OpEd

Reciprocitet deri në skaj

Vuçiqi mund të ketë fituar shumë simpati tek evropianët me aktrimin e tij prej njeriu paqedashës e bashkëpunues, porse në esencë mbetet ai që ka qenë përherë: përkrahës i Sheshelit, vojvodës çetnik dhe ministër i Millosheviqit, me të cilët të përbashkëta i ka ideologjinë fashiste dhe urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve. Nuk duhet njeriu të jetë shumë i mençur për ta zbuluar këtë fakt. Tjetër gjë është nëse këtë nuk duan ta dinë

Të hënën Qeveria vendosi që ta zbatojë reciprocitetin sa u përket targave të veturave dhe në Jarinjë e Bërnjak u bllokuan rrugët magjistrale, ndërkohë që atje u zhvendosën njësitet e policisë speciale të Kosovës ROSU.

Gjendja në afërsi të pikave kufitare vazhdon të jetë e njëjta: ROSU është aty, serbët janë aty dhe plot kamionë të shërbimeve komunale të komunave veriore i mbajnë rrugët e bllokuara. Nuk ka incidente, dhe sado që propaganda serbe flet për keqtrajtimin e serbëve, megjithatë gjithçka duket të jetë e qetë. Kjo mbase për shkak se vetë Serbia e ka shumë të qartë se vendosja e reciprocitetit është pasojë e një fakti të pamohueshëm: afati i kësaj marrëveshjeje kishte skaduar më 15 shtator.

Njëra nga marrëveshjet më absurde të dakorduar mes Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviqit kishte qenë kjo e vendosjes së stikerave mbi shenjat identifikuese shtetërore të targave të veturave. E edhe më absurd kishte qenë vendimi i Qeverisë sonë që në Kosovë të qarkullonin veturat me dy lloj targash – shumica e njerëzve që nuk kishin interesa tregtare apo familjare me Serbinë, i kishin marrë targat RKS, kurse një pjesë tjetër i kishin mbajtur ato me KS e me gjashtë numra. Më e keqja ishte se kishte edhe targa me stemën e Serbisë e me akronimet e qyteteve të Kosovës, sikur kishin qenë dikur, e që lëshoheshin nga strukturat ilegale.

Në lëmshin e targave të veturave iu shtua edhe një raport diskriminues që zgjati shumë, shumë gjatë: njëmbëdhjetë vjet të plotë. Sipas asaj marrëveshjeje, pala e cila e pësoi më së keqi qe ajo kosovare. Kosovarët ishin ata që detyroheshin t’i hiqnin tabelat e t’i mbanin “provat” në shofershajbne. Ata detyroheshin t’i paguanin 5 euro secilën herë që duhej kaluar, e duhej duruar edhe fjalë e edhe ofendime jo të rralla prej policëve kufitarë serbë. Kjo nuk u ndodhte atyre që vinin nga Serbia me targat e tyre.

Dhe tash kur u mor vendimi për zbatimin e rregullit të njëjtë, udhëheqësit kosovarë përnjëherë u shpallën kriminelë e primitivë nga Vuçiqi dhe Vulini e të ngjashëm. Për shkak se për një shovinist e fashist çfarë është Vuçiqi është e paimagjinueshme që dikush që ai e përçmon do të mund ta bënte të njëjtën gjë që e bën ai qe sa vjet pa therë në këmbë.

* * *

Natyrisht se presioni nisi t’i ushtrohej Kurtit. Fillimisht nisur nga kritika e opozitës që e quajti këtë vendim si populist dhe për nevoja zgjedhore. Pra, Kurti e bëri atë që është dashur ta bënte Mustafa para pesë vjetësh – kur është dashur të mos e vazhdonte marrëveshjen dhe ta impononte reciprocitetin në këtë drejtim menjëherë. Se përse e bëri në kohë të fushatës zgjedhore, nuk dyshoj fare se do të kritikohej po ta kishte shtyrë këtë vendim: pra, se përse e shtyu e nuk e zbatoi menjëherë.

Mirë që e vendosi këtë reciprocitet. Dhe ky do të duhej të ishte i pari në vargun e vendimeve të tjera që e fusin në vend reciprocitetin dhe trajtimin e Kosovës si shtet e jo si një territor pa zot shtëpie që i përshtatet secilit presion, sepse “duhet dëgjuar se çfarë na thonë miqtë ndërkombëtarë”.

E kur jemi te këta të fundit, mbase ndonjërit nga ta do të duhej kujtuar që ta qortojë Vuçiqin për shkak të vendimit për t’i bllokuar rrugët në veri. Ata të cilët më së shumti i vuajnë pasojat e tij janë vetë serbët e zonës kufitare në të dyja anët e kufirit, të cilët qe pesë ditë detyrohen të ecin disa kilometra këmbë për të kaluar andej e këndej.

Do të duhej të gjendej dikush që i thotë Vuçiqit se në këtë formë, ai po ua shkel pjesëtarëve të kombit të tij, e që janë pakicë në Kosovë, të drejtën e lëvizjes së lirë në emër të euforisë së tij nacionaliste. Dhe në emër të mundësisë për t’i bërë “spin” situatës – që atë ta kthejë në favor të vetin duke bërë kushtëzime dhe duke shqiptuar kërcënime për destabilizimin e situatës në rajon.

