Nuk pati kush që nuk foli për sovranitetin dje e pardje. Por, fakti mbetet se Kosova nuk e ka kontrollin mbi gjithë territorin e vet dhe fakti tjetër është se forca e armatosur në Kosovë është NATO-ja e jo FSK-ja. Pra, përderisa politikisht mund të dalim krejt me një qëndrim, të jemi kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, do të ishte shkurtpamësi po të dërgoheshin trupat e policisë në veri për t’i bllokuar vendvotimet që gjithsesi janë edhe ligjërisht ilegale. Çmimi i një veprimi të këtillë eventual do të ishte shumë i shtrenjtë, marrë parasysh peshën e një vote njëmend minore në një referendum ku Vuçiqi e dëshmon krejt arrogancën e një diktatori derisa BE-ja ia “mban zhagun”
Ka nja një javë që çështja se a duhet lejuar Novak Gjokoviqin të qëndrojë në Australi e të luajë në Australian Open, nuk zbret nga titujt e mediumeve botërore. E gjitha nisi me një “gabim teknik” siç e quajti vetë tenisti serb – një shënim jo i saktë për “përjashtimin shëndetësor” që do t’i shërbente si arsyetim për ta marrë vizën e për të qëndruar në Australi edhe pa qenë i vaksinuar.
Policët kufitarë nuk ishin të kënaqur me arsyetimin e dhënë dhe në vend ia refuzuan vizën. Gjokoviqi përfundoi në një qendër strehimi të përkohshëm, ku zakonisht vendosen ata që do të mund të dëboheshin nga shteti për parregullsi juridike, dhe ndenji aty nja katër ditë derisa një gjykatës nuk vendosi se procedura e mohimit të vizës kishte qenë e mangët. Për pasojë, Gjokoviqi u lejua të dilte prej qendrës dhe të shkonte në trajnim. Sidoqoftë, sipas ligjit australian, i takonte ministrit të Migracionit të vendoste për rastin e tij – dhe nëse në shtetin që kishte pasur rregulla aq të rrepta izolimi gjatë valëve të ndryshme të pandemisë, do të duhej lejuar që dikush i pavaksinuar të luante në turneun më të madh të tenisit në atë anë të botës.
Vendimi erdhi dje: ministri vendosi t’ia revokonte vizën, për shkak se kishte vlerësuar se Gjokoviqi kishte gënjyer për infektimin që do ta lironte nga vaksinimi hë për hë. Kishte shumë mospërputhje mes rrëfimesh. Derisa thoshte se ishte infektuar me një datë, të nesërmen ishte parë në një vizitë në Postën e Serbisë, pa maskë. Për më keq, dy ditë më pas, i kishte dhënë intervistë një mediumi të huaj, ani që e paskësh ditur se ishte i infektuar.
Karantinës nuk iu përmbajt, sipas raportimeve të mediumeve spanjolle, ngase para se të shkonte në Australi, kishte qëndruar në Marbella, ku e ka një shtëpi, dhe madje ishte parë duke bërë plazh. Për dikë që është i infektuar me COVID, është sjellje tepër e pazakontë.
Ministri vendosi t’ia anulojë vizën, ndërkohë që do të jetë punë e gjykatës nëse vendos t’ia lejojë qëndrimin aty apo jo. Porse vendimi i ministrit qe sovran: ky mund të jetë yll, porse ylli ka gënjyer edhe për sëmundjen e edhe për udhëtimet në 14 ditët e fundit, dhe vazhdon të jetë i pavaksinuar. Pra, shkelës i shumëfishtë i rregullave që kanë vlejtur për 25 milionë banorë e që duhen të vlejnë edhe për tenistin ballkanas.
* * *
Atë që e pamë me rastin e Gjokoviqit qe qasja arrogante e dikujt që nëpërmjet gënjeshtrës në fund shndërrohet në viktimë. Viktimë aq e madhe sa i gjithë aparati shtetëror i shtetit prej nga vjen, çohet e bën presion tek Australia, animon njerëz që të dalin të protestojnë, dhe e organizon një telenovelë konferencash për shtyp, që nxjerrin përfundimin se “e gjithë bota ka diçka kundër Serbisë”. Një deja-vu për ne, sepse tashmë ka shumë dekada që e dimë se si funksionon ky sistem.
Tjetrën që e pamë qe vendosmëria e zyrtarëve australianë, pavarësisht se kjo ndodh në vit zgjedhor, për ta ruajtur parimin dhe sovranitetin e vendimeve të veta – me gjithë rrezikun se këtë vendim do të mund ta prishte gjykata, si instancë tjetër e pavarur e shtetit.
Dhe natyrisht se nuk kishte si ndryshe dhe kjo çështje u ndërlidh me një çështje tjetër – me një që po na ndodhte neve, dhe për të cilën brenda vetëm dy ditësh trysnia u ngrit aq shumë sa e mbërriti pikën e absurdit.
Serbia ka vendosur të organizojë referendum për ndryshimin e Kushtetutës dhe ka insistuar që votimi të ndodhë edhe në Kosovë. Logjikshëm për Vuçiqin, ngase Kosova është pjesë e preambulës së Kushtetutës së Serbisë dhe në sytë e politikanëve serbë, Kosova është krahina jugore e Serbisë.
Logjikshëm për Kosovën, Qeveria doli me qëndrimin që referendumi nuk do të mund të mbahej fizikisht në Kosovë, porse që askush nuk do t’ua ndalonte shtetasve me dyshtetësi që të votonin me postë apo edhe në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë. Dhe kjo punë kaloi kështu sikur heshtazi deri të enjten, kur u dëgjua Borrelli.
