Në Bruksel është krijuar përshtypja se me marrëveshjet e arritura në dialog, janë tejkaluar tensionet dhe është hapur rruga për normalizim. Por prej takimit në Ohër, janë djegur dhjetë vetura në veri të Kosovës, nuk ka pasur dënime të qarta nga Beogradi, ndërsa BE-ja e ka bërë dënimin sa për sy e faqe. Beogradi kërcënon dhe qartë shprehet se nuk do t’i zbatojë disa pika të marrëveshjes. Zgjedhjet në veri të Kosovës do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e shumicës së serbëve që jetojnë atje. BE-ja si ndërmjetësuese, e SHBA-ja si mbështetëse, duhet të flasin qartë rreth disa zhvillimeve nëse dëshirojnë të shpëtojnë atë që mendojnë se është arritur në dialog. Sepse realiteti në terren është krejt ndryshe nga përshtypja që është krijuar në Bruksel
Janë bërë saktë tre vjet prej kur ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, ishte emëruar si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Në atë kohë, kishte pyetje se a ka nevojë për një të dërguar të posaçëm të tillë, me një ekip po ashtu të posaçëm, pasi BE-ja edhe deri atëherë, kishte mjaft personel që angazhohej në dialog. Argumentohej se ka nevojë, sepse duhet të jetë një person dhe një ekip i cili 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë do të merret me këtë çështje. Sepse, thuhej para tre vjetësh “status quoja nuk është e qëndrueshme” dhe se “brenda muajsh e jo vitesh duhet të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, përmes së cilës do të zgjidhen të gjitha mospajtimet mes palëve”. Tre vjet më vonë nuk kemi marrëveshje gjithëpërfshirëse, as ligjërisht obliguese dhe jemi shumë, shumë larg nga normalizimi. Sado ironike duket, BE-ja tash krenohet se është arritur një “status quo e ri”. BE-ja thotë dhe të tjerët besojnë, se është arritur një Marrëveshje në Bruksel më 27 shkurt dhe një pajtim për aneksin e zbatimit të saj në takimin në Ohër më 18 mars. Marrëveshja nuk është nënshkruar, por në BE thonë se kjo nuk e vënë në dyshim obligimin e palëve që të zbatojnë të gjitha pikat e saj.
Kanë kaluar një muaj e gjysmë nga takimi i Brukselit kur palët “u pajtuan se nuk ka nevojë të flasin më për tekstin e marrëveshjes” (kështu në fund e përkufizoi ngjarjen përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell). Ka kaluar gati një muaj prej takimit në Ohër. Përpos një takimi në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, që dukej se ishte më normal sesa takimet e tjera, por që shfaqi përsëri nivel të lartë mosbesimi, nuk ka pasur ndonjë veprim për zbatimin e Marrëveshjes, e as për sqarimin e të gjitha pikave të saj që thuhet se janë obligime për palët.
E ndërkohë, ka pasur deklarata, prononcime dhe zhvillime që kanë dëshmuar se ajo që është arritur, sepse nuk jemi të sigurt nëse mund t’i quajmë marrëveshje, nuk ka ndryshuar aspak situatën në terren. Në pozitë më të vështirë pa dyshim janë serbët në Kosovë, sidomos ata në pjesën veriore të cilët nuk e dinë se si të veprojnë. Në njërën anë është marrëveshja e cila e ka pikën e njohjes edhe nga ana e Serbisë të të gjitha simboleve shtetërore, përfshirë targat e veturave, e në anën tjetër, janë liderët lokalë të serbëve, të mbështetur nga Beogradi, që u thonë se nuk duhet t’i marrin targat e veturave që lëshojnë autoritetet e Kosovës. Dhe autoritetet e Kosovës e kishin caktuar një afat deri në ditën e fundit të marsit për t’i ndërruar targat me lehtësime financiare, pa pagesë. Dhe serbët, duke besuar se situata është normalizuar pas marrëveshjeve në Bruksel e Ohër, nisën me të madhe t’i marrin targat e Republikës së Kosovës. Por pasuan djegiet e veturave si rikujtim se asgjë nuk është normale dhe ajo që dëgjohet në Bruksel e nga Brukseli nuk është realiteti, por është më shumë një iluzion i normalitetit krijuar me besimin se do të ndihmojë që të bëhet realitet.
