OpEd

Praktika 13-vjeçare e shpërblimit të bizneseve dhe qytetarëve të papërgjegjshëm

Falja e borxheve duhet të jetë e njëhershme dhe të krijojë një prerje me të kaluarën. Por, nuk duhet të jetë praktikë e vazhdueshme me dekada, ashtu siç është duke vepruar shteti i Kosovës tash e 13 vjet

Një ndër sfidat e vazhdueshme të shtetndërtimit ka qenë dhe mbetet mbledhja e obligimeve të qytetarëve dhe bizneseve ndaj shtetit. Përderisa një kategori e bizneseve dhe qytetarëve në vazhdimësi i paguajnë të gjitha taksat, tatimet e faturat e shërbimeve publike, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve dhe qytetarëve, për arsye të ndryshme, nuk paguajnë me rregull.

Dhe, në fund, shteti shpërblen pikërisht ata qytetarë dhe ato biznese që nuk i kanë kryer obligimet shtetërore me rregull, duke ua falur borxhet. Që në muajt e parë të Qeverisë Thaçi 1 në vitin 2008, Ministria e Financave mori vendim që t’i falë borxhet e bizneseve ndaj shtetit, por lista e bizneseve që përfituan nga kjo falje nuk u bë publike asnjëherë. Në shtator të vitit 2008, e njëjta qeveri mori vendim për heqjen e ndëshkimeve për borxhet tatimore, duke e përsëritur faljen e njëjtë edhe në maj të vitit 2010.

Në vitin 2013, me sponzorizim të Qeverisë Thaçi 2, Kuvendi aprovoi Ligjin për amnistinë, ku një pjesë e qytetarëve fituan amnisti edhe për veprat penale të shmangies së tatimit dhe tarifave doganore.

Pak javë pasi mori drejtimin e qeverisë, në shkurt të vitit 2015 Mustafa krijoi një komision për ta shikuar mundësinë e faljes së borxheve të papaguara deri më 31 dhjetor 2008. Në korrik të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës aprovoi Ligjin për faljen e borxheve. Sipas një raporti të Institutit GAP, deri në fund të vitit 2008, borxhi i qytetarëve dhe bizneseve ndaj institucioneve shtetërore ishte 584 milionë euro, kurse për periudhën 2009 deri 2014 ishin edhe 254 milionë euro të tjera të papaguara. Me Ligjin për faljen e borxheve u falën 400 milionë euro të grumbulluara deri në fund të vitit 2014.

Tani e shumë vite, paguesit e rregullt të energjisë elektrike paguajnë direkt edhe humbjet teknike e vjedhjet e rrymës që shkaktohen nga personat e papërgjegjshëm, si dhe paguajnë indirekt përmes taksave edhe energjinë elektrike që shpenzojnë banorët serbë dhe të komuniteteve të tjera në pjesën veriore të Kosovës.

Së fundmi janë paraqitur dy nisma për faljen e borxheve të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Së pari, më 18 maj 2021, Partia Socialdemokrate, parti politike e cila nuk ka përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, filloi mbledhjen e nënshkrimeve për aprovimin e ligjit për faljen e borxheve të pandemisë COVID-19, ku, sipas tyre, janë shqiptuar rreth 180 mijë gjoba me vlerë rreth 10 milionë euro.

Kurse, sot gjatë ditës (3 qershor 2021), me kërkesë të Grupit Parlamentar të AAK-së, do të mbahet interpelancë parlamentare me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me kërkesën për faljen e borxheve të bizneseve të prekura nga pandemia.

Taksapaguesit e rregullt dalin dy herë të dëmtuar: së pari, taksat dhe pagesat e tjera që ata/ato i derdhin në arkën e shtetit keqpërdoren në dhjetëra mënyra. Përderisa një biznesi familjar i duhet të punojë një vit për të paguar tatime deri në 1.000 euro, një zyrtari të emëruar politik aq i kushton telefoni mobil të cilin e blen me buxhetin e institucionit shtetëror. Përderisa bizneset private me vështirësi sigurojnë fuqi të kualifikuar punëtore, shpenzojnë në trajnime dhe mundohen t’i paguajnë me rregull pagat dhe tatimet, sektori publik mban në punë “punëtorë joesencialë” dhe rrit pagat në vazhdimësi. Të dhënat e fundit të ASK-së për pagën mesatare tregojnë që në vitin 2020, vit i pandemisë, pagat në sektorin privat kanë shënuar rënie, gjersa pagat në sektorin publik janë rritur.

Së dyti, taksapaguesit e rregullt dëmtohen edhe sa i përket konkurrencës dhe besimit. Bizneset të cilat nuk paguajnë taksa e tatime natyrisht se kanë fitime më të mëdha dhe kësisoj u bëjnë konkurrencë të padrejtë bizneseve të përgjegjshme. Njësoj, qytetarët që deri më tani kanë paguar obligimet e tyre me rregull ndaj shtetit dhe janë dëshmitarë se si tash e 13 vjet shteti merr nisma për shlyerjen e borxheve, mund të ndalojnë së paguari obligimet.

Falja e borxheve të qytetarëve dhe bizneseve ndodh edhe në vendet e tjera. Në vitin 2015, Kroacia mori masa për ta falur borxhin për kategoritë më të varfra të shoqërisë, për ta siguruar asisoj një "fillim të ri" për borxhlinjtë dhe për ta ndihmuar ekonominë. Për dallim nga Kosova, Kroacia piketoi qytetarët më në nevojë, specifikisht familjet që kanë të hyra mujore jo më të mëdha se 350 euro, nuk kanë kursime apo prona dhe kanë borxhe deri në 4.800 euro. Në vitin 2014, Qeveria e Maqedonisë, në bashkëpunim me kompani të shërbimeve publike dhe banka, ndërmori iniciativë për shlyerjen e borxheve të qytetarëve të akumuluara deri në fund të vitit 2013, ku në fokus ishin kryesisht të varfrit e të papunët. Në këmbim të anulimit të borxheve, qeveria u ofroi kompanive pushime tatimore vjetore.

Ditëve të fundit kam parë shprehje pakënaqësish të pronarëve të bizneseve dhe qytetarëve të ndërgjegjshëm, të cilët gjithnjë kanë paguar tatimet me rregull dhe kanë respektuar masat antiCOVID. Dhe, me të drejtë, shteti duhet të krijojë iniciativa për taksapaguesit e rregullt dhe jo t’i shpërblejë ata që në vazhdimësi thyejnë ligjet, apo ata që njihen në anglisht si “free riders” – ata që përdorin shërbimet publike për të cilat paguajnë të tjerët.

Falja e borxheve duhet të jetë e njëhershme dhe të krijojë një prerje me të kaluarën. Por, nuk duhet të jetë praktikë e vazhdueshme që vazhdon me dekada, ashtu siç është duke vepruar shteti i Kosovës tash e 13 vjet.