Këtij justifikimi i shërben retorika e kryeministrit të Kosovës, në ndërkohë që përshtatja në Ohër është fatale dhe pa kthim: nuk ka njohje, rihapet statusi karshi Serbisë, autonomia politiko-territoriale serbe nis e ndërtohet gradualisht, si pasojë e imponimit, jo pse diçka është pranuar në Ohër dhe kështu me radhë.
Kuptimi i përshtatjes
Përshtatja ose socializimi, siç emërtohet në literaturën e teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, përbën një ndër konceptet kyç përmes të cilit përshkruhen konflikti, ndryshimi, konkurrenca dhe bashkëpunimi në marrëdhëniet ndërkombëtare, shkurt – sjellja shteteve. Teorizimi i këtij koncepti nis me Keneth Waltz dhe veprën e tij “Theory of International Politics” (1979). Ka qenë dhe ngelet teoria me fuqi më të madhe shpjeguese në marrëdhëniet ndërkombëtare, premisat e së cilës i shkoqisim shkurtimisht në vijim. Si e tillë, ajo bazohet, në rend të parë, në idenë se subjekt i vetëm i marrëdhënieve ndërkombëtare janë shtetet, aktorët e tjerë joshtetërorë janë periferikë. Së dyti, marrëdhëniet ndërkombëtare për nga natyra tyre janë anarkike - nuk ekziston një qeveri qendrore që kujdeset për sigurinë dhe mirëqenien e anëtarëve të vet. Së treti, meqë nuk ka një qeveri qendrore, atëherë secili aktor i marrëdhënieve ndërkombëtare duhet të kujdeset për sigurinë dhe mirëqenien e vet. Së fundi, kjo përkujdesje vetjake shprehet përmes krijimit dhe akumulimit të forcës ushtarake, armatimit dhe krijimit të aleancave me të tjerët, me qëllim të adresimit të dilemave të sigurisë që krijohen në sistem - secili shtet armatosjen dhe aleancat e tjetrit i sheh si rrezik për sigurinë e vet dhe, për pasojë, këtë frikë e dilemë të sigurisë i adreson përmes armatosjes dhe ndërtimit të aleancave shtesë me qëllim përballimin e rrezikut të sigurisë. Këto premisa themelore fare nuk marrin parasysh faktorët ideologjikë, përkatësisht nëse një shtet ka sistem komunist, fashist, kapitalist, liberal dhe kështu me radhë. Ajo që çon peshë në përllogaritjet e kësaj qasjeje teorike konsiston në ushtrimin e rreptë të funksioneve për sa më sipër, gjithnjë me qëllim primar prodhimin e sigurisë fizike ekzistenciale për vetveten.
Kujdesi për ekzistencën fizike përbën funksionin primar të shtetit, i cili vlen për çdo shtet. Këtë funksion, megjithatë, shtetet e realizojnë me përdorim të kapaciteteve të ndryshme: shtetet e forta kanë buxhet dhe fuqi për vetëruajtje më të madhe, në një kohë që shtetet e vogla këtë funksion duhet ta ushtrojnë çdoherë në bashkëpunim me të tjerët. Në kërkim të sigurimit të vetëruajtjes, mbi bazën e premisave si më sipër, zhvillohet procesi i përshtatjes së shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si aktore racionale, shtetet në marrëdhëniet me të tjerët synojnë fitore relative, pa asnjë konsideratë për faktorët e tjerë, si ekonomik, kulturor, ideologjik etj. Në përfaqësimin matematik në teorinë e lojërave dhe në teorinë ekonomike, kjo nënkupton që fitorja e njërës palë paraqet humbje të barasvlershme për palën tjetër (“zero – sum game”). Thënë shkurt: në marrëdhëniet ndërkombëtare, me rëndësi jetike për shtetin është jo sa fiton pala tjetër, por nëse fitorja e njërës palë përfaqëson humbje për palën tjetër.
