OpEd

Precedenti që vendosi Qeveria të hënën

Pa marrë parasysh motivet, vendimi dhe arsyetimi i Qeverisë për kriteret e përfaqësimit të barabartë ka vendosur një rregull të ri, i cili do të ketë ndikim në rritjen e përfaqësimit të grave në nivelet më të larta të vendimmarrjes

Në mbledhjen e nëntë të Qeverisë së Kosovës, e cila u mbajt në fillim të javës, u mor një vendim i rëndësishëm, i cili do të ketë pasoja pozitive sa i përket përfaqësimit të grave në vendimmarrje.

Me vendimin 03/09, Qeveria anuloi një vendim të Qeverisë Hoti për nominimin e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare. Deri këtu asgjë e re. Edhe më herët kjo qeveri dhe qeveritë paraprake kanë anuluar vendimet e qeverive paraprake. Por ajo çfarë ishte ndryshe kësaj here, ishte arsyetimi që u përdor për të anuluar vendimin e Qeverisë paraprake.

Në arsyetimin e Qeverisë për anulimin e vendimit për anëtarët e Bordit të ARKEP-it u tha se Qeveria e kaluar nuk kishte respektuar parimin e barazisë gjinore, kur ka nominuar pesë ekspertë për anëtarë të bordit. Sipas Ligjit për barazi gjinore, “përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, si dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50% për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse…”. E Qeveria Hoti, nga pesë anëtarët e nominuar për Bordin e ARKEP-it, kishte përfshirë vetëm një grua apo vetëm 20% të përbërjes.

Rrjedhimisht, sipas arsyetimit të Qeverisë, është obligim i çdo institucioni kompetent që ta ketë përfaqësimin e barabartë gjinor, përkatësisht ta plotësojë kuotën e nevojshme gjinore për përfaqësim minimal prej 50% për secilën gjini, përfshirë edhe në organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.

Këtë arsyetim po e formulonte një qeveri në të cilën gratë përbëjnë 33% të kabinetit qeveritar e jo 50%, ashtu siç kërkohet me ligj. E Ligji për barazi gjinore, i cili bart obligimin për përfaqësim të barabartë, është në fuqi qysh nga viti 2015. Me gjithë kërkesën e Avokatit të Popullit që gratë dhe burrat të përfaqësohen barabar në listat zgjedhore të partive politike, asnjë parti nuk e ka respektuar këtë detyrim ligjor.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, si duhet të lexohet arsyetimi i Qeverisë për kriterin e përfaqësimit të barabartë të grave dhe burrave? A ishte vetëm arsyetim politik për të anuluar një vendim të Qeverisë paraprake apo u vendos një praktikë e re që do të vazhdohet deri në fund të mandatit?

Mbasi anuloi vendimin e Qeverisë paraprake për anëtarët e Bordit të ARKEP-it, me një vendim të ri Qeveria Kurti nominoi pesë anëtarë të rinj të këtij bordi, dy prej të cilave ishin gra, apo 40% e përbërjes. Në një rast kur anëtarët e bordit janë me numër tek, është e pamundur që të dy gjinitë të përfaqësohen barabar. Por, duke marrë parasysh arsyetimin që u përdor brenda së njëjtës mbledhje të Qeverisë, përse nuk u nominuan më shumë gra sesa burra?

Në mbledhjen e tetë të Qeverisë, kur u emëruan anëtarët e Bordit të Telekomit të Kosovës, Qeveria respektoi kriterin e përfaqësimit të barabartë, duke emëruar tri gra dhe tre burra. Po në të njëjtën mbledhje të Qeverisë, kur u emëruan anëtarët e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, gratë përbënin 40% në anëtarësisë, apo dy nga pesë anëtarët ishin gra.

Deri më tani janë themeluar edhe dy komisione ndërministrore, por në komisionet ndërministrore gratë asnjëherë nuk do të arrijnë përfaqësim të barabartë për faktin se në nivel të qeverisë janë të nënpërfaqësuara.

Qeveritë e mëparshme kanë emëruar anëtarë bordesh kryesisht burra. Sipas një raporti të Institutit GAP, nga 159 anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike, vetëm 24 janë gra apo 15% e anëtarësisë. Edhe në agjencitë e pavarura gjendja është e njëjtë, ku nga 184 anëtarët e bordeve të agjencive, vetëm 16% janë gra. Në 31 ndërmarrjet publike gratë janë udhëheqëse të bordeve vetëm në pesë prej tyre, apo 16% të ndërmarrjeve. Kurse në vetëm 10% të agjencive të pavarura gratë janë udhëheqëse të bordeve.

Po bëhen gati gjashtë vjet që Ligji i ri për barazi gjinore është në fuqi. Por të hënën e 26 prillit 2021 ishte hera e parë që një qeveri mori për bazë këtë ligj me rastin e emërimit të personave në pozita të larta vendimmarrëse.

Pa marrë parasysh motivet, vendimi dhe arsyetimi i Qeverisë për kriteret e përfaqësimit të barabartë ka vendosur një rregull të ri, i cili do të ketë ndikim në rritjen e përfaqësimit të grave në nivelet e larta të vendimmarrjes.

Tani neve na mbetet vetëm t’ia rikujtojmë Qeverisë këtë vendim sa herë që emërohen apo nominohen anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura. E kjo Qeveri në mandatin e saj do të marrë së paku edhe 60 vendime të tilla.