OpEd

Pse BE-ja hoqi dorë nga “marrëveshja gjithëpërfshirëse-ligjërisht obliguese“?

Kosova e ka të vështirë të mos e pranojë propozimin për marrëveshjen e re me Serbinë. Kosova me të do të marrë obligime shtesë, krahas atyre që i ka marrë deri më tash në dialog. Ndoshta nuk do të humbë asgjë të rëndësishme. Por marrëveshja për të cilën pritet të pajtohen palët nuk është as gjithëpërfshirëse, as ligjërisht obliguese, as nuk i zgjidh të gjitha çështjet e hapura mes palëve. Ajo, nëse pranohet, do t’i sjellë raportet mes Kosovës dhe Serbisë në një status quo të ri, pak më normal se deri më tash. Është evidente se lidershipi politik në BE dhe SHBA i kanë zvogëluar shumë ambiciet dhe kanë hequr dorë, së paku përkohësisht, nga kërkesa për marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Propozimi është shkruar në atë mënyrë që t’i lehtësohet presidentit të Serbisë ta pranojë, të mos sjellë obligime formale për 5 vende të BE-së dhe të mundësojë zgjidhjen e shumë çështjeve praktike. E obligimi për një marrëveshje finale, për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, do t’i mbetet një gjenerate tjetër të Evropës, Amerikës, Kosovës e Serbisë

Për dy muaj, do të mbushen tre vjet prej kur BE-ja kishte emëruar ish-ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, si të dërguar të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe, për të mos e kufizuar rolin e tij vetëm me këtë, edhe për çështje të tjera në Ballkan. Por mandatit iu sigurua edhe një buxhet i duhur dhe mundësia që ai të formojë një ekip të tij të veçantë. Në BE edhe para kësaj ka pasur mjaft zyrtarë që merreshin me dialogun Kosovë-Serbi apo “Beograd-Prishtinë” nëse duhet të jemi të saktë në terminologjinë që e përdor BE-ja, për shkak se nuk e trajton Kosovën si shtet. Në pyetjet se pse ka nevojë për një “të dërguar të posaçëm të BE-së“ (të tillët emërohen vetëm për rajone krizash) përgjigjja ishte se “në këtë mënyrë do të ketë një person i cili do të jetë i angazhuar “24 orë në ditë, 7 ditë në javë” vetëm me këtë punë. Dhe kjo nuk do të jetë më vetëm një “angazhim në orët e mbrëmjes apo të natës” të përfaqësuesve të lartë të BE-së, siç ishte në kohën e baroneshës Catherine Ashton, e më pas edhe të Federika Mogherinit. Dhe, thuhej atëherë, “ka ardhur koha që tash dialogu të përmbyllet”. Ambicie të mëdha shprehu atëherë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell. Vetë Miroslav Lajçak thoshte se “marrëveshja gjithëpërfshirëse është çështje muaj e jo vitesh”.

Tash pas tre vjetësh nuk ka shumë për të thënë për rezultatet në dialog. Jo vetëm se nuk ka pasur përparim drejt marrëveshjes finale, por ka pasur përkeqësim të raporteve. BE-ja është dashur të merret me rolin e zjarrfikësit, duke ndërmjetësuar në tejkalimin e krizave, e jo me marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Madje edhe për të tejkaluar krizat, që kanë qenë edhe rezultat i interpretimeve të ndryshme nga dialogu deri më tash, e BE-ja nuk i ka sqaruar si duhet, është dashur ndihma e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe në fund, doli që BE-ja, e përballur me vështirësitë për të arritur ndonjë sukses në dialog, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë dalë me një propozim për një “marrëveshje bazë” mes Kosovës dhe Serbisë. E presioni është i madh ndaj palëve që ky propozim të pranohet, dhe atë pa rishkruar pjesë të tij.

Duke pasur përvojë me zgjedhjen e kujdesshme të fjalëve nga ana e zyrtarëve të BE-së gjithçka duhen lexuar me kujdes. Pak a shumë propozimi është ai që e ka botuar KOHA në mesin e muajit dhjetor. Nuk ka shumë rëndësi dilema se a i ka ai propozim 10 apo 11 pika, 10 nene e një preambulë. Por në përgjithësi dihet çka kërkon dhe çka nuk kërkon ajo. Nuk kërkon njohjen formale të Kosovës nga ana e Serbisë, por kërkon që Serbia në një mënyrë ta “respektoj” Kosovën dhe territorin e saj. Kjo do të ishte një avancim nga situata aktuale ndonëse Serbia edhe deri tash në një mënyrë e ka pranuar se Kosova nuk është nën administrimin e saj. Serbia dhe Kosova kanë marrëveshje të ndara me BE-në për Stabilizim-Asociim. Në negociatat e anëtarësimit të Serbisë me BE-në nuk përfshihet Kosova, as në përmbajtje, as në statistika e as në aspektin politik. As në liberalizimin e vizave për Serbinë nuk përfshihet Kosova. Zyrtarët e Serbisë kërkojnë leje për të ardhur në Kosovë. Sikur të pranohet propozimi në fjalë, ky “respekt“ i Serbisë për Kosovën dhe territorin e saj do të ngrihej në një nivel më të lartë. Kjo do të ishte e rëndësishme edhe pse nuk do të nënkuptonte njohje formale.

