OpEd

Prindër, shkoni në çerdhe

Duke u rrekur pas punës së edukatoreve, sikur kemi harruar anët e tjera tejet të rëndësishme që janë pjesë e çerdhes. Anën e pastrimit dhe të ushqimit. Nëse kërkoni raport specifik mbi inspektimet sanitare nëpër çerdhe, i cili na dëshmon për cilësinë e kujdesit dhe mirëmbajtjes së tyre, nuk mund ta gjeni

Një sektor që ka shumë nevojë për inspektim sanitar, përveç bizneseve të gastronomisë, janë institucionet parashkollore. Kjo gjë nuk ka qenë temë e debatit të gjerë, sepse sa herë që flitet për institucionet parashkollore vëmendje i kushtohet sjelljes të edukatoreve dhe përgatitjes së tyre për punë.

E duke u rrekur pas punës së edukatoreve, sikur kemi harruar anët e tjera tejet të rëndësishme që janë pjesë e çerdhes. Anën e pastrimit dhe të ushqimit. Nëse kërkoni raport specifik mbi inspektimet sanitare nëpër çerdhe, i cili na dëshmon për cilësinë e kujdesit dhe mirëmbajtjes së tyre, nuk mund ta gjeni.

Prandaj, ju prindër, shkoni në çerdhe, e shihni vetë nëse fëmijët tuaj flenë në çarçafë të pastër e që ndërrohen e pastrohen së paku një herë në javë.

Shkoni e shikoni nëse në dhomat ku qëndrojnë për orë të tëra fëmijët tuaj ka më shumë pluhur sesa lodra e mjete didaktike për edukimin në fëmijërinë e hershme.

Shkoni e shikoni se a pastrohen ndonjëherë lodrat me të cilat luajnë fëmijët. Sa mirëmbahen tualetet e si pastrohen enët ku hanë fëmijët tuaj.

Shkoni e shihni vetë nëse pelenat e mbushura me jashtëqitje të fëmijëve më të vegjël hidhen në mbeturina jashtë objektit apo ato përfundojnë në koshat e plehrave që mbahen në kuzhinën ku përgatitet ushqimi për gjithë fëmijët e çerdhes.

Shkoni e shihni nëse menyja e ushqimit të fëmijëve të tyre është ajo e vërteta që figuron në listën e programit ushqimor ditor. Me këtë mbase manipulohet më së shumti nga drejtues të institucioneve.

Një fëmijë trevjeçar nuk është në gjendje të dallojë se me çfarë perimesh ishte gjella, a kishte mish apo jo në të. Aty mbase do të gjeni pjata “gjelle” me ujë të piperosur ku “lundron” ndonjë patate aty-këtu.

Nëse kompetentët për t’i inspektuar çerdhet nuk po e bëjnë punën e tyre, atëherë këtë gjë bëjeni ju prindër vetë. Sepse askush nuk ua ndalon. S’ka ligj në botë që ua ndalon prindërve të hyjnë në institucionet, pjesë e të cilave janë fëmijët e tyre.

Prindërit duhet ta kuptojnë se janë pjesë e domosdoshme e këndit pedagogjik në institucione edukativo-shkollore.

Në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili rregullon edhe arsimin parashkollor, përkatësisht neni 3, pika 2, thuhet se “arsimi parauniversitar është përgjegjësi e përbashkët e prindërve, institucioneve arsimore dhe aftësuese, komunave dhe qeverisë, sipas funksioneve dhe detyrave përkatëse të përcaktuara në këtë ligj”.

Pika 8 e këtij neni saktëson edhe më mirë rolin e gjithsecilit. Aty thuhet se “ Ministria, komuna, institucionet arsimore dhe aftësuese dhe komuniteti duhet ta bëjnë institucionin tërheqës dhe të sigurt për nxënësin, mësimdhënësin dhe prindërit, përmes përgjegjësive të tyre përkatëse për kurrikulum, standardet e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së ndërtesave shkollore, shëndetësisë dhe sigurisë, ruajtjes së ambientit si dhe adresimit të çështjeve disiplinore dhe sjelljeve”.

Kosova ka 54 institucione parashkollore publike dhe rreth 200 private, në nivel vendi, me afro 31 mijë fëmijë që janë pjesë e këtyre institucioneve, sipas të dhënave të MASHTI-it.

dikush duhet të garantojë se drejtuesit e institucioneve parashkollore dhe personeli ndihmës i tyre janë në krye të detyrës. Përderisa juve prindër ju mungon konfirmimi për këtë, atëherë shkoni vetë në çerdhe e merreni atë.