11 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova do të jetë aq shtet për qytetarët e botës barabar me atë se sa pranohet për shtet nga vetë qytetarët e saj. Ose: Pse strategjisë për të kërkuar njohje të reja tashmë i ka dalë afati dhe me çka duhet ndërruar atë?
KOSOVA EDHE KËTË vit do të synojë të anëtarësohet në Interpol. Herën e fundit kur u provua, në Dubai, ishte një ndër zhgënjimet më të mëdha të politikës së jashtme. Nga siguria se është punë e kryer, deri në disfatën e madhe, kur edhe disa shtete që e kanë njohur shtetin nuk votuan për pranimin e Policisë së Kosovës.
Kjo e ngriti dilemën se çfarë në të vërtetë do të thotë njohja e Pavarësisë së Kosovës nga ndonjë shtet.
Ose: A është njohja nga ndonjë shtet ajo që do ta bëjë Kosovën të barabartë me shtetet e tjera?
Këtë javë Komiteti Ekzekutiv i Interpolit me seli në Lyon të Francës votoi në favor të pranimit të aplikimit të Kosovës për të hyrë në votim për pranim në Asamblenë e ardhshme të Përgjithshme të Interpolit, e cila do të mbahet në nëntor në Kili të Amerikës Latine.
Ministria e Jashtme njoftoi me entuziazëm se edhe ky hap procedural nënkupton rëndësi të madhe, për shkak se nga dhjetë shtetet pjesëmarrëse, ishin vetëm tri të cilat e njohin Kosovën si shtet dhe, përkundër kësaj, votimi ishte në të mirë të pranimit të dosjes së Policisë së Kosovës.
Që i bie, ndodhi pikërisht e kundërta e asaj që kishte ndodhur me procesin e votimit vitin e kaluar në Dubai. Pra, atëbotë shtete që na kishin njohur - nuk votuan, kurse në Lyon shtete që nuk na njohin votuan për Kosovën.
SA SHTETE vërtet e kanë njohur Kosovën? Këtë pyetje së fundi ka filluar ta shtrojë më shpesh Serbia sesa Kosova.
Në listën zyrtare të Qeverisë së Kosovës qëndron numri 116. Mirëpo në të njëjtën listë shihet edhe se gjatë tre vjetëve të fundit Republikën tonë e kanë njohur vetëm 5 shtete. Ose, që nga shkurti i vitit të kaluar, kur na kishte njohur vendlindja e Rihannas, ishulli Barbados, nuk ka pasur asnjë njohje.
Në anën tjetër, Qeveria e Serbisë gjatë këtyre tre vjetëve thekson se njohjen e kanë tërhequr së paku 12 shtete. Natyrisht, disa nga këto shtete në mënyra të ndryshme e kanë përgënjeshtruar një pohim të këtillë të Beogradit, por është notore edhe se disa shtete e kanë tërhequr njohjen dhe nëse i hyjmë kalkulimit, del se momentalisht në këtë pjesëlojë Serbia ka shënuar më shumë gola në fushë.
Në anën tjetër, nëse nuk e numërojmë njohjen nga mikroshteti i Andorrës, tash gati 11 vjet Kosovën nuk e ka njohur asnjë shtet i Evropës. Me njohjen që erdhi nga Mali i Zi dhe Maqedonia, brenda një dite, më 9 tetor 2018, është përmbyllur procesi i njohjeve nga shtetet evropiane.
PSE ATËHERË TË ngulet këmbë domosdoshmërisht në strategjinë e njohjeve formale? A s’i bie kjo se ato shtete që kanë dashur, kanë pasur interes, ose kanë pasur mirëkuptim, tashmë e kanë njohur Kosovën, kurse shtetet e tjera, ose nuk duan të marrin qëndrim zyrtar lidhur me njohje, ose janë kundër saj.
Mbase ky do të duhej të ishte njëri ndër diskutimet kryesore brenda institucioneve vendimmarrëse të Prishtinës.
Ka shumë shtete në të gjitha kontinentet e botës të cilat interesat e tyre politike, financiare e gjeostrategjike i kanë të ndërlidhura me shtetet që nuk e kanë përkrahur Pavarësinë e Kosovës, siç janë Rusia dhe Kina. Natyrisht se edhe po ta mirëkuptonin kërkesën e Kosovës për njohje të shtetësisë, ato mund të llogarisin interesin e vet të ngushtë dhe të mos vendosin të rreshtohen.
Atëherë, pse të mos synohet ndryshimi i qasjes karshi këtyre shteteve? Për shembull, nga kërkesa për njohje formale, në kërkesa për votim për pranim të Kosovës në institucione dhe organizata ndërkombëtare.
Për shtetet mosnjohëse, gjithsesi, do të jetë shumë më e lehtë të votojnë pozitivisht për Kosovën sesa ta njohin formalisht shtetësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë, për Kosovën do të ishte më e favorshme vota pozitive e këtyre shteteve nëpër procese të ndryshme votimi sesa vetë akti i njohjes.
Mirëpo, për të votuar pro Kosovës në organizata e institucione ndërkombëtare varet shumë se ku është sot vetë Kosova në këta 11 vjet shtetësi. Varet se sa e zhvilluar është Kosova, cilat janë të drejtat dhe liritë e njeriut, cili është niveli i arsimit, shëndetësisë dhe i zhvillimit ekonomik. Me fjalë të tjera, se sa është Kosova shtet që meriton të përkrahet për atë që është, për atë që ka arritur të bëhet dhe jo domosdoshmërisht për vuajtjet e saj nën Serbi.
E SE SA ËSHTË Kosova shtet sot, pavarësisht shumë pengesave nga Serbia, shumë më tepër varet nga vetë qytetarët e saj dhe nga elita e saj politike.
Në qoftë se edhe 11 vjet pas shpalljes së Pavarësisë Kosova renditet ndër vendet e para të listave të rekordeve të zeza në Evropë, atëherë do të thotë që më tepër se si shihet nga jashtë, qytetarët e këtij shteti duhet të mendojnë se çfarë po bëjnë vetë brenda.
11 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova do të jetë aq shtet për qytetarët e botës barabar me atë se sa pranohet për shtet nga vetë qytetarët e saj.
Twitter: @adriatikk