OpEd

Pse dështojnë kombet?

Nëse nuk ka asnjë kuptim jeta jote, shpike një trill dhe ndiq fërkemet e tij…

Nëse nuk të intereson asgjë dhe nëse nuk beson asgjë - do të mësohesh ta marrësh trillin për të vërtetë – beso në Kosovë…

I zënë në kurth nga një ushtri tiranike, në një gjendje postapokaliptike (të mundshme), kur Shtëpia e Bardhë kishte kohë që ishte rrënuar nga flakët e luftës, kurse Qeveria e SHBA-së nuk ekzistonte më dhe kombi i madh amerikan ishte shpërbërë, heroi i filmit “Postman” të Kevin Costnerit, i sfiduar nga gjenerali i vetëshpallur Holinist Bethlehem, se ai nuk beson në asgjë dhe se jeta e tij s’ka ndonjë kuptim, përgjigjet: “Unë besoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”!

Pra, jeta e tij kishte kuptim!!!

 

Duke e lexuar librin "Pse dështojnë kombet", nga Daren Acemoglu & James A. Robinson, nuk mund t’u ikësh paraleleve historike dhe gjeopolitike të shembujve të këtyre autorëve me Kosovën.

Pse vërtet dështojnë kombet?

Përgjigjja në këtë pyetje sinjifikative nuk është varfëria, thatësia ose lufta e murtaja, porse politikanë ekstraktivë (përfitues) që shtiren patriotë e luftëtarë lirie, liderë të korruptuar deri n'asht, që vjedhin shtetin e tyre – zhvatin taksat e qytetarëve - pamëshirshëm dhe egërsisht.

Në shtetin e brishtë (të dështuar) shpërndarja e të mirave kombëtare është jo e balancuar, sepse ky brez politikanësh mësyn të marrë gjithçka për vete pa menduar se brezat që vijnë pas tyre do ta kenë të vështirë të ringrenë në këmbë një shtet nga hiri dhe rrënojat!?

Në shtetin e fortë ose që mësyn të jetë i tillë, konceptohet drejt dhe ekuilibrohet shpërndarja e të mirave kombëtare.
Sipas Kalevi J. Holstit, duhet të ketë një ekuilibër të arsyeshëm midis kërkesave për të marrë, pritshmërive në sigurimin e shërbimeve dhe pjesëmarrjes.
Kur shteti merr, por nuk siguron shërbimet e nevojshme apo pjesëmarrjen në vendime dhe në vendimmarrje, ai rrezikon ta humbë legjitimitetin e tij dhe mund të përballet me kryengritje të armatosur.

Derisa Holsti argumenton se legjitimiteti vertikal buron nga perceptimi popullor mbi ndershmërinë e atyre që e qeverisin, ky perceptim në Kosovë është katastrofal:
“Të gjithë janë hajna” – shpërthen njëjtë si bujku, si qytetari dhe jo vetëm opozita politike.
Dhe për këtë gjendje, kur perceptimi mund arsyen, sepse vetë qeverisja si me kast e ka krijuar këtë perceptim tek masat, kam shkruar në disa raste.

Sepse përsëritja e shpeshtë e diçkaje që mund të shërbejë për rilindjen e një kombi mund të jetë edhe terapia më e mirë…

Janë qindra herë përsëritje ato që thoshte Ibrahim Rugova në konferencat e tij famoze të së premtes, që nga viti 1991, se Kosova ishte një shtet i pavarur dhe se vetëm po priste njohje formale.

Ai ndiqte parimin e Ortega Y Gasset se shtetit të pavarur i paraprin ideja, pra shteti i imagjinuar pastaj “i shfaqet goja dhe flet” shteti në ndërtim.

Holsti ishte i vetëdijshëm se populli mund t’i pranojë të gjitha llojet e privilegjeve dhe shpërblimet simbolike që marrin qeveritarët, por ai rëndom nuk pranon që shteti të përdoret si një mjet apo platformë për pasurimin e individëve në kurriz të tij.

Ashiqare elita politike aktuale në Kosovë, pos privilegjeve që nuk janë të pakta (pagat e zyrtarëve qeveritarë të rangut ministror, deputetëve dhe kryetarit të shtetit, si dhe drejtorëve të agjencive qeveritare, janë më të lartat në rajon) po pasurohet përmes zyrave publike, duke përdorur klientelën politike, tenderët dhe influencimin politik të favoreve në sektorët ku derdhen më së shumti para nga arka e shtetit.

