E përbashkëta e një programi partiak, një programi zgjedhor dhe një programi qeverisës
Në programin e partisë NISMA, e cila tashmë mban një hise të konsiderueshme të pushtetit në Qeverinë Haradinaj, thuhet se kjo parti është parti e orientimit të majtë. NISMA i vë obligim vetes për të hapur një rrugë nga ardhmëria, ngase “këtë ua kemi borxh fëmijëve tanë të mrekullueshëm”. Në këtë program, i cili mban nënshkrimin e kryetarit të partisë, z.Fatmir Limaj, thuhet se NISMA do të angazhohet për t’ia garantuar secilit “të drejtën për të dashur veten”. Kjo parti shpreh një orientim të qartë pro evropian, ngase “rrugën drejt saj na e hapën rilindësit mendjendritur, të cilën po na e mohojnë infektuesit e ideologjive të lindjes”. Sipas NISMA-s, “kërkimi i Evropës në meset më të varfra të jetës sonë kulturore, ku rrallëherë fryn ndonjë fllad i lehtë, e ku ligjin e bëjnë të pakulturuarit, është sikur të ‘prashitësh në ujë’”.
Si parti socialdemokrate, NISMA i kushton rëndësi të madhe papunësisë dhe varfërisë. Për këtë parti, “varfëria është ulur këmbëkryq në mesin tonë”. Për NISMA-n, “vetëm me punë dalim në dritë, dhe se kërkesa jonë duhet të jetë ajo e rilindësve për ‘punë, punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë’”. Sipas programit të partisë, “NISMA duhet të ndahet qartazi e pa ekuivokë nga politika e shurdhër që nuk ka veshë e sy t’i dëgjojë e t’i shikojë drejt në sy hallet dhe kërkesat e shqiptarëve, që s’ka guxim e as gojë që t’u flasë njerëzve për problemet e përditshmërisë së tyre haptas e çiltas”. Sipas kësaj partie, fuqia e Kosovës qëndron tek “njerëzit tanë inteligjentë dhe tek begatitë tona tokësore e nëntokësore”. NISMA, synon “politikë me fjalë të thjeshta dhe kthimin e besimit tek bijtë e vet të politikës, ngase partitë politike klienteliste po ia zënë frymën popullit tonë liridashës”.
Në rrafshin ekonomik, kjo parti synon luftimin e “kapitalizmit banditesk”. Kjo parti ka menduar edhe për mediat. “NISMA do t’i ndihmojë mediat e shkruara dhe elektronike për t’u shprehur, për të shkruar e folur lirshëm, drejt e në mënyrë profesionale, për të thënë me guxim e kompetencë fjalën e lirë si dhe hulumtimin e lirë të medias”, thuhet në programin e kësaj partie.
***
Bazuar në këtë program, tani NISMA drejton tri ministri të rëndësishme dhe mban një nga pesë postet e zëvendëskryeministrit. Tani, “fëmijët tanë të mrekullueshëm” do të jenë edhe më të mrekullueshëm, ngase Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë udhëhiqet nga NISMA. Tani, “kapitalistët banditeskë” duhet të kenë kujdes, ngase kjo parti udhëheq me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Tani, “varfëria nuk mund të rrijë më këmbëkryq” në mesin e “popullit liridashës”, ngase NISMA udhëheq me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Tani, “nuk do të prashisim në ujë” dhe “politika do të ketë sy e veshë”, ngase zëvendëskryeministër i Kosovës është kryetari i NISMA-s.
