OpEd

"Vëlla"? "Vrasës"!: Lufta e fasadave në Beograd

Adhuruesit e Vladimir Putinit kanë pikturuar një mural të presidentit rus në Beograd. Kundërshtarët e Putinit e kanë njollosur muralin disa herë. Mbi një lojë mes maces dhe miut në kryeqytetin serb dhe putinofilinë serbe

Vitin e kaluar Rruga e Njegoshit në qendër të Beogradit dominoi edhe titujt e mediave ndërkombëtare. Atëbotë aktiviste dhe aktivistë të të drejtave të njeriut u përpoqën të hiqnin një mural të Ratko Mladiqit, i dënuar si kriminel lufte nga Tribunali i OKB-së për ish-Jugosllavi. Shpejt "në vendin e ngjarjes" dolën njerëz kokërruar dhe të veshur me kostume të zeza. Policia e vëzhgoi situatën, pa ndërhyrë. Kur gjendja kërcënonte të përshkallëzonte, burrat e veshur me rroba të zeza i arrestuan disa aktiviste dhe ua dorëzuan policisë. Në mënyrë kaq bizare në Serbi funksionon ballafaqimi me të kaluarën: mohuesit e krimeve dalin "në vendin e ngjarjes", atakojnë aktivistë dhe aktiviste dhe vazhdojnë të glorifikojnë kriminelët e dënuar për gjenocid, mes tyre sidomos Ratko Mladiqin.

Jo larg rrugës ku Serbia regresive kultivon botëkuptimet e saj ndodhet një mural tjetër. Ai paraqet fytyrën e një personi jo më pak të urryer se Ratko Mladiqi. Në rrugën e Mbretit Milutin radikalët e djathtë serbë kanë vizatuar mbi një fasadë një portret të Vladimir Putinit. Kjo ka ndodhur në fillim të marsit, pothuajse një javë pasi shefi i Kremlinit sulmoi Ukrainën. Krahas portretit të Putinit "artistët nacionalistë" shkruan fjalën "vëlla" (brat). Ditën tjetër aktivistët mbi fjalën "vëlla" shkruan "vrasës".

Që nga atëherë në kryeqytetin serb është duke u zhvilluar një përleshje e vogël mes miqve të Putinit dhe kundërshtarëve të tij. Duhet thënë se kundërshtarët e Putinit janë dukshëm pakicë në Serbi. Sipas një ankete, 80 për qind e serbeve dhe serbëve janë kundër që Serbia t'i vendosë sanksione Rusisë. Beogradi është kryeqyteti i vetëm në Evropë ku janë mbajtur tubime e demonstrata në përkrahje të Vladimir Putinit. Së fundmi u shfaqën edhe posterë ku Putinit i urohej 70-vjetori i lindjes.

Kritikët e Putinit në Beograd, megjithatë, nuk kanë qëndruar duarkryq. Muralit të Putinit i janë vendosur një palë syze të zeza, të cilat e bëjnë presidentin rus të duken si një bos i mafisë meksikane apo siciliane. Nga sytë e Putinit rrjedh gjak. Kjo i ka zemëruar adhuruesit e Putinit. Ata janë përpjekur disa herë që muralin e liderit rus ta kthejnë në gjendjen fillestare. Në lojën e pingpongut mes atyre që e përlyejnë fytyrën edhe ashtu të përlyer të Putinit dhe atyre që duan ta "ruajnë pastërtinë e jetës së veprës së tij", grupi i parë tani për tani është në epërsi. Javën e kaluar në kokën e Putinit në fasadën e Beogradit u shfaqën fjalët "mut" dhe "zuzar". Pranë tyre u shfaq në rusisht thirrja "jo luftës", ndërsa nga fjala serbe "brat" (vëllai) u bë "rat" (luftë).

Putini nuk është "heroi" i vetëm rus i cili glorifikohet në kryeqytetin serb. Me një mural është përkujtuar edhe Darja Dugina, e bija e filozofit radikal rus Aleksandar Dugin. Dugina u vra nga një sulm me bombë në gusht, pasi kishte marrë pjesë në një festival nacionalist në Moskë. Sipas shërbimeve sekrete amerikane, të cilat u cituan këto ditë nga "New York Times", pas sulmit dyshohet se qëndron Shërbimi Sekret ukrainas.

Filozofi Aleksandar Dugin kishte vizituar Beogradin dhe Shkupin më 2018, ku kishte prezantuar veprat e tij dhe ishte përpjekur të mobilizonte qarqet nacionaliste dhe antiperëndimore.

Edhe Vladimir Putini në dhjetë vjetët e fundit e ka vizituar disa herë Serbinë dhe është pritur me fanfarë. Disa qytete serbe e kanë shpallur atë "qytetar nderi". Edhe Komuna kosovare e Zveçanit, e qeverisur nga serbët lokalë, e ka shpallur Putinin "qytetar nderi", po aty ekziston edhe një mural i Putinit: lideri rus mban në dorë një gotë, me gjasë me raki. Edhe më larg kanë shkuar banorët e fshatit Haxhinice të Medvegjës. Më 2016 ata vendosën që fshatin e tyre ta emërtojnë sipas Vladimir Putinit. Nga Haxhinice u bë Putinovo. Atëherë banorët e Putinovos paralajmëruan se do të pjekin edhe raki. Dhe rakia e re do të quhej "Putinovaça". Një shoqëri e dehur.