Për dy vjet mbajtëm tri palë zgjedhje. Lëre që shpenzuam shumë para, porse ia hëngrëm vetes nervat duke dëgjuar debate politike dhe duke dëgjuar turlifarë analizash për gjithçka dhe në secilin çast. Thuajse e gjithë bota varet nga "mendtë e shkrira" të zhurmaxhinjve të gjithëdijshëm
Përfundoi, më në fund, fushata. Jemi në "gjendje të jashtëzakonshme" qëkur Osmani shpalli zgjedhjet komunale aty nga mesi i qershorit. E jemi në fushatë që nga vera, thuajse asnjë gjë tjetër nuk ka rëndësi në këtë vend.
Gjithçka ka një kufi, dhe shyqyr që u kryen më ngarendjet nëpër fshatra e qytete pa asnjë pardon të vetëm, pa as respektimin më të vogël të masave anti-Covid. E edhe me keqpërdorimin masiv të resurseve shtetërore dhe buxhetore, ani që për këtë u tha se nuk ishte "as për së afërmi, e as ngjashëm" me atë çfarë e kishin bërë qeveritë e shkuara. Keqpërdorimi është keqpërdorim - i madh a i vogël, krejt njësoj. E nuk thonë për badihava se "njerëzit koriten për pak".
Nesër do të duhej të dilnim të votonim për ta ushtruar një të drejtë. Natyrisht, kjo do të jetë çështje e zgjidhjes individuale të secilit, veç kështu, ai/ajo që nuk del të votojë, pra nuk do të ketë të drejtë morale të ankohet kur gjërat nuk shkojnë si duhet. Sido që të jetë, do të jetë ditë interesante dhe e shkurtër. E në të kaluarën, shumë shpesh terri ka qenë aleat i dallaveraxhinjve dhe hajnave të votave. Të shohim çfarë do të ndodhë kësaj radhe.
* * *
Pas një tollovitjeje njëjavore në lidhje me ftesën ose jo në Samitin për Demokraci, që e organizon Bideni në SHBA, përcjellë nga: një mal kritikash nga opozita; një heshtje e thellë e pushtetit dhe një deklaratë absurde, por diplomatike gjithsesi, të Ambasadës amerikane (se nuk ka vend për të gjithë aty), mbrëmë u konfirmua se ftesa erdhi. Pra, mirë për Kosovën të jetë pjesëmarrëse e një ngjarjeje që e organizon kryetari amerikan. Por, njëmend pyetem, pse duhet humbur gjithë atë energji e gjithë atë kohë që të merremi me këtë ngjarje, që mund të jetë e rëndësishme, porse që nuk është më urgjente sesa telashet që i kemi përbrenda.
Në dy raportime të ndara gjatë javës, KOHA tregon se nuk ka barna për pacientët që vuajnë nga kanceri (e që sipas ligjit duhen të sigurohen nga shteti). Disa nga citostatikët janë jashtëzakonisht të shtrenjtë, porse nuk është se nuk gjenden në treg për t'u blerë - natyrisht, në barnatoret private. Dhe përherë shtrohet pyetja e njëjtë: pse mungojnë ato në sektorin publik?
Në shkrimin tjetër u fol për mungesën e barnave esenciale në SHKSUK, edhe pse për këtë qëllim janë ndarë 30 milionë euro vetëm sivjet, dhe secila kërkesë e qendrës më të madhe shëndetësore në Kosovë është plotësuar. Pra është një problem që duhet zgjidhur: ku shkojnë ato barna? Uroj jo në atë depon e tmerrshme të Ministrisë së Shëndetësisë, për të cilën kishim folur para disa muajsh.
Në emisionin Java Sonte me Rronin u zbulua se madje 20 mijë diploma të institucioneve private arsimore janë të pavlefshme - pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit në sferën e arsimit në Kosovë në dy dekadat e fundit. Do të kujtojmë se dikur Kosova ka pasur madje 32 "universitete" - kështu së paku quheshin, me apo pa akreditim. Siç do ta thoshte autori në formë spirituoze, të hapësh universitet në Kosovë ishte si të hapësh një qebaptore (pa asnjë qëllim ofendimi të çfarëdo lloji për qebaptorët), ku nuk duhet shumë dije, por gjithsesi "shkathtësi".
Institucionet e shkollimit të lartë morën shumë kohë për t'u filtruar e pastruar, porse lanë pas një grumbull njerëzish, me nxënie ose jo, që morën diploma. E tash del se këto diploma nuk kanë vlerë.
