OpEd

Raporti Final dhe Rrjedhojat e Komisionit të së Vërtetës

Shkrim i punuar në bazë të publikimit “Kërkimi i së vërtetës - Elementet e krijimit të një komisioni efektiv të së vërtetës” realizuar nga The International Center for Transitional Justice (5)

Puna e komisionit të së vërtetës kulmon me publikimin e raportit final, dokumentit zyrtar me shkrim mbi punën dhe gjetjet e komisionit. Ky dokument duhet të shërbejë si një referencë e rëndësishme për shkollarët (studiuesit), politikbërësit, dhe historianët e viteve të ardhshme.

Pjesa më e madhe e raportit do të përmbajë gjetjet e komisionit, gjegjësisht, konkludimet dhe përshkrimet e ngjarjeve historike. Një kapitull i rëndësishëm i komisionit do t’i dedikohet rekomandimeve të politikave.

Përveç kësaj, raporti duhet të përfshijë:

• Mandatin e komisionit, kushtet e angazhimit, kartat autorizuese, rregullat procedurale dhe ligje tjera relevante

• Informata shtesë mbi anëtarët e komisionit dhe sqarime mbi mënyrën sesi janë zgjedhur ata

• Përshkrimin e rolit të qeverisë ose institucioneve tjera publike dhe private në themelimin dhe funksionet e komisionit

• Sqarime të hollësishme për metodologjinë e aplikuar gjatë dhënies së dëshmive dhe hetimeve

• Listën e dokumenteve dhe evidencës që ndihmuan në arritjen e konkludimeve, ligjet relevante, dhe analizën e dështimeve nga ana e strukturave institucionale dhe shoqërore, të cilat shkaktuan këto ngjarje. Nëse lejojnë resurset, transkripta e dëshmive mund të përfshihet në shtojcë, në formën e një raporti të veçantë publik, ose në komunikim online

• Listën e viktimave ose autorëve të krimit, përveç në raste kur identiteti tyre nuk zbulohet për arsye të sigurisë, procedurale apo tjera arsye

Hartimi dhe Përpilimi i Raportit Final

Hartimi i raportit final është një proces kompleks që kërkon koordinim të hulumtimit, bashkëveprimin e diciplinave të shumta, dhe ndërtimin e koncenzusit mes komisionerëve. Për të hartuar një raport të suksesshëm kërkohet:

• Afat kohor për aktivitetet e grumbullimit të të dhënave duke siguruar se analiza nuk pëson ndryshime nga fluksi i informatave të reja

• Hulumtim konsistent, të bazuar në procedura të qarta, udhërrëfyes, dhe komunikim i objektivave para se të bëhet mbledhja e të dhënave

• Standarde të qarta dhe uniforme të redaktimit dhe afate rigoroze kohore për hartim, sidomos në rast se kemi të bëjmë me komisione të përbëra nga stafi ndërkombëtar dhe me gjuhë të ndryshme të punës. Afatet kohore duhet të ofrojnë kohë të mjaftueshme për të siguruar hetime, analiza, hartim, redaktim, përditësim dhe formatim të detajuar

Për shkak se raporti final ka gjasa të ketë më shumë se një autor, fillimisht është e rëndësishme të përcaktohen stili dhe standardet e shkrimit për të siguruar konsistencë dhe lexueshmëri. Redaktorët duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kontraditave ose diskrepancave nga një kapitull në tjetrin.

Lansimi i Raporti Final

Komisioni duhet të publikojë raportin final në formë të shtypur dhe elektronike. Njëkohësisht raporti duhet t’i prezantohet shefit të qeverisë dhe institucioneve tjera të përfshira në autorizimin e komisionit, siç janë organet legjislative dhe gjyqësore, dhe nëse e përshtatshme, edhe Kombeve të Bashkuara dhe organizatave tjera ndërkombëtare.

