OpEd

Pse u diferencua Vjosa Osmani?!

Veprimet e lidershipit politik të LDK-së, veçmas pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2020, treguan se personalitetja që guximshëm kishte hyrë në front mbikëqyrej dhe kontrollohej nga prapavija autoritare. Autoritarizmi politik i LDK-së nuk lartësohet nga meritat personale, por nga poltronët e nënshtruar që e mbështesin liderin autoritar për shkak të epsheve të fshehura të poltronëve që një ditë të zëvendësojnë liderin partiak! Sipas votimit diskutabil, Vjosa Osmani u shkarkua me 70 vota të poltronëve që synojnë të zëvendësojnë liderin, ndërkohë 16 ishin kundër, 9 abstenuan nga 95 anëtarë që votuan, ndërsa 28 të tjerë nuk janë përgjigjur për shkak se kanë dëshiruar dhe janë të bindur se kështu po e ruajnë traditën demokratike të LDK-së!

Të nderuar lexues, “poltronët janë plehra ku rriten të gjitha të këqijat e kësaj bote”. Ndërsa tranzicioni i shoqërisë kosovare i udhëhequr nga lidershipi autoritar, veçmas pas udhëheqjes së LDK-së nga Isa Mustafa, ka shërbyer si bazë e fortë për përforcimin mentalitetit poltronist që tregoi votimi diferencues për largimin e Vjosa Osmanit. Autoritarizmi dhe poltronizimi shkaktuan imponimin e vullnetit autoritar të lidershipit të mbështetur nga vullneti i poltronëve që mbikëqyren dhe kontrollohen nga lideri partiak dhe grupi rreth tij.

Meqë ky binom erdhi në pushtet, janë krijuar kushtet për pushtet autokratik. Poltronët janë në “front”, ndërsa lideri autoritar nga prapavija sjell vendime! Poltronët partiakë, për lojalitetin që tregojnë ndaj liderit autoritar, marrin mirënjohje dhe shpërblehen për punën e kryer me sukses. Ata janë avokatët më të preferuar të liderit autoritar derisa është në pushtet, ndërsa kritikuesit më të ashpër kur ai e merr teposhtën. Jemi dëshmitarë se pushteti i këtillë, dita-ditës, përmes poltronëve, po i shlyen sjelljet autoritare dhe autokratike. Meqë po përdoret pushteti formalisht për realizimin e interesave, apo interesat po realizohen joformalisht duke qenë në pushtet, përkatësisht duke mbështetur poltronët njerëzit e pushtetit, siç ndodhi me rastin e Vjosa Osmanit. Për këtë arsye, LDK-ja e funksionalizuar nga “vëllezërit sijamezë” në Kosovën e pasluftës, është rreziku më serioz që i kanoset shtetit demokratik dhe ligjor, pa u funksionalizuar plotësisht shteti i së drejtës.

Diferencimi i personalitetes më të votuar që i mbeti besnike “Besës” së dhënë ndaj votuesve gjatë fushatës është argumenti kryesor se LDK-ja e këtillë është rreziku serioz që i kanoset shtetit demokratik dhe ligjor të Kosovës. Ajo u diferencua ngase mbeti besnike ndaj “Besës” së dhënë elektoratit dhe qytetarëve. Në këtë mënyrë, LDK-ja po e fuqizon mentalitetin makiavelist të shoqërisë që po e çon shtetin kosovar drejt dështimit. Reformat qëllimisht të dështuara nga pushtetet e pasluftës në të cilat pjesëmarrja e LDK-së nuk ka qenë e vogël, kanë krijuar bindjen tek elektorati se të “gjithë janë të njëjtë”. Por, fakti se mbi 50 anëtarë të KP të LDK-së nuk votuan për diferencimin e saj tregon se në këtë parti, megjithatë, ka anëtarë të cilëve elektorati dhe qytetarët duhet t’u besojnë. Fatkeqësisht, aktualisht nuk ka alternativa politike, por ata duhet të krijojnë alternativë nëse nuk dëshirojnë të bashkëjetojnë me partinë e kapur nga “vëllezërit sijamezë” dhe partitë e tjera të “shtetit të kapur”.

Realisht, veprimi diferencues i “vëllezërve sijamezë” të LDK-së nuk e ka dëmtuar Vjosa Osmanin, e as ata që nuk kanë votuar për diferencimin e saj. Përkundrazi, e ka dëmtuar të kaluarën e imazhit të “filozofisë rugoviane” dhe të ardhmen demokratike të LDK-së, që do ta dëshmojnë zgjedhjet e ardhshme.