Qe 23 vjet ende nuk janë gjetur të gjithë ata që mungojnë, derisa Serbia vazhdon të refuzojë të tregojë se ku i ka çuar dhe fshehur trupat e pajetë të atyre që i ka ekzekutuar. Porse kjo nuk i pengon as Quint-it e as BE-së... sepse “primadonës” tashmë ia kanë siguruar perspektivën evropiane, thuajse pa kusht... përderisa neve na qortojnë se përse nuk lejojmë që të përdhoset shteti për të cilin e dhanë jetën edhe këta që nuk gjenden qe thuajse një çerekshekulli
Në këtë datë para 24 vjetësh mbetëm thuajse pa telefona fiks, përderisa rrjeti i telefonisë mobile funksiononte për aq kohë sa pushteti serb vlerësonte se duhej të na funksiononte shqiptarëve – sa për t’ia përcjellë gjurmën dikujt, apo edhe për t’u treguar se ishin krejtësisht të varur nga qejfi i tyre. Ashtu siç mund të ta ndalnin rrjetin, ashtu edhe mund të ta marrin jetën – për Serbinë kjo ishte pjesë e strategjisë së luftës që kishte për qëllim spastrimin e Kosovës nga shqiptarët.
Komunikimi mes nesh u kufizua në takime të drejtpërdrejta fizike, që në vete ngërthenin rrezik të jashtëzakonshëm, në kohën kur orë e çast ndizeshin alarmet dhe qyteti bllokohej nga policia e paramilitarët.
I gjithë marsi i sivjetmë më kaloi duke e menduar këtë detaj – teksa vazhdoj t’i shikoj pamjet që na vijnë nga Ukraina. Po t’i kishim atëherë mjetet e komunikimit çfarë ekzistojnë sot, me siguri se do të kishim dëshmi të filmuara të masakrave të ndodhura në Kosovë në këtë ditë para 23 vjetësh. Kufomat e zhdukura e mezi të gjetura qenë dëshmia më e fuqishme e asaj që me plan e kishin zbatuar trupat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Operacioni “Patkoi” kishte pasur për qëllim të vrasë sa më shumë shqiptarë, pa zgjedhur as moshën as gjininë.
Po të kishim pasur xhirime më shumë, mbase nuk do të ishim detyruar t’i dëgjojmë rrenat e serbëve dhe të Serbisë mbi dy dekada. Mbase edhe ata që kanë vendosur t’i llastojnë serbët dhe Serbinë, do ta kuptonin se statusi i privilegjuar që ia kanë ofruar ka qenë shumë i hershëm, dhe përfundimisht i pamerituar.
* * *
Madeleine Albright vdiq më 23 mars.
Për Kosovën do të jetë një nga politikanet amerikane më të dashura dhe më të respektuara – do të jetë figura kyç për përmbylljen e Rambouilletsë ashtu siç përfundoi dhe që hapi rrugë për nisjen e bombardimeve të NATO-s që e sollën çlirimin e Kosovës.
Dështimin në Bosnje – vonesën për të ndërhyrë e kishte përmendur shumë shpesh – dhe thoshte se në Kosovë nuk do të lejohej një Bosnje e re. Aq ishte e vendosur që të ishte kështu, saqë edhe konkurrenti i saj më i madh për, fillimisht postin e ambasadorit në OKB e më pas edhe të sekretarit të shtetit, Richard Holbrooke, do ta përkufizonte, përmbledhur nga autori, kështu:
"Në shkurt të 1999-s, Albrighti i mblodhi palët ndërluftuese për bisedime në kështjellën e Rambouilletsë, në dalje të Parisit. Qëllimi i saj nuk ishte që ta bënte një Dayton të vetin, porse që ta bashkonte Perëndimin kundër serbëve. Miloševići mbeti në Beograd — i frikësohej arrestimit për shkak të ndonjë fletarrestimi sekret - përderisa përfaqësuesit e tij në Francë refuzonin ta pranonin marrëveshjen që do t’i sillte forcat e huaja në Kosovë. Vëzhguesit ndërkombëtarë u tërhoqën meqë përgatitjet për bombardimin e NATO-s kishin nisur. Holbrookeu mendonte se ngarendja drejt luftës ishte e ngathët taktikisht, pa ndonjë qëllim të qartë apo plane adekuate po qe se lufta do të zvarritej në Kosovë, me përshkallëzim në rajon apo në lidhje me një forcë okupuese pas luftës. Nuk ishte madje i sigurt se Wesley Clark, tash komandanti suprem i NATO-s, do të bombardonte. Porse tashmë roli i Holbrookeut u bë dytësor. Kosovën e quajti “Lufta e Madeleines”". (George Packer, "Njeriu ynë", fq. 333, Botimet KOHA, 2020).
Pra, ishte lufta e saj dhe pa dyshim se përjetë do t’i mbetemi falënderues për atë që ka bërë për ne. Për shkak se në kështjellë, atje në Francë, përpiqej t’i bindte serbët që ta nënshkruanin një ujdi me të cilën do të përfundonte lufta, dhe me të cilën shumë gjëra do të merrnin fund më shpejt dhe pa gjithë ato viktima civile që pasuan pas refuzimit serb. Serbët refuzuan të kapitullonin në mars të 1999-s, e bënë atë tre muaj më vonë, pasi i vranë mijëra veta, pasi e dëbuan gjysmën e popullatës jashtë Kosovës dhe pasi e plaçkitën dhe e shkatërruan ngado që mundën.