Përkundër faktit se raporti final hartohet nga një komision i pavarur, qeveria duhet t’a trajtojë dokumentin si raport qeveritar dhe si pjesë e dosjeve zyrtare. Raporti final mund të publikohet në Gazetën Zyrtare të Qeverisë ose në dosjet/skedat e kongresit si dhe të vlerësohet në një seancë të veçantë parlamentare ose në kuvendin e qeverisë (idealisht në një periudhë prej gjashtë muajsh pas publikimit) për të debatuar mbi qëndrimin e qeverisë dhe shqyrtimin e çfarëdo veprimi të mëtutjeshëm që mund të ndërmirret.

Të sigurohet se mesazhet përçohen tek një audiencë sa më e gjerë e mundshme

Për shkak të audiencës së larmishme—politikbërësit, ligjbërësit, edukatorët, hulumtuesit, viktimat, dhe të tjerët—duhet të merren në konsideratë mediat e ndryshme dhe vendet që mund të shfrytëzohen për të rritur ndikimin e raportit. Nëse lejojnë resurset e komisioneve (ose në bashkëpunim me mediat kryesore), raporti final i plotë dhe versionet e tij të shkurtuara duhet të ofrohen falas për publikun.

Në muajt vijues pas publikimit të raportit, gjetjet nga raporti mund të prezantohen në programe televizive dhe ato të radios, dhe komisionerët duhet të jenë të disponueshëm për intervista dhe ngjarje tjera mediatike. Raporti duhet të jetë falas për qasje dhe riprodhim.

Për komunitetet që nuk kanë qasje në internet ose media, mund të sigurohen libra për përdorim në shkolla dhe vende ku mbahen takime fetare; ose në rastin e fshatrave të vogla pa ndonjë ndërtesë publike, në shitore të rëndomta ose vende tjera qëndrore për t’u mbledhur. Versionet audio mund të transmetohen në radiostacionet që iu përkasin komuniteteve.

Raporti duhet të përkthehet dhe jetë i disponueshëm në të gjitha gjuhët lokale, përfshirë këtu edhe gjuhët e popullit indigjen/vendas, si dhe gjuhët zyrtare të atij shteti. “Një botim për fëmijë” i thjeshtësuar duhet të shkruhet dhe të jetë i disponueshëm në shkolla së bashku me planprogramet shkollore, si sugjerim për t’i ndihmuar mësimdhënësit gjatë prezantimit të këtij materiali kompleks për fëmijët.

Pranueshmëria e Gjetjeve dhe Implementimi i Rekomandimeve

Gjersa komisioni duhet të jetë i pavarur nga qeveria, është e rëndësishme që të mirëmbahen marrëdhënie të mira me qeverinë në mënyrë që të sigurohet se kjo e fundit angazhohet aktivisht në përpilimin e raportit, e shpalos atë në një ngjarje publike, dhe përgjigjet me zell.

Është mëse e zakonshme për degën ekzekutive të qeverisë të bëjë pranimin e raportit final dhe të fillojë procesin e implementimit të rekomandimeve që rrjedhin nga raporti, edhe pse në procesin e implementimit duhet të përfshihen të gjitha degët e qeverisë.

Qeveria që e pranon raportin e ka për obligim të sigurojë këshillim për çdo person të drejtat e të cilit janë shkelur dhe të shqyrtojë me kujdes variantet e prezantuara nga komisioni. Megjithëse rekomandimet e komisionit nuk janë ligjërisht mandatore, qeveria duhet të sqarojë arsyet për moszbatimin e rekomandimeve të caktuara.

Shoqëria civile duhet t’a ketë mundësinë të shprehë qëndrimin e tyre rreth rekomandimeve themelore të propozuara nga komisioni dhe të bëjë fushatë ose të avokojë tek qeveria për më shumë vëmendje ndaj çështjeve të caktuara.

