OpEd

Qeveria të krijohet për nevoja të Kosovës e jo për qejfin e Beogradit a Brukselit

Kosova duhet të shikojë se cila qeveri do t’ia sjellë asaj një jetë më të mirë e jo cila do t’ua lehtësojë Beogradit dhe Brukselit punën. Brukseli nuk e ka pyetur Kosovën kur e ka caktuar një kundërshtar të përbetuar të pavarësisë së saj si Josep Borrel, si përfaqësues të lartë të BE-së.

Edhe më e papranueshme duket debati se kush mund të jetë i pranueshëm për “faktorin ndërkombëtar” e kush jo në Qeverinë e ardhshme të Kosovës. Në kohën kur Serbinë tash e sa vjet e udhëheqin njerëzit që edhe sot lavdërojnë Slobodan Milosheviqin, duke e quajtur si lider të madh, që glorifikojnë kriminelët e dënuar të luftës, që mohojnë gjenocidin, të flasësh për liderë politikë të Kosovës që janë të papranueshëm për “ndërkombëtaret” është një idiotizëm i madh dhe një autogol i kosovarëve.

Kaluan edhe një palë zgjedhje në Kosovë dhe tash ankthi parazgjedhor do të zëvendësohet me atë paszgjedhor në pritje të rezultatit të pazareve politike që do të nxjerrë një strukturë të re qeverisëse.

Përderisa jashtë Kosovës, sidomos në Beograd dhe Bruksel, prapë mendojnë vetëm se si do të reflektojë ky rezultat i zgjedhjeve në dialogun me Kosovës dhe Serbisë, Kosova do të duhej të mendonte më shumë se si ta rregullojë funksiononim e brendshëm, si të ndalë korrupsionin dhe të krijojë shtetin funksional, ku respektohen pavarësia, paanshmëria dhe profesionalizmi i aparatit shtetëror e më pak të brengoset për dialogun dhe shqetësimet e burokratëve në Bruksel apo Aleksandar Vuçiqit në Beograd.

Gjithsesi duhet të mendohet edhe për dialogun, sepse qeverinë e ardhshme, kushdo që ta formoj atë, e pret një sfidë edhe në këtë drejtim. Por duhet të mendohet se si më në fund të krijohet një unitet dhe një qëndrim i përbashkët i Kosovës rreth asaj se çfarë mund e çfarë do të jetë ky dialog dhe rezultati i tij përfundimtar. Deri tash ndasitë rreth idesë së ndryshimit të kufijve, por edhe asaj se kush ka kompetenca ta përfaqësojë Kosovën dhe të marrë vendime në emër të saj kanë shkaktuar dëme. Përderisa në Kosovë nuk ka pasur unitet dhe një qëndrim të përbashkët rreth dialogut, ky dialog mbetet rrezik për Kosovën e jo mundësi. Prandaj Kosova nuk duhet të bjerë në grackën që përsëri provohet t’i imponohet se duhet gjetur një zgjidhje urgjente, sepse dialogu “nuk pret”. Ka pasur edhe gjëra të tjera në të kaluarën për të cilat është thënë se “nuk presin” dhe kur janë zgjidhur nuk ka pasur asnjë realizim të pritjeve, siç ishte rasti me liberalizimin e vizave, që u premtua se do të ndodhë sapo të ratifikohet Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Sa i përket dialogut, ai edhe ashtu është i bllokuar tash e sa muaj. Dhe më mirë është se ishte bllokuar sesa të kishte përfunduar me ndonjë marrëveshje të rrezikshme, e cila do ta kishte hequr argumentin ligjor për pavarësinë e Kosovës dhe do të kishte krijuar më shumë dëme sesa dobi jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë, duke e bërë Kosovën si vegël në qërimin e hesapeve të tjera në rajon, por edhe në skenën globale .

Ka ardhur koha që dialogu të jetë në shërbim të Kosovës e jo Kosova në shërbim të dialogut. Këtë duhet ta ketë parasysh Qeveria e ardhshme. Dialogu nuk duhet të jetë qëllim, por mjet drejt arritjes së qëllimit. Deri më tash nuk ka qenë ashtu dhe Kosova ka pësuar shumë dëme. Kosova nuk e ka ditur, e nuk e di as sot se çfarë dëshiron nga ky dialog. Në pyetjen se çka është e pranueshme e çka jo për Kosovën sot, nuk ka një përgjigje në emër të shtetit. Sepse nuk e dimë se kush flet në emër të shtetit.

Ka pasur qëndrime shumë të qarta, por të kundërta mes presidentit dhe kryeministrit, aq sa këto kanë kaluar edhe në akuza, për njërin se do të na i ndryshojë kufijtë dhe për tjetrin se po na prish me Amerikën dhe Evropën. Nuk ka mbetur dyshim se kryeministri i shkuar Haradinaj dhe presidenti nuk mendonin njësoj as për taksën ndaj Serbisë e as për zgjidhjen finale që do të duhej të arrihej në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë. Së fundi, siç u pa gjatë fushatës, as kryetari i Kuvendit nuk kishte qëndrim të qartë rreth taksës. E pas zgjedhjeve heqja e taksës do të jetë prioritet i imponuar për Qeverinë e Kosovës, prandaj edhe do të ketë presion më të madh për këtë gjë.

