Deri para pak kohësh ka pasur relativisht pak diskutime se çfarë rëndësie kishte përhapja e shpejtë e platformave digjitale të punësimit për natyrën dhe lidhjen me punësimin. Por një raport i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës u jep përgjigje shumë pyetjeve dhe ngre shumë të tjera që duhet t’i adresojnë rregullatorët dhe politikëbërësit
Një prej ndryshimeve më të theksuara socio-ekonomike të përshkallëzuara nga COVID-19 sigurisht se duhet të jetë ngritja e platformave digjitale të punës. Natyrisht, punësimi i bazuar në platforma po shënonte ngritje edhe para pandemisë. Por kombinimi i mbylljeve dhe urdhrat për të qëndruar në shtëpi, dhe pasoja e mbështetjes më të madhe në punën nga vendi i punës, kanë ngritur edhe shpejtësinë dhe intensitetin e përdorimit të platformave digjitale.
Deri para pak kohësh ka pasur relativisht pak diskutime se çfarë rëndësie kishte përhapja e shpejtë e platformave digjitale të punësimit për natyrën dhe lidhjen me punësimin. Por një raport i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës u jep përgjigje shumë pyetjeve dhe ngre shumë të tjera që duhet t’i adresojnë rregullatorët dhe politikëbërësit.
Çfarë saktësisht paraqet puna e bazuar në platforma? Platformat janë faktikisht tregje të mëdha pune, duke ndërlidhur prodhuesit dhe konsumatorët e mallrave dhe të shërbimeve – dhe në rastin e platformave të punësimit ndërlidh punëtorët me ata që do të përdornin fuqinë e tyre të punës.
Platformat digjitale të punës ndryshojnë theksueshëm nga shkëmbimet e vjetra të punësimit, për shkak të natyrës së tyre nuk janë hierarkike. Ato gjithashtu krijojnë përshtypjen e objektivitetit, me supozimin se thjesht ndërthurin dëshirat dhe reagimet e agjentëve, megjithëse algoritmet e përdorura kanë treguar se gjenerojnë format e tyre të hierarkisë dhe diskriminimit.
Raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës përqendrohet në dy lloje kryesore të platformave digjitale të punës. Platformat e bazuara në lokacion ofrojnë punë ose shërbime brenda një fushe fizike specifike. Përfshijnë shërbime taksie dhe porosie, shërbime për nevoja familjare, si pastrimi dhe riparimi, dhe forma të ndryshme të kujdesit.
Platformat të bazuara në ueb njëherësh mbulojnë detyra që mund të kryhen kudo në botë. Këto mund të jenë ujdi specifike afatshkurtra, si animacione xhirimesh, ose punë që kërkojnë shkathtësi të ndërlikuara, si shërbimet financiare dhe ligjore, përkthimi, dizajni dhe zhvillimi i souftuerit, dhe të dhëna analitike.
Të dy format e platformës janë zgjeruar në mënyrë dramatike, por njerëzit priren të jenë më të njoftuar për platformat me bazë lokacioni për shkak të afërsisë me vendin. Organizata Ndërkombëtare e Punës llogarit se numri i platformave në mbarë botën është ngritur nga 142 syresh më 2010 në pothuajse 800 syresh më 2020, me platformat me bazë ueb që kanë trefishuar numrin e tyre, ndërkohë që është dhjetëfishuar numri i atyre me bazë lokacioni.
Sot të gjitha llojet e bizneseve – nga kompanitë e mëdha deri te bizneset e reja të vogla që po mundohen të kryejnë shërbime specifike – mbështeten në platforma të punësimit online. Në përgjithësi, platformat në mënyrë drastike kanë reduktuar kostot për punëtorët dhe ata që do të përdornin shërbimet e tyre.
Të dhënat për numrin e njerëzve që marrin punë nëpërmjet këtyre platformave janë të zorshme të sigurohen, edhe për shkak se nuk është e qartë se sa njerëz i konsiderojnë si burim të vetëm të të ardhurave. Por disa anketime sugjerojnë se përmasat e popullsisë në Evropë që kanë kryer ndonjë punë platforme dallojnë nga 9 deri në 22 për qind.
