Vitin e kemi mbyllur me protesta për gratë e vrara, por pa e kapur thelbin e problemit. Gratë nuk janë të respektuara nga lart-poshtë. Kur qeverisja nuk u jep përparësi mendimeve dhe përvojës së tyre, atëherë as publiku nuk u jep
Kur Milan Radoiçiq hyri në veri, studiot televizive në Prishtinë u mbushën me ekspertë burra, që flisnin e analizonin për ngjarjet në veri derisa informacionet kryesore nga zona ku po ndodhte sulme vinin nga gratë gazetare.
Gratë gazetare u bënë cak i sulmuesve serbë në veri, por burrat vazhduan nga karriget e studiove televizive të silleshin sikur dinin e kishin më shumë informata për zhvillimet në veri.
Burrat thirreshin në Prishtinë, sepse ishin njohës të strategjive ushtarake, armëve dhe njohës të teknikave të armikut, informacione këto që lehtësisht i kanë edhe gratë.
Por pse gratë nuk munden të flasin për planet luftarake të Milan Radoiçiqit, pse gratë nuk mund të flasin për politikën e jashtme, për dialogun, për vendimet e mëdha që merren në këtë vend....?
E si mund të flasin gratë për këto tema ‘madhore’ të vendit në një ambient ku çdo ditë lajmet për vrasjet e grave, dhunën seksuale, fizike e psikike janë pjesë e një përditshmërie dhe një shoqërie e cila flet shumë për barazinë gjinore, por në veprime i përket mentalitetit patriarkal, i cili vazhdon të jetë sfidues për gratë.
Gratë nuk mund të flasin në ambientin ku dominojnë dhuna, padrejtësia sociale ndaj tyre dhe ku shoqëria vazhdon t’i konsiderojë ato si inferiore ndaj burrave.
Përballja me padrejtësitë në punësim, pronë, shkollime vazhdon çdo ditë.
Në përditshmëri raportet ditore të policisë dominohen nga informacionet e grave që janë rrahur e dhunuar nga burrat.
Dhuna, vetëm se në një formë më të sofistikuar vazhdon edhe tek ato që ngrenë zërin kundër padrejtësive. Por pothuajse pas çdo debati publik gratë në Kosovë stigmatizohen jo për shkak të qëndrimeve, por vetëm për faktin se janë gra.
E si pasojë e këtij diskursi publik, zinxhiri diskriminues vazhdon me përjashtimin e tyre nga vendimmarrja e si rrjedhojë edhe nga dhënia e mendimeve për orientimin shtetëror e shoqëror.
Nga 18 anëtarët e kabinetit të Qeverisë vetëm 6 janë gra, e nga 38 komunat vetëm 1 komunë në Kosovë udhëhiqet nga një grua.
Ky zinxhir i diskriminimit i nisur nga politika vazhdon në të gjithë strukturën e shtetit. Sekretarët, drejtorët, kryetarët e komunave, agjencive e pozicionet udhëheqëse vazhdojnë të dominohen nga burrat. Dhe patjetër që pastaj burrat janë ata që e dominojnë debatin publik.
Vitin e kemi mbyllur me protesta për gratë e vrara, por pa e kapur thelbin e problemit. Gratë nuk janë të respektuara nga lart-poshtë. Kur qeverisja nuk u jep përparësi mendimeve dhe përvojës së tyre, atëherë as publiku nuk u jep.
E kjo e krijon problemin edhe në media dhe në shoqëri. Kur nisesh të diskutosh për temën e ditës me shumë vullnet që hapësirën t’ua japësh grave e ke të pamundur ta bësh këtë, kur në krejt ministrinë drejtorët janë burra. E ke të pamundur të ftosh mysafirë e të diskutosh për sigurinë për shkak se institucionet kryesore të sigurisë drejtohen veç nga burrat.
Kur flet për shëndetësinë, përsëri e sheh që shumica e menaxhmentit janë burra, e kur flet për dialogun prapë të del që pjesa e atyre që janë vendimmarrëse janë burra....
