Raportet e progresit që një herë në vit i miraton dhe publikon Komisioni Evropian nuk kanë më ndikim në zhvillimet politike në vendet për të cilat bëhen. Por në anën tjetër ato janë pasqyrë e nivelit të përgatitjes së një vendi për integrim në BE. Sikur nga niveli më i lartë politik të mos kishte ndërhyrje, ato raporte do të ishin edhe më kritike
Komisioni Evropian në mesin e muajit tetor do të miratojë dhe publikojë paketën e zgjerimit dhe raportet individuale të progresit për vendet e përfshira në këtë proces. Do të jetë kjo paketa e fundit që publikohet në mandatin e këtij komisioni. Për dallim nga vitet e mëhershme, kësaj radhe nuk pritet ndonjë rekomandim konkret i Komisionit Evropian. Të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit tashmë kanë statusin e kandidatit me përjashtim të Kosovës. Ndërsa aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk është shqyrtuar fare as pas dy vjetësh, dhe nuk ka ndonjë shenjë se atij dokumenti do t’i hiqet pluhuri dhe të nxirret nga sirtari. Komisioni Evropian pritet që të përsërisë qëndrimet në rekomandime për të gjitha vendet siç kanë qenë deri më tash. Prandaj këtë vit nuk ka edhe aq kureshtje për raportet e progresit siç ndodhte zakonisht deri më tash.
Sa i përket përmbajtjes, vendet kandidate, dhe Kosova e vetmuar me statusin e “kandidatit potencial”, e dinë pak a shumë se çfarë do të jetë. Sepse e dinë gjendjen në vendin e tyre dhe masat që i kanë ndërmarrë në përmbushjen e mangësive të cilat ishin identifikuar në raportet paraprake. Dhe si gjithmonë, kur të bëhen publike raportet, qeveritë do të mundohen që fokusin ta vendosin në ato fusha ku është evidentuar progresi, ndërsa opozita në ato ku ka munguar progresi, nuk ka pasur progres apo edhe ka pasur kthim prapa. Kështu ndodh gjithmonë pa marrë parasysh se për cilin shtet është fjala, se sa është i mirë apo i keq raporti i progresit. E qëllimi i raportit të progresit është pikërisht për të identifikuar fushat ku duhet të bëhet edhe më shumë progres. Prandaj është e pamundur që raporti i progresit të jetë krejtësisht pozitiv. Sepse kur të vijë momenti që raporti të jetë krejtësisht pozitiv, atëherë ai vend do të jetë i gatshëm të bëhet vend anëtar.
Procesi i zgjerimit, prej anëtarësimit të Kroacisë në BE e tutje, ka hyrë në një rrugë edhe më të vështirë, të paparashikueshme dhe të paqartë. Për këtë edhe raportet e progresit e kanë humbur peshën që kanë pasur dikur. Vendet kandidate nuk shqetësohen shumë për kritikat eventuale që përmenden në raportet e progresit. Edhe pas publikimit të tyre, ndonëse nganjëherë rritet presioni për ndërmarrjen e hapave për progres, aty ku nuk ka pasur progres, ata që janë në pushtet në ndonjë vend i injorojnë thirrjet e tilla.
Prandaj, me disa dallime në disa fusha, e përbashkëta për të gjitha vendet kandidate dhe “kandidatin potencial” është se progresi zakonisht vërehet në miratimin e ligjeve, krijimin e kornizës ligjore, por se rezultatet konkrete në implementim kanë munguar, ose kanë qenë të pamjaftueshme.
Pikërisht për shkak se vendet kandidate nuk besojnë se mund të arrijnë ndonjë progres konkret dhe të shpejtë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE, ato edhe nuk nxitojnë t’i bëjnë reformat dhe t’i marrin më seriozisht raportet e progresit.
Përvoja nga valët e mëhershme të zgjerimit të BE-së ka dëshmuar se më së shumti progres është arritur kur ato kanë besuar se do të bëjnë një hap konkret drejt anëtarësimit. Qoftë në luftën kundër korrupsionit, në sundimin e ligjit apo në zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, vendimet më të vështira janë miratuar në prag të përmbylljes së negociatave apo në prag të anëtarësimit, kur e kanë ditur se nëse bëjnë hapin e duhur do të kenë përfitime. Procesi i zgjerimit në fakt është për nga natyra transaksional. Kandidati kryen detyrat dhe BE-ja avancon procesin drejt integrimit.
Në anën tjetër është vështirë të pritet që një qeveri, apo një strukturë politike në pushtet, të marrë vendime të vështira, nganjëherë jo të popullarizuara, të marrë vendime të tilla me pritjet se asgjë nuk do të ndodhë dhe ndoshta përfitimet do të jenë pas disa vjetësh. Nuk është politikë e përgjegjshme kjo sjellje, sepse përfitimet në fund të fundit janë për qytetarët dhe pak ka rëndësi se kush kishte në cilin moment merita. Po ashtu, zakonisht gjatë procesit të zgjerimit në një shtet kandidat ndërrohen disa qeveri, dhe secila kryen një pjesë të fundit. Por realiteti është se secila qeveri shikon vetëm përfitimet gjatë mandatit që ka, me synim që ta shfrytëzojë dhe në të ardhmen.
Kështu edhe raportet e progresit nuk kanë më peshën dhe ndikimin që e kanë pasur dikur. Por në anën tjetër ato janë pasqyrë e nivelit të përgatitjes së një vendi për integrim në BE. Dhe gjatë tërë vitit u ndihmojnë edhe qeverive, edhe administratës, por edhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në jetën politike dhe shoqërore që të punojnë në adresimin e problemeve që janë identifikuar në raportet e tilla. Sikur nga niveli më i lartë politik të mos kishte ndërhyrje, ato raporte do të ishin edhe më kritike. Sepse shpesh, për t’i ndihmuar ndonjë vendi kandidat, politikanët e të cilit kanë lidhje të ngushta me liderët e BE-së, për qëllime politike disa probleme relativizohen. Megjithëkëtë, në fund të fundit raportet e progresit vazhdojnë të jenë pasqyra më reale e gjendjes së një vendi kandidat dhe ato duhet të mbahen.