Por ajo që është pak zhgënjyese është lehtësia me të cilën BE-ja dhe SHBA-ja kanë hequr dorë nga kërkesa për “marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, me të cilën do të zgjidheshin të gjitha problemet e hapura mes palëve“. Vetë Lajçak në një intervistë të fundit në Rubikon, me gazetarin Adriatik Kelmendi, ka pranuar se kjo marrëveshje do të jetë vetëm një hap drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Edhe në një nen të propozimit bëhet e qartë se BE ka hequr dorë nga ajo që ka kërkuar tash e 11 vjet, nga normalizimi gjithëpërfshirës, ligjërisht obligues. Palët do të marrin obligime politike me këtë marrëveshje, Dhe shtetet serioze edhe obligimet politike i respektojnë sikur të ishin edhe ligjërisht obliguese. Por përvoja me dialogun deri tash mëson se për zbatimin e këtyre obligimeve nuk mjafton të bazohemi vetëm në vullnetin e mirë politik dhe seriozitetin e lidershipit politik.

Kur kishin pyetur presidentin e Serbisë, Vuçiq, në Bruksel pas një takimi se “pse Serbia bën lobim kundër njohjes së Kosovës dhe kundërshton anëtarësimin në secilën organizatë ndërkombëtare“, ai ishte përgjigjur se “në asnjë dokument nuk shkruan se Serbia nuk mund ta bëjë këtë“ dhe se ai “mburret me këtë sjellje të Serbisë“. Kur e pyetëm se “a është kjo në frymën e normalizimit?“, ai reagoi në stilin e tij teatral “Lëreni ju frymën, më tregoni a shkruan diku“.

Dhe vërtet në “Marrëveshjen e parë“ që ishte arritur në vitin 2013, në momentin e fundit u hoq dorë nga kërkesa që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare. Kjo u zëvendësua me formulimin gjeneral se palët “nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në rrugëtimin përkatës evropian“. Madje edhe këtë Serbia e ka shkelur, duke kërkuar nga vendet e BE-së që të mos votojnë në favor të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Për më tepër si “rrugëtim evropian“ mund të kuptohet edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës, ku Serbia po ashtu mundohet të bëjë pengesa aq sa mundet.

do të ngrihej në një nivel të ri nëse kalon marrëveshja sipas propozimit, i cili në nenin 4 ka edhe kërkesën që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kosova e ka të vështirë të mos pranojë propozimin për marrëveshjen e re me Serbinë. Kosova më të do të marrë obligime shtesë, krahas atyre që i ka marrë deri më tash në dialog. Ndoshta nuk do të humbë asgjë të rëndësishme. Por marrëveshja për të cilën pritet të pajtohen palët nuk është as gjithëpërfshirëse, as ligjërisht obliguese, as nuk i zgjidh të gjitha çështjet e hapura mes palëve. Ajo, nëse pranohet, do t’i sjellë raportet mes Kosovës dhe Serbisë në një status quo të ri, pak më normal se deri me tash. Është evidente se lidershipi politik në BE dhe SHBA i ka zvogëluar shumë ambiciet dhe ka hequr dorë, së paku përkohësisht, nga kërkesa për marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Propozimi është shkruar në atë mënyrë që t’i lehtësohet presidentit të Serbisë ta pranojë, të mos sjellë obligime formale për 5 vende të BE-së, dhe ta mundësojë zgjidhjen e shumë çështjeve praktike. E obligimi për një marrëveshje finale, për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, do t’i mbetet një gjenerate tjetër të politikanëve, emisarëve, zëvendësndihmës sekretarëve, këshilltarëve e qytetarëve të Evropës, Amerikës, Kosovës e Serbisë. Para 10 vjetësh ishte arritur “marrëveshja e parë”. Tash është në tryezë propozimi për “Marrëveshjen bazë“. Me këtë dinamikë, në vitin 2033 do të mund të jetë një marrëveshje e re. Dhe kush mund të thotë se ajo do të jetë finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese.