OpEd

Qejfet e Vuçiqit

Pas monologut njëorësh, Vuçiqi i përmendi disa masa dhe i shtroi shtatë kërkesa, që në fakt janë kushte, për çështjen e “problemit të serbëve të Kosovës”, siç e quajti ai. Me këtë rast nuk e përmendi kushtin, apo më mirë thënë, arsyen kryesore të problemit të serbëve të Kosovës: veten. Burimi i problemit, përkatësisht problemeve me të cilat ballafaqohen serbët e Kosovës quhet Alleksandar Vuçiq – pronari i vullnetit politik të serbëve të Kosovës

Nuk pati temë më të nxehtë javën e shkuar sesa konferenca për shtyp e Vuçiqit mbajtur dje një javë.

Dalja e tij në konferencë për shtyp, me gjithë atë patetikën, melodramacitetin, aktrimin e viktimës që e karakterizojnë, ishte në fakt dalje për të pranuar, në formë të tërthortë, se urdhrat që ua kishte dhënë serbëve që në çastin e konvertimit të targave ilegale, kishin qenë të gabuara.

Sepse në vend se presioni i tij politik të rezultonte me atë që synonte, pra që t’i paraqiste serbët si viktima të represionit shqiptar, atë që e arriti qe humbja e kontrollit të plotë mbi jetën e serbëve në Kosovë, nëpërmjet Lista Srpskas dhe personazheve kriminale siç janë Radoiçiqi dhe soji i tij.

Pas monologut njëorësh, i përmendi disa masa dhe i shtroi shtatë kërkesa, që në fakt janë kushte, për çështjen e “problemit të serbëve të Kosovës”, siç e quajti ai. Me këtë rast nuk e përmendi kushtin, apo më mirë thënë arsyen kryesore të problemit të serbëve të Kosovës: veten.

Burimi i problemit, përkatësisht problemeve me të cilat ballafaqohen serbët e Kosovës quhet Alleksandar Vuçiq – pronari i vullnetit politik të serbëve të Kosovës.

* * *

Kushtet, parakushtet, kërkesat a sido që do të donte t’i quante, ishin me sa vijon:

1. Shpallja dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike në veri, me pjesëmarrjen e misionit të OSBE-së dhe me mbikëqyrjen e BE-së;

2. Kthimi i policëve dhe zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në vendet e tyre të punës;

3. Formimi i Zajednicës;

4. Tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut,

5. Zbatimi i menjëhershëm i “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022” – se nuk do të ketë arrestime të “serbëve që marrim pjesë në protesta paqësore dhe në barrikada”;

6. Lirimi i menjëhershëm i “të gjithë të burgosurve politikë të arrestuar nga Policia e Kosovës”, dhe

7. Kryerja e pagesave në veri me dinar.

T’i veçojmë fillimisht dy nga kërkesat/parakushtet/kushtet e Vuçiqit: zgjedhjet dhe kthimin e policëve që zyrtarëve të gjyqësorit.

Do të kujtojmë se zgjedhjet e rregullta komunale u mbajtën më 2021.

Në nëntor 2022, katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri dhanë dorëheqjen me urdhër të Vuçiqit, sepse krejt ishin anëtarë të partisë satelit Lista Srpska, për shkak se u imponua konvertimi i targave të veturave.

Zgjedhjet duheshin mbajtur në dhjetor 2023, por me insistimin e të huajve, Osmani i shtyu për në prill 2023. U mbajtën zgjedhjet, dhe serbët, me urdhër të Vuçiqit, i bojkotuan ato. U zgjodhën katër kryetarë shqiptarë.

Në maj 2023, plasi dhuna, e urdhëruar nga Vuçiqi dhe e orkestruar e ekzekutuar nga radoiçiqët – 90 ushtarë të KFOR-it u plagosën dhe u lënduan, disa syresh edhe pësuan amputime.

Në shtator ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. E megjithatë, insistohej që zgjedhjet e reja të mbaheshin për t’u dhënë legjitimitet udhëheqjeve komunale. Presioni nga jashtë e kërkonte dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë. Qeveria vendosi të shkohej me procedurë për shkarkimin e tyre. Serbët e bojkotuan votimin dhe nuk u arrit numri i kërkuar i mbi 50% të listës së votuesve.

