A është kjo çfarë po ndodh në veri aksident i shkaktuar nga keqkalkulimet e palëve, plan grandioz për presion Vuçiqit apo trik elektoral i Kurtit, vetëm koha do ta tregojë. Por një gjë është e sigurt, sikur para tridhjetë vjetësh në llogoret e luftës, një pyetje pa përgjigje ende jeton në Ballkan: Kush e nisi luftën?
- Çiki: Ju e keni nisur luftën!
- Nino: More, ju e keni nisur luftën!
- Çiki: Kush e nisi luftën?! Ne e kemi nisur luftën?!
- Nino: Po, ju e keni nisur luftën!
- Çiki: Jo, ju e keni nisur luftën!
- Nino: Jo, ju e keni nisur luftën!
- Çiki: (reperton kallashin) Kush e ka nisur luftën?
- Nino: (ul kokën) Ne e kemi nisur luftën.
Filmi “Toka e askujt”, 2001.
***
Është një nga skenat më të veçanta të kinematografisë ballkanike që kap shumë bukur historinë, mentalitetin dhe problemet e popujve të Ballkanit. Arti çdoherë ka pasur këtë fuqi dhe elegancë që të kapë bukur të vërtetat komplekse njerëzore. Te “Toka e askujt”, dy ushtarë – njëri boshnjak (Çiki) dhe tjetri serb (Nino) – gjejnë veten rastësisht të barrikaduar në një llogore. Të zënë në mes ushtrisë serbe dhe boshnjake, ata përpiqen të mbijetojnë dhe të ruajnë paqen në mes vete. Sidoqoftë, në gjithë atë mes ata fillojnë një argument politik, për të cilin gati nuk vrasin njëri-tjetrin. Argumenti është fare i thjeshtë: Kush e nisi luftën?
Sot tridhjetë vjet më vonë, kjo pyetje ende mbetet pa përgjigje në rajonin tonë. Ajo vazhdon të jetojë nga llogoret e viteve ‘90 e deri te veriu i Kosovës sot. Në fakt, përgjigjja ekziston, por një shtet nuk e pranon. Mospranimi i kësaj përgjigjeje vazhdon edhe sot pas tridhjetë vjetësh të shkaktojë telashe në rajonin tonë. Sot, tridhjetë vjet më vonë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq janë duke riluajtur rolet epike të Çikit dhe Ninos. Sot, përsëri pyetja është: Kush e nisi luftën në veri?
Serbia vazhdon të mos e njohë përgjegjësinë që ka pasur për shkatërrimet e fundit në shekullin e kaluar. Ajo nuk pranon përgjegjësinë për gjenocidet dhe masakrat e kryera, dhe beson se nëse do të ketë durim të mjaftueshëm kurdoherë rrethanat ndërkombëtare do të jenë në favorin e saj për të kthyer shtetet e “saj” mbrapa nën sundimin serb. Kjo mund të marrë pesëdhjetë vjetët e ardhshëm, por këto vite janë sekondat e jetës së një shteti. Prandaj, ajo pret. Pret dhe saboton. Diku me forcë, diku me politikë, diku me kishë, diku me të gjitha këto së bashku. Refuzimi për të pranuar këtë si premisë fillestare të sjelljes së Serbisë në rajon është refuzim për të kuptuar drejt realitetin në rajonin tonë.
Duke e thënë këtë nuk dua të lë përshtypje se po injoroj edhe përgjegjësinë tonë apo të Kurtit për zhvillimet e fundit, por fillimisht dua të bëj të qartë shkakun e gjithë kësaj që po ndodh. Tani duke kaluar te Kurti.
Është shumë vështirë për të pasur një mendim të konsoliduar sa i përket rolit të Kurtit në zhvillimet e fundit. Jemi në orët dhe ditët e para të zhvillimeve në veri, por sidoqoftë janë duke u ravijëzuar tre skenarë të mundshëm, të cilët mund të shpjegojnë se çfarë po ndodh në veri.
