OpEd

Procesi i paqes që duhet të mbështetet nga mbështetësit e Ukrainës

Një marrëveshje e drejtë, duhet të biem dakord, duhet t’i lërë të gjithë disi të pakënaqur, ndërkohë që përbën një përmirësim të madh mbi çdo alternativë të mundshme. Të dyja palët duhet të nxjerrin dobi që tejkalojnë humbjet e tyre, pa e humbur fytyrën

Në vitin 1943, progresistët e kishin detyrë morale t’i hidhnin poshtë thirrjet për një zgjidhje të negociuar me Hitlerin. Marrëveshja me nazistët, për t’i dhënë fund masakrës, do të ishte e pafalshme. Njerëzit e civilizuar e kishin vetëm një mundësi: të vazhdonin të luftonin, derisa trupat aleate do të qëndronin mbi bunkerin e Hitlerit në Berlin. Për dallim prej atëherë, sot do të ishte gabim i madh të synonim një fitore përfundimtare ushtarake mbi Rusinë dhe të përjashtonim ata që bëjnë thirrje për paqe të menjëhershme të negociuar.

Në vitin 1943, vendet që luftonin për fitore përfundimtare kishin interesa të drejtpërdrejta, me trupat aleate, dhe në shumë raste, popullsinë civile, në vijën e frontit. Sot, Perëndimi vepron njëjtë si SHBA-ja para sulmit japonez në Pearl Harbor: duke qëndruar, ashtu si edhe duke armatosur e inkurajuar ata që po luftojnë. Në këto rrethana, nxitja e ukrainasve për ta siguruar fitoren përfundimtare kundër Rusisë, në kohën kur NATO-ja as që po mendon të përfshihet në fushëbetejë, është hipokrizi dhe papërgjegjësi.

Duke pasur parasysh se ngujimi i Putinit në një bunker të Moskës s’mund të jetë rezultati që synon Perëndimi, si do të dukej fitorja përfundimtare për Ukrainën? Dihet, ukrainasit ëndërrojnë t’i zmbrapsin trupat ruse të paktën atje ku ishin përpara 24 shkurtit – ambicie e madhe, me gjithë dërgesat amerikane të armatimit më të sofistikuar. Ajo që ka shumë më tepër gjasa të ndodhë është që pasi të jetë sistemuar në bregdetin e Detit të Zi të Ukrainës dhe rajonin lindor të Donbasit, Putini do të bëjë thirrje për armëpushim. Në atë rast, një luftë e ngadaltë – kombinim midis Sirisë dhe Qipros – do të ishte rezultati më i mundshëm.

Mirëpo, edhe në rastin e pamundur që luftëtarët ukrainas të kenë sukses t’i zmbrapsin trupat deri në fund, regjimi i plagosur rus do të gjente gjithnjë mënyra për ta penguar rrugën e Ukrainës drejt normalitetit. Vetëm ndryshimi i regjimit në Moskë, i një lloji të veçantë, përkon me nocionin e një fitoreje përfundimtare të Ukrainës. Sa është i mundshëm një rezultat i tillë për Ukrainën dhe NATO-n? Dhe, sa e arsyeshme është të vihet bast për të ardhmen e Ukrainës, sidomos duke pasur parasysh historikun e Perëndimit për përpjekjet në ndryshimin e regjimit?

Në fakt, shumica e dëshmive çojnë në drejtim të kundërt. Teksa lufta po shkon keq për Putinin, lufta ekonomike po funksionon mjaft mirë për të. Kuptohet, rusët e paprivilegjuar po vuajnë, punëtorët e kualifikuar po ikin dhe shumë industri po marrin fund. Megjithatë, sipas Robin Brooksit të Institutit të Financave Ndërkombëtare, një suficit gjigant në llogarinë rrjedhëse është duke u krijuar. Nuk është çudi që rubla është rikuperuar plotësisht.

E tërë kjo ia mundëson regjimit të Putinit ta financojë lehtësisht një luftë afatgjate në Ukrainë. Shumë rusë do të varfërohen, dhe ekonomia e tyre do të dënohet me stagnim afatgjatë. Mirëpo në tabelën e shahut të Putinit, rusët e zakonshëm janë thjesht pengje, sakrifica e të cilëve është e pranueshme, nëse jo e nevojshme, për t’i shkaktuar dëme afatgjate Ukrainës, teksa presin që të shfaqen përçarje brenda NATO-s – veçanërisht kur mediat e paqëndrueshme perëndimore të kthejnë vëmendjen e tyre në çështje të tjera.

