Kampionati Botëror i Futbollit po aq sa është i mirë, aq është edhe i keq - për shkak se derisa krejt po dalldisemi pas topit, privatizuesit e Kosovës po vazhdojnë me agjendën e tyre. Kur të përfundojë Kampionati, kush e di edhe sa miliona të tjerë do të na zhduken, dhe kush e di edhe sa takime historike do të mbahen në Bruksel. Mbase edhe do të shpallen zgjedhjet e parakohshme, porse asgjë esenciale nuk do të ndodhë, përderisa Kuvendi nuk i merr disa vendime historike
Pa dyshim pamja e javës u regjistrua në Rusi -- pas ndeshjes Japoni-Kolumbi, tifozët japonezë kishin marrë qese të mëdha bërlloku dhe po i mblidhnin mbeturinat që i kishin hedhur nëpër tribuna gjatë ndeshjes. Dolën fitimtarë nga ndeshja, porse atë ngjarje e festuan me disiplinën që e kanë të mësuar që nga fëmijëria dhe me modesti e respekt për të tjerët.
Tek i shikoja japonezët, assesi t'i parafytyroja tifozët shqiptarë me një reagim të tillë. Para syve me dilte imazhi i njerëzve euforikë, me nga një armë në dorë, “tue gju për gëzim”, dhe një grumbull të tjerësh tek e tymosin duhanin dhe duke i hedhur edhe ato gotat e mbetura të birrës, “se vjen rusi i mbledh”.
Tamam kësi çfarë jemi dhe ashtu si sillemi -- me papërgjegjësi dhe me pritje që tjetërkush të na e pastrojë bërllokun që vetë e krijojmë. Sepse me kësi shembulli po rriten fëmijët e brezave të pasluftës -- me shembullin e njerëzve pa përgjegjësi e intereshi veç për vete, që kur e bëjnë llom një punë, gjithsesi do ta gjejnë një fajtor kujdestar dhe do të presin që Amerika të na e zgjidhë lëmshin që vetë e krijojnë.
I vetëcaktuari
E Kosova është bërë e gjitha lëmsh, në fakt një grumbull lëmshesh, për shkak se atë e udhëheqin njerëz të padijshëm që manipulojnë me të si me pronë private.
E mjeshtri më i madh ndër ta është, natyrisht, Hashim Thaçi.
Prejse e ka marrë timonin e negociatave me Serbinë, na mbyti demagogji, dhe na mbyti me marrëveshje që nuk zbatohen, porse që na mbesin edhe kile. Dihet, marrëveshja më e keqe që e ka arritur me Serbinë është ajo për OJQ-në e tij, Zajednicën. Tashmë po e dimë se ajo është shpallur kundërkushtetuese në 23 pika; tashmë po e dimë që në bazë të një marrëveshjeje kundërkushtetuese po punohet një statut nga një ekip ekskluzivisht serb. Po e dimë që ai ekip po e bën statutin e një autonomie territoriale. Kurse Thaçi po vazhdon të na flasë për marrëveshje historike.
Thaçi e di mirë që Kushtetuesja e ka theksuar decidivisht se nuk mund të ketë përfaqësim në negociata pa e marrë pëlqimin e Kuvendit. Porse gjithashtu e di se e ka në dorë Kushtetuesen, e cila ka mbetur pa kuorum, dhe e cila edhe po të donte, nuk do të mundë ta përcaktonte shkeljen e Kushtetutës të cilën është duke e bërë sistematikisht që nga marrja e mandatit të kryetarit.
Mban konferenca të gjata për shtyp, në të cilat i përtyp frazat që i ka mësuar përmendsh dhe të cilat i kumton teksa i lëviz duart si një dirigjent pa ritëm dhe na tregon përralla për përfshirjen e NATO-s në negociata dhe në demarkimin e kufirit me Serbinë. Pyetjeve iu përgjigjet me përsëritjen e “instutucioneve”, “qutetarëve” dhe fjalëve të tjera të cilat kurrsesi t'i shqiptojë si duhet, përderisa e mban qëndrimin arrogant, i cili e karakterizon. Përçon porosinë unë bëj atë që dua, e askush nuk mundet të bëjë asgjë. Dhe pikërisht këtë edhe po e bën, përderisa ky vend është jetim dhe nuk ka kush t'ia përfaqësojë interesat as në Kuvend.
