Papjekuria e skenës sonë politike ka zëvendësuar debatin e arsyeshëm politik me proliferim intensiv të fushatave dezinformuese. Në këtë ndërmarrje ata janë duke keqpërdorur situatën ekonomike dhe financiare të mediave fragjile. Por, edhe nëse do të ekzistonte një shpresë sado e vogël në gjithë këtë mes, këtë shpresë e shkatërron sistemi i dobët arsimor. Prandaj, nuk ishte befasi rangimi i Kosovës si vend i fundit në rajon në luftë kundër lajmeve të rreme. Ishte konfirmim publik i asaj që të gjithë kemi ditur privatisht
Kohëve të fundit Kosovës i kanë ardhur kryesisht lajme të mira nga raportet ndërkombëtare - nga Transparency International e deri tek Indeksi i Sundimit të Ligjit, Kosova ka shënuar progres të ndjeshëm në të gjitha fushat. Por, në një raport të fundit i cili nuk mori vëmendje publike Kosova përsëri zuri vendin e fundit në rajon.
Instituti i Sofjes për Shoqëri të Hapur ka publikuar Indeksin e Edukimit Mediatik 2022. Mos u mashtroni nga titulli i tij formalist, thelbi i tij është në fakt mjaft ekzotik. Raporti synon të matë dhe vlerësojë kapacitetin e 41 vendeve në botë për të luftuar kërcënimin më të madh modern: dezinformimin. Thënë ndryshe, raporti vlerëson kapacitetin e vendeve për t’u përballur me “fake news”.
Raporti ka identifikuar katër mburojat kyç nga lajmet e rreme: cilësia e arsimit, liria e mediave, besimi në shoqëri dhe qasje digjitale të qytetarëve. Është dëshmuar se lajmet e rreme kanë dështuar të kenë efektin e tyre në çdo shoqëri që ka sistem cilësor arsimor. Qytetarët e mirarsimuar janë të informuar për zhvillimet e gjithmbarshme dhe të pajisur me mendim kritik për të njohur lajmet e rreme. Po kështu, mediat luajnë rol kyç në mohimin e hapësirës malinje për lajmet e rreme. Mediat janë gardian i parë në luftë kundër lajmeve të rreme. Në shoqëritë ku mediat gëzojnë kredibilitetin publik dezinformimi nuk ka arritur të dëmtojë fibrin e jetës demokratike. Besimi në shoqëri është qenësor për parandalimin e lajmeve të rreme pasi që besimi në mes qytetarëve, por edhe në institucionet publike, mediat, OJQ-të etj. është shenjë e arsyeshmerisë dhe integritetit të shoqërisë. Në vendet ku qytetarët besojnë në arsyen dhe integritetin e komshiut apo institucioneve është e pamundur të ngrihen konspiracionet sikur: “Vaksina është shpikje e Bill Gatesit”.
Pra, në gjithë këtë sfond nuk vjen si befasi që raporti ka konkluduar se vendet më të mbrojtura nga lajmet e rreme janë vendet nordike. Finlanda në vendin e parë, Norvegjia në vendin e dytë, Danimarka në vendin e tretë. Ndërsa në vendin e fundit janë: Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Gjeorgjia. Serbia dhe Mali i Zi janë vendet më të përgatitura për t’u mbrojtur nga lajmet e rreme në rajon, ndërsa Bosnja dhe Shqipëria janë pak a shumë sikur ne.
