Shumë u tha dhe u analizua në lidhje me vizitën e kancelares Merkel, nga këndvështrime të ndryshme. Ajo që unë mund ta kuptoja ishte fakti se Vuçiqi ishte shndërruar në një politikan të saj të preferuar dhe simpatik, e zërat cinikë thonë se me përfundim të mandatit, ajo do të angazhohet si këshilltare e tij. Sigurisht se Gjermania do të dëshirojë që t’i mbrojë investimet, si dhe interesat e saj në Serbi, ku nëpërmjet këtyre investimeve ka punësuar më se 70 mijë njerëz. Loloja Edi Rama, si i patakt që është, zgjodhi pikërisht konferencën për shtyp me kancelaren Merkel që edhe njëherë t’i hidhej Kosovës mbi qafë, mbi projektin e tij dhe vëllait të vet Vuçiq, "Open Balkan". Në fakt, në prononcimin e kancelares Merkel, kur njeriu e lexon mesazhin e saj midis rreshtash të gjuhës së përdorur diplomatike ajo la të kuptohet se nuk mund të ketë edhe një projekt tjetër paralel përveç iniciativës së Berlinit. Me fjalë të urta diplomatike ajo ua bëri me dije Vuçiqit dhe Rampës “Open Balkanit” i “vdiq nana, e edhe baba”.
Këtë vit, së paku ne në Londër, nuk mund të lavdërohemi se kishim ndonjë verë këndej pari. Edhe sikur t’i bësh bashkë të gjitha ditët me diell, nuk jam i sigurt se ato do ta kalonin një numër një shifror. Personalisht, këtë verë ngurrova që të shkoja në Kosovë, sepse e parandieja se do të kishte një fluks enorm të diasporës, gjë e cila edhe ndodhi. Planifikoja që në Kosovë të shkoja në muajin shtator, pasi që tollovitë sadopak t’i ktheheshin asaj përditshmërisë tipike kosovare.
Fatkeqësisht, edhe plani im që ta vizitoja Kosovën në shtator dështoi, pasi që, siç jemi në dijeni tashmë, COVID-19 kishte marrë hovin e tij më të madh me variantin Delta dhe numri i të infektuarve dhe i vdekshmërisë ishte tepër i lartë. Logjika më thoshte se do të duhesha të prisja për kohëra më të mira.
***
Kancelarja Angela Merkel, para përfundimit të karrierës së saj politike, zgjodhi vizitat në Beograd dhe Tiranë, si dhe takimet me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shumë u tha dhe u analizua në lidhje me vizitën e kancelares Merkel, nga këndvështrime të ndryshme.
Ajo që unë mund ta kuptoja ishte fakti se Vuçiqi ishte shndërruar në një politikan të saj të preferuar dhe simpatik, e zërat cinikë thonë se me përfundim të mandatit të saj, ajo do të angazhohet si këshilltare e tij.
Sigurisht se Gjermania do të dëshirojë që t’i mbrojë investimet si dhe interesat e saj në Serbi, ku ajo nëpërmjet investimeve të saj ka punësuar më se 70,000 njerëz. Loloja Edi Rama, si i patakt që është, zgjodhi pikërisht konferencën për shtyp me kancelaren Merkel që edhe njëherë t’i hidhej Kosovës mbi qafë mbi projektin e tij dhe vëllait të vet, Vuçiq, "Open Balkan".
Në fakt, në prononcimin e kancelares Merkel, kur njeriu e lexon mesazhin e saj midis rreshtash të gjuhës së përdorur diplomatike, ajo la të kuptohet se nuk mund të ketë edhe një projekt tjetër paralel përveç iniciativës së Berlinit. Me fjalë të urta diplomatike ajo ua bëri me dije Vuçiqit dhe Rampës se “Open Balkanit” “i vdiq nana, e edhe baba”.
Sado që Edi Rampa me dinakëri u mundua ta shesë këtë projekt në prononcimin e tij si projekt i përbashkët i gjashtë shteteve participuese të Ballkanit Perëndimor, ai shumë mirë e di se tri nga to janë kategorikisht kundër: Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Mali i Zi.
Përndryshe, ai sot deklaroi se prioritet i Qeverisë së tij, “Ramsesi III”, do të jetë edhe lobimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë pranë vendeve anëtare të OKB-së për njohjen e Kosovës. Nëse lobimin Edi Rampa e mendon ashtu qysh "loboi" gjatë konferencës për medie me kancelaren Merkel, më mirë që Kosova ta kërkojë vetë që moratoriumi i zotimeve të nënshkruara në Washington për mosanëtarësim në organizata ndërkombëtare e lobime për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës të shtyhet edhe për një kohë.
E, përderisa shqiptarët, ose së paku lidershipi politik i shqiptarëve është i përçarë dhe interesat nuk shikohen si të përbashkëta afatgjate, por interesa të ngushta ekonomike, në anën tjetër serbët flasin për "botën serbe". Ata çdo ditë e më shumë punojnë rreth asaj se si duhet të jenë të bashkuar kudo që ata jetojnë, e kanë një plan se ku dhe çka dëshirojnë të arrijnë me çështjen dhe interesin e tyre kombëtar. E keqja është se ata gjithmonë këto aspirata i kanë në kurriz dhe dëm të të tjerëve, siç e patëm rastin ta shohim edhe me ngjarjet e fundit në Malin e Zi, e të cilat ende nuk kanë përfunduar dhe nuk dihet se si do të përfundojnë.