Krejt ky sistem bazohet në tërheqjen gravitacionale të një qendre (pax graeca, pax romana, pax mongolica, pax americana etj.), dy qendrave (bipolariteti) ose më shumë qendrave (multipolariteti). Në secilën skemë, faktorët ideologjik, kulturor, ekonomik dhe të tjerë janë arsyetim, asnjëherë shkaktar i përshtatjes së sjelljeve të shteteve si aktore racionale në marrëdhënie ndërkombëtare. Keneth Waltz këtë e ka shpjeguar me referim elitën e komunistëve jugosllavë, elanit të tyre revolucionar, i cili kishte rënë përtokë - e tregon bazuar në kujtimet e Millovan Gjilasit - ditën që kishin hyrë në Beograd dhe kishin nisur plaçkitjen e vilave të mbretit Alaksandër Karagjorgjeviq në lagjen “Dedinje”. Një përshkrim të ngjashëm, por akoma më domethënës, lidhur me përshtatjen e shteteve ndaj ambientit ndërkombëtar e ka dhënë George F. Kennan në atë që njihet si “Telegram X”, që u botua më 1947 në “Foreign Affairs”. Aty Kennan provoi se diktatori sovjetik J. V. Stalin po ndiqte një politikë të jashtme që nuk kishte asnjë dallim nga politikat e jashtme të carëve rusë: asnjë konsideratë ideologjike mbi vëllazërim-bashkimin e kombeve dhe popujve, mirëqenien e progresin e proletariatit komunist, epërsinë e klasës punëtore e fshatare dhe kështu me radhë nuk ishin veçse një farsë. Ky proces përshtatjeje, që përshkruan Kennan, në të vërtetë kishte nisur qysh në kohën e Leninit: pas Revolucionit të Tetorit, ai bëri paqen në Brest-Litovsk më 3 mars 1918, u tërhoq nga frontet e Luftës së Parë Botërore, njohu të drejtën për pavarësi e vetëvendosje të popujve të shtypur të periferisë ruse, për t’i gllabëruar më pastaj të njëjtin një nga një pesë vjet më vonë; më 1922 krijoi atë që më vonë u njoh si Bashkimi Sovjetik, politika e jashtme e të cilit deri në frymën e fundit nuk kishte asnjë lidhje me konsideratat ideologjike. Ai shtet la anash ideologjinë dhe u akomodua në sistemin ndërkombëtar të politikës së pushtetit dhe bilancit të fuqisë. Kështu ndodh me të gjitha shtetet, pa asnjë përjashtim: shtetet që nuk përshtaten, ngelin në periferi pa asnjë rol apo peshë ndërkombëtare, siç ka qenë rasti i Shqipërisë së Enver Hoxhës, Vietnamit dhe Kamboxhias gjatë Luftës së Ftohtë dhe shumë raste të tjera të asaj kohe dhe më pastaj.
Dy premisat themelore të dialogut
Një proces të njëjtë të përshtatjes së Kosovës kemi parë këtyre dy vjetëve të fundit, pas ardhjes në pushtet të LVV-së. Siç na kujtohet të gjithëve, në njërin prej takimeve të para të kryeministrit Kurti në Bruksel, kishte marrë me vete një grumbull librash, në të cilët flitet për gjenocidin dhe territorin serb në Kosovë, libra që ishin botuar nga një stërshitës ordiner për qëllime përfitimi; ata kishin qarkulluar nëpër zyrat e qeverive të mëparshme, ishin parablerë me një çmim deri në 120 euro për copë. Nejse, kjo këtu fare nuk çon peshë. Ajo që çon peshë, e që duhet thënë, ka të bëjë me faktin se prezantimi i tyre në Bruksel para ndërmjetësuesve mbaroi atë ditë - më pas nuk u ndoq nga kryeministri Kurti, u la në harresë. Kjo ishte shenja e parë që tregonte për fillimin e procesit të përshtatjes së Kurtit ndaj ambientit ndërkombëtar, që këtu personifikohet më Bashkimin Evropian, strukturën më të dendur dhe më intensive normative që ka njohur historia e marrëdhënieve ndërkombëtare. Elani revolucionar u braktis, njëjtë siç braktis gjarpri epidermën e vet në ndërrim të ciklit të jetës. Përveç librit, në harresë kaloi edhe padia për gjenocid, që nisi ato ditë në pararrugëtimin në Bruksel dhe dorëzimit pompoz të librit tanimë të harruar: dy projektet tanimë i takojnë historisë. Një njollë ngeli prapa, që në start, megjithatë, gjykuar sipas asaj që më kishte thënë një diplomat perëndimor atyre ditëve, bazuar në rrëfimin e dorës së parë të vetë zotit Borrell: “Ky tipi i Kosovës qenka interesant, me sa duket do të ndërlikohet pak kjo puna e dialogut me të!”. Në të vërtetë, e tillë nuk doli të jetë veçse për Kurtin, i cili atë ditë në Bruksel po detyrohej të përshtatej ndaj strukturave normative të Bashkimit Evropian, që e shohin Kosovën si shtet secesionist akoma jo të kompletuar. Ajo që nuk u përshtat është diskursi agresiv, revolucionar dhe përmbysës i Kurtit, por që nuk ka asnjë rëndësi për marrëdhëniet tona me ambientin ndërkombëtar rreth nesh.