Në këtë kontekst, thirrjet për fitore përfundimtare të Ukrainës gravitojnë drejt një disfate të të gjithëve – përveç ndoshta tregtarëve të armëve dhe industrisë së karburanteve fosile, pasuritë e të cilëve lufta i ka ringjallur fuqishëm. Perspektivat e një mrekullie ekonomike ukrainase, të financuar nga Bashkimi Evropian, do të shuhen. Evropa tashmë po vuan ekonomikisht dhe bota në zhvillim është në fazat e hershme të një spiraleje urie dhe migrimi të detyruar, të shkaktuar nga ndërprerja e importeve të drithërave dhe plehrave me origjinë normalisht në Ukrainë dhe Rusi. Vetëm një paqe e negociuar mund ta rrëmbejë fitoren – e përcaktuar si rezultate më të mira për Ukrainën, Evropën dhe njerëzimin.

Pikërisht në këtë pikë, akuzat për “Westsplaining” hidhen mbi disa prej nesh, që paralajmërojmë kundër narrativës së një fitoreje përfundimtare të Ukrainës. “Kush jeni ju që u tregoni ukrainasve se çfarë të bëjnë?” - është një refren i zakonshëm. Me respekt për agjencinë e tyre, unë do ta lë pyetjen pa përgjigje dhe, në vend të kësaj, do të fokusohem në mënyrën më të mirë për t’i mbështetur ukrainasit tani.

Ne e dimë se të ngujuarit në luftë duhet t’i ekonomizojnë ofertat për negociata, ashtu që të mos quhen të dobët. Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi në fillim të këtij muaji se lufta nuk mund të përfundojë pa negociata: “Pavarësisht se ata po shkatërrojnë urat tona, besoj se ende nuk janë shkatërruar të gjitha”, është shprehur Zelensky. Duhet të jetë punë e disa prej nesh, që nuk jemi të përfshirë drejtpërdrejt në luftë, t’i ndihmojmë luftëtarët të parashikojnë se si mund të duket një paqe e negociuar - dhe të thonë gjërat, që ata nuk kanë mundësi t’i thonë përpara fillimit të negociatave.

Një marrëveshje e drejtë, duhet të biem dakord, duhet t’i lërë të gjithë disi të pakënaqur, ndërkohë që përbën një përmirësim të madh mbi çdo alternativë të mundshme. Të dyja palët duhet të nxjerrin dobi që tejkalojnë humbjet e tyre, pa e humbur fytyrën. Për të nderuar aspiratat dhe rezistencën e guximshme të ukrainasve ndaj agresionit të Putinit, traktati i parashikuar i paqes duhet të dekretojë që trupat ruse të tërhiqen në bazat e tyre të para 24 shkurtit. Për t’u marrë me përplasjet sektare në Donbas dhe zonat përreth, Marrëveshja e së Premtes së Mirë (që u dha fund “telasheve” në Irlandën e Veriut), mund të ofrojë udhëzime për zgjidhjen e konflikteve dhe qeverisjen. Dhe, për ta zbutur frikën e riangazhimit ushtarak duhet të përfshihet një zonë e gjerë e demilitarizuar rreth kufirit ruso-ukrainas.

A do të pajtohej Putini? Mbase, nëse traktati i ofron atij tri gjëra. Putini do të dojë që shumica e sanksioneve të hiqen. Gjithashtu do të dëshirojë që çështja e aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 të lihet anash dhe të zgjidhet në një kohë të pacaktuar në të ardhmen. Putini do të dëshirojë edhe garanci sigurie që vetëm SHBA-ja mund t’ia ofrojë, duke përfshirë joshjen me një ulëse në tavolinën ku do të hartoheshin marrëveshjet e reja të sigurisë në Evropë. Ukraina ka nevojë për garanci të ngjashme sigurie nga SHBA-ja dhe Rusia, kështu që miqtë e Ukrainës duhet të planifikojnë marrëveshje të tilla, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, dhe duke përfshirë SHBA-në dhe BE-në.

Natyrisht, nuk ka garanci që një paqe e negociuar do të funksionojë. E sigurt është se mungesa e përpjekjeve, për shkak të iluzionit të një fitoreje përfundimtare, do të ishte e pafalshme.

(Autori, ish-ministër grek i Financave, është lider i partisë MeRA25 dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)