E vetmja mënyrë për ta kapërcyer këtë enigmë dhe për t’i ribalancuar tregjet financiare dhe ekonominë reale është që të ardhurat e amerikanëve të shtresës punëtore të ngrihen në mënyrë substanciale dhe të shlyhet pjesa më e madhe e borxhit – për shembull, huat studentore – që vazhdojnë t’i zhysin ata sa më poshtë. Mirëpo, shkaku se një gjë e tillë do të fuqizonte shumicën dhe ta rriste spektrin e fatit të Peelit, të kamurit dhe të pushtetshmit do ta parapëlqenin kthimin e kursimeve të mira, të moçme. Tekefundit, interesi i tyre më i rëndësishëm nuk është konservimi i potencialit ekonomik. Është ruajtja e pushtetit të pakicës për detyrimin e shumicës
Në fillimin e viteve 1830, Thomas Peel vendosi që të migronte nga Anglia në lumin Swan të Australisë perëndimore. Duke qenë një burrë veprash, Peel mori me vete, përveç familjes, “edhe 300 persona të shtresës punëtore, burra, gra dhe fëmijë”, si dhe “mjete të jetesës dhe prodhimit që kapnin vlerën prej 50.000 funtesh”. Ama, pak kohë pas mbërritjes, planet e Peelit u vunë buzë rrënimit.
Kauza nuk ishte sëmundja, katastrofa apo toka jo e mirë. Forca punëtore e kishte braktisur Peelin, i kishte siguruar vetes goxha toka në egërsinë rrethuese dhe kishte nisur “biznese” më vete. Meqenëse Peeli kishte marrë me vete forcën punëtore, paratë dhe kapitalin fizik, qasja e punëtorëve në mjetet alternative nënkuptoi se ai nuk ka mundur që me vete ta merrte kapitalizmin.
Karl Marxi ka rikujtuar rrëfimin e Peelit në librin “Capital” të vëllimit të parë, me qëllim që të aludojë se “kapitali nuk është një gjë, por marrëdhënia shoqërore midis personave”.
Shëmbëlltyra mbetet e vlefshme edhe sot kësaj dite për zbardhjen jo vetëm të dallimit midis parasë dhe kapitalit, por edhe të arsyes pse kursimi, përtej palogjikshmërisë, po vazhdon që të rikthehet.
Hëpërhë, kursimi është i dalë mode. Teksa qeveritë po shpenzojnë sikur e nesërmja të mos ekzistojë – apo, më mirë thënë, për të siguruar që e nesërmja të mos ekzistojë – shkurtimet e shpenzimeve fiskale për frenimin e borxhit sovran nuk rangohen lart mes prioriteteve politike.
Programi papritshmërisht i lartë – dhe popullor – i presidentit amerikan, Joe Biden, për stimulim dhe investime ka shtyrë kursimet krejt poshtë në agjendë. Por, sikurse turizmi masiv dhe ahengjet madhore për dasma, kursimet po qëndrojnë diku në hije, të gatshme për t’u rikthyer, të egërsuara nga llafet e kudondodhura për hiperinflacionin e afërt dhe rendimentet e gjymtuara të bonove po qe se qeveritë nuk i përqafojnë sërish ato.
Ka fare pak dyshim se kursimet janë të bazuara në mendime të gabuara, të cilat shpien drejt politikave vetëdështuese. Lajthitja fshihet në dështimin për të pranuar se, për dallim të një personi, familjeje apo kompanie, qeveria nuk mund t’i arkëtojë të ardhurat e saj duke qenë e pavarur prej shpenzimeve.
Nëse ju dhe unë zgjedhim t’i kursejmë paratë që do t’i shpenzonim për një palë këpucë të reja, atëherë do t’i mbanim paratë. Por kjo mënyrë e kursimit nuk është e hapur për qeveritë. Po qe se ato i kursejnë shpenzimet gjatë periudhave të shpenzimeve private të ulëta apo në rënie, atëherë shuma e shpenzimeve private dhe qeveritare do të bjerë më shpejt.
Kjo shumë përbën të ardhurat kombëtare. Andaj, që qeveritë të ndjekin shtegun e kursimeve, shkurtimi i shpenzimeve nënkupton të ardhura më të ulëta kombëtare dhe më pak taksa. Për dallim prej amvisërive apo një biznesi, nëse qeveria i shkurton shpenzimet e saja gjatë kohëve të rënda, atëherë do t’i shkurtojë edhe burimet.
Por nëse kursimet janë ide kaq e keqe, ua cungojnë ekonomive tona energjinë, atëherë pse janë kaq popullore mes më të pushtetshmëve?
