OpEd

Qumështi i lopëve të Sis(ë)lejit

Si ia doli Sislej Xhafa të na detyrojë të gjithëve ta pimë direkt qumështin nga sisët e lopëve të tij?

“NUK DO TË BËJA nëse do t’i dija paraprakisht të gjitha zgjidhjet... Arti im ka të bëjë me pyetjet, jo përgjigjet... Nuk është vetëm një zgjidhje, ka me mijëra zgjidhje… Unë nuk i di ato, për këtë arsye shtroj pyetje”.

Këto më kanë mbetur në mendje nga tri biseda të gjata mediatike që kam pasur me Sislej Xhafën në fillimet e viteve 2000, në kohën kur sapo kishte bërë emër në botën e artit ndërkombëtar.

Dhe, tash kur i kujtoj, që të tria ishin të veçanta në natyrën e vet.

E para ishte botuar në formë të reportazhit të gjatë në dy faqe të «Koha Ditore», si përshkrim i tri ditëve të shoqërimit tonë në Venecia, në kohën kur Sisleji po hapte një ekspozitë.

Dy të tjera pastaj, televizive, në Prishtinë, secila jo fort e zakontë. Për njërën më kishte kërkuar që të marrim një kombibus në Prishtinë dhe intervistën ta zhvillojmë aty, teksa hyjnë dhe dalin udhëtarët.

Kurse, në tjetrën, ai ishte në studio bashkë me të atin e tij artist, Xhevdet Xhafën, ku do të flisnim edhe për botëkuptimet e artit nga prizmi i brezave të ndryshëm.

Gjithçka pra e Sislejit, si para 17-18 vjetësh, si dhe tash. Provokim. Cytje. Thirrje për reflektim, refuzim, riinterpretim.

Ç-K-A Ë-SH-T-Ë T-A-SH K-J-O?!

Pyetja që të kthen në gjenezë të çështjes. Të ekzistencës. Të qenies.

LOPËT. LOPËT e mbyllura. Lopët e mbyllura në një hapësirë që mund të shihen vetëm nga një vrimë e hapur dhunshëm në murin e Galerisë Kombëtare të Artit në Prishtinë.

Çka është tash kjo?!

U shtrua me të madhe kjo pyetje këto ditë nga të gjitha anët, duke bërë ekspozitën e Sislejit - të parën në shtetin ku lindi - njërën nga më të vizituarat dhe më të komentuarat. Aq larg shkoi debati, saqë një grup u organizua dhe protestoi fizikisht para Galerisë, të shqetësuar për kushtet në të cilat po mbaheshin lopët e ekspozitës.

A kishin të drejtë të protestonin? Po. Absolutisht. S’ke se si të jesh mospërfillës ndaj aktivistëve të të drejtave të kafshëve, të cilët po nënvizonin se si në Kosovë kafshët abuzohen, se si institucionet nuk bëjnë sa duhet ndaj kafshëve, se kafshët nuk duhet të keqpërdoren.

Aq të drejtë kishin këta protestues, sa që me ta u bashkua edhe vetë artisti. Përgjigjja e Sislejit për ta ishte: “Unë jam vegjetarian, ju dua pa e ditur”.

“Ju dua pa e ditur” është titulli i ekspozitës. Protestuesit, mbase, pa e ditur, e kanë ndihmuar Sislejin, si një vegjetarian, që ta rrumbullakojë me disa përgjigje reflektuese, refuzuese, riinterpretuese veprën e tij “Tetë lopë Kosove”.Asnjëherë më parë nuk është diskutuar më shumë në Kosovë për fatin e disa lopëve se sa me këtë vepër të tijën. Që i bie, asnjëherë më shumë nuk është diskutuar për të drejtat e kafshëve më shumë në këtë vend. Arti – funksionoi.

Por a është kjo e vetmja përgjigje në pyetjet që shtron Sisleji me tetë lopët e tij të mbyllura?

A s’mund të riinterpretohen si tetë lopë të mbyllura, pa qarkullim të lirë, në shtetin e vetëm të mbyllur në Evropë, pa qarkullim të lirë?

Ose: Pse s’po protestojnë ata që na kanë mbyllur si kafshë brenda Kosovës, njësoj siç protestohet me të drejtë për mbylljen e kafshëve?

Ose: Sado të mbyllur të jemi vetë si njerëz në Kosovë, ne nuk durojmë që njësoj si ne të mbyllen madje as kafshët?

Gjithsesi se Sisleji s’do ta elaboronte më gjatë këtë vepër të tij, por mund ta paramendojë një përgjigje: “Unë jam vetë emigrant, ju dua pa e ditur!”

VIOLINISTËT ME maska. Violinistët me maska në Kuvendin e Kosovës. Violinistët me maska në Kuvendin e Kosovës që luajnë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Për këtë nuk u protestua në rrugë, por jo pak protestë kishte gjithandej. Vepra e Sislejit “Sërish dhe sërish”, e vitit 2000, po shfaqej në organin më të lartë përfaqësues të shtetit.

A ishte ky një përdhunim i institucioneve të shtetit të ri të Kosovës? Apo, ofendim për të zgjedhurit e popullit? Të tillë ishin disa zëra të protestës. Ose: A është referencë djallëzore për “hajnat që e kanë kapur shtetin”? Ose: Se disa guerilë me maska ia dolën që në këtë Kuvend ta shpallnin një shtet të ri, i lindur si reaksion ndaj dhunës e shtypjes?

Ose, se: Gjithçka po na luhet si muzikë para syve, derisa është thjesht akt kriminal?

Këto pyetje shtrohen sot. Këto pyetje duhen të shtrohen gjithmonë. Këto janë pyetjet më të shëndosha që duhet të shtrohen në një shtet që pretendon të jetë demokraci, nga qytetarët që vlerësojnë se duhet të jetojnë në demokraci.

A ka dashur edhe Sisleji të na i shtrojë këto pyetje? Nuk e di. Ajo çfarë di është se na nxiti ne të tjerët që t’i shtrojmë, qoftë si reflektim, qoftë si refuzim, qoftë si riinterpretim.

Arti i tij funksionoi.

ME FJALË TË tjera, me të dyja këto vepra që u përfolën shumë, Sisleji duket se ia doli që të gjithëve të na detyrojë ta pinim direkt qumështin nga sisët e lopëve të tij!

Ose, nuk na bëri…

Çka është tash kjo?!

Pyetjet duhet të vazhdojnë!

[email protected]

Twitter: @adriatikk