Do të thotë vetë i tërhoqi, vetë u tha t’i bojkotonin zgjedhjet, vetë u tha të mos i shkarkonin kryetarët aktualë dhe tash kërkon zgjedhje të reja. E sipas ligjit të zgjedhjeve, mandati i këtyre kryetarëve përfundon më 2025 – pra vijueset do të shpallen nga gushti i vitit që vjen. Madje edhe sikur kryetarët aktualë të dorëhiqeshin e të zgjidheshin kryetarët e rinj, mandati i këtyre të rinjve do të skadonte më 2025. A ia vlen të shpenzohen gjithë ato para për 8-9 muaj pushtet të pionëve të tij? Mbase për Vuçiqin po. Por jo edhe për ne – sepse janë paratë tona ato që po shkojnë dëm, për kot.

Vuçiqi ka kërkuar praninë e OSBE-së dhe BE-së në procesin zgjedhor. Dhe këtu do të pajtohesha: bash do të ishte mirë që në zgjedhjet e radhës të zbulohej se çfarë presioni ua bëjnë serbëve përkrahësit e Vuçiqit, dhe cila është përmasa e vjedhjes së votës në veri.

* * *

Vuçiqi e kërkoi kthimin e policëve dhe të gjyqtarëve e prokurorëve të dorëhequr serbë. Të po atyre që demonstrativisht i zhveshën uniformat dhe të atyre që mbajtën mitingje duke e sharë shtetin në të cilin kanë mbajtur poste të rëndësishme në gjyqësor dhe duke e thënë publikisht se kryetarin e vetëm që e njihnin ishte Vuçiqi.

E pra, se duhet pasur edhe policë, edhe gjykatës e prokurorë serbë askush nuk e konteston dhe nuk e ka kontestuar, sepse kjo tashmë ka ekzistuar. E se a duhet që po ata që janë dorëhequr të kthehen me automatizëm në punë, përgjigjja është jo. Për shkak se do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Se a duhet shpallur konkurse për plotësimin e vendeve të punës në polici e gjyqësi për stacionet dhe gjykatat në veri – po, pa asnjë diskutim. Dhe kjo duhet bërë në mënyrë të vazhdueshme deri te plotësimi i vendeve të lira të punës – por, duke u siguruar se kandidatët i plotësojnë kushtet ligjore, se kalojnë nëpër procesin e intervistimit dhe të zgjedhjes sipas procedurës. Do të ishte në kundërshtim e Kushtetutën që dikujt t’i rezervohet vendi i punës dy vjet, veç pse Vuçiqi u ka urdhëruar, e këta janë nënshtruar, që të japin dorëheqje. Kjo nuk flet për integritet profesional.

* * *

Kërkesat e tjera ia zbulojnë esencën e politikës së tij karshi shqiptarëve dhe Kosovës: vrasësit janë heronj; sulmuesit e egër janë qytetarë të pafajshëm dhe të burgosur politikë.

Nga ana tjetër, e ka të pakapërdishëm faktin se Kosova është bërë me trupa policore që nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me Policinë e Serbisë, viktimë e së cilës kemi qenë të gjithë shqiptarët në Kosovë.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë ama bash asgjë të përbashkët me Policinë e shtetit të Vuçiqit që ende i mban të fshehur 1600 trupa viktimash shqiptare të masakruar nga ta edhe pas 25 vjetësh.

E besoj se dhimbjen më të madhe shpirtërore Vuçiqit ia shkaktojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës që me super profesionalizëm ia shpartalluan përpjekjen terroriste për rrëzimin e rendit kushtetues të Kosovës, sidomos duke e pasur parasysh të gjithë ndihmën logjistike, pajisjet dhe paratë që shteti i tij ua dha bandave të Radoiçiqit për këtë qëllim.

Po, shumë do të donte që të kthehej gjendja ashtu siç kishte qenë para dorëheqjes së kryetarëve serbë të komunave veriore. E bëri hesapin e gabueshëm, duke luajtur në lojën e “pogromit”. Në fund, të vetmit që ikën nga veriu qenë banditët e Radoiçiqit, kurse për herë të parë, u mbyllën krejt zyrat ilegale të pushtetit të tij pas fiks 25 vjetësh.   

* * *

Vuçiqi llogarit se pas kësaj konference për shtyp do të shikohet nga BE-ja si njeri që tregon qasje konstruktive në “dialog”. Stili i tij i ultimatumeve më së miri e përshkruan se si e kupton ai dialogun: Serbia urdhëron, Kosova plotëson.

BE-ja e përshëndeti menjëherë kërkesën e tij. Natyrisht, nuk do të mund të ishte ndryshe përderisa Lajçaku ende sillet nëpër Ballkan. Sepse ky i fundit, ashtu siç gënjeu për letrën e Bërnabiqit, ashtu serbes do të mund të thoshte se dorëheqjet në veri nuk kanë ndodhur kurrë dhe se gjithçka do të duhej të kthehej ashtu siç ishte para dy vjetësh.

[email protected]