OpEd

Problemi i menaxhimit përmes bordeve dhe këshillave drejtuese

Zëvendësimi i rreth 400 anëtarëve të bordeve dhe këshillave drejtuese nuk do të zgjidhë problemin e qeverisjes së ndërmarrjeve, bordeve dhe universiteteve. Ajo çfarë nevojitet është një rishqyrtim i modelit të funksionit të ndërmarrjeve dhe arsyeshmërisë së ekzistencës së shumë agjencive të pavarura dhe institucioneve arsimore

Kur zgjedhjet sjellin një parti të re në pushtet, ajo çfarë pason është edhe një pranim-dorëzim i pozitave të anëtarësisë në borde. Me partinë humbëse largohen edhe me qindra anëtarë bordesh apo këshillave drejtuese. Edhe pse ligjërisht bordet e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike do të duhej të ishin të pavarura nga ndikimi politik, në realitet bordet janë të mbushura me militantë partiakë.

Mbushja e bordeve me militantë partiakë dhe familjarë të politikanëve është vendosur qysh në ditët e para prej kur kompetencat për menaxhimin e ndërmarrjeve kaluan nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit tek institucionet vendore. Në dhjetor të vitit 2008, Qeveria Thaçi 1 mori 15 vendime të ndryshme dhe mbushi bordet e 15 ndërmarrjeve publike me anëtarë të partisë. Pas reagimit të atëhershëm të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Qeveria zëvendësoi 14 nga 40 anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike, por prapë shumica mbetën persona partiakë. Përkundër rënies së performancës së ndërmarrjeve publike, keqmenaxhimit financiar e humbjeve të mëdha teknike, në Qeverinë Thaçi 2 iu vazhdua automatikisht mandati anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Në marrëveshjen e koalicionit pas zgjedhjeve parlamentare të 2014-s në mes të LDK-së së udhëhequr nga Isa Mustafa dhe PDK-së së udhëhequr nga Hashim Thaçi, u vendos që dy partitë të ndanin baras edhe anëtarësinë në borde të ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të pavarura.

Andaj, askush nuk mund t’i akuzojë tash Vetëvendosjen dhe Qeverinë Kurti 2 për shkarkimin e anëtarëve të bordeve të këtyre ndërmarrjeve dhe agjencive të pavarura, ngase këto borde vetëm të pavarura nuk ishin.

Në total funksionojnë 31 ndërmarrje publike dhe të gjitha qeverisen nga bordet si trupa më e lartë e qeverisjes koorporative. Nevojiten 159 anëtarë bordesh, profesionistë të fushave të ndryshme, për t’u emëruar në bordet e të gjitha ndërmarrjeve publike. Në anën tjetër, institucionet kanë themeluar edhe 31 trupa të pavarura apo të agjencive, me një anëtarësi të përgjithshme prej 184 vetash. Shto kësaj edhe 51 anëtarë në shtatë këshillat drejtuese të universiteteve publike, del se që në ditët e para të qeverisjes mund të emërohen rreth 400 individë në borde dhe në këshilla të institucioneve të pavarura.

Duket se Qeveria Kurti 2 pa e vlerësuar logjikën e ekzistimit të këtyre bordeve dhe këshillave ka filluar procedurat për emërimin e anëtarëve të rinj. Dhe si partitë e tjera, edhe VV-ja është duke u përballur me kritikat për emërimet e bashkëpartiakëve dhe të familjarëve.

Por a janë bordet mënyra e duhur e drejtimit të ndërmarrjeve, agjencive dhe universiteteve?

Në rastin e bordeve të ndërmarrjeve publike, institucionet e Kosovës kanë aplikuar modelin e qeverisjes koorporative, duke vendosur bordet si trupa ndërmjetësues mes aksionarit (Qeverisë) dhe ekzekutivit të ndërmarrjes. Por ky model, në një vend të pazhvilluar si Kosova, me mungesë të kuadrove profesionale, me politizim dhe polarizim të skajshëm shoqëror nuk është treguar efikas. Edhe nëse partitë politike që kanë qeverisur deri më tani nuk do t’i politizonin bordet, prapëseprapë do të shfaqej problemi i llogaridhënies dhe i profesionalizmit. Andaj, zgjidhja më e lehtë dhe më e duhur për ndërmarrjet publike do të ishte largimi i bordeve dhe vendosja e përgjegjësisë për qeverisjen e ndërmarrjes tek drejtori ekzekutiv. Për sukseset dhe dështimet e ndërmarrjes, qytetarët (përmes Qeverisë si aksionar), mbajnë përgjegjës drejtpërdrejt drejtorin ekzekutiv, dhe jo një grup individësh puna primare e të cilëve nuk është qeverisja e ndërmarrjes publike.

Tek universitetet, para se Qeveria Kurti 2 të emërojë anëtarët e rinj në këshillat drejtuese të universiteteve, së pari do të duhej të bëhej një vlerësim nëse shoqëria ka nevojë për këto universitete. Dhe tek pastaj, universitetet ekzistuese a duhet të kenë në qeverisjen e tyre këshilla drejtuese? Nuk është e logjikshme që disa anëtarë nga shoqëria civile të emërohen në një trupë qeverisëse dhe të vendosin politikat e zhvillimit të një institucioni pjesë e të cilit nuk janë. Njësoj si tek ndërmarrjet publike, edhe në rastin e universitetit përgjegjësia e menaxhimit të institucionit duhet të individualizohet tek rektori, dhe jo të humbet tek shtatë e më shumë anëtarë të këshillit drejtues.

Tek agjencitë e pavarura gjërat janë më të komplikuara dhe largimi i tërësishëm i bordeve nuk mund të jetë zgjidhje. Kjo, ngase në shumë agjenci të pavarura që luajnë rolin e rregullatorëve të tregut jepen licenca të rëndësishme e që vendimmarrja do të duhej të vendosej domosdo në një trupë kolektive, si mënyrë për të parandaluar korrupsionin. Por ajo çfarë duhet të bëhet është një vlerësim për nevojën e ekzistimit të të gjitha këtyre agjencive të pavarura. Për shembull, a ka nevojë që Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të jetë agjenci e pavarur, apo këtë funksion mund ta kryejë një institucion brenda Qeverisë? Me program qeverisës është paraparë racionalizimi i agjencive dhe i organeve të pavarura dhe mbetet të shihet se çfarë parasheh ky racionalizim.

Vetëm zëvendësimi i rreth 400 anëtarëve të bordeve dhe këshillave drejtuese nuk do të zgjidhë problemin e qeverisjes së ndërmarrjeve, bordeve dhe universiteteve. Ajo çfarë nevojitet është një rishqyrtim i modelit të funksionit të ndërmarrjeve dhe arsyeshmërisë së ekzistencës së shumë agjencive të pavarura dhe institucioneve arsimore.