Nga përvoja e punës me të rinj që kalojnë nëpër institucione private e diplomohen, shumë sinqerisht ua kisha organizuar një "provim mature" të gjithë atyre që pajisen me diploma baçellor e master nga institucionet ku paguajnë shuma të majme për shkollim. Është dëshpërues niveli i njohurive profesionale. Është dëshpërues niveli i ligjëruesve. Edhe më dëshpëruese mënyra se si kalohen provimet aty.
Problem tjetër shumë serioz vazhdon të jetë mjedisi, si dhe shkujdesja e degradimi institucional që e pësoi këto dy dekada. Gjykata Supreme vendosi ta mbajë në fuqi vendimin e Themelores për pezullimin e punës së hidrocentraleve në Deçan, që ishin ndërtuar pa leje mjedisore dhe një varg shkeljesh të tjera ligjore. E këso hidrocentralesh janë duke u ndërtuar edhe në vende të tjera nëpër Kosovë, duke e kufizuar edhe më shumë sasinë edhe ashtu të paktë të ujit që kemi. Të mos flasim për prerjen ilegale të pyjeve apo për erozionin që e kanë shkaktuar shkatërrimet e kodrave gjithandej me nxjerrjen e zhavorrit pa asnjë kriter kudo që ka qëlluar një dikush i fortë që e ka pasur një ekskavator në dispozicion.
E mund ta vazhdojmë rrëfimin me bujqësinë e me prodhimin, e me ekonominë në përgjithësi, e me varfërinë nga e cila na shpëton diaspora - faktori, krahas masave qeveritare, që e mundëson rritjen ekonomike sivjet. Me gjithë faktin se ky shtet vazhdon të mos ketë para në qarkullim dhe detyron firmat të marrin kredi për të siguruar mjete qarkulluese e jo investive.
* * *
Shtetet e rajonit shënojnë numra të lartë të të infektuarve me COVID dhe numri i rasteve të vdekjeve është shumë brengosës. Në dy javët e fundit, Kosova ka shënuar raste pak, si të të infektuarve ashtu edhe të vdekurve, porse që të gjithë e paralajmërojnë se mund të ketë valë të re më së voni në dhjetor, që mundet të na i komplikojë gjërat tej mase.
Është për t'u përshëndetur numri i të vaksinuarve në gjashtë muajt e fundit: 1,6 milionë doza të administruara, pra diku rreth 40% e popullsisë është vaksinuar. Kur krahasohet situata me qysh ishim para një viti, pa asnjë vaksinë të vetme as në rrugë e sipër për të ardhur, mund të thuhet se jemi mirë. Porse kjo nuk do të thotë se duhet lëshuar frontin dhe se nuk duhet kujdesur që të respektohen masat, edhe atëherë kur shembullin më të keq na e japin politikanët që duhet të shërbejnë si respektuesit më të mëdhenj të vendimeve që i marrin vetë.
* * *
Për dy vjet mbajtëm tri palë zgjedhje. Lëre që shpenzuam shumë para, porse ia hëngrëm vetes nervat duke dëgjuar debate politike dhe duke dëgjuar turlifarë analizash për gjithçka dhe në secilin çast. Thuajse e gjithë bota varet nga "mendtë e shkrira" të zhurmaxhinjve të gjithëdijshëm.
Në njërin debat u dëgjua se Grenelli i kishte dhënë urdhër LDK-së që ta rrëzonin Qeverinë Kurti 1 ashtu që të ecej para me planin e tij dhe Marrëveshjen "historike" të Washingtonit. Do ta kujtojmë se Qeveria ra, takimi në Washinhgton u mbajt, e u nënshkruan dy copa letra të ndara, një për Kosovën dhe një për Serbinë, e mandej Trumpi nuk u rizgjodh, kurse Qeveria Hoti u shpall kundërkushtetuese.
Grenelli u duk këndej pari këtë javë. Dhe kjo pasi që u tha se ishte lobist i shtetit serb dhe se do të mund të paguhej para të majme për këtë punë. E shkroi një status kot në Twitter dhe bëri luftë aty me raportuesen për Kosovën, Viola von Cramon. Se përse erdhi, me kë u takua, mbeti pa u kuptuar. Sido që të jetë, ardhja e tij nuk duket të jetë një ogur i mirë, sepse veprimet e tij na futën në një krizë të thellë politike atëherë kur më së paku kishim nevojë për këtë: në mes të pandemisë që nuk e dinim as si do të zhvillohej tutje.
* * *
Shyqyr që zgjedhjet po i afrohen fundit. Kemi nevojë urgjente të pushojmë nga to. Kemi nevojë që të hyjmë në binarë e të merremi me shumë gjëra që na e prekin jetën dita më ditë. Mjaft dëgjuam fjalë e premtime. Mjaft.