Ohri, momenti kulmor i përshtatjes së kryeministrit Kurti
Para se të japim në mënyrë të përmbledhur pikat e përshtatjes së Kurit në Ohër, duhet të themi dy a tri fjalë për premisat mbi të cilat bazohet qasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me atë se kush i prin ndërmjetësimit në dialog. Pikë nismës e politikës së Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, përfshirë dhe vendet anëtare që kanë njohur Kosovën, është se dialogu bëhet me mandat të Organizatës së Komeve të Bashkuara: pas mendimit historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, Asambleja e Përgjithshme e OKB ka autorizuar Bashkimin Evropian për adresim të çështjeve të mbetura mes Kosovës dhe Serbisë. Ky qëndrim bazohet në një pikë tjetër nismëse, që në tërësi mbështetet në ligjin ndërkombëtar: Kosova është rasti i vetëm i secesionit të suksesshëm pas vitit 1990; ajo që thuhet se ajo është një rast sui generis ka bazë politike, asnjëherë bazë juridike-ndërkombëtare. Esenca e sui generis është kjo: Perëndimi e ka bërë të qartë se rasti i Kosovës, krijimi i saj si shtet, devijon nga standardi normativ i ligjit ndërkombëtar shkaku i represionit serb intensiv; ai nuk mëton të përsërisë rastin e Kosovës si precedent askund tjetër brenda sferës së ndikimit perëndimor. Kaq! Problemi me ligjin ndërkombëtar i secesionit të Kosovës, sado që i suksesshëm, ngelet prapa dhe i hapur. Bashkimi Evropian mbi këtë bazon pikën e vet nismëse: për të qenë shtet siç duhet, veçanërisht brenda kësaj strukture të dendur dhe intensive normative, Kosova duhet të marrë njohjen e shtetit nga i cili është shkëputur – Serbia. Në parim, shtetet ekzistuese, përfshirë vendet anëtare të BE-së, kanë konsideratë të madhe për shtetet nga të cilat një shtet tjetër shkëputet, për faktin se me këtë ruajnë parimin normativ të vetëruajtjes. Thënë me fjalë të tjera, Borell dhe Lajaçk, apo kushdo tjetër në emër të Bashkimit Evropian, njëjtë do të sillet: Kosova si një shtet secesionist shihet dhe trajtohet me pozitë inferiore karshi shtetit nga i cili është shkëputur - Serbia, për të cilën njëkohësisht vlejnë në tërësi normat dhe parimet e ligjit ndërkombëtar. Për shtetin si Kosova, ndërkaq, normat dhe parimet e tilla vlejnë vetëm për qëllimet e përshtatjes ndaj kërkesave të shtetit pararendës, që është Serbia, dhe Bashkimit Evropian si miratuesi përfundimtar i çdo marrëveshjeje mes palëve.
Ndaj kësaj qasjeje është përshtatur në Ohër kryeministri Kurti, në mënyrë përfundimtare dhe pakthyeshëm. Atë ditë që u bë publik teksti i instrumentit për implementim në Ohër, çdo jurist normal e ka pasur të qartë se teksti i tij në tërësi anon kah Serbia, me tendencë të theksuar për rikthim të sovranitetit të saj në Kosovë. Bashkimi Evropian ka diktuar përmbajtjen e tij bazuar në premisën themelore, ku njëra palë është secesioniste e tjetra shtet sovran dhe i pavarur. Kosova është përshtatur ndaj saj, krejtësisht dhe pa asnjë rezervë, pa qenë në dijeni se cila është premisa themelore e ndërmjetësuesit në dialog ndaj secesionit të shteteve. Nga kjo përshtatje, katër aspekte që Kurtit i ngelin në barrë, janë me pasoja fatale për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. E para, në preambulën apo hyrjen e tekstit të Ohrit nuk flitet për njohjen mes palëve të sovranitetit dhe integritetit të tyre territorial, por vetëm të atij të Serbisë: gjuha e përdorur aty është në vetën e tretë apo gjuhë neutrale, që u referohet vetëm shteteve që kanë sovranitet të plotë dhe të pakontestuar në planin ndërkombëtar, që është Serbia e jo Kosova. E dyta, statusi i Kosovës është rihapur në raport me Serbinë, sepse në Ohër Serbisë i njihet e drejta për paragjykim të statusit në mënyrë të njëjtë siç u njihet vendeve të tjera mosnjohëse në BE dhe jashtë saj. E treta, në Ohër ka ndodhur shndërrimi i Asociacionit në autonomi të plotë politiko-territoriale dhe personale për serbët e Kosovës , kishat dhe objekte te tyre të kultit dhe të historisë nacionale. Së fundi, e katërta, Serbia sipas Marrëveshjes Bruksel/Ohër nuk ka asnjë detyrim ndërkombëtar kundrejt Kosovës apo kundrejt bashkësisë ndërkombëtare: ato detyrime që i ka lidhur me të zhdukurit janë detyrime pa implikime ndërkombëtare, kurse çështja e mospendimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare nuk mund të ketë sanksionim dypalësh, sepse asnjë organizatë ndërkombëtare nuk operon në mënyrë të tillë që varet nga vullneti i Serbisë për futje ose jo të Kosovë në gjirin saj. Në asnjë interpretim të kësaj përshtatjeje të zotit Kurti nuk mund të nxirret njohja e Kosovës, qoftë de facto apo de jure. Ajo i takon historisë: rikthimi i saj në agjendë mund të bëhet vetëm në rrethana të një tronditjeje tjetër të rendit ndërkombëtar në pjesën që ka të bëjë me Ballkanin. Vështirë të imagjinohet diçka e tillë!.
