Po qe se kjo është marrëveshje historike, atëherë Avdullah Hoti e ka shkelur fjalën e përsëritur prejse e ka marrë postin: se në Washington shkohet vetëm për nënshkrimin e marrëveshjes për njohje reciproke. Sepse pika 10 (edhe pse dokumentin që e kemi parë nuk ka pika) e projekt-marrëveshjes që e kishte paraparë njohjen reciproke ishte refuzuar nga Vuçiqi pardje
Dhe na shkoi delegacioni kinez në Amerikë, për ta nënshkruar edhe një marrëveshje "historike" për të cilën askush me gjasë nuk ka ditur asnjë send, derisa nuk u kanë dalë letrat përpara dhe u është thënë që t'i nënshkruajnë.
E gjithë ceremonia e planifikuar asisoj për t'i dhënë dekor historik një marrëveshjeje që nuk di njeri nëse është e tillë, kaloi me nënshkrimin e dy dokumenteve të veçanta që nuk janë identike, njërën për Kosovën, nënshkruar nga Hoti dhe tjetrën për Serbinë, nënshkruar nga Vuçiqi dhe një letër të veçantë të nënshkruar nga Trumpi, ku thuhej se kishte qenë i lumtur të ishte nikoqir i nënshkrimit të marrëveshjes që e quan historike.
Do të na e shpjegojnë juristët që e njohin të drejtën ndërkombëtare nëse kjo marrëveshje është vërtet ndërkombëtare, me përmbajtje identike, me dy nënshkrues, e me dëshmitarë të nënshkrimit, apo në mos kjo është edhe një "letter of intent", pra letër ku shprehet qëllimi që të realizohet një diçka dikur, që në fakt nuk e obligon askënd për asnjë gjë.
Po qe se kjo është marrëveshje historike, atëherë Avdullah Hoti e ka shkelur fjalën e përsëritur prejse e ka marrë postin: se në Washington shkohet vetëm për nënshkrimin e marrëveshjes për njohje reciproke. Sepse pika 10 (edhe pse dokumentin që e kemi parë nuk ka pika) e projekt-marrëveshjes që e kishte paraparë njohjen reciproke ishte refuzuar nga Vuçiqi pardje.
Ujmani
Pra, Hoti, pa asnjë konsultë me Kuvendin (i cili është në gjumë të verës, sepse deputetët "e shkretë" janë lodhur me punë), pa asnjë konsultë me partitë opozitare që e bojkotuan, pa asnjë listë parimesh, e asnjë strategji, i mori tri këmishët sipas rekomandimit të Thaçit, dhe shkoi në Washington vetë i dhjeti (a i kushedi i sati) për ta qitur nënshkrimin në një dokument, vetëm për vete.
Në të, pa asnjë befasi, u fut edhe Ujmani, një nga dy të vetmet pasuri (krahas Trepçës) që nuk janë shpupluar krejtësisht nga keqqeverisja 20-vjeçare e diletantëve politikë që e sunduan këtë vend të mjerë. Dhe, kjo u bë në emër të investimit amerikan në të, duke e vulosur në një letër edhe interesin, tash legjitim (po qe se kjo është njëmend marrëveshje) të Serbisë mbi pronën e Kosovës.
I pari që reagoi për punën e Ujmanit qe Haradinaj, i cili tha që futja e tij në marrëveshje ishte e papranueshme, dhe më pas, se nëse Hoti do të nënshkruante, ky do ta tërhiqte AAK-në nga Qeveria dhe do ta rrëzonte atë. Mbas nja dy orësh, me gjasë ose dikush ia ka ngrehë veshët ose dikush e ka mashtruar, doli të thoshte që gjithçka është ne rregull, meqë Ujmani ishte hequr nga dokumenti.
Dokumenti që qarkulloi pak minuta pas nënshkrimit nëpër FB, postuar nga zëvendëskryeministri Selmanaj (sa joserioze për një shtet që poston marrëveshje "historike" nëpër rrjete sociale, e jo me anë të mekanizmave institucionalë - kjo tregon se çfarë mendësie ka kjo qeveri), doli se Ujmani vazhdonte të ishte në dokument. Por, tashmë Haradinaj nuk u lajmërua më. Pritet të shihet a do t'i kthehet sërish temës, apo do të presë në mos po e zgjedhin kryetar shteti, e nëse jo, atëherë ta rrëzojë qeverinë.