Ai tha, dhe sinqerisht nuk e di a fliste në emër të tijin apo të BE-së, se serbët duheshin lejuar të votonin në Kosovë e që logjistikën do ta organizonte OSBE-ja, sepse tashmë kjo është praktikë që ka ndodhur në të kaluarën. “Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar” – ka thënë, e të drejtën për të votuar nuk ua ka mohuar askush. Përderisa në zgjedhjet e shkuara votuan nëpër vendbanimet e tyre, në referendumin që i takon një shteti tjetër, duhen votuar nëpërmjet postës apo përfaqësisë diplomatike në vend.
Përderisa menduam se këtu do të përfundonte ky debat jo pak absurd, dje, jo pak befasishëm, ambasadorët e Quintit kërkuan takim me Osmanin, Konjufcën dhe Kurtin për të ushtruar ende presion. Dhe njëmend ndalet njeriu e mendon, pse?
* * *
Tre krerët institucionalë dolën me një deklaratë të përbashkët, që është dashur të ishte shumë më e shkurtër dhe më e thjeshtë, e besoj. Jo pak tingëllonte si ligjëratë universitare, e panevojshme, drejtuar njerëzve që diplomacinë e kanë karrierë.
Nejse, deklarata thoshte që nuk do të jepet pëlqimi për mbajtjen e referendumit të një shteti tjetër në Kosovë dhe se votuesit i kishin tashmë dy opsionet e përmendura se si do të mund ta ushtronin të drejtën e tyre.
Partitë opozitare secila për vete, e shprehu qëndrimin e njëjtë – dhe kjo ishte hera e parë që një gjë e tillë na ndodh në shumë vjetët e kaluar. Mbase edhe për shkak të kësaj, Kurti kërkoi që nesër Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme e që ta votojë një rezolutë për këtë çështje. Përderisa e kuptoj se qëllimi është që të thotë se “ja, janë përfaqësuesit e popullit ata që vendosin”, objektivisht një seancë e tillë është, e besoj, një formalitet nëpër të cilin do të kalohet, me fjalime më shumë e më pak të zjarrta, dhe do të përfundojë e gjitha me edhe një rezolutë kot që nuk do të gjejë zbatim. Tashmë PDK-ja ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë – dhe kështu përçon porosi se “uniteti” i pretenduar vdiq që në hapin e parë.
Pra, për herë të parë partitë politike dhe institucionet qenë të njëzëshëm për të mos e pranuar votimin fizik për referendumin e Serbisë në Kosovë. Aq më parë kur vetë Kosova është vend që nuk e ka të paraparë referendumin si mjet demokratik i shprehjes dhe vendimmarrjes në Kushtetutën e vet.
* * *
Dilema më e madhe, megjithatë, mbetet arsyeja pas trysnisë së pesëshes së ambasadorëve dje. E para, praktika e organizimit të votimeve të këtilla më duket ka ekzistuar vetëm te ne dhe vetëm për shkak të ambiguitetit të Rezolutës 1244 në kohën e UNMIK-ut. Nuk e besoj se ka ndonjë vend në botë që lejon të mbahen zgjedhjet apo edhe referendumi i ndonjë shteti tjetër në vendvotimet e veta – e besoj se shumica e përdorin postën dhe përfaqësitë eksterritoriale për një punë të tillë.
E dyta, insistimi që të lejohet mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë nga pesë shtete që ndër të parat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës është sikur ta shkelësh këtë njohje – sikur të mos e pranosh sovranitetin e plotë të këtij vendi me të cilin madje ke marrëdhënie diplomatike.
E treta, ama bash hiç bre nuk çojnë kandar votat e serbëve të Kosovës në këtë referendum, se edhe ashtu e bëjnë pakicën absolute krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullatës në Serbi.
* * *
Pra pse e gjithë kjo zhurmë? Mbase për të na treguar se kjo është asgjë send, sepse “akoma nuk kemi parë gjë”, duke e pasur parasysh deklaratën e Vuçiqit se do të ketë pasoja po qe se nuk lejohet referendumi në Kosovë. E pasojat janë Zajednica që na e la Thaçi jadec, e kushedi edhe çka tjetër që ne nuk dimë, e që Quinti e di.
Nuk pati kush nuk foli për sovranitetin dje e pardje. Por, fakti mbetet se Kosova nuk e ka kontrollin mbi gjithë territorin e vet dhe fakti tjetër është se forca e armatosur në Kosovë është NATO-ja e jo FSK-ja. Pra, përderisa politikisht mund të dalim krejt me një qëndrim, të jemi kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, do të ishte shkurtpamësi po të dërgoheshin trupat e policisë në veri për t’i bllokuar vendvotimet që gjithsesi janë edhe ligjërisht ilegale. Çmimi i një veprimi të këtillë eventual do të ishte shumë i shtrenjtë, marrë parasysh peshën e një vote njëmend minore në një referendum ku Vuçiqi e dëshmon krejt arrogancën e një diktatori derisa BE-ja ia “mban zhagun”.
Vuçiqit i interesojnë zgjedhjet e veta, edhe një mandat, edhe një shumicë absolute. Këtë që po e bën tash është lojë. Sepse lehtë do të mund edhe të heqë dorë prej referendumit në Kosovë, sepse ky do t’i llogaritej si koncesion karshi Kosovës. Cili është bishti pas gjithë kësaj trysnie?