OpEd

Qitma votën, ta jap botën

Njerëz mbyllni kufijtë e Kosovës! Asnjë njeri mos e lejoni këndej më! Rrethojeni çdo cep me tela gjemborë e elektrikë, njësoj si kishat e manastiret serbe. Le të kthehet veç kush ka qëlluar jashtë për ndonjë vizitë a punë dhe kaq, vërjani drynin dyerve! Mos leni vendkalim as për një mi të “lodhtë”edhe në qoftë se ju kërkon leje për vizitë!

Po ashtu, bjeruni vizë vizave, meqë nuk kanë pse ju duhen minimum në katër vjetët e ardhshëm e ndoshta edhe më tutje. Ju nuk do të shkoni askund. Ose më mirë e thënë: Ju nuk do të dëshironi të shkoni askund. Mos lejoni që pas këtyre arritjeve e ndryshimeve që do të ndodhin pas zgjedhjeve në Kosovë, të na lëshohet farë fluksi i njerëzve e azilantëve që do të kërkojnë të jetojnë këtu, e të na i shfrytëzojnë mrekullitë e jetesës dhe standardin tonë të lartë kozmik.

Jo me bacën. Rrini atje ku jeni tash, raus!

Shkencëtar me çip

Sa ishim dashamirë e budallenj, ishim edhe zemërmirë e dorëlirë. Jo falëm toka, jo lëvizëm kufij, jo heshtëm kur na vodhën, na shitën, na trafikuan e na lanë analfabetë. Nuk ka më. Tash, me gjithë këto ndryshime e suksese, qe besa do të bëhemi egoistë të paparë.

E çka do të na duhen vizat më allahile, kur qytetet tona do t’u përngjajnë metropoleve evropiane, bile edhe më shumë. Veç metroja që do të ndërtohet nëntokë, aty ku deri dje qarkullonte krimi i organizuar, do të na dalë boll. Sa shkolla po ndërtohen me standarde maksimale, nga ato që ta integrojnë farë çipi në kokë dhe ti je shkencëtar për dy ditë. Bën vaki kështu kanë doktoruar liderët tanë e ne nuk e kemi marrë vesh procesin.

Nuk do të ketë më njeri pa punë, që i bie se Komuna do të ndjekë shembullin e Qeverisë dhe do të bëhet punëdhënësi më i madh në Kosovë. Uf, nuk po durohet more gjithë kjo bukuri, por njeriu nuk po ka me çka thartohet, thjesht kot sa për balancë. Tutje: Qytetari mesatar kosovar do të jetë me minimum dy shtëpi me “byzent”, tri vetura dhe nganjëherë edhe me dy gra, nëse veç mundet me u dalë karshi. Por logjikisht, me gjithë këto sharje me nëna, motra e vajza, po ma merr mendja që dy deri tri gra i nevojiten secilit shqiptar. Krejt këto, plus konto të trasha bankare, të afatizuara me kamata të larta. Po pra, bankat nuk do të jenë më ai vrasësi e hajni i padukshëm kosovar, që të rrjepë, të vjedhë, të mashtron dhe nuk të ofron asgjë, ama asgjë, pos paditurisë së punonjësve të vet robotikë e si kërmij. Por, do të jetë miku dhe shoku që ta vërë krahun kur ke nevojë dhe të ndihmon e motivon për punën dhe sukseset tua.

Utopia Land

Veç kur po e paramendoj qytetin me teleferikë, metro, ura mbi lumenj, ura mbi autostradë e ura në ato vende ku filloristët e kalojnë rrugën; Salla operash në disa qytete (Prishtina nuk është qyteti i vetëm, btw); Teatër alla “Broadway” me mbi 600 ulëse e balkona; Salla sporti (me seksione të ndara: pingpong, tenis, not, basket…), shtigje për çiklistë, domethënë aty nuk i shkel kurrkush pa hesap; shtëpi për pleq e klube për pensionistë, ku mund t’i harxhojnë paratë që do t’i kenë me tepri; strehimore për njerëz pa kulm, që më vonë do t’u dhurohen si shtëpi banimi, shëtitore, parqe e shkolla pa shiringa e thika; fakultete e arsim stabil të akredituara nga ekspertë (po mendoj nga ata që nuk suspendohen pse janë profesionistë dhe jo pakurrizorë); shkolla me kushte bashkëkohore, helbete ku nuk vjen era wc dhe ekzistojnë kabinete normale. Po pra, nuk ka më veç “U hap ky ose ai supermarket”, dhe njerëzit vrapojnë thuajse do të shohin tranguj turshi të paketuara ndryshe. Jo. “Programet” e partive, asamblistëve dhe kandidatëve për kryetar nuk janë më veç në alfabetin “futjakot” . Tani do të kemi vërtet gjithë këto që thamë dhe më tepër.

