Mikut dhe fotografit që la gjurmë të pashlyeshme në jetët dhe historinë tonë të luftës dhe paqes
Dy autobusë të parkuar afër Kooperativës së Studentëve, po nja njëqind e pesëdhjetë veta të grumbulluar para tyre. Sipas adetit tonë, të gjithë duke dhënë zor për të hyrë brenda, pavarësisht se të gjithëve u thuhet se duhet të presin që t’u thirren emrat.
Janë studentë që shkojnë në formë të organizuar në Makarska, në Kroaci – një vendpushimore të cilën udhëheqësit e Kooperativës e kishin zbuluar, për t’i çuar studentët në pushim me çmime të subvencionuara. Ishte rasti i mirë që u jepej të rinjve që me një participim simbolik ta shijonin Adriatikun një javë, apo dhjetë ditë, tashmë kam harruar.
Nga ngjarja e te autobusët kanë kaluar 42 vjet.
Në mesin e studenteve e shoh Vjosën. Prapa saj, një zotëri me syze të errëta dhe një djalosh biond me sy skajshmërisht të kaltër. Zotëria më afrohet, pasi më në fund ia dola t’i sistemoja që të gjithë në autobus e t’i lija jashtë ata që donin në futeshin brenda, ani pse nuk i kishin kaluar procedurat e kualifikimit për pushime.
“Energjinë e nënës tënde e paske trashëguar. Bëji të fala, nga shoku i studimeve, Fadili”.
Iu falënderova dhe i përcolla të falat te nëna. Nuk e kisha njohur. Katër vjetët e gjimnazit që nuk i kisha kaluar në Prishtinë, më kishin krijuar distancë të madhe karshi njerëzve që kishin bërë emër në profesionet e tyre. Njëri nga ta kishte qenë edhe shoku i studimeve i nënës, Fadil Bujari, gazetar, përkthyes e dikur edhe kryeredaktor i “Rilindjes”. Atë ditë te autobusët, në përcjellje të motrës për në det, shoqëri i bënte biondi Alban.
* * *
Shumë vetura dhe shumë njerëz të mbledhur në kodër të Arbërisë. Janë njerëz që u përkasin brezave të ndryshëm. Janë të të gjitha moshave. Të gjithë u bënë bashkë për shkak të një ngjarjeje tronditëse, të papritur dhe tejet të dhimbshme: Albani nuk është më. U shua brenda pak orësh të pjesës së ditës që nuk e kishte kaluar në punë.
Një ditë më herët, si çdo ditë tjetër pune, do të ishte ndër të parët që do të ketë ardhur në punë. Zgjohej herët dhe kryesisht më këmbë zhdirgjej nga lagjja ku jetonte, aty afër Taukbahçes, e deri në ndërtesën e aneksit të Radio Prishtinës. Nja dy kilometra ecje, pavarësisht motit, me hapa të mëdhenj, falë gjatësisë së shtatit, do t’i përshkonte duke e bartur çantën në krah. Nuk e lëshonte thuajse kurrë: aty e bartte “hajmalinë” e tij. Fotoaparatin, të cilit ia njihte secilën zhurmë, dhe të cilin e njihte aq mirë sa e dinte pas secilës shkrepje se cila do të ishte foto e mirë e cila ka mundur edhe më mirë.
Punën e kreu si çdo ditë tjetër – doli në terren, u kthye, i shkarkoi fotografitë në kompjuter, dhe bëri përzgjedhjen e fotove të ditës që do të përdoreshin nga portali dhe gazeta. Deri nga ora 16 e diçka e pamë korridoreve të zyrave.
Shkoi.
* * *
Është kryesisht vranët dhe dielli që rrezon kohë pas kohe nuk ia del të na e heqë ngrysjen e fytyrës e as të na i thajë lotët që rrjedhin kohë pas kohe dhe pa ndonjë kontroll. Apo mbase edhe e kanë kontrollin e kujtimeve që na shkojnë rrufe nëpër mend, derisa presim që vetura me arkivol të niset drejt vendit ku, është zakoni të thuhet, “do të prehet në paqe”.