“Harrojeni politikën”
Forca motorike pas kësaj "marrëveshjeje historike" është Grenelli, i cili prej kohësh na thotë se duhet harruar politikën dhe të merremi me ekonominë. Porse madje edhe kur e lexon shkarazi dokumentin që ka qarkulluar në internet, e sheh se thuajse e gjithë përmbajtja është politike. Për shkak se edhe ai e di, se problemi mes Kosovës e Serbisë është kryekëput politik, prej nga më pas burojnë krejt problemet e tjera.
Shikuar shkarazi, sërish:
- me Mini-Schengenin e propozuar Serbia ia siguron vetes daljen në det;
- me këtë dokument, e kontrollon thuajse përgjysmë Ujmanin, që përndryshe varet nga lumi Ibër, e që e ka burimin në Mal të Zi, i cili, nga ana tjetër, edhe mund ta ndryshojë qasjen e deritanishme ndaj burimit, po qe se ndërron pushteti atje;
- merr nën kontroll tokat rreth kishave ortodokse, që nuk është e thënë të jenë serbe, po të cilat i ka përvetësuar Kisha Ortodokse Serbe,
- ia del t'ia ndalë madje edhe përpjekjen Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare bile për një vit, me asnjë garanci (Serbisë nuk i besohet) se do ta ndalë fushatën e çnjohjeve të Kosovës, dhe fare në fund
- nuk e merr asnjë obligim të vetëm për t'i shpalosur sekretet shtetërore të fshehjes së gjurmëve të krimeve të shtetit serb, për të treguar konkretisht se ku i kanë varrosur viktimat e luftës së Kosovës, që ende llogariten si të zhdukur.
Prej krejt këtyre që i numërova, nuk po e di cila është çështje më ekonomike se shoqja. S'po di, mbase na kanë mësuar gabimisht punën e ekonomisë dhe çfarë nënkupton ajo.
Stacioni i ardhshëm: Brukseli
E tash, krejt tubë, me gjasë, do të udhëtojnë për në Bruksel për edhe një rund bisedimesh ekspertësh - sepse tash politikanët i kemi ekspertë, dhe anasjelltas. Dhe njëmend, nuk e kuptoj se çfarë kërkojnë tash në Bruksel, meqë tashmë është arritur marrëveshja "historike". Mbase do të shkojnë edhe për edhe një "marrëveshje historike", edhe ndonjë nënshkrim dokumentesh, që nuk janë të njëjta për të dalë sërish në konferencë shtypi për të na treguar se Serbia de facto na ka njohur.
Këta njerëz që i thonë vetes politikanë, nuk po e kuptojnë se na kanë lodhur e rraskapitur qe rrafsh dhjetë vjet negociatash me pallavra mëvetësie, perspektive euroatlantike, prosperiteti e çka mos tjetër, përderisa qe dy dekada jemi duke i vuajtur pasojat ekstreme të punës së tyre të keqe, fillimisht në shëndetësi e më pas me të gjitha të tjerat, ngado që të prekësh.
* * *
Lajmi i javës së shkuar qe 200-euroshi i një testi rapid PCR, që ia kishte paguar një qytetar një laboratori me lidhje me politikën e biznesin. Ka disa javë që janë licencuar mbi 120 laboratorë për teste serologjike dhe PCR. Nëse për dy javë, secili laborator ka trajtuar nga, ta zëmë, 30 pacientë në ditë dhe këta kanë paguar minimum 20 euro për test, i bie që kosovarët i kanë shpenzuar 1 milion euro për dy javë, për të parë në mos janë sëmurë ose jo, dhe kjo me probabilitet deri në 70% se rezultati mund të jetë i saktë.
Pra, populli më i varfër në rajon detyrohet t'i harxhojë paratë që nuk i ka, për ta marrë një shërbim që shteti do të duhej siguruar falas për qytetarët e vet, e jo t'i favorizojë institucionet private duke e privatizuar edhe shëndetin publik.
Tash nuk po di nëse kjo është temë politike apo ekonomike. Porse po e di që askush i ulur aty në pushtet nuk mërzitet për këtë punë.
Me rëndësi të shkohet në Washington për edhe një shëtitje historike, që lehtë mund të na dalë dardhë me bisht.