Dhe jo, ky vit nuk ka mundur të përfundonte ndryshe, pos me pasqyrimin më të prekshëm të mundshëm se përse Kosova është kështu çfarë është -- për shkak se të gjitha në këtë vend i kontrollojnë ata që vetes ia kanë dhënë atributet e një sundimtari absolut e të paprekshëm, ku vetë të akuzojnë dhe vetë të gjykojnë
Viti nisi me skandalin që kishte për synim shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe mbaron me ndalimin e gazetares Saranda Ramaj dhe konfiskimin e telefonit të saj pa vendim gjykate, në një gjest që paraqet shkeljen flagrante të ligjit, me të cilin e kemi gojën plot.
Lëre që veprimi i djeshëm në gjykatë ishte pengim i gazetarëve për ta kryer punën e vet, porse paraqet shkelje të rëndë të privatësisë së gazetares, së cilës pa asnjë keqardhje i grabitet telefoni i saj personal.
As pas dy orësh mbajtjeje në Pallatin e Drejtësisë, nuk kishte njeri që dinte të tregonte se ku e kishte telefonin. Vetëm pasi e çuan në stacion të policisë, aty u vërtetua se telefonin ia kishin marrë pjesëtarët e mbrojtjes së afërt të Hashim Thaçit, pa vendim gjykate për konfiskimin e telefonit. E as pa vërtetim se telefoni i konfiskohet. Në fakt ka ndodhur grabitja e telefonit, sikur edhe të gjithçkaje në këtë vend të nëmur.
“Krimi” i Sarandës është që e ka kryer punën e vet në gjykatore dje. Po “krim” edhe më i rëndë i saji është se me shkrimet e saja në disa vjetët e fundit i ka denoncuar dhe dokumentuar një sërë keqpërdorimesh jo vetëm në shëndetësi, por edhe në polici. Ua ka zbuluar rrjetin e krimit të organizuar që i ka kapluar një sërë institucionesh.
Grabitja e telefonit të Sarandës do të ketë pasur për qëllim që dikush për interesat e veta të ngushta t'i zbulojë burimet e që ta parandalojë Sarandën nga hulumtimi i mëtejmë. Gjithashtu do të mundë të shërbente edhe për montimin e materialeve me të cilat do të donin që ta inkriminonin apo edhe ta shantazhonin atë, për shkak se ky është modus operandi i atyre që e kanë krimin profesion.
Dhe jo, ky vit nuk ka mundur të përfundonte ndryshe, pos me pasqyrimin më të prekshëm të mundshëm se përse Kosova është kështu çfarë është -- për shkak se të gjitha në këtë vend i kontrollojnë ata që vetes ia kanë dhënë atributet e një sundimtari absolut e të paprekshëm, ku vetë të akuzojnë dhe vetë të gjykojnë.
Përcjellësit e Thaçit
E se nuk ka kush t’ia kontestojë pushtetin absolut Thaçit e dëshmon votimi i rezolutës për ekipin shtetëror negociator, i cili është në pritje të miratimit të një ligji me të cilin do të përkufizohen detyrimet e këtij ekipi, kinse gjithëpërfshirës.
Fakti se dy partitë më të mëdha opozitare nuk bëjnë pjesë në këtë ekip tregon se Kosovës i mungon konsensusi, në kohën më të pavolitshme të mundshme për Kosovën. Për shkak se nëse është për t'u besuar raportimeve të mediumeve serbe, se Palmeri do të jetë negociatori amerikan në këtë proces, atë që ka arritur Hashim Thaçi me “shkathtësitë e veta” negociatore, është hapja e çështjes së statusit të Kosovës -- pra thuajse na ka kthyer 20 vjet prapa. E kjo implikon edhe përfshirjen e Rusisë në këtë proces.
Pra, rezoluta u votua pa shumë problem nga PDK-ja, që është sinjal i mjaftueshëm për të treguar se ajo është hartuar ashtu që e ka kënaqur kërkesën kryesore të partisë së Thaçit, pra që ky të jetë kryenegociatori i padiskutueshëm. Krejt ata të tjerët, përfshirë bashkëkryesuesit, do të jenë përcjellësit e tij në shëtitjet që do t'i bëhen Brukselit. E nëse ende nuk janë bindur se ashtu do të jetë, do të duhej të mjaftonte deklarata e Thaçit thënë pardje: se ai nuk do të shkonte me ekipin negociator për shkak se do të shkojë në skijim në Brezovicë më 8 janar.
Pra, nëse ende nuk e kanë kuptuar, ata janë figura aty, që do të shkojnë për të marrë mëditje dhe për të shëtitur e për me hëngër ndonjë drekë a darkë me verëra të shtrenjta, dhe me kaq do të përfundojë muhabeti.
Problemi me Kuvendin dhe referendumin
Dy nga argumentet kyç të PSD-së, kur e kishte propozuar rezolutën, ishin se marrëveshja eventuale kishte nevojë të votohej nga dy të tretat e Kuvendit për t'u legjitimuar dhe se pastaj ajo do të shkonte në referendum.
Çështja e demarkacionit tashmë e ka dëshmuar se sa e brishtë është vendosmëria e partive për të mos votuar një gjë për të cilën tre vjet me radhë kanë thënë se nuk e votojnë dhe se është e padrejtë.