Sindroma vazhdon pastaj edhe në nivelin lokal, ku gratë i gjen vetëm në pozita të drejtoreshave të kulturës apo eventualisht të arsimit, por jo në pozicione të kryetareve të komunave apo drejtorive të prokurimit e planifikimit urban.
Shqiptarja Mira Murati gjatë 2023-tës u zgjodh në mesin e 25 grave më me ndikim në botë. Pra gratë shqiptare triumfuan në vendet ku atyre iu dha hapësira e mundësia, e në Kosovë gratë vazhduan të ishin pjesë e statistikave të viktimave.
E ndaj një situate si kjo gratë do të duheshin të ishin rebele dhe duke bërë opozitën të luftonin për hapësirën e tyre dhe të krijonin mendimin publik.
Nuk është se nuk pati e nuk pamë nisma të tilla, por ato u kthyen mbrapsht pasi ambienti nuk u dëshmua të jetë i lehtë.
Që nga marrja e VOX popava e deri te ftesa për t’i pasur në studio televizive, gratë hezitojnë më shumë se burrat të jenë pjesë e debatit.
Hezitimi i tyre arsyetohet dhe kuptohet. Gjatë 2023-tës gratë, përfshirë ato që janë pjesë e politikës, u detyruan ta vendosin veten nën mbrojtjen e policisë, për shkak të sulmeve e kërcënimeve që vinin kryesisht nga burrat e Facebookut.
Qëndrimet e tyre bënë që gratë deputete të linçohen publikisht. Gratë politikane u shanë e u ofenduan me termat më të ndyrë e më e keqja trimave të rrjeteve sociale nuk i shpëtuan as gratë aktiviste të shoqërisë civile dhe gazetaret.
Por një dritë shprese u shfaq në fund të tunelit. Komentuesit ‘trima’ të Facebookur u bënë pula kur shkuan në gjykatë. Atje në disa raste u panë duke derdhur edhe lot vetëm për t’iu shpëtuar dënimeve të gjykatave.
E vendimet e gjykatave për kërcënimet që vinin nga rrjetet sociale shtuan shpresat se fryma dhe gjuha e urrejtjes ndaj grave sadopak mund të zbuten, duke i kontribuar një ambienti ku gratë do të ndiheshin të lira të flasin në publik pa frikën se do të shahen e ofendohen.
Por shoqëria është ende larg për ta garantuar barazinë gjinore, e cila vjen edhe si shkak i një sistemi patriarkal, i cili i sheh gratë inferiore ndaj burrave.
Gratë vazhdojnë ta kenë vetëm 19%të pronës në Kosovë në emër të tyre. Ato vazhduan të jenë pa pozicione vendimmarrëse e si rrjedhojë gratë vazhdojnë të jenë të linçuara dhe shpeshherë të përjashtuara nga debati publik jo për fajin e tyre.
Janë të nënpërfaqësuara duke nisur nga partia, e më pas edhe në kandidatura në zgjedhje. Partitë politike nuk i mbështesin ato as në ndarjet financiare për fushatë.
E një numër i madh i tyre si shkak i stigmës dhe mospërkrahjes shoqërore vazhduan të vuajnë traumën e dhunës seksuale të luftës pa mbështetje të fortë institucionale. Vetëm më pak se 2000 mijë u futën nën përkujdesjen e shtetit, të tjerat vazhdojnë ta mbajnë të mbyllur traumën.
Kur këto shihen nga këndi i fundit të vitit, shpresat janë të pakta dhe 2023-a mbyllet me konstatimin se ishte një vazhdimësi e diskriminimit të grave dhe një vit ku shteti e shoqëria nuk arritën të ndërtojnë barazinë në mes dy gjinive.
Ndoshta në 2024-tën njëri nga indikatorët do të ndryshojë. Lutemi që indikatori i parë të kemi zero raste të vrasjeve të grave, e të tjerat do t’i zgjidhim së bashku edhe në 2025-n.