Kështu Holsti vjen në përfundimin se shtetet e çdo lloj forme do të jenë të dobëta, në qoftë se atyre u mungon legjitimiteti vertikal dhe horizontal, dhe nëse strukturat e tyre shtetërore janë kryesisht patrimonale. Këto shtete që kanë rrëshqitur në lokalizëm (më shpesh në provincializëm të kamufluar me nacionalizëm etnik), sipas Holstit, mund të duken nga jashtë si shtete, sepse gëzojnë njohje ndërkombëtare, kanë territor të përcaktuar, flamur, zyra qeveritare, ambasadorë dhe ushtri. Ato kanë dy nga tre komponentët e shtetit që përcakton Buzani.

Por atyre u mungon “ideja” e vetme e shtetit rreth të cilit mund të mblidhen dashuritë dhe besnikëritë e bashkësive të ndryshme përbërëse.
Në këtë drejtim Kosova është keq, tepër keq, sepse nuk ka arritur që të marrë besnikëri, jo vetëm nga kosovarët e etnisë serbe, ta zëmë, por as nga bashkësitë e tjera etnike dhe ato shoqërore që e përbëjnë, p.sh. Kosova dhe rendi i saj kushtetues, ligjor e simbolik nuk njihet nga një pjesë e opozitës aktuale që etnikisht është shqiptare, porse ky shtet tallet dhe nëpërkëmbet nga nacionalistë e batakçinj të të gjitha profileve e rreshtimeve ekstremiste!

Qeveria e vendit nuk e ka shtrirë autoritetin e vet efektiv mbi të gjithë shtetasit, as si mendësi e historiografi dhe as si dije e vetëdije për veten.

Në këtë aspekt Holsti citon Migdalin (1988:255) që vazhdimin e lokalizmit në politikë e sheh si një zhgënjim të thellë ndaj përpjekjeve për të shtrirë autoritetin efektiv mbi mbarë shoqërinë.
“Njerëzit e fortë u janë qepur pasurive të shtetit dhe vendeve drejtuese për të ruajtur kontrollin e tyre lokal dhe për të fituar pasuri të reja, me qëllim që ta forcojnë atë kontroll. Megjithatë, qëllimet e tyre të thella kanë qenë në antitezë me normat moderne që duhet të ketë një shtet…”.

Migdal konkludon se këta njerëz të fortë qëllimshëm e mbajnë shtetin të përçarë, sepse brenda atyre kufijve që sa më të kufizuar që të jenë - secili nga ta - merr çfarë të dojë, ngase rregullat e tyre kanë qenë më shumë provinciale dhe diskriminuese sesa universale.
Mirëpo Francis Fukujama ka një tjetër përgjigje për dështimin e shteteve.
Ai në librin “Ndërtimi i shtetit” thotë se shtetet e dobëta apo të dështuara janë në rrënjë të shumë prej problemeve më serioze në botë, nga varfëria dhe AIDS-i, të trafikut të drogës dhe terrorizmit, deri tek dështimi i demokracive.

Mirëpo dy autorë, Daren Acemoglu dhe James A. Robinson, kanë një mendim krejtësisht tjetër përse dështojnë kombet?
Këta të dy, në librin “Pse dështojnë kombet”, fajin për dështimin e kombeve/shteteve ua lënë institucioneve ekstraktive që shpronësojnë dhe varfërojnë popullsitë dhe bllokojnë zhvillimin ekonomik.
Sipas tyre, ndër teoritë që nuk qëndrojnë është edhe kjo që flet për sëmundjet, gjeografinë e pavolitshme ose ndonjë mallkim tjetër të Zotit!?