politikanë serbë, media dhe Kisha Ortodokse Serbe, raportojnë sa herë që të ketë çfarëdo incidenti apo sulmi ndaj ndonjë objekti privat apo kishtarë, të serbëve në Kosovë duke e paraqitur këtë, herë si “sulm ndaj serbëve” e herë si “terror të Kurtit për të dëbuar të gjithë serbët nga Kosova”. Reagime të tilla ka edhe kur fjala është thjesht për sulme me motive vjedhjesh, që doemos duhet dënuar po ashtu. Por është vështirë të lidhen sulmet e tilla me ndonjë urdhër të qeverisë që ato të kryhen, siç dëshiron të krijon përshtypjen Serbia. Dukuri të tilla të vjedhjeve, dëmtimit të pronës, ka në Kosovë dhe nuk kursehen objektet private të askujt, e as tempujt fetarë të asnjërit besim.
Dhe është shumë e çuditshme se si nga Serbia, politikanët serbë në Kosovë e Kisha Ortodokse Serbe nuk pati reagime të ashpra ndaj djegies së veturave të atyre që i ndërruan targat. Kjo lë përshtypjen se djegia është bërë me motive politike. E kur digjen veturat me motive politike, mund të paramendohet se si do të prononcoheshin Beogradi dhe të tjerët sikur në pjesë tjera të Kosovës të ishin djegur veturat e serbëve të Kosovës. Djegia e veturave nuk ka guxuar të kalojë me një heshtje të tillë. Edhe BE-ja është dashur më qartë të dalë me deklarata për të dënuar këto akte. Për më tepër, EULEX-i është dashur të angazhohet për të ndihmuar Policinë e Kosovës për të hetuar rastet dhe për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit. Sepse me një të arrestuar për dhjetë vetura të djegura Policia e Kosovës ka dëshmuar se nuk mund ta kontrollojë si duhet pjesën veriore të vendit.
Bashkimi Evropian bënë gabime të rënda kur për të mos prishur raportet politike me disa liderë në rajon, në këtë rast me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, relativizon një problem aq të rëndë, siç është djegia e veturave. Njësoj BE-ja, me heshtjen e saj, ka ndihmuar që Serbia dhe përfaqësuesit e saj nga Lista Srpska të terrorizojnë serbët në Kosovë. Nëse dialogu është vërtetë për të normalizuar jetën e qytetarëve në Kosovë, e do të duhej të ishte, atëherë a mos nuk duhet ata qytetarë të kenë një përgjigje të prerë, pa ambiguitet, se çfarë targash duhet dhe mund të kenë dhe a mund t’i mbrojë dikush nëse u shkatërrohet prona.
Në Bruksel është krijuar përshtypja se me marrëveshjet e arritura në dialog janë tejkaluar tensionet dhe është hapur rruga për normalizim. Por prej takimit në Ohër janë djegur dhjetë vetura në veri të Kosovës, nuk ka pasur dënime të qarta nga Beogradi, ndërsa BE-ja e ka bërë dënimin sa për sy e faqe. Beogradi kërcënon dhe qartë shprehet se nuk do t’i zbatojë disa pika të marrëveshjes. Zgjedhjet në veri të Kosovës do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e shumicës së serbëve që jetojnë atje. BE-ja si ndërmjetësuese, e SHBA-ja si mbështetëse, duhet të flasin qartë rreth disa zhvillimeve nëse dëshirojnë ta shpëtojnë atë që mendojnë se është arritur në dialog. Sepse realiteti në terren është krejt ndryshe nga përshtypja që është krijuar në Bruksel. Sepse duke i lënë gjërat të paqarta, mund të krijohen më shumë probleme sesa që zgjidhen.