OpEd

Pranvera ’81: Një shikim nga distanca

11 e 25 marsi dhe 1 e 2 prilli 1981 nuk ishin kryengritje, por demonstrata që morën karakterin e një lëvizjeje politike popullore, prirë nga e majta nacionaliste shqiptare dhe nën kontrollin e shërbimit sekret shqiptar, Sigurimit. Porse, ana e errët e eksponentëve kryesorë të kësaj lëvizjeje është se edhe pas 36 vjetësh, në shekullin 21, kur komunizmi që erdhi nga të ftohtët ka rënë që nga Moska e Berlini deri në Beograd e Tiranë, vazhdojnë të besojnë në mitet dhe parullat komuniste…

Para 36 vjetëve, pikërisht më 11 mars, në Kosovë ka ndodhur revolucioni, një revolucion ideologjik. Një lëvizje e fuqishme kundër shtypjes politike dhe sociale të një pushtuesi njëshekullor, por kjo lëvizje, thellë në prapavijë, synonte forcimin e parimeve marksiste-leniniste, sepse, në Evropën Lindore, po luhatej pikërisht shteti ideologjik. Demonstratat e pranverës ’81 në Kosovë, ndonëse kreu i shtetit ideologjik jugosllav këtë e pati vlerësuar si ‘kundërrevolucion’ (!?) ishin pikërisht e kundërta e kësaj, shpërthim i një ‘revolucioni permanent ‘, që si fantazmë rikthehet në disa mendje në Kosovë...

Më 11 mars 1981 protesta ka nisur në Mensën e Studentëve.

Më 26 mars dhe 1 e 2 prill ajo asht masovizuar.

Është i habitshëm fakti se grupet marksiste-leniniste kosovare "i ushqente" me propagandë dhe ideologji ultra të majtë PPSH-ja dhe Sigurimi i shtetit, për ta forcuar pushtetin e vet në Tiranë - mirëpo regjimi i vetëqeverimit jugosllav, ndonëse ideologjikisht i afërt me atë shqiptar - i akuzonte të rejat dhe të rinjtë kosovarë për "nacionalizëm e separatizëm", që ishin karakteristika të së djathtës!

Publicisti i famshëm gjerman, Viktor Meier, shkruante mbi demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë, duke i ndërlidhur ato me prapambetjen ekonomike të Kosovës, kurse aktorët qendrorë të “Pranverës kosovare” i cilësonte si «proletarë intelektualë» pa përvojë jetësore, duke i vënë në korrelacion me Shqipërinë e Enver Hoxhës, e cila refuzonte kontaktet me Kosovën, për shkak të atmosferës më të lirë dhe më liberale, e cila mund të kishte ndikim «subversiv» ndaj Shqipërisë. (Cituar sipas Enver Robellit.)

Kurse ish-lideri komunist, Azem Vllasi (i cili ka ardhur në krye të komunistëve kosovarë tek më 1986, kur sapo hetohej mendësia fashiste brenda komunistëve serbë nën drejtimin e Slobodan Milosheviqit) në disa raste ka shpjeguar karakterin e dyshimtë të ngjarjeve, por sidomos i nxjerr ato si të parakohshme, ngase atëbotë i kishin konvenuar estabilishmentit serb për ta goditur autonominë e vitit 1974, që i garantonte Kosovës të drejtën e vetos në federatën

jugosllave.

Së këndejmi marksistë-leninistët kosovarë nuk e fituan mbështetjen e Perëndimit derisa nisi Lëvizja paqësore e vitit 1990, e prirë nga Ibrahim Rugova.

Propaganda e Komitetit Krahinor të komunistëve kosovarë i shihte krerët kryesorë të ngjarjeve të ’81-shit si kundërrevolucionarë, ndonëse ata ishin revolucionarë tipikë, marksistë-leninistë!?
Sidoqoftë 11 marsi 1981 edhe pas 36 vjetësh - është ende i pazbardhur - nga rrafshi i dokumenteve zyrtare, të diplomacisë së shteteve të përfshira dhe shërbimeve sekrete të involvuara...

Për një lëvizje politike dhe nacionale në Kosovë, sidomos pas vlimeve studentore të ‘68-s, që kryesisht kishin një karakter liberal dhe i kishin lidhur forcat e së djathtës borgjeze me komitetlinjtë krahinorë, më 1981 (pra një vit pas vdekjes së Titos) qenë pjekur kushtet e domosdoshme në aspektin psiko-social, parakushte që janë të domosdoshme për një lëvizje të madhe politike dhe kombëtare (pra ndikim të fuqishëm kishte emigracioni dhe grupet ilegale brenda Kosovës, por edhe Universiteti i Prishtinës), ndërkohë që ishin krijuar elitat politike, ekonomike dhe kulturore që i dhanë shtysë idesë së Republikës shqiptare në Jugosllavinë federale, porse dy janë të metat qenësore të kësaj lëvizjeje: e para, ideologjizimi jokritik dhe nganjëherë euforik i demonstratës dhe stepja fillimisht e pastaj edhe tërheqja dhe distancimi i plotë nga lëvizja e elitave politike, kulturore dhe ekonomike të Kosovës.

