OpEd

Punëtorët esencialë dhe joesencialë

Një plan qeverisës katërvjeçar, të cilin nuk po e shohim nga Qeveria e re edhe pas gati katër jave në pushtet, duhet gjithsesi në reformën e tij të parashohë edhe largimin e punëtorëve joesencialë, si dhe dixhitalizimin e shërbimeve për qytetarë

Për Qeverinë, punëtorët ndahen në dy grupe: në ata esencialë dhe joesencialë. Kur u zgjeruan masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit më 13 mars 2020, një nga pikat e vendimit të Qeverisë ishte edhe ajo për “reduktim në veprime esenciale dhe staf esencial për çdo institucion publik, përveç sektorit të shëndetësisë dhe atij të sigurisë”.

E njëjta u përsërit edhe më 5 prill 2021, kur u rivendosën masat kufizuese. Në vendim të Qeverisë thuhej se ‘në institucionet publike dhe private obligohet që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale’.

Por, çka mund të klasifikohet si punë esenciale dhe shërbim esencial? Në sektorin privat, një nga rregullat bazë të udhëheqjes së një biznesi të suksesshëm është edhe punësimi i punëtorëve aq sa për të kryer punët esenciale. Asnjë biznes, i cili operon me logjikën e shëndoshë, nuk punëson më shumë staf se sa që ka nevojë. Bizneset nuk punësojnë staf të ri nëse përfitimet nga punësimi nuk tejkalojnë pagën e punëtorit.

Për më tepër, 98 për qind e ndërmarrjeve në Kosovë janë mikro-ndërmarrje dhe ndërmarrje të vogla, të cilat punësojnë mes një dhe nëntë punëtorë. Shumica e këtyre bizneseve janë biznese familjare, të cilat nuk punësojnë më shumë se një apo dy persona. Mikro-ndërmarrjet, që përbëjnë 91 për qind të bizneseve të regjistruara, punësojnë 36 për qind të të gjithë të punësuarve në Kosovë.

Kur në sektorin privat një punëtor nuk është esencial për punën, ai nuk pushon me pagesë, por largohet nga puna. Këtë e dëshmon edhe një studim i pesë odave ekonomike në Kosovë sa i përket ndikimit të pandemisë në sektorin privat. Sipas anketës, 40.6 për qind e ndërmarrjeve të mesme kanë deklaruar se kriza ka ndikuar në zvogëlimin e punësimit. Kurse, 65 për qind e mikro-ndërmarrjeve kanë vështirësi mbijetese, ngase nuk ka punëtorë esencialë dhe joesencialë, por punë për mbijetesë ose jo.

Por, sektori publik operon me krejt tjetër logjikë. Për dy dekada është ndërtuar një administratë publike, e cila nuk ka marrë për bazë shërbimet ndaj qytetarit, por klientelizmin dhe patronazhin. Për atë qëllim, në sektorin publik ekzistojnë punëtorë esencialë dhe joesencialë. Për më shumë se një vit, punëtorët joesencial, të cilët nuk kryejnë shërbime esenciale, kanë vazhduar të marrin pagë duke qëndruar në shtëpi.

Përderisa pandemia ka shkaktuar rënien e të hyrave buxhetore, rënien e punësimit në sektorin privat, mbylljen e bizneseve, punonjësit e sektorit publik nuk janë prekur aspak. Madje, gjatë pandemisë buxheti për paga dhe shtesa vetëm se është rritur. Në vitin 2020, mbi 28 për qind e buxhetit të shtetit (661 milionë euro) është ndarë për paga dhe mëditje. Në disa organizata buxhetore, sidomos në komuna, ka raste kur deri 90 për qind e buxhetit shkon vetëm për paga dhe mëditje.

Sipas një raporti të Institutit GAP, Kosova ka shkallën më të lartë të të punësuarve në sektorin publik, si përqindje e punësimit të përgjithshëm. Pak më shumë se 30 për qind e të punësuarve në Kosovë punojnë në sektorin publik. Mesatarja për vendet e Ballkanit është 27.2 për qind, në vendet e Bashkimit Evropian është 23.7 për qind, kurse mesatarja e punësimit në sektorin publik në vendet e OECD-së është 21.1 për qind.

Nuk mund të ketë reformë në administratën publike pa i larguar punëtorët joesencialë dhe pa i shuar ato njësi e departamente që nuk kryejnë shërbime esenciale. Kjo mund të bëhet në tri mënyra: duke mos i zëvendësuar shërbyesit civilë që arrijnë moshën e pensionimit, duke ulur moshën e pensionimit të parakohshëm në shërbimin civil, si dhe duke krijuar një sistem të vlerësimit të punës së të gjithë punonjësve publikë dhe shërbimeve publike.

Po ashtu, pandemia do të duhej të përshpejtonte aplikimin e qeverisjes elektronike. Shumë shërbime, të cilat tani kryhen vetëm duke u paraqitur fizikisht në sportelet e institucioneve dhe duke bartur letra, mund të zëvendësohen në mënyre elektronike. Së fundmi, Serbia u bë lajm ndërkombëtar për faktin se nga viti 2017, kur kaloi në qeverisjen elektronike, ka kursyer 180 milionë fleta letre. E në vende si Estonia, 99 për qind të shërbimeve publike kryhen në mënyrë dixhitale.

Një plan qeverisës katërvjeçar, të cilin nuk po e shohim nga Qeveria e re edhe pas gati katër jave në pushtet, duhet gjithsesi në reformën e saj të parashohë edhe largimin e punëtorëve joesencialë, si dhe dixhitalizimin e shërbimeve esenciale dhe joesenciale për qytetarë.