OpEd

Pritjet e mëdha të Kosovës së vogël

Trajneri Driton Kuka dhe klubi i tij i xhudos “Ippon” janë shembulli më i mirë se si shteti është shndërruar në vagon që shkon pas suksesit të tyre, e që do të duhej të ishte katalizator i talentit të tyre. Sportistëve, më shumë se shpërblimet monetare nga shteti për sukseset që i arrijnë me shumë mund, u duhet përkrahja e gjithanshme për t'i arritur ato suksese

Në Kosovë rron populli më optimist në rajon e më gjerë. Këtë optimizëm s'ka kush që e mbyt: as politikanët e korruptuar e bukëshkalë në raport me votuesit e as izolimi si pasojë e po këtyre të parëve. Dhe, ky optimizëm ka një bazë - mund të jenë iluzionet e bartura brez pas brezi një prej faktorëve.

Shembull, jam rritur duke besuar se “Kosova ka furnizuar me rrymë gjithë shtetin e dikurshëm”, që “flemë mbi ar”, apo që “arbitrat gjithnjë na kanë bërë me hile, se ndryshe ...”.

Mund të ketë të vërteta në këto rrëfenja, por të paktën në sport, për 18 vjet të pasluftës, nuk është vërtetuar asgjë nga ajo që na është ngulitur në kokë.

Për mungesë të gjatë të pjesëmarrjes në garat që organizon UEFA dhe FIFA, tashmë ish-trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, kishte kohë të bënte plane se cilët lojtarë do t'i ftonte kur Kosova të pranohej një ditë, se cilat taktika do t'i përdorte në ndeshje, se cilat përfaqësuese do t'i tejkalonte qysh në vitin e parë garues në ranglistën e FIFA-s, e shumëçka tjetër.

Letra gojë nuk ka, mban çdo gjë që hidhet mbi të.

Një prej deklaratave të tij, e stërpërsëritur ishte se “Kosova ka talente për të furnizuar tri përfaqësuese”.

Sot, kur Kosova ka mbyllur ciklin e parë eliminator pa asnjë fitore, kjo deklaratë e Bunjakit mund të shihet edhe si arsye për dëshpërim shtesë.

Fushata nisi me euforinë që natyrshëm erdhi pas izolimit të gjatë. U forcua me barazimin ndaj Finlandës në nismë. Kjo çoi tifozët në numër rekord në Shkodër ku Kosova luajti ndeshjet si vendase. Aty u rrah keq nga Kroacia (0:6), më pas edhe nga Turqia, Islanda, Ukraina e në fund edhe nga Finlanda që ishte befasuar në fillim.

Pas secilit gol gjendej një fajtor, pas secilës humbje një arsye dhe cikli u mbyll me nëntë arsye për nëntë humbjet.

Në ndeshjet e fundit në Shkodër, përfaqësuesja u la pa krahë - tifozët ia kthyen shpinën edhe për shkak të mosarritjes së synimeve që ishin proklamuar si reale në fillim.

Së fundi, Bunjaki u largua për mossukses, por la një tjetër deklaratë që mund të sjellë sërish pasoja në fund të ciklit të ardhshëm. Deklarata ishte: “Kosova ka fituar përvojën tashmë dhe në eliminatoret për Evropianin 2020, do të arrijë kualifikimin”.

Por nëse bëhet një analizë, situata është ndryshe. Nuk lë vend për shumë optimizëm se do të zihet evropiani.

Lojtarët më të mirë të Kosovës luajnë për Zvicrën, ata që nuk ia kanë dalë të luajnë për Zvicrën apo ndonjë vend tjetër, luajnë për Shqipërinë. Të tjerët që nuk ia kanë dalë as për të parën e as për të dytën (me pak përjashtime), mbrojnë ngjyrat e Kosovës “me shumë dashuri”.

Gjithsesi shpërndarja e lojtarëve kosovarë në shumë përfaqësuese lë të kuptohet një gjë - se talent ka - por jo edhe sistem të punës. Shembulli më konkret mund të gjendet te familja Xhaka. Dy vëllezërit Taulant e Granit Xhaka, që patën fatin të rriten në Zvicër u bën futbollistë profesionistë, kurse djali i xhaxhait të tyre, Agon Xhaka që është rritur në Kosovë, luan për Prishtinën.

Agonit, thuhet se talenti nuk i ka munguar e që i bie se ka munguar puna profesionale me të dhe të tjerët. Kjo nuk është diçka e re, mbulohet me optimizëm dhe me iluzionin “se Kosova është Brazili i Evropës”.

Në fakt, mospuna apo edhe zhagitja e proceseve janë “simbole” të sportit në Kosovë.

Kosova për 17 vjet ka kërkuar pranimin ndërkombëtar, por kur e ka arritur atë, nuk ka pasur një stadium të hairit e nuk e ka ende. Stadiumi i qytetit të Prishtinës po tejkalon çdo afat kohor e financiar, kurse ai nacional i premtuar për përfaqësuesen, po futet në vitin e katërt që shërben si premtim elektoral. Është premtuar qysh në marsin e vitit 2015 dhe nga ajo kohë, tri Qeveri e kanë pasur si objektiv madhor.

Njësojë është edhe me sportet e tjera, bile edhe më keq, pasi nuk kanë popullaritetin e futbollit. Gjendja ka arritur në atë pikë, sa që klubet po heqin dorë nga pjesëmarrja në garat ndërkombëtare. Po e shohin se është e kotë të futen në borxhe për humbjet që i kanë të sigurta. Kjo ka ngjarë me klubet e hendbollit dhe të volejbollit.

Në këtë ka ndikuar edhe mospuna e të zgjedhurve të popullit. Ligji për sponsorizim, ende nuk është i aplikueshëm.

Një prej arsyeve të humbjeve të Kosovës në eliminatore është dhënë edhe loja individuale në një sport kolektiv si futbolli. Por, individualizmi është gati gjenetik te sporti shqiptar. Sukseset më të mëdha, shqiptarët i kanë arritur në sporte individuale si boksi e mundja. Njësoj është edhe tash.

Falë punës së trajnerit Driton Kuka, Kosova krenohet me medaljet olimpike, botërore e evropiane të xhudistes Majlinda Kelmendi dhe shoqeve e shokëve të saj të klubit “Ippon”. Kuka dhe klubi i tij janë shembulli më i mirë se si shteti është shndërruar në vagon që shkon pas suksesit të tyre, e që do të duhej të ishte katalizator i talentit të tyre. Sportistëve, më shumë se shpërblimet monetare nga shteti për sukseset që i arrijnë me shumë mund, u duhet përkrahja e gjithanshme për t'i arritur ato suksese. Ata kryeministra nuk janë që t'ia caktojnë vetes pagën dhe kushtet, u duhet dora e shtetit.

Rrëfimi se “flemë mbi ar” mund të jetë i vërtetë, por vetëm në rastin e Majlinda Kelmendit. Xhudistja vërtet fle e rrethuar nga qindra medaljet e arta që i ka fituar falë punës individuale të saj dhe të trajnerit.