Inteligjencia e shqiptarëve etnikë në Jugosllavi dhe elita politike e tyre kishin pritur mjaft gjatë, për të parë se çfarë rrjedhash do të marrin ngjarjet dhe ndërkohë i kishin lejuar ekspansionizmit serb që të hartojë platformën e shuarjes totale të lëvizjes dhe e kishin dëmtuar atë nga brenda, përmes një diferencimi të egër politik.

Nga kjo distancë, duhet shtruar çështja se çfarë do të ndodhte sikur pas lëvizjes të rreshtohej tërë shoqëria kosovare, në rend të parë elitat politike, intelektuale, ekonomike dhe kulturore të Kosovës?

Duket se po të ndodhte ky rreshtim i ngjeshur, drama do të shthurej shumë më shpejt.

Porse pasojat mund të ishin katastrofale!?

Pra, lëvizja e minatorëve dhe ajo masive e ‘89-s dhe ’90 –s do të ndodhte më 1981, pastaj edhe pluralizmi politik do të inaugurohej shumë më përpara, pra para ‘90-s, ndërkaq përgatitja për luftë do të ishte shumë më e lartë, UÇK-ja do të ishte një ushtri tipike dhe procesi i pavarësisë do të rridhte më natyrshëm dhe që sot do të ishte një proces i mbyllur.

Mirëpo, atëbotë ndodhi ndarja fatale e shoqërisë kosovare në kombin pro vijës së LKJ-së dhe në kombin “separatist dhe irredentist” dhe në këtë çarje duhet kërkuar esencën e debaklit kosovar të ‘81-shit.

Është indikative se në tërë Universitetin e Prishtinës pësoi më rëndë vetëm Ukshin Hoti, kurse të tjerët u nxorën disi, me pezullim nga mësimdhënia ose me vërejtje partiake, e disa edhe i përqafuan tezat e KQ të LKJ-së për t’i dënuar demonstratat dhe në këtë kontekst Hoti mbeti thuaja i vetmuar, një Don Kishot kosovar.

Nga kjo distancë, pjesëtarët e ilegales (dy organizatat më të fuqishme OMLK dhe PKMLSHJ) dëshmojnë se kanë pasur sugjerime të tërthorta nga elita politike-institucionale e kohës (nga Fadil Hoxha, Veli Deva dhe Mahmut Bakalli) që të mos i shmangen vijës komuniste, gjë që i konvenonte edhe kreut të Shqipërisë, për ta fuqizuar pushtetin diktatorial në Tiranë, pra për t’i ruajtur privilegjet pushtetore.

Në krijimin e vijës ideologjike të lëvizjes së ’81-s, “instruktorët” e Tiranës zyrtare investuan në vijën marksiste-leniniste, sidomos tek mërgata e re kosovare, dhe me këtë, në anën tjetër, kosovarët u shkëputën nga kohezioni i lëvizjeve reformiste në Evropën Lindore (Solidarnoshqi polak, lëvizjet në Çekosllovaki, Hungari dhe në Kroaci e Serbi.)

Vlen të spikatet sidomos ‘Maspok-u” kroat (shkurtesa për ‘Masovni Pokret’ – Lëvizja Masive. Lëvizja nga viti 1970 kishte mbështetjen e Lidhjes së Komunistëve të Kroacisë, porse u shua kah fundi i vitit 1971, pas mbledhjes së Kryesisë së LKJ-së në Karagjorgjevë.

Lëvizjes i prinin Savka Dabçeviq-Kuqar dhe Mika Tripalo.

Po ashtu në Serbi Marko Nikeziq dhe Latinka Peroviq, i pari shef i KQ të LK të Serbisë, kurse e dyta sekretare e KQ, e kishin iniciuar reformën brenda LK-së, që u quajt “liberalizëm”, porse pas presionit të Titos më 1972 lëvizja u shua, kurse liderët e saj u detyruan të dorëhiqen.

Pra lëvizja për liri e Republikës në Kosovë më 1968 ishte një ndërlidhje e së djathtës (borgjezia e re, me shtresën e mesme, zejtarët dhe intelektualët) me studentët dhe punëtorët (me prirje të majta), e cila shpejt humbi ndikimin, për t’i lëshuar hapësirë së majtës revolucionare (të primesave enveriste), grupeve marksiste-leniniste që në fund të viteve ’80 u lidhen në Lëvizjen Popullore të Kosovës, duke mos ngjallur simpati dhe përkrahje politike nga Perëndimi.

