha dorëheqje, duke mos treguar arsyen e vërtetë se pse po shkon. Porse vetë fakti se para disa javësh u krijua njëfarë task-force, ku kryeministri mori rolin udhëheqës në këtë dikaster, ishte indikator se gjërat me gjasë do të përfundonin kështu siç përfunduan.
Shëndetësia kurrë nuk ka qenë në krizë më të madhe. Vazhdojnë problemet me barnat, me ikjen e mjekëve, me sigurimet shëndetësore dhe me trajtimin e rasteve jashtë vendit.
Atë që nuk po arrij ta kuptoj është se si bëhet që njerëzit përgjegjës, të cilët janë dëshmuar po kaq të paefektshëm në të shkuarën ende i mbajnë postet e tyre? Çfarëdo reforme që mëtohet të bëhet, duhet t’i përfshijë edhe zyrtarët që janë dëshmuar të pasuksesshëm në punën e tyre. Është vështirë të besohet se do të kishte të tillë që do të jepnin dorëheqjen, por për këtë ekziston një diçka që quhet shkarkim e që do të duhej aplikuar.
E kam shumë të qartë që reforma nuk mund të kryhet brenda natës. Porse gjithashtu e kam të qartë që asnjë reformë nuk ndodh vetvetiu. Nuk ndodh nëse nuk nis përnjëmend.
* * *
Një reformë që nuk kishte nisur kurrë përnjëmend ka qenë ajo zgjedhorja. Do të na kujtohet zarfi që e nxori Jahjagën kryetare më 2011-n dhe një marrëveshje kryekëput antikushtetuese, sipas së cilës ishte paraparë që Jahjaga ta kishte mandatin nja 18 muaj, e që zgjedhjet e radhës të ndodhnin pas nja 30 muajsh (që ndodhën edhe pa ndryshim Kushtetute).
Pra, komisioni u formua, e u mblodhën dhe e tjerrën punën pa fund dhe nuk bënë gjë. Atëbotë kisha takuar njërin anëtar të këtij komisioni dhe e pyeta se përse nuk lëvizte asgjë aty. Ma tha troç: asnjëra palë nuk ka vullnet politik.
Dhe pse të kishte? Reforma zgjedhore do të duhej të merrte parasysh shumë gjëra, përfshirë numrin e deputetëve dhe zonat zgjedhore. Askujt të ulur në Qirkuz nuk i konvenonte as të humbte mandatin e as shansin që të rizgjidhej aty prapë, ngase sistemi i listave të mbyllura njëherë, e më pas i votave që u shkojnë pesë të parëve aty ku nuk janë rrumbullakuar numrat, e bënte irrelevant qëllimin e votës – deputetë bëheshin ata që i mbanin ata numra e jo ata që do të delegoheshin nga dikush apo do ta përfaqësonin ndonjë trevë në Kuvend.
Jam shumë e sigurt se po qe se do të iniciohej e njëjta gjë edhe sot, që të bëheshin ndryshimet kushtetuese për zgjedhjet dhe për Kuvendin, do të vazhdonte të mungonte po i njëjti vullnet politik. Sepse nuk ka, e besoj, njerëz më të lumtur në Kosovë sesa deputetët e Kuvendit të Kosovës. Këta janë njerëzit që si erdhën, si nuk erdhën në Kuvend; si folën, si nuk folën, si votuan, si nuk votuan – në fund do të paguhen. Dhe do të paguhen tepër.
Nuk e kam parë Projektligjin e Pagave dhe koeficientet, por po të pyetesha unë, deputetëve do t’ua përgjysmoja rrogën aktuale. E edhe ajo do të më dukej pak, kur e sheh se sa na i shkatërrojnë nervat, posaçërisht çdo të enjte.
* * *
Ndonjëherë them sa mirë i kemi punët, duke ditur se sa shkatërrimtarë jemi treguar ndaj shoqërisë e shtetit.
Brezit tim i shkoi jeta nëpër kriza dhe më duket se tashmë asnjë e re nuk mund të na lërë ndonjë përshtypje të veçantë. Veç mund të na shtyjë të konstatojmë, pa emocion, se “nuk na kishte marrë mendja se mund të vijmë deri në këtë pikë”.
Do të doja të frymoja optimizëm dhe gëzim, por nuk mundem.
Reforma në Kosovë është vetëm retorikë e thatë dhe asgjë tjetër.