E çka është shumë me rëndësi, do të kemi spitale normale ku njerëzit nuk vdesin për shkak të anestezioneve dhe një politike të poshtër, që vjen nga lidhjet kriminale mes disa mjekëve profiterë dhe politikanëve hajdutë. Këta shitës e blerës shpirtrash të pafajshëm do të kalben në burg.

Por…Ups! Ja ku na del problem, si për inat a mësysh të hejterave, që vazhdojnë e kritikojnë rrenat dhe pallavrat e fushatave zgjedhore dhe viteve pas tyre. Hiç nuk po më kujtohet që kam dëgjuar se dikush premtoi a tregoi se do të ndërtohet një burg. Po, pra, burg, çka ka për t’u çuditur këtu. Nuk jemi ne Lichtenstein me krimin gati zero. Por, meqë të gjithë po flasin për njerëzit që do t’i çojnë në burg, them mbase edhe duhet ndërtuar një i ri që t’i zë të gjithë. E që mos të harxhohen të burgosurit pa lidhje e të ndërtojnë dhoma VIP brenda qelive, duhen siguruar kushtet që më parë. Apartamente luksoze dhe SPA me pagesë. Ahu sa çobani ka nevojë ta zbusë lëkurën e të gdhendet! Ok shkojmë tutje.

Nuk po guxoj të mendoj në mysafirët botërorë, që do të na nderojnë vitet në vijim. Natyrisht edhe ata me procedura shumë strikte, pos në rastet kur u falim çelësin e qytetit. Kështu edhe mund ta përjetojmë ndonjë koncert të solistëve operistikë me renome botërore apo të ndonjë rock-grupi bombë, pa i detyruar të na performojnë nëpër shtëpitë e kulturës, të cilat natyrisht tash e pas, do t’i përdorim veç si gardërobë teatri, a helbete ndonjë program të shkollave fillore.

Bile, tani edhe lopët e pulat do të na udhëtojnë me aeroplan kur ka nevojë. Po mendoj, gjithë ato aeroporte, që do të hapen nëpër fshatrat tona, sinqerisht, kanë nevojë për udhëtarë. Ani lëre kur nisin përsëri bisedimet Kosovë-Serbi (o sa shkulem gazi me këtë “bisedimet”), sa do të na lehtësohet puna. Thjesht tipi është duke pirë një kafe te “zadruga” e katunit, i hin kollomoçit e del në aeroport, drejt në Bruksel. Nuk ka më jo kontrolla, jo rreze X, jo shko në Prishtinë. E sa i përket kryeqytetit, edhe ata do të flladiten së shpejti në lumin e ri, që do t’ua sjellin në mes të qytetit. Mos shpërlaftë gurë, shpërlan pare!

Tensioni

E pra njerëz, boll kemi hequr, tani po vijnë ditët tona. Është momenti jonë. Sa ishim ngushtë e keq, nuk na ndihmoi kush, pos hajde de, diaspora, ato dy muaj vere. Bile edhe ata më shumë i linin paratë në Shqipëri. Diçka i kam të dyshimtë edhe me punën e vizave. Nuk ka kush më bindë se kanë ndikuar në një mënyrë ose tjetrën që mos t’i marrim, se pastaj nuk mbetet kokë a thembër kosovari, që nuk çohet e shkon me shtatë teze e halla andej. Po që se, veç çka janë ngutur njerëzit e na kanë gjykuar kot. Ama ngushtë nuk jemi për atë vizë hamami. U bë bajat si puna e UNESCO-s. Hajt boll mirë që janë tërhequr sivjet nga konkurrimi krejt. Pse të dështojmë badihava? A ju kujtohet kur u hap shampanja direkt nga dhoma e ministrit e u përqafuan i madh e i vogël për gjoja vizat? Gjithë ato puthje kot ore vëlla! Më mirë nuk konkurrojmë më fare. Sa më shumë që njeriu bën pas diçkaje, nuk po plotësohet.

Kështu që po them, rrethoni e mbyllni kufijtë. Pajtohuni me njëri-tjetrin se për secilin do të ketë nga një kore buke. Nuk ka më kuptim ku ju si rivalë politikë e akuzoni njëri-tjetrin për ngritje tensionesh. Blah, njerëz për çfarë tensioni e keni fjalën? Këtij mileti veç tensioni i gjakut i lëviz ndonjëherë, por rrallë, shumë rrallë. Sa për tensionime mendore, as që bëhet fjalë, ai kaherë ka ra në hipnozë kolektive. E qe besa edhe rrymën e kemi aq të dobët sa nuk të vret.

Nuk ka asnjë lloj tensioni, pos atij mes jush, në garë për kolltukun e florinjtë!

Dhe nuk ka asnjë armik tani, pos atij që e keni krijuar vetë, e me të cilin nuk merreni vesh sot e dyqind vjet. Armikun tënd nuk do ta gjesh në këtë mënyrë. E vetmja mundësi është të shikohesh në pasqyrë.