Dhe kjo heshtje apo indiferencë e Perëndimit karshi lëvizjeve të shqiptarëve kosovarë, indirekt u kuptua si përkrahje e Perëndimit për jugosllavët.

Atëbotë lëvizja pësoi goditje të rënda, me vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Gjermani, më 1982, dhe më pas të Nuhi Berishës e Rexhep Malës, natën ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984 në Prishtinë dhe burgosjes së shumë tjerëve gjithandej në Kosovë..

Në kontekstin e kanalizimit të revoltës gjithëpopullore, rol kyç ka pasur Sigurimi shqiptar, porse ndërkohë në lojë është gjuajtur edhe DB-ja serbe – duke i kthyer popujt tjerë jugosllavë kundër shqiptarëve - për ta kthyer ujin në mullirin e shtetit serb e për ta suprimuar autonominë e Kosovës të vitit 1974.

Dhe pikërisht roli i DB-së konsistonte në atë, që ish-republikat e RSFJ-së të rreshtoheshin me hegjemonizmin serb, për t’ia lënë duart e lira Serbisë në Kosovë, për t’i shpëtuar vetë hegjemonisë dhe për t’i forcuar elitat politike vendore për t’u përgatitur për sfidat e reja që dukeshin në horizont që atëherë…

Mirëpo, roli më i madh i demonstratës së ‘81-shit konsiston në krijimin e vetëdijes klasore kundër shtypjes dhe në rritjen e nacionalizmit etnik.

Në kuptimin ideologjik, kjo lëvizje ishte një shmangie nga vija më liberale e demonstratave të vitit 1968, ndonëse në shtrirje dhe primesat e veta nacionalçlirimtare ishte shumë më e fuqishme. Nga prizmi i sotëm mund të vërehet ky defekt, porse çuditërisht asnjëra nga palët e involvuara këtë nuk duan ta pranojnë, kjo disi, sot aktorëve u duket si një turp!?

Shteti ideologjik shqiptar në njërën anë, përmes kontrollimit të grupeve ilegale në diasporë dhe në Kosovë, pareshtur ka investuar në karakterin ideologjik dhe klasor të çështjes së Kosovës, gjë që nuk ishte fare e tillë.

Kurse elementi antikomunist në Kosovë pothuajse ishte shpartalluar që herët, pas Luftës së Dytë Botërore.

Por, në një vlim të mllefit gjithëpopullor arrihet një aleancë e çuditshme midis këtyre dy lëvizjeve, kundër një armiku të përbashkët, kështu që edhe ata pak demokratë “shkrihen” në turmat e dirigjuara nga vija ideologjike marksiste-leniniste dhe pikërisht këtu, Lidhja e Komunistëve e Jugosllavisë (vija serbe) e sheh rrezikun më të madh.

Madje kreu shovinist serb në RSFJ pa tërhequr ndonjë vijë të distinksionit, në këtë lëvizje sheh ballistët e zogistët (që si parti historike ishin të orientimit të djathtë), irredentistë e kundërrevolucionarë borgjezë etj., ngase kreut jugosllav nuk i pengonte karakteri ideologjik i lëvizjes, por pikërisht prapavija nacionalçlirimtare e saj.

Këtë “shkrirje” të masave shqiptare në një lëvizje ideologjike nuk duan ta pranojnë asnjëra anë, sepse kështu mendojnë se zbehet historia dhe fama e lëvizjes, madje pas rënies së komunizmit dhe shtetit ideologjik në Evropën Lindore, liderët e grupeve ilegale marksiste-leniniste shkojnë aq larg sa edhe e mohojnë organizimin e demonstratave, por jo edhe karakterin revolucionar të tyre (Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi me Kadri Zekën), kurse liderët e studentëve (që si parti historike) ishin të orientimit të djathtë (Bardhyl Mahmuti, Gani Koci, Ismail Syla, Bajram Kosumi, Kadri Kryeziu, Ali Lajçi etj.) anojnë më tepër kah karakteri nacionalçlirimtar i lëvizjes së ‘81-shit. Në anën tjetër, Abdullah Prapashtica (një ish-pjesëtar i forcave të Sigurimit në Kosovë dhe njëkohësisht një nga liderët e Partisë Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve të Jugosllavisë) flet për faktin se kjo organizatë mund të jetë organizatore direkte e demonstratave, pa e mohuar karakterin ideologjik dhe nacionalçlirimtar të tyre.

Prapashtica më së miri e ilustron këtë shkrirje: “Ne kemi marrë mesazhe nga liderët komunistë kosovarë që të mos shmangemi nga vija marksiste në punën tonë ilegale”!