Shefi i stafit të tij i paralajmëron hapat dhe na tregon se negociatat përfundimtare po nisin këtë të diel. Na thotë se nuk është e vërtetë se Kosova është më pak e përgatitur se Serbia për këto negociata. Na thotë se nuk kemi nevojë për asnjë platformë, se ajo është humbje kohe. Vazhdon ta përsërisë se mandati i Thaçit për negociata rrjedh nga Kushtetuta, edhe pse edhe ai fort mirë e di se Thaçi mund të jetë kryetar, por assesi edhe simbol i unitetit të shtetit, për shkak se madje edhe partitë e koalicionit qeveritar nuk ia japin përkrahjen për të qenë bartës i bisedimeve. Në fund, na thotë se koncesioni i vetëm që do ta bëjë Kosova është të lidhë marrëveshje me Serbinë -- duke e shtrembëruar në thelb vetë kuptimin e fjalës koncesion -- që është lëshim pe, dhe dhënie të një diçkaje në këmbim të një diçkaje tjetër. Se cili do të jetë koncesioni i radhës i Kosovës këtë nuk e thotë.
Pra, në këtë atmosferë, me një mishmash kronik në të cilin nuk dihet se kush çfarë përgjegjësie ka në këtë shtet; me një Kuvend që vazhdon të mos mundë të funksionojë ngase as kuorumin nuk po mund ta mbledhë, Thaçi shfrytëzon nga rasti dhe vazhdon me agjendën e tij -- me përpjekjen për t'u paraqitur aq i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm, saqë Specialja ta lërë në harresë për një kohë. Derisa të mos e nënshkruajë kapitullimin e Kosovës karshi Serbisë.
E fakti, qysh po dëgjojmë se EULEX-i do t'i kryejë punët logjistike dhe operacionale për nevojat e Speciales, na tregon se prej kësaj pune nuk do të dalë asnjë send, dhe se kot do të shpenzohen gjithë ata miliona. Kosovës do t'i dalë zâni i zi me nja dy-tri burgosje “të të vegjëlve”, ndërkohë që “të mëdhenjtë” do të vazhdojnë të na ngufasin derisa të na lënë pa frymë.
RTK e pasur e popullit të varfër
Por do të ishte e padrejtë të thuhej se veç Thaçi veçohet për nga sjelljet dhe vendimet e dëmshme për Kosovën. Të ngjashëm me të janë edhe Veseli edhe Haradinaj.
Ky i pari, për shkak se e kalon kohën në shëtitje duke bërë lobim kot, me delegacione kineze, për t'i bindur evropianët që të na japin vizat. Ndërkohë që lejon (me qëllim, me gjasë) që Kuvendi të mos mundë t'i kalojë as ligjet esenciale që lidhen për Agjendën Evropiane të Reformave.
Për më tepër, lejon që deputetët e partisë së tij ta shtyjnë me gjoks edhe të katërtin ligj për RTK-në, që kur është themeluar transmetuesi publik. Dje gazeta e përshkroi projektligjin për RTK-në, i cili është edhe më i keq seç mund të imagjinohej.
Lëre që sërish do të detyrohemi t'i paguajmë nga 2,50 euro nëpërmjet faturave të rrymës (dhe këtu, për shembull, do të detyrohemi të paguajmë për RTK-në edhe nëse bëhet fjalë për njehsorët e harxhimeve të përbashkëta nëpër ndërtesa kolektive), porse buxheti do t'i ndajë nga 0,4% të vlerës së vet për çdo vit, për avancimin teknologjik të televizionit (bëjeni hesap, tash po flasim për 8 milionë euro). Kapak në të gjithë këtë do të jetë edhe mundësia që RTK-ja të mbledhë rreth 2,5 milionë euro nga reklamat.
Pra, i falen 24 milionë euro, prej të cilave 22 milionë i paguajnë qytetarët vetë, për një servis që lehtë mund të shndërrohet në mjet propagande të atyre që i marrin këto vendime.
Një propozimligj i këtillë, që e lejon dyfishimin e infrastrukturës; që e ndihmon digjitalizimin vetëm të segmentit publik audioviziv dhe që ia siguron pozitën e privilegjuar në tregun edhe ashtu të vogël e të ngufatur medial të Kosovës është i turpshëm, ngase është ndërtuar pa e bërë asnjë analizë të vetme financiare a funksionale të shërbimit publik.