Rrëke njerëzish që heshtazi e përcjellim familjen që dinjitetshëm na prijnë, duke e mbajtur dhimbjen thellë në vete; duke qëndruar stoikë edhe në çastin e mbylljes së një jete mbuluar me dhé, me hedhjen e atij grushti dheu që përfaqëson lamtumirën dhe boshllëkun që lë pas.
* * *
Biondi është bërë burrë. E takoj pas nja 14 a 15 vjetësh sërish, kësaj radhe në redaksinë e “KOHËS Ditore”. Është bile një kokë e gjysmë më i gjatë se unë, i thatë, me këmishë të gjerë dhe një xhaketë gjithashtu të gjerë.
Ishte punësuar si fotoreporter, ani pse jo me fort përvojë, por megjithatë me një talent që do të zhvillohej falë edhe ngjarjeve që e zinin njëra-tjetrën në kohën kur Kosova po zhytej në luftë.
Me t’u shkaktuar masakrat e para në Drenicë, Albani u gjet aty. Posaçërisht në Prekaz – aty ku nuk qe vetëm fotoreporter, por edhe njëri nga njerëzit aty që u morën me sistemimin e të gjitha atyre kufomave për t’u dhënë bile një varrim të njerëzishëm.
Do të pasonin vargje masakrash dhe Albani do të ishte aty. Duke e fotografuar tmerrin. Duke e krijuar galerinë e dëshmive që më shumë se çfarëdo tjetër do të përshkruanin çfarë ishte lufta te ne.
Dita e kaluar duke qenë dëshmitar i tmerreve do të përfundonte pasdite ose në mbrëmje, kur do ta hiqte filmin nga aparati (dhe nuk ishte me rëndësi po qe se ishin ekspozuar të 36 pozat e filmit) dhe me shpejtësi do të shkonte te Vëllaznimi apo Luani për t’i zhvilluar ato e për t’i nxjerrë kopjet e ngjyrosura kryesisht me të kuqen e gjakut.
Negativat do t’i ruante... e ato, çuditërisht, do t’i shpëtonin tërbimit të policisë serbe që do të futej në redaksi natën e parë të bombardimeve...
* * *
Do të jetonte me po ato tmerre të cilave u dha pamje në formë fotografie për çdo ditë. Fliste për luftën, por mbase jo aq sa do të duhej, për ta çliruar shpirtin nga shtypja e grumbulluar që ajo pashmangshëm i ka shkaktuar secilit, por në përmasa të ndryshme.
Dhe nuk fliste për luftën për t’i thurur lavde vetes.
Thjesht e tregonte atë si një rrëfim që ata që nuk e kishin përjetuar duhej ta dinin, për ta kuptuar se nuk ka qenë ashtu siç vonë do ta kurdisnin sipas tekeve. Fliste për një përvojë që jo gjithkush e kishte përjetuar. E që jo gjithkush do ta kishte shfrytëzuar për ndonjë përfitim të vetin.
Albani e kishte ndërgjegjen rehat.
E kishte kryer punën pa bërë zhurmë, pa pompozitet dhe me pak fjalë.
E kishte kryer një punë të madhe, përmasat e së cilës shumica arritën ta kuptonin një çerek shekulli më vonë.
* * *
Varrin ta mbuluam me lule të bardha, thuajse deshëm që të flisnim për shpirtbardhësinë tënde me petale, sepse fjalët nuk na dilnin nga dhimbja.
Do të na mungojë ardhja jote e heshtur në bufe, ulja te tavolina pranë derës këmbë mbi këmbë, lëvizja e natyrshme e dorës që i qaset xhepit të këmishës për t’i nxjerrë cigaret me mbështjellës të butë dhe ndonjë koment me tis humori, varësisht temës që shtjellohet.
Do të na mungojë qarkullimi yt nëpër qytet e institucione në kërkim të një fotoje që do të mbetet për kujtim. Si shumë të tjera që na i le.
Do të na mungosh Alban.
Njeri i mirë që na ike aq herët.
Pusho i qetë!