OpEd

Reflektime mbi 12 qershorin

Kjo ka qenë javë e jashtëzakonshme. Përkujtimet e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, të udhëhequra nga britanikët, në qershor të 1999-s sollën në sipërfaqe bollëk emocionesh dhe kujtimesh. Kam qenë i privilegjuar që shumë kosovarë, si dhe veteranë të fushatës së NATO-s, ishin në gjendje t’i ndanin ato përvoja. Nga fjalimi thellësisht prekës i nënkryetares Saranda Bogujevci në Kuvend, tek përjetimi i ribashkimit të komandantit të trupave britanike, nënkolonelit Chris Warren dhe ish-përkthyesit të tij Besnik Tahiri, si dhe shumë histori të tjera personale që i dëgjova nga miqtë dhe kolegët, rëndësia e ngjarjet e qershorit 1999 më goditën herë pas here.

Dhe me shumë krenari kam dëgjuar të theksohej në vazhdimësi roli i Mbretërisë së Bashkuar. Pati mikpritje bujare për Sir Tony Blair dhe Lord George Robertsonin, në njohjen e roleve të tyre në arritjen e konsensusit ndërkombëtar të kërkuar për ndërhyrjen e paprecedent për t’i dhënë fund krimeve të tmerrshme të Sllobodan Millosheviqit këtu.

Dhe kam parë gjithashtu pritjen e ngrohtë që iu bë dhjetëra veteranëve britanikë, gazetarëve dhe të tjerëve të përfshirë në vitin 1999, të cilët udhëtuan për të qenë këtu këtë javë. Kjo ju tregon gjithçka që duhet të dini për atë që kryeministri Kurti e ka përshkruar si “lidhje të përjetshme mes Kosovës dhe popullit britanik” që u krijua më 12 qershor 1999.

Të mërkurën e kam nisur ditën duke bërë homazhe në ceremoninë përkujtimore për 14 ushtarët britanikë të KFOR-it, që nuk u kthyen në shtëpi nga shërbimi i tyre në Kosovë. Jam mirënjohës që na u bashkua edhe ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së për këtë moment prekës.

Në të njëjtën kohë përkujtuam frikën dhe represionin nën të cilin kishin jetuar shumë kosovarë, që humbën punën, shërbimet dhe në shumë raste edhe jetët. Ne përkujtuam me keqardhje viktimat e dhunës sistematike dhe katastrofës humanitare, të cilave u dha fund ndërhyrja e Forcave Aleate të NATO-s. Ne qëndruam me të mbijetuarit e asaj dhune dhe të gjithë atyre që vazhdojnë të vuajnë.
E megjithatë, java ka qenë edhe festë. Festë e çlirimit nga shtypja dhe dhuna. Nga përparimi i pabesueshëm që ka bërë Kosova në çerekshekullin e kaluar. Dhe se si marrëdhëniet Mbretëri e Bashkuar – Kosovë kanë vazhduar të zgjerohen e thellohen.

Jam krenar për ndikimin e Mbretërisë së Bashkuar në rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Kosovës drejt demokracisë: Krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe shpresoj se një ditë ajo do të jetë forcë kontribuuese në NATO; Punën tonë për të mbështetur familjet e personave të zhdukur dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale; dhe për punën shumëvjeçare me institucionet e reja të Kosovës për t’iu ndihmuar në punën me integritet dhe profesionalizëm.

Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar si kurrë më parë për sovranitetin, pavarësinë dhe të drejtën e Kosovës për t’u njohur nga të tjerët. Një Kosovë e sigurt, begatë e multietnike është në interes të të gjithë atyre që jetojnë këtu, por edhe në interesat e Mbretërisë së Bashkuar për të forcuar stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përballë atyre që do të donin ta minonin.

Dhe siç ka thënë Sekretari i Jashtëm, Lord Cameron, kur bëri vizitë në janar, gjëja më e rëndësishme nga të gjitha është që të sigurohet se të gjithë kanë të ardhme të sigurt dhe të begatë për të gjitha komunitetet e ndryshme. Trashëgimia e konsensusit ndërkombëtar për ndërhyrjen ushtarake dhe përpjekjet e mëvonshme për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, ishin plani i Ahtisaarit. Edhe sot e kësaj dite, këto parime themelore mbeten bazë për Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mbrojtjen e pakicave dhe trashëgimisë brenda saj.

Të nderosh sakrificat e atyre që kanë vuajtur, do të thotë të vazhdosh të respektosh parimet themelore të atij plani dhe të punosh pa u lodhur drejt vizionit të një shteti multietnike e demokratik në familjen evropiane. Përkushtimi i Kosovës në atë rrugë pa devijuar, është me të vërtetë arsye për festë.

(Autori është ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë)