OpEd

Pse vaksinimi duhet të jetë i detyrueshëm

Gjatë këtij fillimshkurti, kur Qeveria indoneziane u bë e para që e bëri vaksinimin të detyrueshëm për të gjithë të rriturit, tragjedia e vërtetë nuk ishte pse po i shkelte liritë e qytetarëve të saj, porse vendet më të pasura nuk i dhanë donacion vaksinat që i duheshin për ta zbatuar ligjin. Si rezultat i kësaj, Indonezia është tani epiqendër e virusit dhe me dhjetëra e mijëra indonezianë të pavaksinuar kanë vdekur

Po shkruaj nga Victoria, shteti australian që në vitin 1970 u bë i pari juridiksion në botë që e bëri të detyrueshëm vendosjen e rripit të sigurisë në vetura. Ligji ishte sulmuar si shkelje e lirive individuale, porse viktorianët e pranuan, ngase shpëtonte jetë.

Tani, pjesa më e madhe e vendeve në botë kanë ligje të ngjashme. Nuk më kujtohet hera e fundit kur kam dëgjuar ndokënd të kërkonte liri për të ngarë veturë pa rripin e sigurisë.

Në vend të kësaj, ne tani po dëgjojmë kërkesa për të qenë të lirë në mosvaksinim kundër virusit, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Brady Ellison, pjesëtari i ekipit olimpik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në hedhje me shigjetë, thotë se vendimi i tij për të mos u vaksinuar është “njëqind për qind zgjedhje e tija”, duke insistuar se “çdokush që e thotë të kundërtën po ua rrëmben njerëzve liritë”.

Çudia këtu është se ligjet që na kërkojnë ta vendosim rripin e sigurisë përnjëmend janë bukur drejtpërsëdrejti cenim i lirisë, përderisa ligjet që ua kërkojnë njerëzve vaksinimin nëse duan që të shkojnë në vendet ku mund t’i infektojnë të tjerët e shkurtojnë një lloj lirie në emër të mbrojtjes së lirisë së të tjerëve për t’i kryer punët e tyre në mënyrë të sigurt.

Mos më keqkuptoni. I mbështes fuqimisht ligjet që ua kërkojnë shoferëve dhe pasagjerëve në vetura vendosjen e rripave të sigurisë. Në SHBA, ligjet e tilla llogaritet se shpëtuan përafërsisht 370 mijë jetë dhe parandaluan shumë më tepër se kaq lëndime serioze. Megjithëkëtë, këto ligje janë paternaliste.

Na detyrojnë të bëjmë diçka për vetë të mirën tonë. E shkelin parimin e famshëm të John Stuart Millit: “Qëllimi i vetëm për të cilin autoriteti mund të ushtrohet me të drejtë mbi cilindo pjesëtar të një komunitetit të civilizuar, kundër vullnetit të tij, është ai i shmangies së dëmit ndaj të tjerëve”. Fakti se detyrimi është për të mirën e vetë individëve “nuk është justifikim i mjaftueshëm”.

Ka shumëçka për t’u thënë rreth këtij parimi, sidomos kur përdoret për t’i kundërshtuar ligjet ndaj akteve pa viktima, si marrëdhëniet homoseksuale midis të rriturve të vetëdijshëm apo eutanazia vullnetare. Por Milli kishte më shumë besim në aftësinë e pjesëtarëve të komuniteteve “të civilizuara” për të marrë vendime racionale rreth vetë interesit të tyre sesa që ne sot justifikueshëm mund të kemi.

Para se rripat e sigurisë të bëheshin të detyrueshëm, qeveritë ndërmorën fushata për vetëdijesimin e njerëzve mbi rreziqet e mosbartjes së tyre. Këto fushata e kishin njëfarë efekti, por numri i njerëzve që i vendosnin as që i afrohej 90-përqindëshit a më shumë të atyre që i vendosin sot në SHBA (shifra të ngjashme apo edhe më të larta evidentohen në shumë vende të tjera, ku mosvendosja e tyre përbën shkelje).

Arsyeja është se ne nuk qëndrojmë mirë në rrafshin e mbrojtjes së vetes kundruall rreziqeve tejet të vogla të katastrofave. Secilën herë që hyjmë në veturë, gjasat që të përfshihemi në një aksident mjaftueshëm serioz për të pësuar lëndime, po qe se nuk i vendosim rripat e sigurisë, janë shumë të vogla. Megjithëkëtë, duke e pasur parasysh koston e neglizhueshme të vendosjes së rripave, një kalkulim i arsyeshëm i interesave të dikujt tregon se mosvendosja e tyre është veprim irracional. Të mbijetuarit e aksidenteve me vetura që janë lënduar, ngase nuk bartnin rripa të sigurisë pranojnë dhe pendohen për irracionalizmin e tyre – por vetëm kur bëhet shumë vonë, siç ndodh përherë për ata që vdesin të ulur mbi rripat e tyre.

Një situatë të ngjashme po e shohim tani edhe me vaksinimin.

Brytney Cobia postoi së fundi në llogarinë e saj në Facebook përjetimet nga puna e saj si mjeke në Birmingham, Alabama: “Po pranoj persona të rinj e të shëndetshëm në spital me simptoma shumë serioze të COVID-it. Një prej gjërave të fundit që ata bëjnë para se të intubohen është që të më lusin për një vaksinë. Ua mbaj duart dhe u them se më vjen keq, porse është vonë tani. disa ditë më vonë, kur e thërras kohën e tyre të vdekjes, ua përqafoj anëtarët e familjes dhe u them se mënyra më e mirë për t’i nderuar më të dashurit e tyre është që të vaksinohen dhe t’i trimërojnë edhe të tjerët që i njohin për ta bërë të njëjtën. Ata qajnë. Dhe më thonë se nuk e kanë ditur. Menduan se ishte mashtrim. Menduan se ishte punë politike. Menduan që ngase e kishin një grup të caktuar gjaku apo ngjyrë të caktuar lëkure nuk do të sëmureshin. Menduan se ishte ‘thjesht grip’. Por e kishin gabim. Dhe duan sikur të mund të ktheheshin prapa. Por nuk munden”.

Arsyeja e njëjtë e justifikon bërjen e vaksinimit kundër COVID-19 të detyrueshëm: ndryshe, tepër shumë njerëz do të marrin vendime për të cilat më vonë do të pendohen. Duhet qenë monstrualisht të pashpirt për të thënë: “Është faji i tyre, le të vdesin”.

Sido që të jetë, në epokën e COVID-it, detyrimi për vaksinim nuk e shkel parimin e Millit rreth “dëmit ndaj të tjerëve”.

Atletët e pavaksinuar olimpikë përbëjnë rrezik për të tjerët, njëjtë siç përbën ngasja me shpejtësi nëpër një rrugë me trafik të dendur. E vetmja “zgjedhje personale” që Ellisoni duhej ta ketë pasur ishte që ta merrte vaksinën apo përndryshe të qëndrojë në shtëpi.

Nëse Komiteti Ndërkombëtar Olimpik do të thoshte se vetëm atletët e vaksinuar mund të garojnë, atëherë do t’i çlironte me mijëra atletë nga barra e rënduar e rrezikut nga infektimi, dhe do ta justifikonte dëshirën e vrullshme të Ellisonit për të garuar pa u vaksinuar.

Për të njëjtën arsye, rregullat e shpallura muajin e shkuar në Francë dhe Greqi, që ua kërkojnë qytetarëve që shkojnë nëpër kinema, bare apo që udhëtojnë me trena që të ofrojnë dëshmi të vaksinimit nuk përbëjnë shkelje të lirive të askujt.

Gjatë këtij fillimshkurti, kur Qeveria indoneziane u bë e para që e bëri vaksinimin të detyrueshëm për të gjithë të rriturit, tragjedia e vërtetë nuk ishte pse po i shkelte liritë e qytetarëve të saj, porse vendet më të pasura nuk i dhanë donacion vaksinat që i duheshin për ta zbatuar ligjin. Si rezultat i kësaj, Indonezia është tani epiqendër e virusit dhe me dhjetëra e mijëra indonezianë të pavaksinuar kanë vdekur.

(Peter Singer është profesor i Bioetikës në Universitetin e Princetonit dhe themelues i organizatës jofitimprurëse “The Life You Can Save”. Ai është edhe autor i librave “Animal Liberation”, “Practical Ethics” dhe “Ethics in the Real World”. Libri i redaktuar prej anës së tij i John Stuart Millit “Unilitarianism” porsa është botuar në “Norton Library”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)