Kjo do të thotë se kreu i Tiranës zyrtare dhe ai i Prishtinës kishin marrë pozicione të një aleance të heshtur, për ruajtjen e privilegjeve të pushtetit komunist, që hetohej se po luhatej.

Në Jugosllavi tashmë kishte vdekur Titoja, ndërsa në Shqipëri Enveri ishte i sëmurë dhe në të dyja shtetet paramendohej tërmeti politik dhe social. Kreu komunist i Kosovës (Mahmut Bakalli) dhe strukturat autonome flasin për një parakohësi të tyre, për një organizator të dyshimtë, për involvimin e shërbimeve të huaja sekrete etj. Pra flasin tamam për një “kundërrevolucion”.

Mirëpo, në këtë ‘storie nebuloze’ shihet qartë kundërshtimi i robërisë serbe dhe jugosllave nga ana e shqiptarëve, me të njëjtën vijë ideologjike me të cilën serbët dhe jugosllavët kundërshtonin të drejtat legjitime të shqiptarëve. Pra, në këtë rast kishin hasur në kundërshtim elita hegjemoniste serbe me elitat nacionalkomuniste shqiptare dhe në esencë nuk kishte kundërshtime ideologjike, sepse edhe shteti jugosllav edhe shteti shqiptar në njërën anë, por edhe elita politike kosovare si dhe ilegalja shqiptare ishin aleatë ideologjikë. Shihet qartë se “revolucionarët e përjetshëm” (siç i quan Lech Walesa) ishin dhe janë për një “revolucion permanent” (i koncipuar nga Law Trocki) që nuk arrijnë ta përmbyllin një revolucion e ndërkohë ia fillojnë revolucionit tjetër, të ri...

Kjo ndodhi edhe më 1989-90, kur prapa lëvizjes masive dhe turmave të revoltuara kundër hegjemonisë serbe sërish qëndronin strukturat e grupeve ilegale, ndonëse kishin marrë një goditje të rëndë nga shteti jugosllav dhe ishin dënuar me burgje të mëdha, mirëpo tani shënohet një cilësi e re, në lëvizje shkrihet për të parën herë në historinë e re edhe lidershipi komunist, i cili duke parë fundin e vet dhe të idealeve të shtetit të Titos, nuk distancohet nga lëvizja sikur më 1981, sepse tani po goditej njësoj edhe ky lidership.

Në këtë vazhdë, më 1990 lëvizja fiton cilësi të re: orientimi properëndimor dhe demokratik, ndonëse orientim i brishtë, sepse tanimë komunizmi po binte rrëmbimthi që nga Moska e Berlini deri në Beograd e Tiranë. Por kjo lëvizje e re ishte e pafuqishme, ndonëse kishte një mbështetje morale të Perëndimit dhe i shmangej konfrontimit të hapët me shtetin serb, gjë që u dëshmua se ishte iluzore. Dhe ky iluzion e degjeneroi lëvizjen e ashtuquajtur paqësore në nënshtrim të plotë.

Ekzemplari më shprehës ishte fjalia ikonë e Hydajet Hysenit në Kuvendin e LDK-së në “Show”, kur iu drejtua dr.Rugovës: “Nuk ka bir nëne që më tërheq nga lufta për popullin tim, për Kosovën...”!?

Prandaj sërish në skenë dolën ideatorët e “revolucionit permanent” që do ta pranonin sfidën e konfrontimit të hapur me Serbinë. Kjo rezultoi me krijimin e UÇK-së dhe në luftën, e cila përshkallëzoi në një çështje ndërkombëtare dhe përfundoi me intervenimin e NATO-s kundër Jugosllavisë. Pra rezultoi me fitore. Duket qartë, shqiptarët ende nuk i kanë spastruar hesapet me shtetin ideologjik dhe vazhdojnë të sillen konform me fjalët e Walesës, që është ekzemplar i ndryshimeve rrënjësisht antikomuniste, pra demokratike në Evropën Lindore, se “revolucionarët e përjetshëm ende pa e mbyllur një revolucion duan t’ia fillojnë një revolucioni tjetër”.

Pra, shqiptarët janë hedhur në “revolucione” tjera, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni.

Kjo është pasojë e mungesës së kontinuitetit të partive të djathta historike ndër shqiptarët kështu që një lëvizje popullore me orientim të majtë duket se është e vetmja lëvizje koherente historike, që nuk ka pësuar dëme në strukturë dhe organizim dhe mbi të gjitha, nuk ka alternativë të denjë. Dhe kjo lëvizje popullore – si mendësi dhe praktikë e keqe qeverisëse - ende dominon skenën politike në shoqërinë shqiptare!