Në çastin kur të mbërrihet një marrëveshje, ta zëmë të llojit të Zajednicës, do të bëhet trysni aq e madhe ndërkombëtare, saqë do të gjenden pesëqind arsye se përse do të duhej votuar kjo marrëveshje. Do të mjaftonte të merrej për bazë vetëm përvoja që na ka ndodhur me fusnotën e Edita Tahirit. Do të kujtojmë presionin e jashtëzakonshëm nga amerikanët që kulmoi me një letër nga Hillary Clinton, që nuk e merrte për bazë ama asnjë argument të atyre që e kundërshtonim. Nga fusnota kanë kaluar bajagi do vjet, ajo ende nuk është shkrirë dhe në fakt është elementi, i cili ende shihet si pengesë masive për anëtarësimin e Kosovën në organizata ndërkombëtare, për shkak se me të vetes ia kemi kontestuar shtetësinë dhe pavarësinë.
Problemi tjetër është referendumi.
Kosova nuk ka as KQZ funksionale, sa për fillim. E po të ishin pak më të shkathtë opozitarët, kjo do të duhej të shërbente për bazë që Thaçit t'i ngrihej rasti për shkelje të Kushtetutës. Por kjo për ndonjë rast tjetër.
Pra, fakti se KQZ-ja nuk është funksionale, do të thotë se nuk ka garanci se shënimet e votuesve azhurnohen sipas dinamikës së kërkuar. Nuk e di nëse sekretariati merr informata nga Ministria e Brendshme bile për të vdekurit që duhet shlyer nga lista, porse fakti është që edhe në zgjedhjet e kaluara kemi pasur më shumë votues sesa popullatë.
Kështu, edhe po të kërkohej që të votonte gjysma e elektoratit për ta bërë referendumin valid, do ta gënjenim veten, sepse do të mbështeteshim mbi fakte të rreme -- pra ja kemi votues më shumë seç kemi popullsi, ja listat elektorale i kemi krejt dallash. Kjo flet për legalitet që nuk është.
E fundit te votimet në Kosovë është se në asnjë palë zgjedhje nuk kemi shpëtuar nga vjedhja industriale e votave. Pra, dilema e parë është se cili mekanizëm do të na mbronte votimin në referendum. E dyta është çka nëse vota e referendumit është e kundërt me atë të Kuvendit -- a do të kishte fuqi më të madhe kur dihet se referendumi nuk është kategori Kushtetuese, por vetëm ligjore.
Realiteti i hidhur
Dhe përderisa do të zgjasin dilemat dhe diskutimet për krejt këtë që ka ndodhur dhe po ndodh rreth ekipit negociator, që duket që nuk ka as kokë, as këmbë, ndërkohë Kosova e jeton realitetin e vet të përditshëm që po bëhet përherë më i dhunshëm e i rrezikshëm.
Plaçkitjet me armë zjarri jo vetëm të bankave, por edhe të hipermarketeve kanë filluar të shpeshtohen, dhe kanë nisur të krijojnë ndjenjën e pasigurisë më të madhe që do ta kemi përjetuar që nga lufta.
Rasti i fundit ndodhi në Istog, që përfundoi me këmbim zjarri që ne ishim mësuar t'i shihnim nëpër filma. Plaçkitësi i armatosur u vra, por jo pa e plagosur për vdekje policin në detyrë, Izet Demaj, i cili tashmë është bërë i njëzeti që është vrarë derisa e ka kryer punën e vet.
Ajo që doli në pah, sërish pas vrasjes së Idrizit në veri, është se policët nuk kanë sigurim as shëndetësor (si e gjithë Kosova), porse as sigurim të jetës. Në mungesë të sistemit funksional në vend, policët është dashur të pajiseshin me polica sigurimi jetësor së paku -- gjë e cila ka mundur të realizohej qëmoti, po të mos i kishin dërrmuar paratë e buxhetit krejt qeveritë që i ka pasur ky vend. E besoj se këto polica nuk do të kushtonin më shumë seç marrin rroga ata 80 e kusur badihavxhinj që quhen zëvendësministra.
Nuk duhet mjaftuar me ndihma të njëhershme që do t'i akordojë Qeveria në rast vdekjeje. Do të duhej menduar më seriozisht edhe për ruajtjen e dinjitetit të policëve, që kur janë në detyrë e kanë jetën në teh, për dallim prej ne të tjerëve. Ligji i paralajmëruar për sigurimin e personave, puna e të cilëve paraqet rrezikshmëri të lartë, duhet të kalojë urgjentisht -- dhe hiç nuk ka nevojë të mendohet për burime të financimit: mjafton të eliminohen veteranët e rremë nga buxheti dhe para do të ketë me bollëk.
* * *
Shkoi edhe ky vit, i cili na solli pak gëzime dhe shumë brenga.
Nga ajo që po paralajmërohet për mot, duke nisur nga rregullimi i statusit të kazinove dhe bastoreve, nuk po na shkruhet mirë. Nëse intenca është kështu të rritet punësimi, e dimë në fund se do të mbarojmë me një grusht pasanikësh që do ta mbajnë monopolin e lojërave të fatit dhe një grumbull depresivësh që nuk do të dinë se çfarë do të bëjnë me veten kur t'i humbin edhe ato pak para që i kanë.
Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë që ky vend të kthjellet, e që të nisë të ecë për së mbari. Me gjasë do të na shpëtonte vetëm një pastrim masiv truri që do të na udhëzonte se punët kurrë nuk do të na ecin mirë përderisa luftën për pushtet dhe interesin personal ta kemi në vendin e parë në toplistë.