BE-në nuk duhet ta llogarisim si një qendër që do të duhej të kishte një qëndrim, sepse kjo në rastin e Kosovës nuk është e mundur. Kosova për BE-në nuk është shtet dhe në rrethanat e tilla nuk mund të presim nga Brukseli që të shprehet se cili mund e cili jo të jetë rezultati final i dialogut. Me ardhjen e ministrit të Jashtëm të Spanjës në krye të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, e aty do të jenë strukturat që do të merren me Kosovën dhe dialogun, situata mund të jetë edhe më e disfavorshme për Kosovën. Sepse ekipin e tij Borrel do ta krijojë vetë dhe ata do ta ndjekin linjën e tij.

Është krejtësisht i papranueshëm argumenti se Kosova, për shkak të dialogut, duhet të formojë një qeveri të caktuar, me apo pa ndonjë element. E edhe tash dëgjohen “dëshira” apo “shqetësime” se si na u dashka një qeveri e cila, doemos, duhet të ketë elemente të UÇK-së, sepse vetëm me ata në qeveri mund të bëhen “kompromise të dhimbshme në emër të Kosovës”, ndërsa pa ata në qeveri do të ketë trazira nëse dikush tjetër është në qeveri dhe bën marrëveshje me Serbinë.

Është dëshmuar si naive pritja e disa burokratëve evropianë se me nacionalistët si Vuçiqi në Beograd dhe me njerëz të UÇK-së si Thaçi, Haradinaj, Veseli e Limaj në Kosovë mund të arrihet një marrëveshje historike, sepse “ata që kanë luftuar nuk mund t’i fajësojë askush për tradhti”. Prapë Kosova duhet të shikojë se cila qeveri do t’i sjellë asaj një jetë më të mirë e jo cila do t’ua lehtësojë Beogradit dhe Brukselit punën. Brukseli nuk e ka pyetur Kosovën kur e ka caktuar një kundërshtar të përbetuar të pavarësisë së saj si Josep Borrel, si përfaqësues të lartë të BE-së.

Edhe më e papranueshme duket debati se kush mund të jetë i pranueshëm për “faktorin ndërkombëtar” e kush jo në Qeverinë e ardhshme të Kosovës. Në kohën kur Serbinë tash e sa vjet e udhëheqin njerëzit që edhe sot lavdërojnë Slobodan Milosheviqin, duke e quajtur si lider të madh, që glorifikojnë kriminelët e dënuar të luftës, që mohojnë gjenocidin, të flasësh për liderë politikë të Kosovës që janë të papranueshëm për “ndërkombëtarët” është një idiotizëm i madh.

Duhet parë se sa rezultati i këtyre zgjedhjeve ka sqaruar dhe ndryshuar skenën politike në Kosovë dhe si do t’ua kthejnë legjitimitetin institucioneve ndaj të cilave populli e ka humbur besimin.

Ata që do ta formojnë qeverinë duhet ta ndryshojnë qasjen e deritashme të politikëbërjes në Kosovë. Asnjëherë në Kosovë nuk ka qenë rezultati i zgjedhjeve ai i cili ka diktuar formimin e qeverisë, por më shumë kjo është vendosur nga matematika dhe pazaret pas zgjedhjeve. Nga pyetja se kush do të shkojë me kë do të varet se kush do ta formojë qeverinë e ardhshme e jo vetëm nga rezultati i zgjedhjeve.

Deri më tash, me përjashtim të Vetëvendosjes, të gjithë kanë qenë në pushtet me të gjithë të tjerët. Nuk u ka penguar as ideologjia, as hajnia e korrupsioni për të cilat e kanë akuzuar njëra-tjetrën partitë politike, as përkatësia etnike, as e kaluara kriminale. Nuk ka asnjë arsye kësaj radhe t’u besohet se nuk do ta bëjnë të njëjtën. Sepse sa i përket tradhtisë së partnerëve, e besa edhe të qytetarëve, pothuajse të gjitha partitë politike të Kosovës e kanë humbur virgjërinë.

Partitë politike në Kosovë deri më tash më shumë kanë shërbyer si korporata, të cilat kanë klientë dhe i servisojnë ata dhe kënaqin nevojat e tyre. Një vend pune, një tender, një regjistrim në shkollë, një heqje e dosjes, një lirim në gjykatë, një shtyrje deri në pafund të procesit, një post nëpër ministri që e bën Qeverinë më të madhe sesa të Kinës apo Rusisë. Kështu Qeveria e kaluar përfundoi mandatin me më shumë se 80 zëvendësministra, disa prej të cilëve vetë pranuan se kurrë nuk kanë pasur takim me ministrat, zëvendës të së cilëve ishin dhe merrnin rrogë nga taksapaguesit. Kryeministri Haradinaj e arsyetonte këtë me borxhet që ka Qeveria ndaj partnerëve të koalicionit e partnerë kishte aq shumë saqë edhe 80 zëvendësministra duken pak.

Brukseli, Beogradi dhe të tjerë do të jenë në pritje që të shohin se si kosovarët dhe kur do ta krijojnë qeverinë e tyre. Por nuk duhet lejuar as atyre që të përzihen në këtë punë e, nëse është për t’u besuar, ata as nuk duan të përzihen. Sepse në fund të fundit për të gjitha dështimet ata u thonë qytetarëve të Kosovës; “ju i keni zgjedhur e jo ne”. Ata që do ta krijojnë qeverinë dhe ata që do të jenë në opozitë, por pjesë e Kuvendit, duhet t’u japin llogari qytetarëve e jo dikujt jashtë Kosovës. Sepse Kosova është e pavarur apo jo. Dhe nëse Kosova nuk e respekton pavarësinë e saj pak ka argumente për të kërkuar nga të tjerët që ta respektojnë.

© KOHA Ditore