Prandaj edhe para dy ditësh u çuan që ta kremtonin vdekjen e saj, me pankarta të llojit: “Albright, digju në ferr!”, apo edhe me afishe mortore të një përmbajtjeje të këtillë, super të gërditshme:
Madeleine Albright – fantazma e keqe
Cofi dreqi dhe do të digjet në ferr. E lëshoi shpirti i saj i ligë në moshën 85 vjeç. E pret skara e përjetshme.
Shumë i lumturi populli serb.
Në Serbi nuk ka ndryshuar asgjë. Porse Evropa refuzon ta shohë.
* * *
Ashtu siç refuzojnë ta shohin shtetet e Quint-it të cilët reaguan pasi që Qeveria nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë më 3 prill 2022.
BE-ja qe ajo që doli me një deklaratë në stilin se me këtë vendim Kosova e rrezikon perspektivën evropiane. Shtrohet pyetja cilën perspektivë? Atë të liberalizimit që jemi duke e pritur qe 12 vjet, ndërkohë që fqinjët tanë veriorë enden lirshëm nëpër Evropë pa asnjë telashe? Idenë nuk e kanë se sa irrituese dhe poshtëruese është të presësh rend me një kerr dokumentesh për ta marrë një vizë që të udhëtosh kudo, e të çlirohesh, bile përkohësisht, nga ndjenja se gjendesh në një burg të madh, pa ndonjë rreze drite që mund të depërtojë bile diku.
Marrëveshja për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk u arrit kurrë për shkak se nuk pati ujdi mes qeverish. Serbia e përdori zyrtarin e tij ndërlidhës për ta informuar palën kosovare, të cilave u referohet si “autoritetet relevante qeverisëse të Kosovës”, se zgjedhjet DO TË organizohen dhe se prej tyre kërkohet që ta lehtësojnë operacionin mbledhja e votave që do të bëhej nga OSBE-ja. Sikurse ishte bërë disa herë deri më tash.
Insistimi i Kurtit që të kishte marrëveshje me shkëmbim letrash ku Serbia do të kërkonte lejimin e votimit të shtetasve të Serbisë (ata që kanë dyshtetësi në Kosovë) jashtë territorit të shtetit serb. Kjo nuk ndodhi, ngase Serbia zgjodhi t’i injoronte shtetin dhe qeverinë, thuajse nuk ekzistojnë, dhe kështu t’i detyronte zyrtarët kosovarë ta shkelnin Kushtetutën.
Është hera e dytë që nuk lejohet organizimi i votimeve serbe në Kosovë në dy muajt e fundit, dhe kjo është hera e parë që autoritetet kosovare tregojnë vendosmërinë që të mos lëshojnë pe në këtë drejtim, pavarësisht kritikave që mund të vijnë nga BE-ja dhe shtetet e Quint-it. Jam më se e sigurt se asnjëri nga shtetet të cilat këta i përfaqësojnë nuk do të lejonin që një gjë e tillë të ndodhte në vendet e tyre. E me ne e kanë lehtë që të ushtrojnë presion të pafund: hem të vegjël, e hem shumë të varur nga disa nga këto shtete – na sjellin në situatë që t’i humbim edhe disa vjet në pritje të liberalizimit, që në esencë është i vogël krahasuar me anëtarësimin tonë nëpër organizma ndërkombëtarë, për shembull. Dhe pavarësisht kësaj, siç e pata shkruar në kolumnen e fundit, unë absolutisht e përkrah këtë vendim. Ata që duan të votojnë, mund të votojnë me postë.
* * *
Në këtë ditë para 23 vjetësh, gjashtë veta gjendeshim të fshehur në një bodrum, pasi që shpërtheu një bombë e fuqishme në lagjen “Arbëria”, që kishte shkatërruar një autoservis dhe pullazet e nja dhjetë shtëpive përreth. Kishte qenë natë e ankthshme, ngase në secilin çast po e prisnim kur do të na futeshin policët për të mbaruar me neve. Qemë me fat. Askush nuk erdhi dhe e mbijetuam atë natë.
Porse ky nuk kishte qenë fati i shqiptarëve në Suharekë, dy Krushat, Bellacërkë e Celinë dhe disa ditë më vonë në Izbicë, Gjakovë, Mejë, Qyshk...
23 vjet pas, ende nuk janë gjetur të gjithë ata që mungojnë. Sot, në Krushë të Vogël do të varrosen mbetjet mortore të shtatë viktimave të masakrës aty, derisa Serbia vazhdon të refuzojë të tregojë se ku i ka çuar dhe fshehur trupat e pajetë të atyre që i ka ekzekutuar.
Porse kjo nuk i pengon as Quint-it e as BE-së... primadonës tashmë ia kanë siguruar perspektivën evropiane, thuajse pa kusht... përderisa neve na qortojnë se përse nuk lejojmë që të përdhoset shteti për të cilin e dhanë jetën edhe këta që nuk gjenden qe thuajse një çerekshekulli.