Shumica e platformave të punës digjitale operojnë me qasje dhe ndarje informacioni për punëtorët me ata që mund t’i ndajnë ato. Baza e të punësuarve të tyre ka prirje të jetë shumë e vogël, krahasuar me numrin e atyre që kanë punë tërthorazi. Ta zëmë, platforma e punës “freelance”, “PeoplePerHour”, ka vetëm rreth pesëdhjetë punëtorë, por si ndërmjetëse ofron punë për rreth 2.4 punëtorë me shkathtësi të zhvilluara.
Organizata Ndërkombëtare e Punës ofron më shumë informacione të reja, bazuar në një anketim botëror me 12 mijë punëtorë platformash. Punëtorët e angazhuar në platforma me bazë lokacioni gjeneruan një mori fitimesh nga ai burim, dhe rreth një e treta e punëtorëve të platformave online (në vendet në zhvillim) u mbështetën kryesisht në këtë punësim për të ardhurat e tyre.
Është interesante se pagat e punëtorëve që punojnë online dallojnë varësisht prej shtetit, megjithëse platformat nuk do të duhej të reflektonin dizavantazhin gjeografik. Anketimi i Organizatës Ndërkombëtare të Punës ka treguar se punëtorët e platformave online fitojnë për gjashtëdhjetë për qind më shumë në vendet e zhvilluara krahasuar me vendet në zhvillim, edhe pas vrojtimit të të dhënave të moshës, shkollimit dhe detyrave.
Thelbi i çështjes është se ata që marrin punë përmes platformave digjitale të punës janë efektivisht të vetëpunësuar, me vetë platformën që nuk mban asnjë përgjegjësi për pagat ose shpërblimet, ose orët e punës dhe kushtet. Disa platforma të bazuara në vendndodhje, posaçërisht shërbimet e ofrimit dhe taksive, janë vënë nën vëzhgimin rregullator dhe ligjor në vendet që kërkojnë t'i trajtojnë ata si punëdhënës, por ky është ende një përjashtim.
Për më tepër, puna në platformë në mënyrë tipike komandon pagat me shkallë të ulët. Të gjitha problemet me të cilat përballen punëtorët me normë që nga kohët e lashta janë qartësisht të dukshme: pasiguria e të ardhurave, një shpërndarje shumë e pabarabartë e rrezikut dhe një tendencë për vetëshfrytëzim që minon çdo nocion të autonomisë dhe fleksibilitetit të punëtorëve.
Pastaj ka shqetësime në lidhje me algoritmet shpesh të errëta të platformave, dhe tarifat dhe komisionet që ata u ngarkojnë punëtorëve, të cilëve zakonisht u mungon korrigjimi për çdo ankesë dhe shpesh nuk kanë asnjë komunikim real me ata që drejtojnë platformën. Për më tepër, vetëdija e tyre për konkurrencën globale pa fytyrë mund të intensifikojë ndjenjën e tyre të pafuqisë, dhe t'i nënshtrojë punëtorët në një presion gjithnjë e më të lartë në nivelin e pagës.
Kjo është me të vërtetë një botë e re e guximshme për punëtorët, me disa mundësi të reja dhe sfida të shumta. Në shumë ekonomi të përparuara, platformat zakonisht lidhen me informalitetin e fuqisë punëtore. Por në vendet në zhvillim me punëtorë kryesisht informalë, platformat ndonjëherë mund të jenë një hap drejt zyrtarizimit.
Si mund ta adresojë rregullorja këtë marrëdhënie të re-të vjetër të punës që duket kaq e anuar ndaj punëtorëve? Është e qartë, ne duhet të rimendojmë atë që përbën një punëdhënës dhe të specifikojmë më shumë detaje si përgjegjësitë e tyre, ashtu edhe të drejtat e punëtorëve. Ne gjithashtu kemi nevojë për konsiderata më të gjera dhe fleksibile të standardeve të punës që shtrihen në punën me shkallë të ulët.
Vetëm disa nga këto mund të bëhen në nivelin kombëtar. Për shkak se platformat digjitale të punës veprojnë nëpër juridiksione të shumëfishta, koordinimi i politikave ndërkombëtare gjithashtu është thelbësor. Tani që bota po njeh edhe një herë rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit global, rregullimi i punës së platformës duhet të vendoset në agjendë.
(Autori, sekretar ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Bashkëpunimit Ekonomik, është profesor i ekonomisë në Universitetin e Massachusettsit, Amherst, dhe anëtar i Komisionit të Pavarur për Reformën e Taksimit Ndërkombëtar të Korporatave. Shkrimi është marrë nga rrjeti botëror i gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)