OpEd

Realizimi i premtimeve për vende të reja pune...në Gjermani

Përderisa në Kosovë për pesë vjet janë krijuar vetëm 28.917 vende neto të punës, për më pak se dy vjet Gjermania ka siguruar punë për 37.241 kosovarë. Por, përse shumica nga ta nuk munden ta gëzojnë këtë leje të punës?

Në fushatën zgjedhore të 2014, në një debat në televizionin publik, kandidati për kryeministër nga AAK, duke lexuar nga programi i partisë së tij, premtonte mbi 200 mijë vende të reja të punës dhe pagë mesatare prej 1.000 euro në muaj. Për të bindur publikun se premtimi i tij është i realizueshëm, ai përmend edhe premtimet thuajse të ngjashme të partive të tjera, siç ishte premtimi i PDK-së për 200 mijë vende dhe ai i LDK-së për 120 mijë të reja të punës.

Tash, premtuesi i atyre 200 mijë vendeve të punës është kryeministër, kurse në 120 ditët e tij të qeverisjes ka arritur të punësojë vetëm ministra, zëvendësministra e këshilltarë politikë, si dhe të ngrejë pagën mesatare të vartësve të tij në mbi 1.000 euro. Propozimi i Këshillit Ekonomiko-Social për rritjen e pagës nga 170 euro në 250 euro në muaj u kundërshtua nga Qeveria e Kosovës me arsyetimin se këtë nuk e lejon Fondi Monetar Ndërkombëtar (ani pse FMN nuk u pyet asnjëherë kur u rritën pagat në sektorin publik ose kur u tejkalua shuma e pensioneve për veteranët).

***

Në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar, Instituti Gjerman për Hulumtimin e Tregut të Punës (Institut für Arbeitsmarkt und Berufsforschung - IAB) publikoi të dhënat e punësimit në Gjermani për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fund të vitit 2015, pas një vale të gjerë të migracionit nga vendet e Ballkanit për në Gjermani, shteti gjerman filloi aplikimin e politikave për punësimin e qytetarëve nga vendet e Ballkanit. Deri në shtator të 2017-s, për punësim aplikuan 128 mijë punëkërkues nga vendet e Ballkanit, 37% prej tyre nga Kosova. Nga 47.189 aplikantë nga Kosova, 37.241 prej tyre arritën që të gjejnë një vend pune. Sa për krahasim me tregun e punës në Kosovë, në periudhën pesëvjeçare (2012-2016) janë krijuar 28.917 vende neto të punës, apo rreth tetë mijë vende pune më pak sesa që Gjermania ka arritur të sigurojë për kosovarët për një periudhë më pak se dyvjeçare, nëntor 2015-shtator 2017.

Mbi 50% e vendeve të punës të siguruara në Gjermani janë në sektorin e ndërtimeve, 15% në sektorin e hotelerisë, 10% në sektorin e shëndetësisë dhe kujdesit social. Kjo politikë e punësimit, së bashku me masat e tjera, ka ndikuar në uljen e numrit të azilkërkuesve. Nga 9.900 azilkërkues nga Ballkani në mesin e vitit 2015, ky numër ka rënë në 900 azilkërkues në muaj gjatë vitit 2017.

Por, fatkeqësisht jo të gjithë ata që kanë gjetur një vend pune duke aplikuar nga Kosova, kanë arritur edhe të fillojnë punën. Shkak për këtë janë procedurat e stërzgjatura për viza. Sipas IAB, procedura për t’u pajisur me një vizë nga Ambasada Gjermane në Prishtinë mund të shkojë deri në tetë muaj. Gjatë kësaj periudhe, shumë nga punëdhënësit në Gjermani lodhen nga pritja e gjatë dhe tërheqin ofertën për punësim. Nga 14.419 persona që kanë gjetur një vend pune në Gjermani gjatë vitit 2016, vetëm 35.3% prej tyre kanë arritur të pajisen me vizë. Në 2017 ky trend është përkeqësuar edhe më shumë. Përderisa më 2017 ishin 22.773 kosovarë që siguruan një vend pune në Gjermani, vetëm 20.8% e tyre arritën të pajisen me vizë. Punëkërkuesit nga vendet e tjera të Ballkanit, me gjithë numrin më të vogël të lejeve të punës së ofruara, për shkak të procedurave më të shkurtra për t’u pajisur me viza pune, kanë arritur që të gëzojnë lejet e tyre të punës.

***

Dështimi i institucioneve shtetërore të Kosovës për të kryer rolin e tyre po paraqet një barrë tepër të rëndë për qytetarët. Mosluftimi i korrupsionit dhe mosaprovimi i demarkacionit kanë lënë qytetarët e Kosovës të vetmit pa liberalizim të vizave. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, çdo qytetar i cili merr rrugën e kalimit ilegal të kufirit për në vendet e BE-së, iu paguan trafikantëve nga 2.000 deri 3.000 euro. Në bazë të kësaj, duke u bazuar në numrin prej mbi 111 mijë kosovarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së në periudhën janar 2014 deri në qershor 2017, del se janë shpenzuar nga 222 deri 334 milionë euro për kalim ilegal të kufirit. Përveç kësaj, më 2016 dhe 2017 së paku 27.332 punëkërkues nga Kosova kanë humbur vendet e tyre të punës në Gjermani për shkak të procedurave të stërzgjatura për t’u pajisur me viza. Nëse paga e tyre në vendet e punës në Gjermani do të ishte 1.200 euro në muaj, atëherë në total janë humbur mbi 32 milionë euro në paga në muaj.

Në këtë mënyrë, përveç që institucionet e Kosovës nuk mund të hapin vende të reja të punës në Kosovë, ato paraqiten edhe si pengesë për punëkërkuesit për sigurimin e një vendi të punës jashtë Kosovës. Përderisa punëkërkuesit kosovarë nuk arrijnë të shkojnë në Gjermani për të punuar dhe marr pagat e tyre, kryeministri pa problem shkon në Zvicër dhe kryen pushimet në resorët më të shtrenjtë, duke kontribuar në ekonominë zvicerane.