OpEd

Prishtina dhe 12 kriteret e një jete kualitative urbane

Varfëria e jetës publike në Prishtinë

Arkitekti dhe studiusi i jetës publike, një fushë e cila për fokus ka kualitetin e jetesës në hapësirat publike, Jens Gehl, është një ndër avokuesit kryesorë për një dizajn urban, i cili vë në fokus mirëqenien e qytetarëve. Jens Gehl dhe instituti i tij kanë këshilluar dhjetëra qytete se si të përmirësohen hapësirat publike dhe të jenë më të përdorshme për banorët.

Me qëllim të dizajnimit sa më të mirë të hapësirave të përbashkëta publike, Gehl ka hartuar 12 kritere që duhet të merren parasysh. Këto 12 kritere ndahen në tri nëngrupe, që kanë të bëjnë me sigurinë, rehatinë dhe argëtimin. Ku qëndron Prishtina kundrejt këtyre 12 kritereve të një jete kualitative në hapësirat publike?

Siguria publike

Siguria nga aksidentet dhe trafiku (kriteri 1). Kriteri i parë në grupin e kritereve të sigurisë ka të bëjë me mbrojtjen nga aksidentet. Sa ndihen të sigurt në hapësirat publike qytetarët e të gjitha moshave dhe me aftësi të ndryshme? A mund të ecësh apo të marrësh biçikletën pa u frikësuar se do të goditeni nga ndonjë mjet lëvizës?

Këtë siguri nuk e ofron qyteti i Prishtinës as në sheshin kryesor të qytetit. Nuk mund të ecësh lirshëm pa u goditur nga ndonjë veturë-lodër. Kurse jashtë sheshit, një ndër ndërmarrjet më të rrezikshme për jetën është ngasja e biçikletës. Me gjithë që Prishtina ka ndërtuar disa kilometra shtigje për çiklistët, ato tash shërbejnë për parkim të veturave. Se sa e rrezikshme është ngasja e biçikletës në qytet, e dëshmon edhe fati tragjik i nënkryetarit të Federatës së Çiklizmit, i cili para disa vjetësh humbi jetën kur u godit nga vetura gjersa ishte duke ngarë biçikletën.

Mbrojtja nga sulmet (kriteri 2). A janë hapësirat publike të sigurta gjatë ditës dhe natës? A ka ndriçim gjatë natës? Përkundër asaj se Komuna e Prishtinës ka investuar në zgjerimin e rrjetit të ndriçimit, për kohë të gjatë lagje të tëra kanë qenë pa ndriçim. Mjafton të shikohen raportimet në faqen “Vrojtuesit e Lagjes – Prishtinë” në Facebook për të parë ankesat e shumta të qytetarëve për mungesë ndriçimi. Gratë janë më shumë të rrezikuara nga mungesa e ndriçimit publik, ashtu siç dëshmohet edhe në anketat e UNDP-së. Përveç kësaj, sulmet e qenve endacakë paraqesin problem kronik për qytetin e Prishtinës.

Mbrojtja nga zhurma (kriteri 3). A ka zhurmë, pluhur, kundërmim apo ndotës të tjerë? A u përballon hapësira publike shirave të vogla? A ka mbrojtje nga dielli apo erërat? Në Prishtinë, Ligji për mbrojtjen nga zhurma nuk respektohet në asnjë pjesë të qytetet, as në sheshin kryesor. Për më tepër, Prishtina është një ndër qytetet me ndotjen më të lartë në Evropë. Shirat e para disa javëve bënë që i tërë sheshi kryesor i Prishtinës të vërshohej nga uji dhe kundërmimi i ujërave të zeza që dolën në sipërfaqe.

Rehatia

Liria e lëvizjes (kriteri 4). A janë hapësirat publike të qasshme për të gjithë, edhe për ata që ndodhen në karrocë dhe prindërit që shtyjnë karrocat e fëmijëve? Hapësirat publike në qytetin e Prishtinës janë të paqasshme, edhe për këmbësorët, por edhe për personat me aftësi të kufizuara. Trotuaret shërbejnë për vendparkim të veturave. Hapësirat publike nuk janë fare të përshtatshme për karrocat e personave me aftësi të kufizuara, për prindërit me fëmijë apo për fëmijët me biçikleta, trotinete, etj.

Mundësi për t’u ulur apo mbështetur (kriteret 5 dhe 6). A ekzistojnë në hapësira publike ulëse apo vende ku mund të mbështeteni pa u penguar? A ekzistojnë tavolina publike dhe vendpritjet e autobusëve? Gjatë kohës së pandemisë, kur e gjithë gastronomia ishte e mbyllur dhe funksiononte vetëm shërbimi “merre me vete”, qytetarët nuk kishin asnjë vend në hapësirat publike ku mund të uleshin apo të vendosnin një tas kafeje. Edhe pse vendpritjet e autobusëve janë rregulluar në disa pjesë të qytetit, edhe më tej në shumicën e vendndalesave nuk ka asnjë ulëse për qytetarët.

Mundësi për lojëra e kuvendim (kriteret 7, 8 dhe 9). Sa ofrojnë hapësirat publike mundësi për lojëra? A janë hapësirat publike të përshtatshme për të zhvilluar biseda të papenguara nga zhurma? Në Prishtinë, edhe ato pak hapësira për argëtim, për fëmijët dhe të rriturit, janë shkatërruar menjëherë pas inaugurimit. Kështu ka ndodhur me hapësirën publike mbrapa sallës “1 Tetori”, njësoj është gjendja në parqet e secilës lagje.

Argëtimi

Pamja estetike e hapësirave publike dhe përshtatja sipas klimës së qytetit (kriteret 10 deri 12). Sa është e rregulluar estetikisht hapësira publike? A mund të përdoren hapësirat publike në të gjitha stinët e vitit, edhe kur ka diell, edhe kur është më ftohtë? Sa i përket pamjes estetike, Prishtina është një ndër qytetet më të shëmtuara. Në një hulumtim të Institutit GAP para zgjedhjeve lokale të vitit 2009, një ndër pesë problemet kryesore të cekura nga qytetarët ishte edhe pamja e shëmtuar e qytetit. Ky problem nuk është trajtuar asnjëherë. Përveç kësaj, hapësirat publike të destinuara për qëndrimet e qytetarëve gjatë ditës nuk janë të përshtatshme për t’u përdorur në ditët e nxehta, ngase nuk ofrojnë hije dhe freskim, por as në ditët kur ka erëra, për shkak të pluhurit.

Bazuar në të gjitha këto, nëse një hulumtues nga Gehl Institute do të vrojtonte hapësirat publike të qytetit të Prishtinës dhe do të vlerësonte ato sipas 12 kritereve të një jete kualitative urbane, Prishtina do të dilte si një qytet i pajetueshëm.

Njësoj do të klasifikoheshin shumica e qyteteve të Kosovës, shumë nga të cilat kanë probleme edhe më të mëdha sesa Prishtina, kryesisht për shkak të ndotësve të ndryshëm. Por, si Prishtina do të duhej të qëndronte më mirë sesa qytetet e tjera, për faktin se është qendër administrative, statusi i saj rregullohet me ligj të veçantë, si dhe buxheti i Prishtinës është dukshëm më i lartë sesa i qyteteve të tjera.