Skenarin e parë le ta quajmë: Aksidenti. Në këtë skenar e gjithë situata e krijuar është rezultat i një numri të hapave aksidentalë të Kurtit dhe Vuçiqit. Pra qe një kohë të dy palë kanë keqkalkuluar lëvizjet e veta dhe palës tjetër, duke mos kuptuar se po shkojnë drejt ballafaqimit frontal. Gjatë gjithë kësaj kohe komuniteti perëndimor nuk e ka pasur vëmendjen e nevojshme për zhvillimet në vend për të parandaluar këto keqkalkulimet e palëve. E gjithë kjo ka krijuar një situatë aksidentale në të cilën gjendemi. Kurti ka keqkalkuluar me barrikadat. Vuçiq ka keqkalkuluar me tërheqjen nga institucionet. Kurti ka keqkalkuluar me zgjedhjet. Vuçiqi ka keqkalkuluar me protestat. Dhe ja ku jemi. E gjatë gjithë kësaj kohe komuniteti perëndimor nuk e ka pasur vëmendjen e nevojshme. Tani kur kriza ka shpërthyer, komuniteti perëndimor është aktivizuar. Pra, një shpjegim i asaj çfarë po ndodh është se e gjithë kjo është rezultat i një aksidenti, i cili reflekton nivelin e ulët të vëmendjes dhe vizonit ndërkombëtar për dialogun Kosovë – Serbi dhe keqkalkulimin e hapave të akterëve lokalë.
Skenarin e dytë le ta quajmë: Plani grandioz. Nën këtë skenar gjysmë-konspiracionist e gjithë çfarë po ndodh është pjesë e një plani grandioz për të rritur presionin politik te Vuçiqi për distancim nga Rusia. Qe një kohë komuniteti perëndimor ka tentuar të bindë Vuçiqin t’i bashkohet Perëndimit në dënimin e pushtimit rus të Ukrainës. Deri më sot diplomacia nuk ka pasur efekt të synuar. Tani kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimeve, ku Perëndimi po përdor mjete të tjera për t’i bërë presion Vuçiqit të distancohet nga Rusia. Zhvillimet në veri janë pjesë e këtij plani. Këtë tezë e ka ngritur edhe vetë Vuçiqi disa herë kohëve të fundit. Po ashtu duhet pranuar se ngritën disa pyetje thelbësore, që konfirmojnë ekzistimin e një plani të tillë. Pse komuniteti perëndimor nuk e ka parandaluar këtë situatë? E gjithë kjo ka qenë tejet e parashikueshme. Gjatë disa muajve të fundit komuniteti perëndimor ka refuzuar të shtypë frenat dhe të ndalë gjithë këtë që po ndodh sot në veri. Qëllimisht ata kanë përkrahur Kurtin, kanë lejuar zgjedhjet, kanë pranuar rezultatin dhe kanë siguruar përkrahjen e KFOR-it për zbatimin efektiv të vendimeve të Kurtit në terren. Prandaj ekziston një dozë e së vërtetës kur Vuçiq akuzon Perëndimin se ka hendek në mes fjalëve dhe veprimeve të tyre. Në konferencat për shtyp të Prishtinës ata mund të dënojnë sjelljen e Kurtit, por në veri ata kanë siguruar mbështetje të plotë për veprimet e tij. Po ashtu lind pyetja se a është e mundur që Kurti është aq i çmendur që të fillojë një aventurë kaq të rrezikshme kundër aleancës më të madhe ushtarake në botë? Apo shpjegimi më elegant është se Kurti është aq dinak saqë ka kuptuar rolin e tij në kuadër një plani më grandioz?
Skenarin e tretë le ta quajmë: Triku elektoral. Kurti ka ardhur në udhëkryqin e dialogut, ku prej kohësh e ka pritur Asociacioni. Kurti refuzon që Asociacioni të jetë njollë në këmishën e tij të pastër dhe të bardhë politike. Rrjedhimisht ai po kërkon krizën e radhës, e cila do të lejojë daljen nga situata momentale dhe sforcimin e pozitës së vet negociuese. Veriu dhe kryetarët e rinj është ai shteg. Rrjedhimisht Kurti po insiston në legalitetin e zgjedhjes së kryetarëve dhe respektimin e sundimit të ligjit si vlerë themelore të demokracisë. Kjo i bie që zgjedhjet janë mbajtur, ato kanë prodhuar një rezultat ligjor dhe janë mbështetur nga i gjithë komuniteti perëndimor. Dhe tani çdo gjë është jashtë duarve tona, pasi që kryetarët kanë çdo të drejtë ligjore të ushtrojnë pozitat e tyre. Në këtë drejtim shtrimi i “sovranitetit” në veri, ngritja e “flamurit” në ndërtesat komunale dhe marrja e pronave të “Republikës” – duken të gjitha si elementet kyç të sloganeve politike zgjedhore.
A është kjo çfarë po ndodh në veri aksident i shkaktuar nga keqkalkulimet e palëve, plan grandioz për presion Vuçiqit apo trik elektoral i Kurtit, vetëm koha do ta tregojë. Por një gjë është e sigurt, sikur para tridhjetë vjetësh në llogoret e luftës, një pyetje pa përgjigje ende jeton në Ballkan: Kush e nisi luftën? Pa u pajtuar Serbia me përgjigjen në këtë pyetje, rajoni asnjëherë nuk do të gjejë paqen.