OpEd

Presidenti plak padrejtësisht i nënçmuar dhe politika e polarizuar amerikane

Joe Biden e ka festuar të dielën ditëlindjen e 80-të. Nëse kandidon sërish për president më 2024, Biden do të jetë 82-vjeçar. Nëse fiton, do të dalë në pension në moshën 86-vjeçare. Sukseset e fundit në zgjedhjet e pjesshme për Kongres dhe paralajmërimi i Donald Trumpit se do të kandidojë sërish për president, e vënë Bidenin para një dileme të madhe – dhe përgjigjja ndaj asaj dileme me gjasë s’ka si të jetë tjetër përveç se një garë e re për president. Për botën e lirë një fitore e Bidenit do të ishte lajm i mirë në krahasim me alternativën Trump

Në politikën e polarizuar amerikane prej vitesh prin Donald Trumpi. Përqeshja që i bënte vazhdimisht kundërkandidates Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale është mirë e dokumentuar nga mediat serioze amerikane. Në zgjedhjet e vitit 2020 radha i erdhi Joe Bidenit, veteranit të politikës amerikane dhe njërit prej politikanëve më me përvojë të establishmentit politik në Washington. “Sleepy Joe” – kështu e quante Trump Joe Bidenin, që në shqip pak a shumë i bie: i përgjumur, i fjetur, jo i përqendruar, i ngathët. Edhe në mediat amerikane dhe europiane është shtruar pyetja nëse Biden është mjaft i shkathët fizikisht për të garuar edhe për një mandat për president. Debate të tilla ka pasur edhe brenda Partisë Demokratike, por ato nuk kanë qenë të zëshme – nga respekti ndaj presidentit dhe nga frika se çdo polemikë publike mund ta dëmtojë partinë.

Por me sukseset e arritura në zgjedhjet e pjesshme për Kongres, më 8 nëntor, kanë ndryshuar shumë hesape. Biden ka arritur të pengojë “valën e kuqe”, pra fitoren e madhe të republikanëve. Dhe tani jo vetëm ndaj konkurrencës politike republikane, por edhe ndaj konkurrentëve eventualë të brendshëm në Partinë Demokratike flet nga pozita e të fuqishmit ose së paku të konsoliduarit.

Po të mos ishte në moshë të shtyrë, Biden me gjasë do ta mposhtte Trumpin pa ndonjë problem të madh. Presidenti Biden ka arritur suksese në tri fusha: në ballafaqimin me pandeminë, në zbutjen e pasojave të pandemisë në ekonomi duke kaluar në Kongres pako të rëndësishme sociale dhe në përgjigjen e vendosur ndaj agresionit rus në Ukrainë. Pa udhëheqjen e administratës Biden dhe pa ndihmat e mëdha financiare dhe armët e shumta për forcat e armatosura të Kievit, Ukraina zor se do të kishte mbijetuar.

Pas fillimit të sulmeve ruse ndaj Ukrainës, Biden vizitoi trupat amerikane në Poloni. Me atë rast ai, si papritur, tha se “ky njeri” (Vlladimir Putini) s’mund të qëndrojë në pushtet. Nga komentues të ndryshëm kjo u interpretua si kërkesë e SHBA-së për të rrëzuar Putinin. Shtëpia e Bardhë u ngut ta qartësojë deklaratën dhe aty e tutje Biden nuk ka lënë hapësirë për keqkuptime në deklaratat e tij mbi konfliktin në Ukrainë. Ndaj kërcënimeve bërthamore të Putinit, Biden është përgjigjur me dozën e duhur të urtisë dhe vendosmërisë.

Joe Biden e ka festuar të dielën ditëlindjen e 80-të. Nëse kandidon sërish për president më 2024, Biden do të jetë 82-vjeçar. Nëse fiton, do të dalë në pension në moshën 86-vjeçare. Sukseset e fundit në zgjedhjet e pjesshme për Kongres dhe paralajmërimi i Donald Trumpit se do të kandidojë sërish për president, e vënë Bidenin para një dileme të madhe – dhe përgjigjja ndaj asaj dileme me gjasë s’ka si të jetë tjetër përveç se një garë e re për president.

Në zgjedhjet e pjesshme për Kongres, Biden ka dëshmuar se kur e do puna di të përdorë edhe metoda të ashpra kundër rivalëve republikanë, të cilët nën ndikimin e Donald Trumpit janë radikalizuar dukshëm. Kësisoj Partia Demokratike e Joe Bidenit investoi 19 milionë dollarë në përkrahjen e kandidatëve më ekstremistë republikanë gjatë emërimit të tyre nga Partia Republikane për zgjedhjet në Kongres. Këtë e tregon një hulumtim i “Washington Post”. Tingëllon absurde dhe duket se ka qenë çelësi i suksesit të Partisë Demokratike për të evituar një humbje të thellë në zgjedhjet e së martës.

Strategjia e demokratëve ishte kjo: në zgjedhjet e brendshme të republikanëve të përkrahen kandidatët që mohojnë zgjedhjet, kandidatët që janë maniakë të armëve, kandidatët që gënjejnë më së shumti. Në zgjedhjet brenda Partisë Republikane (primaries) demokratët përkrahën me para 13 kandidatë radikalë republikanë. Të tillët, ky ishte kalkulimi i demokratëve, vështirë do të votohen në zgjedhje nga republikanët e moderuar.

Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” e përshkruan rastin e kandidatit republikan Dan Bolduc nga New Hampshire, të cilin gjatë zgjedhjeve të brendshme të republikanëve e përkrahën demokratët. Bolduc ishte kandidati i Trumpit. Bolduc i kishte quajtur demokratët “një bandë homoseksualësh liberalë, socialistë”. Zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 i kishte quajtur të vjedhura. Vaksinimin kundër Coronës e kishte konsideruar përpjekje të Bill Gatesit për t’ua implantuar njerëzve një mikroçip. Dan Bolduc ka shërbyer gjatë në ushtrinë amerikane, andaj Trump e lavdëroi atë si “tip të fuqishëm”. Trump me gjasë nuk e dinte se Bolduc përkrahej nga demokratët, pra ishte një lloj Kali i Trojës. Në zgjedhjet e 8 nëntorit kandidati republikan për Senat Dan Bolduc nuk pati shans në New Hampshire. Fitoi kandidatja demokrate Maggie Hassan.

Në gusht disa politikanë të Partisë Demokratike kërkuan që të hiqet dorë nga kjo metodë “e pamoralshme”. Por nuk patën sukses. Gjashtë kandidatë republikanë të përkrahur nga demokratët dolën në zgjedhje më 8 nëntor. Dhe të gjithë humbën. Edhe kështu funksionon nganjëherë politika në SHBA, sidomos kur në arenë futet një politikan aq polarizues si Donald Trump. Tani mbetet të shihet si do të vendosë Joe Biden: ka thënë se në fillim të vitit 2023 do të tregojë nëse kandidon për postin e presidentit. Trump ka vendosur se do të kandidojë, por i mbetet Partisë Republikane të përcaktohet. Aty do të zhvillohet një betejë e ashpër mes trumpistëve dhe të moderuarve. Për botën e lirë një fitore e Bidenit do të ishte lajm i mirë në krahasim me alternativën Trump.