Sa i përket rrugës përpara, raporti sugjeron dy shtigje. Në afat të shkurtër vendet duhet të ndërmarrin masat rregullative të cilat do të parandalojnë proliferimin e lajmeve të rreme. Kjo është në veçanti e vërtetë sa u përket mediave sociale – të gjithë kemi parë kapacitetin shkatërrues të Trumpit në Twitter. Mediat tradicionale duhet të zbatojnë me rigorozitet Kodin e Etikës dhe të ndajnë përvojat më të mira në parandalimin e lajmeve të rreme. Ngritja e verifikuesve të certifikuar të verifikimit të lajmeve të rreme është provuar të jetë mjet i rëndësishëm në ruajtjen e diskursit të shëndetshëm publik. Në afatgjatë, arsimi mbetet qenësor për luftimin e dezinformimit dhe madje në dy kuptime. Ngritja e përgjithshme e cilësisë së arsimit, si dhe investimi në trajnimin e specializuar për të njohur lajmet e rreme. Në Finlandë mësimdhënësit mësojnë fëmijët qysh në klasat e para të njohin lajmet e rreme. Ata përdorin mjetet sikur TikTok-u dhe Instagrami për të sjellë në klasë storiet reale të dezinformimit me qëllim të pajisjes së fëmijëve me shkathtësitë e nevojshme për të njohur lajmet e rreme.
***
Dezinformimi nuk është risi. Prej kohës kur njeriu është ngritur nga katër në dy këmbë dezinformimi është ngritur bashkë me të. Sidoqoftë, interneti dhe ndërlidhshmëria globale kanë krijuar një ekosistem të ri ku dezinformimi është shndërruar në kërcënim kyç të jetës demokratike anembanë botës. Në SHBA gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 Rusia ndërmori fushatë të orkestruar dezinformuese për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale. E njëjta ndodhi në rastin e BREXIT-it në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë pandemisë COVID-19 kemi parë proliferim të fushatave dezinformuese për të fajësuar Perëndimin për lindjen e virusit dhe njëkohësisht për të portretizuar Perëndimin si të paaftë dhe inferior në menaxhimin e pandemisë. Në vitin 2021 teoritë e konspiracionit pushtuan Kongresin amerikan dhe kërcënuan transferimin paqësor dhe demokratik të pushtetit. Së fundi në Brazil ish-presidenti tentoi të vendoste në dyshim tërë procesin demokratik zgjedhor dhe shqyrtoi seriozisht mundësinë e përdorimit të forcës për të ruajtur pushtetin. Pushtimi rus i Ukrainës është një agresion ushtarak, por i realizuar nën fushatë dezinformuese të “çlirimit të Ukrainës nga nazizmi”. Sot çdo mbrëmje studiot mediatike në Moskë janë shembujt praktikë të zbatimit të fushatës më agresive dezinformuese që bota ka parë në kohën moderne.
Por lajmi i mirë është se demokracitë janë duke ngritur mburojat për t’u mbrojtur nga dezinformimi. Strategjia Kombëtare e Sigurisë e SHBA-së, Koncepti Strategjik i NATO-s dhe Plani i Veprimit Kundër Dezinformimit i BE-së të gjithë identifikojnë dezinformimin si kërcënim për jetën demokratike. Në SHBA, ish-presidenti Trump ballafaqohet me prospektin e aktakuzës për orkestrimin e sulmit mbi Kongresin. Çdo ditë e më shumë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar janë duke kuptuar gabimin e BREXIT-it, në Brazil ish-presidenti ka migruar në SHBA për t’i ikur drejtësisë, ndërsa në Rusi propaganda dezinformuese për nazizmin ukrainas ka dështuar njësoj siç po dështon pushtimi i tyre ushtarak.
Por duke iu kthyer vendit tonë, duhet njohur që raporti nuk ishte befasi. Kushdo që përcjell diskursin publik në Kosovë kupton se jemi tejet të ekspozuar ndaj lajmeve të rreme. Papjekuria e skenës sonë politike ka zëvendësuar debatin e arsyeshëm politik me proliferim intensiv të fushatave dezinformuese. Në këtë ndërmarrje ata janë duke keqpërdorur situatën ekonomike dhe financiare të mediave fragjile. Por, edhe nëse do të ekzistonte një shpresë sado e vogël në gjithë këtë mes, këtë shpresë e shkatërron sistemi i dobët arsimor. Prandaj, nuk ishte befasi rangimi i Kosovës si vend i fundit në rajon në luftë kundër lajmeve të rreme. Ishte konfirmim publik i asaj që të gjithë e kemi ditur privatisht.