Një shpjegim për këtë është se derisa ata pranojnë se shpenzimet shtetërore në masa pa të meta janë një politikë e mrekullueshme sigurie karshi recesioneve, si dhe karshi kërcënimeve për pasuritë e tyre, ata ngurrojnë që t’i paguajnë premiumet (taksat). Kjo mbase është e vërtetë – asgjë nuk i bashkon oligarkët më shumë sesa armiqësia ndaj taksave – por nuk e shpjegon kundërshtimin e vendosur ndaj idesë së shpenzimit të parasë së bankës qendrore për të varfrit.
Po qe se i pyesni ekonomistët, teoritë e të cilëve bashkërendohen me interesat e 0.1-përqindëshit të më të kamurve, se pse i kundërshtojnë financimet monetare të politikave rishpërndarëse që u sjellin dobi të varfërve, përgjigjja e tyre do të artikulohej përreth drojës nga inflacioni. Ata më të sofistikuarit do të shkonin një hap tutje: Një bujari e tillë tekefundit do t’i dëmtonte përfituesit e synuar të saj, shkaku se normat e interesit do të rriteshin. Në mënyrë të menjëhershme, qeveritë e përballura me ngarkesa më të mëdha të borxhit do të shtrëngoheshin që t’i shkurtonin shpenzimet e tyre. Një recesion fuqiplotë më pas do të shfaqej, duke i goditur të varfrit së pari dhe më së rëndi.
Nuk është vendi për një tjetër interpretim të këtij debati. Por le të supozojmë për një moment, dhe sa për hir të argumentit, se të gjithë pajtohen që shtypja e biliardë dollarëve të tjerë për financimin e të ardhurave bazike për të varfrit nuk do të rriste as inflacionin dhe as normat e interesit. Të pasurit dhe të pushtetshmit prapëseprapë do ta kundërshtonin, sherri i frikës së supozuar se do të përfundonin sikurse Peeli në Australi: me para por i zhveshur nga fuqia për t’i sfiduar ata që kanë më shumë para.
Ne veçse jemi duke i parë dëshmitë e kësaj. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punëdhënësit po raportojnë se nuk po mund të gjejnë punëtorë derisa masat e izolimit ndaj pandemisë të hiqen. Çfarë në të vërtetë nënkuptojnë është se nuk mund të gjejnë punëtorë, të cilët punojnë me lëmoshën e ofruar. Zgjerimi prej anës së administratës Biden të pagesës suplementare javore në 300 dollarë për të papunësuarit ka nënkuptuar se përfitimet e kombinuara që punëtorët i marrin janë më shumë se dyfishi i pagës minimale federale – të cilën Kongresi ka refuzuar që ta ngrijë. Thënë troç, punëdhënësit janë duke e përjetuar një gjë të ngjashme me atë çfarë i kishte ndodhur Peelit, pak kohë pas mbërritjes në lumin Swan.
Nëse kam të drejtë, Bideni tani po përballet me një detyrë të pamundur. Shkaku i mënyrës së këndelljes së tregjeve financiare pas 2008-s, akëcili nivel i stimulimit financiar që ai zgjedh do të jetë si tepër pak, ashtu edhe tepër shumë. Do të ishte tepër pak shkaku se do të dështonte në gjenerimin e vendeve cilësore të punës për një numër të mjaftueshëm qytetarësh. Dhe do të ishte tepër shumë, shkaku se, duke e pasur parasysh profitabilitetin e ulët dhe borxhin e lartë të shumë korporatave, edhe ngritja më e vogël e normave të interesit do të shkaktonte falimentime të korporatave dhe zemërimin e tregut financiar.
E vetmja mënyrë për ta kapërcyer këtë enigmë dhe për t’i ribalancuar tregjet financiare dhe ekonominë reale është që të ardhurat e amerikanëve të shtresës punëtore të ngrihen në mënyrë substanciale dhe të shlyhet pjesa më e madhe e borxhit – për shembull, huat studentore – që vazhdojnë t’i zhysin ata sa më poshtë. Mirëpo, shkaku se një gjë e tillë do të fuqizonte shumicën dhe ta rriste spektrin e fatit të Peelit, të kamurit dhe të pushtetshmit do ta parapëlqenin kthimin e kursimeve të mira, të moçme. Tekefundit, interesi i tyre më i rëndësishëm nuk është konservimi i potencialit ekonomik. Është ruajtja e pushtetit të pakicës për detyrimin e shumicës.
(Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave i Greqisë, është udhëheqës i partisë MeRA25 dhe profesor i Ekonomisë në Universitetin e Athinës. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).