Në reagimin e tij të sotëm ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, Vuçiqi edhe zyrtarisht rikonfirmoi strategjinë e tij për “Botën Serbe”. Pra, se nuk i njeh shtetet sovrane, e as kufijtë e Ballkanit. Ato nuk vlejnë për Vuçiqin, i cili vazhdon të ëndërrojë botën virtuale serbe që shtrihet “çdokund ku ka edhe një varr serb”.
Kryeministri Kurti, presidenti malazias Gjukanoviq dhe kryeministri kroat Plenkoviq qartë ia rikujtuan këto ditë botën reale të pesë shteteve sovrane. Por ish-ministri i luftës (i informatave të Milosheviqit) vazhdon ta ëndërrojë botën e imagjinuar serbe - larg realitetit.
Pas Cetinjes, (ku vendosi mitropolitin e Kishës Serbe), e pas Banjallukës (ku joshi Republika Srpsken në idenë për pavarësim nga Bosnja), në tërë Ballkanin urdhëroi serbët të valojnë flamujt e Serbisë në “ditën e bashkimit serb”, kurse sot i kërkoi Kosovës “kthimin e gjendjes - para vendimit për reciprocitetin e targave”.
Kosova ka zot shtëpie. Është shtet sovran, me Kushtetutë, kufij e ushtri që i mbron ato. Ajo zbaton ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare, si atë të Brukselit për reciprocitetin e targave - të nënshkruar nga vetë Vuçiqi. Prandaj, BE-ja në vend të apeleve për “përmbajtjen e të dyja palëve nga tensionimi”, duhet t'ia rikujtojë njërës palë - Serbisë, parimin: pacta sunt servanda, pra obligimin për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar.
Qeveria e Republikës së Kosovës vetëm zbatoi normën, pra atë që Brukseli vazhdimisht e kërkon prej saj: sundimin e ligjit. Ndaj fqinjit verior, Kosova po zbaton vetëm parimin si bazë (quid pro quid) të marrëdhënieve ndërshtetërore: reciprocitetin bilateral.
Bashkësia ndërkombëtare, përfundimisht, duhet ta zgjojë Vuçiqin nga ëndrra e “botës serbe”.