Një autor britanik krejt esëll shpjegon me ton shpeshherë humoristik historinë e alkoolit - nga koha e gurit deri në ditët e sotme. Libri i Mark Forsyth tregon se si alkooli u bë droga më e përhapur e njerëzimit - jo përherë në favor të njerëzimit.
Në Mesjetë Kosova ka prodhuar më shumë raki se drithë. Rakia, mezja e mejhania kanë qenë pjesë e jetës sociale në Perandorinë Osmane. Shumë sulltanë kanë pirë raki herë me avdes, herë pa avdes, herë para se të lexojnë Kuranin, herë pas leximit të Kuranit. Në mejhanet e Stambollit ia shtronin muhabetit myslimanë, grekë ortodoksë, armenë, shqiptarë, hebrenj e të tjerë. Licencat për mejhanet që shërbenin raki zakonisht i merrnin të krishterët. Myslimanët pinin.
Në Bosnjën osmane myslimanët respektonin zotin dhe nuk pinin verë. Por ata pinin raki. Sepse, siç theksonin, rakinë nuk e ndalonte eksplicit Kurani. Në labirintin e religjioneve njerëzit përherë gjenin një shteg për të pirë alkool. Një gjerman i cili erdhi në Stamboll në shekullin e 16-të raportoi se si njerëzit përpiqeshin që përmes britmave të mëdha të nxirrnin shpirtin përkohësisht nga trupi. Ndërsa bërtisnin dhe besonin se shpirti i tyre kishte dalë jashtë trupit, myslimanët pinin pandërprerë. Pa shpirt në trup, pirja e rakisë s’ishte mëkat, së paku sipas interpretimit të disa osmanëve të Stambollit.
Në shekullin e 19-të një inxhinier rus ishte i ftuar në një ndeje të një persiani të pasur. Të pranishmit e falën solemnisht akshamin, pastaj mikpritësi duartrokiti dhe i tha hyzmeqarit të sjellë “diçka të veçantë dhe kësula të tjera”. Menjëherë u sollën me tabakë disa kësula të cilat i zgjodhën të pranishmit, mes tyre edhe mullahët, dhe i vendosën mbi kokë. Tani ata i thoshin vetes: “Më nuk jemi mullahë, por njerëz privatë”. Ia nisën pastaj të luajnë tavllë (kjo lojë ishte e ndaluar) dhe të pinë “diçka”. Kjo “diçka” ishte një grumbull shishesh me konjak, vodkë, verë, liker dhe lloje të tjera alkooli. Domethënë: ndërroje kësulën, bërtit dhe pi. Kjo duket të ketë qenë metoda e disa myslimanëve për të hequr etjen.
Ndoshta një libër si ky - “Një histori e shkurtër e pijes” (“A Short History of Drukenness”) - mund të shkruhet vetëm nga një britanik. Britanikët kanë humor. Humori i tyre shpesh është i zi, por njëkohësisht i përzier me sarkazëm e vetëironi, nganjëherë poenta mbetet pezull dhe kësisoj shkëlqen ambiguiteti. Mark Forsyth, i lindur më 1977, i diplomuar në Oxford në letërsi e linguistikë, i është qasur historisë së alkoolit me seriozitet të hareshëm që nga koha e gurit, Egjiptit të lashtë, Greqisë antike dhe kulturës së saj të verës, përfshirë vikingët e rusët.
Para se njeriu të shkelte në tokë, aty ishte alkooli. Pemët bien nga degët, kalben dhe fermentohen. Nga fermentimi rrjedh alkooli. Para se të pinte njeriu alkool, këtë e bëri majmuni. Përballë bregdetit të Panamasë gjendet një ishull ku majmunët shijojnë frutat e palmës astrocaryum vulgare (4,5 për qind përmbajtje alkool). Së pari majmunët dalldisën e bërtasin, mandej dremiten, nganjëherë bien nga drunjtë dhe lëndohen. Në raport me peshën e trupit ata brenda 30 minutave pinë ekuivalentin e dy shisheve verë.
Në vitin 1914 Car Nikolla i II-të i Rusisë e ndaloi alkoolin në mbarë territorin e vendit të tij. Më 1918 Car Nikolla i II-të u ekzekutua bashkë me familjen e tij në një bodrum në Jekaterinburg, një qytet në Ural. A kanë diçka të përbashkët këto ngjarje? Sipas Mark Forsyth: po. Në prag të Luftës së Parë Botërore ndër problemet kryesore të ushtarëve rusë ishte pirja e tepërt e alkoolit. Andaj ndërhyri Cari me ndalesë. Por kjo pati pasoja për shtetin sepse një e katërta e të hyrave në buxhetin rus buronte nga taksat që i viheshin alkoolit. Forsyth shkruan se historianët debatojnë me qejf mbi atë se a e shkaktoi mungesa e vodkës Revolucionin Rus. Më 1925 Stalini vendosi që të legalizojë konsumimin e alkoolit.
Rusët kanë pirë gjithmonë, ky nuk është ndonjë lajm i madh që na e prezanton Mark Forsyth në librin e tij. Por gjithsesi atraktive janë faktet (shpesh anekdotike) që Forsyth rendit në libër. Në vitin 987 para erës së re sundimtar i një mbretërie të re ruse ishte Vlladimiri i Madh. Me një rast ai i ftoi delegacionet e tri religjioneve të mëdha botërore me qëllim që të zgjedh njërën nga fetë për popullin e tij rus. Hebrenjtë nuk i pranoi kur kuptoo se nuk kanë atdhe. Myslimanët iu dukën interesantë sepse përshkruanin kënaqësitë e mishta dhe të tulta (Vlladimiri ishte “adhurues i grave dhe i bollëkut”), por sundimtari u step kur krerët myslimanë i thanë se feja e tyre e ndalonte pirjen e alkoolit. “Rusëve u pëlqen të pinë. Pa këtë kënaqësi ne nuk mund të jetojmë”, tha Vlladimiri i Madh. Ra rakia dhe rusët nuk u bënë myslimanë, mund të thuhet.
Nga viti 987 në vitin 1985: lideri i ri sovjetik Mihail Gorbaçov lansoi fushatën kundër vodkës. Në një takim gju më gju me popullin, një rus u ankua se artikuj të rëndësishëm ushqimorë si birra. Gorbaçovi u përgjigj se birra nuk është artikull mbijetese. Gjashtë vite më vonë komunizmi mori fund. A ishte shkak vodka? Ndoshta. Në Rusi, ta zëmë, 23 për qind e vdekjeve janë pasojë e vodkës. Ose llojeve të tjera të pijeve të rënda.