Zbatim duke bërtitur
Në fillim, pakkush e kuptonte se britmat dhe rezistenca e Kurtit ndaj zbatimit të zotimeve të së kaluarës, nuk ishin në të vërtetë ashtu siç dukeshin, porse bëhej fjalë për një stratagemë të re, një mënyrë të re komunikimi me të tjerët, me pikë referimi çdoherë votën dhe legjitimitetin politik në Kosovë. Fillimisht drejtohej kundër grupimeve të supozuara kriminale të serbëve në veri, për t’u gjeneralizuar më pastaj në grupet shoqërore brenda korpusit politik shqiptar. Hapësira për “ngreh e mos e këput” në veri është e madhe, e tillë ka qenë nga qershori i vitit 1999, sepse asnjëra palë nuk ka hapësirë pafund për projektim të forcës. Manovrimi violent në veri të vendit, por edhe në pjesë të tjera, mund të ndërmerret kohë pas kohe, pa rrezik të përshkallëzimit të përgjithshëm, për shkak se pala serbe nuk mund të ketë një impenjim ushtarak e policor në shkallë të gjerë, si rezultat i kufizimeve ndërkombëtare: shkelja e tyre domosdo që çon në jostabilitet total në shkallë të gjerë të vendeve përreth Kosovës. Ky është faktori bazë mbi të cilin mbështetet politika gjysmëkërcënuese, pse jo edhe me tone të kapadaillëkut, që Prishtina zyrtare e udhëheq në veri. Këtë e kanë bërë edhe të tjerët para pushtetit aktual. Dallimi i vetëm është se të tjerët këtë mundësi nuk e përkthenin në legjitimitet politik, për shkak të bindjes naive se përshkallëzimi i kontrolluar në veri paraqet një hap tutje në përmbylljen e dialogut me Serbinë. Kurti është i pari që ka kuptuar se përshkallëzimi në veri çon në drejtim të kundërt - në largimin e mbylljes së dialogut me Serbinë dhe fuqizim të ndikimit serb në vend, jo vetëm në veri.
Ajo që pamë më 14 shtator nuk dallon asnjë nga ato që kemi parë më herët: ngritja e tonit, retorika dramatike, kërcënimi i kundërshtarëve politikë - si në tragjeditë greke që njëkohësisht përshkruajnë vuajtjen njerëzore dhe njeriun si antidot të saj, bëhet në funksion të shtyrjes përpara të agjendës së pajtuar në Ohër. Në shikim të parë duket sikur bëhet fjalë për dikë që refuzon, përpëlitet dhe përtyp fjalët e fundit, nuk i nxjerr mesazhet profetike për popullin që përfaqëson, sepse dëshiron ta mbrojë nga një e keqe që e ka trashëgim nga të tjerët; shkurt, i përshtatuni nuk dëshiron që Troja të shkatërrohet dhe ai të ngelet i gjallë! Kjo, megjithatë, nuk është fare e saktë: këtë stratagemë e kemi parë në territorin ish-jugosllav të luhet nga të tjerët me një mjeshtëri të rrallë. Në këtë kuptim, shikuar politikisht, kjo qasje ndaj procesit të përshtatjes është krejtësisht legjitime dhe e lejuar. Me rëndësi është që votuesi të shohë se liderit ia morën, ai nuk e dha ; ai nuk bëri koncesione të dhimbshme, ato ia imponuan; Kosova sakrifikoi njohjen de facto dhe de jure, jo pse deshi, por sepse ia imponuan. Këtij justifikimi i shërben retorika e kryeministrit të Kosovës, në ndërkohë që përshtatja në Ohër është fatale dhe pa kthim: nuk ka njohje, rihapet statusi karshi Serbisë, autonomia politiko-territoriale serbe nis e ndërtohet gradualisht, si pasojë e imponimit, jo pse diçka është pranuar në Ohër dhe kështu me radhë.
(Autori ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe është profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)