Etnofiletizmi, shndërrimi i kishës në instrument të nacionalizmit serb, është njëri prej problemeve themelore të Kishës ortodokse serbe dhe të marrëdhënieve të kësaj kishe me popujt e tjerë. Këtij problemi, të rëndë më vete, patriarku Porfirije i dha peshë shumë më të madhe shtesë duke e vënë në një dimension gjeopolitik, të cilin besimtarët dhe klerikët e devotshëm serbë ortodoksë nuk besoj se do ta kërkonin, e ai është roli i një pararoje ideologjike të shtrirjes së botës ruse në Ballkanin Perëndimor
1.
Patriarku i Kishës ortodokse serbe, Porfirije, një ditë pasi vizitoi Kosovën dhe kreu shërbesën kishtare të Pashkëve, shkoi në një vend krejt tjetër për një kremte të jashtëzakonshme të Pashkëve në Moskë, me presidentin rus Putin dhe patriarkun e Kishës ortodokse ruse, Kirill.
Po të kishte shkuar të takohej me Putinin në Moskë si zyrtar i lartë i SNS, partisë në pushtet në Serbi , do të ishte skandal më vete. Jo për vetë takimin, sepse të këtilla ka pasur në të kaluarën nga zyrtarë të lartë serbë, por për shkak të përmbajtjes. Zyrtari i lartë i supozuar i SNS, Porfirije Periq, i deklaroi presidentit Putin: “Populli serb e shikon popullin rus si në një popull të vetëm. Ndonjëherë mund të ndodhë që shpresa e serbëve të jetë e madhe, një shpresë që varet më shumë nga Rusia, politika ruse, sesa nga ajo serbe”. Pastaj shtoi: “Ne jemi mirënjohës për mbështetjen dhe qëndrimin tuaj në lidhje me Kosovën dhe Republikën Sërpska, dhe sigurisht me Malin e Zi - aty është populli ynë, kisha jonë”.
Dhe, për ta qartësuar pozicionin politik z.Porfirije Periq, zyrtar i lartë i supozuar i Partisë në pushtet, ceku se “Qëndrimi ynë sa i përket Kosovës, Republikës Sërpska dhe Malit të Zi mendoj dhe ndiej se varet edhe nga pozicioni i Federatës Ruse në nivel global” dhe “nëse do të ketë një demarkacion të ri gjeopolitik, të jemi afër në atë mjedis rus”, “në botën ruse”.
2.
Zyrtari i lartë i partisë në pushtet me këto fjalë do të hidhte poshtë qëndrimin zyrtar të presidentit të Serbisë, i cili është zotuar që Serbia të ishte në rrugën e integrimit në BE, zotimit që të respektojë Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, zotimit të respektimit të tërësisë tokësore dhe sovranitetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe të respektimit të sovranitetit dhe pavarësisë së Malit të Zi. Asnjëri prej këtyre shteteve - përfshirë formalisht as Serbinë - nuk ka shprehur dëshirën që të jetë pjesë e “botës ruse”.
Një deklarim i këtillë, nga një person i afërt me presidentin e Serbisë, duhet të jetë brengosës për tërë arkitekturën politike e të sigurisë në Evropë, e në veçanti në Ballkanin Perëndimor. Porfirije Periq është zyrtari më i lartë i deritanishëm i Serbisë që ka ftuar Rusinë e Vlladimir Putinit që të përfshijë pjesë të konsiderueshme të popujve e shteteve të Ballkanit Perëndimor në sferën e vet të interesit. Një thirrje e këtillë mund të jetë e paprecedent edhe në shekullin XX dhe është e krahasueshme vetëm me periudhën e gjysmës së shekullit XIX, kur thirrje të këtilla i bëheshin Rusisë cariste.
3.
Por, kjo është gjysma e së keqes.
Porfirije Periq mund të funksionojë si funksionar i supozuar i partisë në pushtet, por titulli zyrtar i tij është ai i Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, dhe fjalët e tij marrin peshë shumë më të madhe.
Paraqitja e patriarkut Porfirije në Moskë ishte shprehja më eklatante e keqpërdorimit të Kishës për qëllime politike. Porfirije ishte shumë afër politikës nacionaliste serbe dhe shumë larg, tepër larg, Ungjillit.
Ai në një moment u deklarua se e konsideronte Putinin “atu të botës ortodokse”, që është krejtësisht në kundërshtim me doktrinën kishtare që dënon idhujtarinë (“Mos u besoni princave, as bijve të njerëzve – tek ata s’ka shpëtim.” (Psalmi 146:3).
Në tjetrin, përcakton territor dhe etni që duhet të vihen në mbrojtje të Kishës (serbo-ruse). Pra, në momentin kur Porfirije flet për Kosovën, Malin e Zi e Bosnjë-Hercegovinën, si zyrtar partiak, ai thyen rregullat botore, por si patriark ai i thyen rregullat e Jezu Krishtit dhe të kishave të tij. Sepse ky është ndër parimet themelore të Ungjillit mbi vlerën universale të tij ku “Nuk ka më hebre apo grek, rob apo i lirë… të gjithë jeni një në Krishtin.” (Galatasve 3:28).
Ajo çka ndodhi më Moskë është njëra prej çështjeve më të rëndësishme të trajtuara në debat teologjik ortodoks. Në debatin rreth natyrës universale të krishterimit Sinodi i Kostandinopojës më 1872 ka përcaktuar se përpjekja për shndërrim të fesë në identitet kombëtar - lidhjen që e bën patriarku Porfirije me shtrirjen gjeografike dhe etnike serbe - quhet etnofiletizëm dhe konsiderohet herezi.
4.
Etnofiletizmi, shndërrimi i kishës në instrument të nacionalizmit serb, pos që është herezi, është njëri prej problemeve themelore të Kishës ortodokse serbe dhe të marrëdhënieve të kësaj kishe me popujt e tjerë, posaçërisht një trashëgimi e rëndë nga luftërat e ish-Jugosllavisë.
Këtij problemi, të rëndë më vete, patriarku Porfirije i dha peshë shumë më të madhe shtesë duke e vënë në një dimension gjeopolitik, të cilin besimtarët dhe klerikët e devotshëm serbë ortodoksë nuk besoj se do ta kërkonin, e ai është roli i një pararoje ideologjike të shtrirjes së botës ruse në Ballkanin Perëndimor.
Patriarku Porfirije kështu nuk veproi si pasues i Krishtit, por si përfaqësues i një sistemi që kërkon ta nënshtronte Krishtin për interesa tokësore. Ai nuk predikoi dashuri, nuk predikoi pendesë, as thirrje për paqe. Ai predikoi forcë, aleancë dhe kufij.
Zyrtari i lartë partiak, Porfirije Periq, dhe patriarku Porfirije, dy role në një, fituan të tretin, atij të ushtarit të devotshëm të Vladimir Vladimiroviq Putinit. Të tre rolet në një u ngritën kundër të gjithë ne evropianëve, doktrinës teologjike të Kishës së vet e në fund edhe kundër Jezu Krishtit.