***
Programi zgjedhor i partnerit tjetër të koalicionit, Partisë Demokratike të Kosovës, vazhdon me premtime të cilat synojnë shkapërderdhjen e të gjitha strukturave shtetërore. Në çdo palë zgjedhje, oferta zgjedhore e kësaj partie është një mori komunash të reja në secilën komunë ekzistuese, një mori universitetesh të reja publike në secilën qendër të madhe urbane, një mori të zonave ekonomike në secilën komunë. Në zgjedhjet e fundit, radha ishte për një mori fondesh publike. Në një dokument të emërtuar “99 veprime konkrete”, PDK-ja premton tetë skema të veçanta financimi: një fond për sigurimin e produkteve bujqësore, një fond 200 milionë eurosh për sigurimin e kredive; një fond për përkrahjen e rinisë dhe gruas; një fond për teknologjinë e informacionit; një fond për barazi gjinore; një fond për financim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme; një skemë për financimin e eksportit; një skemë financuese për zhvillimin e ndërmarrjeve vendore.
Pjesë e pandashme e programeve zgjedhore të kësaj partie është edhe rritja vjetore prej 8%, ani pse asnjëherë në këto gati dhjetë vjet qeverisje nën këtë parti nuk është arritur kurrë ky nivel zhvillimi. Po ashtu, PDK-ja premtonte sërish rritje të pagave për 30% në sektorin publik, madje edhe subvencionimin e pagave në sektorin privat. Nëse PDK-ja do të bënte politikë “me fjalë të thjeshta” sikurse NISMA, atëherë do të premtonte se “do të ngufatë bizneset me paga, me qëllim të krijimit të të hyrave, të cilat na mundësojnë rritjen e pagave në sektorin publik, dhe me të njëjtat taksa të bizneseve ne ua subvencionojmë pagat të punësuarve në sektorin privat”.
***
Fjalori i kryeministrit Haradinaj edhe ashtu nuk lejon qeverisje me fjalë të tjera, përveçse me ‘fjalë të thjeshta’. Në fillim të kësaj jave, Qeveria Haradinaj aprovoi programin e saj qeverisës për vitet 2017-2021. Për dallim nga programi i NISMA-s, i cili është aq i thjeshtë sa është komik, programi i Qeverisë është aq i thjeshtë, saqë është banal. Programi bën një përmbledhje të të gjitha aktiviteteve të ministrive, të cilat tregojnë se si në mandatin e ardhshëm katërvjeçar do të vazhdojnë punët e mbetura përgjysmë nga Qeveritë e kaluara. Të atyre qeverive, të cilat Qeveria aktuale i vlerëson si të dështuara. Nëse do të duhej të përmblidhej në një fjalë i tërë programi qeverisës i Qeverisë Haradinaj, atëherë ky program do të duhej të emërtohej “Vazhdojmë”. Në programin e Qeverisë Haradinaj parashihet vazhdimi i punës së termocentraleve, vazhdimi i aktiviteteve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, vazhdimi i programeve në bujqësi, vazhdimi i punëve në bashkëpunim me komuna, vazhdimi i negociatave me CEFTA-n, vazhdimi i projekteve rrugore, e shumë e shumë vazhdime të tjera.
Në programin qeverisës nuk është përfshirë premtimi zgjedhor për rritje ekonomike prej 8% në vit, por është “reduktuar” në 5-7%. Por në program janë përfshirë premtimet e PDK-së për disa nga fondet, si fondi i vetëpunësimit, fondi për nxitje të inovacioneve, fondi i TIK-ut. Sipas programit, me inovacione do të merret Ministria e re për Inovacione, por edhe Ministria e Arsimit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Në program ka gjetur vend edhe premtimi i NISMA-s, për punësimin e një anëtari nga çdo familje. Sesi do t’ia arrijë Qeveria që të bindë bizneset që të marrin në punë dikë vetëm pse ajo familje nuk ka askënd të punësuar, kjo nuk thuhet në program.
***
Koalicioni aktual qeverisës edhe mund të bëjë politikë më ‘fjalë të thjeshta’, ngase edhe ashtu fjalori i shumë anëtarëve të Qeverisë nuk premton më shumë. Por, me këso programesh partiake e qeverisëse, krejt çfarë na garanton politika është të urrejmë veten. Të urrejmë veten se si qytetarë të këtij vendi, lejojmë të qeverisemi nga njerëz të ligë, kapaciteti i të cilëve është realizimi i qëllimeve të liga.