Vuçiqi mund të ketë fituar shumë simpati tek evropianët me aktrimin e tij prej njeriu paqedashës e bashkëpunues, porse në esencë mbetet ai që ka qenë përherë: përkrahës i Sheshelit, vojvodës çetnik dhe ministër i Millosheviqit, me të cilët të përbashkëta i ka ideologjinë fashiste dhe urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve. Nuk duhet njeriu të jetë shumë i mençur për ta zbuluar këtë fakt. Tjetër gjë është nëse këtë nuk duan ta dinë.

* * *

Pas këtij reciprociteti, për herë të parë ndodhi që Quinti t’i shkonte në zyrë një kryeministri e të merrte përgjigje të logjikshme dhe parimore. Ishte ndër të rrallat herë që pesë shtetet e fuqishme të mos shkonin me këshilla për “lëshim pe për hir të stabilitetit”, për shkak se ajo që argumentohej qëndronte dhe ishte veprim që pasoi pas skadimit të një marrëveshjeje, njërës nga shumë marrëveshjet që nuk zbatohen, për shkak se qëllimin nuk e kanë pasur për t’u zbatuar.

Vuçiqi, duke i mbajtur njerëzit në rrugë, tash nis me kërkesa shtesë: që të tërhiqet ROSU nga Veriu (pse, kur janë vendosur në territor të vetin); që të themelohet Zajednica, natyrisht me fuqi ekzekutive (që është kundërkushtetuese); që trupat gjykues në veri të kenë nga gjykatës serbë e një shqiptar kur gjykojnë në Mitrovicë (edhe një margaritar që e kishte pranuar Thaçi me “marrëveshjen historike) dhe formimin e dy kompanive serbe për shpërndarjen e rrymës në veri (pse, a mos po ekzistuaka rrymë nacionale? Atëherë do të duhej formuar një a dy kompani shqiptare për ta shpërndarë rrymën në Luginë).

Në fakt, asnjëri kusht nuk do të duhej t’i merrej parasysh. Nëse është aq i çmendur për të nisur trupa xhandarmërie e ushtrie në Kosovë, e di edhe vetë se do të duhet të ballafaqohet me forcat e NATO-s që janë përgjegjëse për sigurinë e Kosovës. E që do të ishte një provokim i çmendur, që nuk do të sillte shpërthimin e një lufte të re, por gjithsesi do të kishte për rezultat humbjen e statusit të të llastuarit që ka sa vjet e gëzon.

* * *

Derisa veprimi absurd i bllokimit të rrugëve vazhdon, ndërkohë gjendja me pandeminë duket të ketë hyrë në fazën e uljes së rasteve dhe të viktimave, pa e përjashtuar assesi mundësinë që të shfaqet edhe një valë e re, për shkak të hapjes së shkollave, rritjes së kapacitetit të shfrytëzueshëm të lokaleve dhe për shkak të fushatës zgjedhore.

Në javën e shkuar janë shënuar zyrtarisht 1030 raste të reja dhe 45 vdekje, ndërkohë që shkalla e vaksinimit me të dyja dozat arrin në rreth 35% të atyre që duhen të vaksinohen, që është fakt mbresëlënës duke e pasur parasysh se vaksinimi masiv ka nisur vetëm në qershor. Tash duhet pritur çfarë ndodh me respektimin e masave të reja, dhe nëse qendrat tregtare dhe lokalet e gastronomisë njëmend do t’i kërkojnë certifikatat e vaksinimit apo edhe PCR testet nga klientët e tyre. Sinqerisht, unë dyshoj shumë që kjo kërkesë do të respektohet dhe uroj ta kem shumë gabim.

Ndërkohë, kërkesa për të pasur certifikatë vaksinimi a test PCR nuk është kërkuar për tubimet dhe vizitat elektorale që po mbahen ka një javë. E do të duhej. Të kujtojmë se fushata do të zgjasë edhe tri javë të tjera dhe sinqerisht nuk e di se çfarë të reja do të na thonë kandidatët për kryetarë komunash. E dimë shumë mirë se gjatë zgjedhjeve, na premtojnë se do të na çojnë edhe në Mars. Punë e jona është të shohim se a iu besojmë apo jo.

* * *

Tash kërkohet përqendrim maksimal në arenën ndërkombëtare. BE-ja do të insistojë për vazhdimin e dialogut në Bruksel, ndërkohë që Kosova do të duhej të bënte përgatitje për të gjetur përkrahje për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Nuk e di a jemi të përgatitur për një gjë të këtillë, në kushtet kur ambasadorët ende nuk janë emëruar dhe “shpërndarë” nëpër botë; kur e kemi një ministre të Jashtme që thuajse për çdo ditë të lume bën gafe në komunikim me “Twitter” dhe kur nuk kemi konsensus mes partish politike në lidhje me dialogun.

Ideja me u marrë me zgjedhje lokale është e keqe për njerëzit që janë pjesë e pushtetit qendror, pavarësisht pozitave në partitë e tyre përkatëse. Përkrahja online do të duhej të mjaftonte, sepse punët i kemi ngushtë, pavarësisht deklaratave se rritja ekonomike sivjet do të jetë e madhe. Mund edhe të jetë, porse është e madhe në një shtet që ekonominë e ka përtokë, e që do ta ketë shumë rëndë të këndellet nga pasojat e pandemisë. Në veçanti, nëse nuk ka përkrahje nga shteti.

E shteti, në këtë çast, nuk duhet të zbresë në nivel komunal për të bërë tifo e për të mbledhur vota.

[email protected]