***
E lexova sot një artikull edhe në The Economist. Autori bënte krahasimet dhe paralelet ndërmjet Vietnamit dhe Afganistanit. Në detaje kishte përshkruar ngjashmëritë e intervenimit amerikan në të dyja këto vende: Përkrahjen e qeverive të këtyre vendeve, të cilat ishin të korruptuara deri në palcë, përderisa amerikanët mund ta shtynin agjendën e tyre. Shtetet gati arritën deri në zhbërjen dhe shthurjen e shteteve të tyre, nga sjelljet e qeveritarëve të korruptuar
E pse disi ky rrëfim më ngjan i njohur? Ku do ta kem dëgjuar? S’e kam idenë…
***
Mbrëmë mora një ftesë nga një mik që t’i bashkohesha në një koktej rasti, ku do të ishte prezent edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Unë nuk arrita atje në pjesën kur ministri kishte mbajtur një prezantim në lidhje me aktivitetet e Ministrisë dhe takimet dhe marrëveshjet e arritura në Britaninë e Madhe në lidhje me trajnimet e ushtarakëve kosovarë.
Me të arritur aty, miku im, Agimi, më mori dhe më prezantoi te ministri. E patëm një bisedë të shkurtër, por me aq sa pata mundësi ta vëreja, ai ishte shumë modest për nga natyra. E përgëzova për punën e deritashme dhe i dëshirova suksese të mëtutjeshme. Edhe disa miq të tjerë pjesëmarrës në atë koktej rasti e lavdëruan ministrin për qëndrimin dhe karakterin e tij. Për punën dhe suksesin e tij të mëtutjeshëm mbetet të shihet.
***
Në Shqipëri me një vendim të paprecedent, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulëzim Basha, shkarkoi nga grupi parlamentar i deputetëve të PD-së, Sali Berishën. Sigurisht pas trysnive amerikane, administrata e të cilit shtet e shpalli Sali Berishën person non-grata kohë më parë, tashmë nga ish-nxënësi i Berishës kërkuan edhe kokën e Saliut nga partia. Kjo sigurisht se përbrenda Partisë Demokratike do të shkaktojë pakënaqësi dhe turbullira të brendshme, e sigurisht edhe tek elektorati i përçarë ndër vite. Sigurisht se shumica e njerëzve të elektoratit të Partisë Demokratike ndihen të fyer dhe ofenduar nga ana e Lulëzim Bashës dhe plot thonë se vendimi i tij është jolegjitim dhe kundër statutit të brendshëm të partisë. Edhe një ndarje e re përbrenda popullit shqiptar, i cili assesi t’u shpëtojë ndasive, mirëpo vetëm bëhen protagonistë të ndarjeve të reja, të inskenuara nga bosët e tyre partiakë. Tash Sali Berisha deklaron se do të tentojë që ta kthejë partinë mbrapa; se si do ta bëjë atë gjë nuk e kam të qartë; gjithashtu nuk e kam të qartë se në moshën e tij çfarë ego e shtyn atë ende për ambicie të lidershipit partiak.
***
Presidenten Vjosa Osmani e pamë se si në Gjermani u prit nga presidenti gjerman, Frank Walter Steinmeier, me nderimet më të larta shtetërore.
Gjatë adresimit për gazetarë, nga ana e presidentes Osmani dëgjuam një anglishte të rrjedhshme dhe një elokuencë në qëndrimet e saj mbi drejtimin e shtetit të Kosovës dhe rrugëtimin demokratik drejt vlerave euro-atlantike. Ajo, gjithashtu, nuk e la pa e përmendur edhe faktin se në bisedimet me Serbinë në asnjë çast nuk do të bisedohet për shtetësinë e Kosovës, temë kjo e rrumbullakuar në vitin 2008, e as nuk do të bisedohet për integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani, gjithashtu, përmendi projektin “Open Balkan”, të cilin e cilësoi si një projekt të rrezikshëm dhe se drejtimi i vetëm për Kosovën mbetet iniciativa e Berlinit. Presidentja Osmani, po ashtu, e theksoi rëndësinë e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke mos harruar ta cekë faktin se Gjermania mbetet shteti me numrin më të madh të diasporës kosovare.
Mendoj se Kosova ka lënguar qëmoti nga një prezantim i një niveli të tillë dhe ajo gjë tashmë po bëhet në mënyrë dinjitoze dhe meritore. Të gjitha këto të vrojtuara nga syri i një vrojtuesi diplomatik facebook-or.
Në takimin e presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive parlamentare kosovare u diskutua mbi mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit pas gjendjes së shkaktuar nga COVID-19 varianti Delta, dhe pas rekomandimeve të IKSHPK-së për shtyrjen e zgjedhjeve.
Në këtë takim nuk është arritur konsensusi i nevojitur për një vendim të tillë, mirëpo është lënë mundësia e hapur mbi një caktim të takimit të radhës pas monitorimit të mëtutjeshëm të gjendjes aktuale pandemike.
Unë, personalisht, ende mbetem i mendimit se zgjedhjet lokale do të duhet të shtyheshin, përderisa ndërkohë të gjitha partitë së bashku të caktonin një trup, i cili do të monitoronte dhe menaxhonte me situatën e pandemisë në Republikën e Kosovës. E di, kjo tingëllon paksa idilike dhe e pamundshme për rrethanat kosovare duke i njohur aktorët politikë dhe raportet e inatet e tyre ndërmjet vete, por ja që mbetet dëshirë e imja të shihja një gjë të tillë.