E besoj se deputetët nuk e dinë se RTK-ja kurrë nuk ka paguar qira për objektet që i shfrytëzon, se për më tepër ka inkasuar para nga lëshimi me qira i atyre objekteve dhe madje edhe i parkingjeve; mbase nuk e dinë as sa punëtorë i ka RTK-ja, dhe nëse vërtet i duhen që të gjithë ata; e besoj se nuk e dinë se ka vite që RTK-ja nuk e paguan licencën për transmetimin, dhe se KPM-ja nuk mund ta mbyllë, për shkak se ky është sanksioni i paraparë me ligj, për shkak se është shërbim publik.
Para se të vendoset kalimi i këtij ligji në Qeveri, e posaçërisht në Kuvend, ku nuk do të ketë as shans minimal për amendamentim, dhe ku gjasat janë që ligji të kalojë me minimumin e votave të deputetëve që do të qëllojnë në seancë, do të duhej pyetur edhe publikun se përse duhet paguar nga dy arka për RTK-në, nëse bash duhet paguar.
Figura e fundit që bën çfarë t'i teket është Haradinaj. Pas shumë kohësh, pardje na bëri vaki ta dëgjojmë edhe një tërheqje vërejtjeje nga Apostolova -- i tha Qeverisë se po bënte gabim me zbatimin e vendimit për rritjen e rrogave të tyre retroaktivisht, ngase nuk po pritej ligji për pagat që është në proces të përfundimit. Shefes së Zyrës së BE-së iu përgjigj koordinatori për dialog, Avni Arifi, që i tha përafërsisht, “këqyri punët e tua, se i di Meta punët e veta”...
Dhe Meta pa dyshim se po i di - se prejse u bë me kolltukun e kryeministrit, përditë na befason me nga një vendim që Kosovës do t'i kushtojë me miliona. Është evidente se ka kaluar koha kur brenga e parasë publike kufizohej në ca mijëra euro. Tash të flasësh për miliona dëm që do t'i pësojmë, është njësoj sikur të flasësh për ca kikirikë.
Mbetet ende e paqartë arsyeja se përse u lidh kontrata, ashtu si u lidh, për termocentralin e ri - e cila po qe se shkëputet na i humb 19 milionë euro, që duken të jenë më të vogla sesa dëmi që mund ta shkaktojë vetë ndërtimi i TC-së. Se sa e dëmshme mund të jetë po tregon edhe Banka Botërore, që me gjasë nuk do ta përkrahë atë projekt.
Edhe më i paqartë mbetet vendimi për t'ia paguar 50 e kusur milionat Bechetlit -- pse dhe a u bë ndonjë analizë e mirëfilltë për këtë punë (e dyshoj), këtë nuk e di a do të dijë kush ta na e shpjegojë.
Vendimi i fundit i Haradinajt është vendosja e një eksponenti partiak në krye të Telekomit tashmë afër falimentimit. Po atij Telekomi që di t'i paguajë 30 mijë euro qira (apo 3 milionë euro në avancë) për një objekt për të cilin ka probleme pronësie. Nuk e besoj se militanti partiak është vendosur aty për ta shpëtuar ndërmarrjen. Fundja, do të thoshte me gjasë Qeveria, kjo punë nuk do të duhej të na interesonte - sepse Kosova dhe të gjitha asetet e saj në fakt janë shndërruar në shtetin dhe pronën private të këtyre njerëzve.
* * *
Kampionati Botëror i Futbollit po aq sa është i mirë, se po na bën të ikim nga realiteti për një kohë, sado e shkurtër, aq është edhe i keq. Është i keq, për shkak se derisa krejt po dalldisemi pas topit, privatizuesit e Kosovës po vazhdojnë me agjendën e tyre.
Kur të përfundojë Kampionati, kush e di edhe sa miliona të tjerë do të na zhduken, dhe kush e di edhe sa takime historike do të mbahen në Bruksel. Mbase edhe do të mbahet ndonjë takim ku do të vendoset shkuarja në zgjedhje të parakohshme, porse asgjë esenciale nuk do të ndodhë, përderisa Kuvendi nuk i merr disa vendime historike: ta ndalë Thaçin nga përfaqësimi krye më vete; ta ndalë shkapërderdhjen e parasë publike për favore personale dhe të mos kalojë ligje zhvatëse që nuk janë në të mirë të Kosovës.
E di që po shoh ëndrra me sy çelë. Por po dua të besoj se Kuvendi një ditë edhe do të mundë të na befasojë.