Vendet e varfra – sipas tyre – nuk janë të varfra për shkak të gjeografive apo kulturave ose për shkak se liderët e tyre nuk dinë se cilat politika do t’i pasurojnë qytetarët e tyre, porse arsyeja më e zakonshme se pse sot kombet dështojnë është për shkak se ato kanë institucione ekstraktive.
Matthew Yglesias, një redaktor ekzekutiv i “Vox”-it, mendon se licenca ekskluzive e importit nuk është një rastësi, ajo pasqyron pozicionin e privilegjuar, djali i vëllait, gruaja e presidentit… Hotelierët e zgjuar do të dinë më mirë të ngjiten shkallëve të korrupsionit sesa për të blerë nga një konkurrent që d.m.th. të blejnë problem. Bankierët e zgjuar po ashtu e dinë se biznesi i ri është i dënuar me dështim, sepse me kreditimin e popullit do të blejnë vetëm problem kreditorësh të varfër, prandaj ata ngjiten shkallëve të korrupsionit.

Acemoglu dhe Robinson teorizojnë se institucionet politike mund të ndahen në
dy lloje - ekstraktive (përfituese), institucionet në të cilin një grup i "vogël" e individëve e bëjnë më të mirën për vete për të shfrytëzuar - në kuptimin e Marksit - pjesën tjetër të popullsisë dhe inkluzive (gjithëpërfshirëse), institucione në të cilat "shumë" njerëzit janë të përfshira në procesin e qeverisjes, kështu procesi i shfrytëzimit është zbutur ose nuk ekziston.

Acemoglu & Robinson institucionet ekstraktive i ilustrojnë me shembullin klasik të presidentit Robert Mugabe të Zimbabvesë, i cili kishte sunduar këtë shtet me hir a me pahir dhe rëndom me një grusht të hekurt që nga viti 1980. Ai kishte fituar lotarinë kombëtare me vlerë 100 mijë dollarë zimbabveanë, rreth pesë herë sa të ardhurat vjetore për frymë të vendit.
Ai edhe nuk kishte aq nevojë për para, sepse sapo e kishte shpërblyer vetveten dhe kabinetin e tij me rritje të pagave prej 200% .

Sa për biletën e lotarisë, Mugabe duhej të ishte njeri me shumë fat, por ajo ishte vetëm një nga treguesit sesa ka pushtet presidenti Mugabe, ngase ai qëllimshëm ka ndërtuar institucione ekstraktive.
Dhe ky term duhet të jetë kompatibil me ‘kapjen e shtetit’ në kontekstin ballkanik, përkatësisht në atë kosovar.
Nocioni “Institucionet ekstraktive” mund të përkthehet në shqip si institucione përfituese , që si përkufizim i bie se institucionet “janë kapur” nga një grup njerëzish dhe shfrytëzohen për të përfituar në kurriz të pjesës tjetër të njerëzve, pra në kurriz të qytetarëve.
Pse dështojnë kombet pra?

“Postman” (Postieri) është një roman post-apokaliptik i zhanrit science-fiction nga David Brin. Në të një vagabond vesh një uniformë të Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara me një distinktiv të këtij shërbimi që thjesht e gjen të rrëzbitur duke bredhur për mbijetesë dhe në rrugë e sipër, dhe në situatë ekstreme ai, me premtime boshe, “siguron” njerëzit që e kanë mbijetuar apokalipsin dhe rënien e një qytetërimi se po restaurohej Qeveria e re dhe vetë Shtetet e Bashkuara përmes “restaurimit” të shërbimit postar duke dhënë shpresë se për gjashtë, dymbëdhjetë ose tetëmbëdhjetë muaj do të bëhej mirë…

Filmi “Postman” nis me krajatat e Gordonit, një bredhës që mbijetesa e detyron të rebelohet ndaj tiranisë Holiniste të ngritur mbi rrënojat e një kombi të madh, tirani absurde dhe e dhunshme, e cila mund të ishte vendosur ose mund të vendoset në një të ardhme në Amerikën postapokaliptike. Ai duke ikur (Shih: J.M. Coetze : “Jeta dhe koha e Majkell K.“) nga ushtria e tiranisë aksidentalisht has në një kamionçinë të përmbysur kaherë të Postës amerikane.

Për t’u strehuar nga të ftohtit hyn brenda dhe ia heq rrobat e trupit dikur-postierit që është shndërruar në një skelet.

Për mbijetesë.

Ai vëren edhe kapelën me distinktivin e Postës amerikane dhe që këtu nis “aventura” e tij “mashtruese”, të cilës i nënshtrohet dikur edhe vetë, duke e mbrojtur me çdo çmim gënjeshtrën e tij, ai bëhet një postier i vërtetë dhe në bazë të mashtrimit të tij ngrihet një sistem i tërë postierësh, si dëshmi që i vetmi kuptim i jetës është të qenit në botë dhe komunikimi me botën, përndryshe jeta të bën pa ideale, pa vlerë dhe pa besim, pra një tiran vrasës…

Në një situatë, në njërin nga zonat që e kishin mbijetuar apokalipsin, ai ia kërkon gruan njërit nga të pranishmëve, që të flinte me të, por qytetari postapokaliptik i përgjigjet:

“Nuk mundem!”

“Ne kishim një komb të madh”- i thotë gjenerali bizar Bethlehem.

“E di se çfarë e bëri të madh?” –pyet ai.

”Unë mundem!”- përgjigjet ai.

“Derisa dobësia i erdhi pranë.”

Gordon tashmë i shpërfytyruar në postier arrin t’i bindë njerëzit që i kanë mbijetuar rënies së qytetërimit se ka një qeveri të rikrijuar nga pluhuri dhe leckat, se ka një shërbim postar…

Dhe kur ai e heton se pas mashtrimit të tij ishin rreshtuar të mbijetuarit vendos që të shpallë rrenën e tij për t’i mbrojtur njerëzit që të mos vdisnin për kauzën e tij të rreme, se Shtetet e Bashkuara vërtet ekzistonin. Në dëshpërim e sipër një grua e re i thotë Gordonit:

“Ti na ke dhënë shpresë lehtësisht sikur të shpërndaje karamele!”

Gordoni “postier” për ta ndalur gjakderdhjen dhe për ta rivendosur paqen e sfidon tiranin Holinist Bethlehem i cili e quan: “Nëpunës i vogël”, derisa Gordoni ia kthen: “Shitës i makinerive të kopjes.”

“Jemi të dytë mashtrues.”

Mirëpo “gjenerali” nuk beson se Gordoni ka ndonjë ideal që do ta motivonte për t’u ndeshur.

“Ti nuk ke asgjë të vlefshme për çfarë do të luftosh?” – i drejtohet Gordonit.

“Ty nuk të intereson asgjë.”

“Ti nuk vlerëson asgjë.”

“Ti nuk beson asgjë.”

“Dhe kjo më bën më të mirë.”

Në përleshje e sipër dhe në zgrip të jetës Gordoni i rikthehet trillit të tij:

“Unë besoj në Shtetet e Bashkuara” – përgjigjet ai, duke i besuar më në fund trillit që e kishte krijuar vetë për çështje mbijetese se vërtet një qeveri e Shteteve të Bashkuara ekziston, po ashtu edhe një shërbim postar, i akorduar nga Kongresi me ligjin 147!?

Vetë autori i romanit Brin thotë se në këto ditë të solipsizmit ngjitës e të shfrenuar, me kaq shumë njerëz që pretendojnë të përbuzin një qytetërim, mesazhi i përgjithshëm është se ky film ka nevojë të shikohet dhe të dëgjohet.

“Ne jemi brenda tij së bashku. Civilizim do të thotë diçka.”

Duke e parë filmin e Costnerit, secili kosovar i vetëdijshëm për veten dhe qytetërimin që përfaqëson – ndonëse në zgrip të ekzistencës – do të duhej krijonte dhe të besonte edhe trillet më fantastike për t’i dhënë dashuri atdheut dhe për ta ringritur sërish në këmbë.

Pra, duhet dashur dhe duhet t’i jepet besnikëri Kosovës, qoftë edhe nëse është veçse një trill letrar, qoftë edhe nëse është shpikur për mbijetesë, sepse ajo në secilin version është shpikja më e madhe e kosovarëve të nëpërkëmbur me shekuj, ndoshta kjo Kosovë e re është rikthim ciklik ose rilindje e Dardanisë antike, një qytetërimi të perënduar para mijëra vjetëve, përndryshe vërtet ne nuk besojmë në asgjë, neve nuk na intereson asgjë, nuk vlerësojmë asgjë dhe kjo i bë armiqtë tanë më të mirë se ne!?

Ne duhet të jemi me Kosovën, së bashku. Sepse vërtet shtet (qytetërim) do të thotë diçka.