Monitorimi i Implementimit

Progresi i qeverisë në implementimin e rekomandimeve duhet të monitorohet dhe raportohet. Ky rol mund të përmbushet nga organet si vijon:

  • Autoriteti më i lartë për të drejtat e njeriut, siç janë Avokati i Popullit, ministri ose komisione
  • Organizata pasardhëse e komisionit të së vërtetës, e themeluar me ligj
  • Organizatat e shoqërisë civile

Pas shuarjes së komisionit, organizatat e shoqërisë civile, siç janë institucionet akademike dhe organizatat joprofitabile dhe juridike, ka gjasa të kenë prezencë të përhershme apo afatgjate dhe të jenë të familjarizuara me problemet shoqërore, ligjore ose ekonomike të popullatës së tyre. Një shembull interesant është rrjeti i shoqërisë civile mbi komisionet e së vërtetës në Sierra Leone, i cili ka krijuar një sistem monitorimi për reagimin e qeverisë ndaj rekomandimeve të komisionit. Rrjeti ka pasur komunikim të drejtëpërdrejtë me agjencionet qeveritare për pranimin e raporteve të progresit.

Pavarësisht statusit që mund t’a kenë monitoruesit, ata duhet të jenë rigoroz në monitorimin e performancës së agjencive qeveritare në implementimin e rekomandimeve. Raportet përmbledhëse të progresit duhet të publikohen në intervale të rregullta dhe të përfshijnë diskutime mbi atë se ku ka dështuar qeveria në përmbushjen e obligimeve bashkë me sugjerimet për implementimin e rekomandimeve.

Shuarja e Komisionit të së Vërtetës

Publikimi i raportit final zakonisht shënon përmbylljen formale të veprimeve operative, edhe pse këshillohet që komisioni të lejohet me mandat ta vazhdojë punën për tre deri gjashtë muaj shtesë, për të siguruar se është përmbushur në tërësi shpërndarja e informacionit te publiku dhe se asetet dhe arkivat e komisionit janë dorëzuar tek institucioni pasardhës.

Gjatë kësaj periudhe, komisioni duhet të adresojë:

  • Mënjanimin e aseteve, siç janë zyrat, mjetet e transportit, dhe pajisjet, konform ligjit. Çfarëdo materiali mbi kredinë e huazuar nga institucionet publike do të kthehet. Çfarëdo materiali plotësues ose i tepërt, i blerë me fonde nga jashtë, mund të jepet si donacion, nëse këtë e lejon mandati.
  • Dorëzimi i librave të aktiviteteve financiare të komisionit, mënjanimi i ndonjë fondi të mbetur publik, dhe mbyllja e kontove bankare, konform ligjit. Publikimi i raportit të përgjithshëm final të aktiviteteve financiare për shqyrtim publik.
  • Organizimi dhe klasifikimi i arkivave të komisionit. Komisioni do të gjenerojë sasi të mëdha të dokumentimit, duke përfshirë materialet me ndjeshmëri, siç është databaza e dëshmive, draft raportet e hershme, dhe komunikimet. Legjislacioni i aplikueshëm ndryshon nga shteti në shtet, por komisioni duhet të organizojë arkivën e tyre, të sigurojë ruajtjen e tyre, dhe të krjojë një sistem të qasjes që është në përputhshmëri me ligjet e privatësisë, menagjimin e evidencës, mbrojtjen e viktimave, dhe lirinë e informimit.
  • Finalizimi i kontratave. Varësisht nga statusi juridik i personelit (punonjës me orar të plotë, konsulentë, kontraktorë qeverie, nën-kontraktorë), administrata e komisionit duhet të sigurojë se janë përmbushur të gjitha obligimet që kanë të bëjnë me punësimin dhe se të gjitha çështjet e zvarritura, siç janë kontestet rreth punësimit, janë deleguar tek autoritetet e duhura për shuarjen e komisionit.
  • Dorëzimi i rasteve të mbrojtjes tek autoritetet relevante. Nëse komisioni ka përdorur shërbime të mbrojtjes dhe shërbime tjera, siç janë asistenca ligjore, shëndetësore, apo ekonomike për viktimat ose dëshmitarët, duhet të sigurojë se programet e tilla do të vazhdohen në formë adekuate, nëse e nevojshme.

Fuqizuar nga Integra, CPT, PAX dhe RBF.

Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.