Duhet një qasje krejtësisht e re në qeverisjen ekonomike, veçanërisht në promovimin e investimeve, duke u fokusuar në futjen e Kosovës në orbitën e ndërmarrësisë gjermanofolëse përmes një shënjimi të mençur të këtyre tregjeve dhe përmes një oferte të re të shërbimeve profesionale për investitorët, larg ndikimit të politikanëve.
VJENË, 30 SHTATOR 2018 – Mund të thoni se cili ka qenë investimi i huaj më serioz në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë? Cili investitor i huaj e me nam ka zbarkuar në tregun e Kosovës për të krijuar qindra apo mijëra vende pune, siç po ndodh në vendet e rajonit? Cilat produkte e shërbime të reja po ofrohen në treg apo po eksportohen si rezultat i këtyre investimeve?
Në kohën kur në botë po ndodhin zhvillime dhe lëvizje të mëdha në sektorin e investimeve të huaja, Kosova, e zhytur në probleme të vetëshkaktuara, mbetet edhe më tej në periferi të vëmendjes së investitorëve. Një nga këto lëvizje ka të bëjë pikërisht me rajonin. Disa nga rreth 7 mijë ndërmarrjet gjermane që veprojnë në Turqi kanë filluar të tërheqin kapitalin e vet nga ky vend. Vetëm gjatë tre muajve të fundit ato kanë kthyer mbi 4.6 miliardë euro në bankat gjermane.
Për shkak të pasigurisë politike dhe krizës së lirës ato tani po kërkojnë mundësi të reja për orientim të investimeve, kryesisht në tregjet e Evropës dhe të Afrikës Veriore. Me fuqinë e lirë punëtore, qasjen e lirë në tregun e BE-së, infrastrukturën rrugore të përmirësuar, euron si valutë zyrtare etj. Kosova është në pozitë të favorshme për të tërhequr disa nga këto projekte.
Por kriza politike disavjeçare, që ka kulmuar me rihapjen e statusit dhe çështjes së kufijve, krahas shkallës së lartë të korrupsionit dhe mungesës së promovimit, është bërë pengesë serioze që kjo të bëhet realitet. Se investitorët gjermanë kanë qenë të interesuar për tregun e Kosovës, kjo ishte parë kur disa nga ndërmarrjet më të mëdha gjermane i patën hyrë garës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Një interesim i veçantë ishte vërejtur edhe në sektorin e prodhimit të pjesëve për automobilë. Shpallja e pavarësisë me 2008 kishte eliminuar barrierën e fundit juridikopolitike drejt gjenerimit të investimeve të huaja, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e uljes së papunësisë.
Me kohë ishin ndërtuar edhe koncepte të qarta – zaten jo nga Qeveria – se si përmes tërheqjes së disa investimeve serioze do të arrihej efekti sinjalizues për investitorët e mëdhenj se Kosova ishte e hapur dhe e gatshme për biznes. Këto koncepte, hartues i të cilave ishte edhe autori i këtyre rreshtave, kishin tërhequr vëmendjen e kompanive gjermane, të cilat patën filluar të konsideronin bartjen e një pjese të linjave të prodhimit në Kosovë në sektorët që kërkojnë krah intensiv të punës. Për vendin tonë ato pritej të sillnin zhvillim ekonomik, ulje të varfërisë, ulje të papunësisë dhe rritje të eksporteve.
Para së gjithash investimet do të ishin dëshmia më e mirë për suksesin e shtetit të ri të pavarur. Por në momentin kur këto kompani u përballën me politikën, procesi u shua në embrion. Për shembull, një prodhues gjerman i pjesëve automobilistike planifikonte qysh në javët e para pas shpalljes së pavarësisë hapjen e të paktën 500 vendeve të reja të punës, për t’i shtuar edhe 3 mijë të tjera më vonë. Papritmas, ky investitor u detyrua të ndryshojë planet brenda natës dhe të zhvendoset në një vend fqinj. Shpjegim publik për këtë nuk pati, zaten investitori as nuk ishte i obliguar të jepte shpjegime.
Por me kohë u mësua se autoritetet e vendit fqinj kishin qenë shumë më bashkëpunuese, profesionale dhe përkrahëse. Kështu, dështimi i Kosovës për të tërhequr dhe mbajtur investitorë seriozë u bë suksesi i të tjerëve. Që nga viti 2008 kompanitë e sektorit të prodhimit të autopjesëve kanë krijuar mbi 20 mijë vende të reja pune në Maqedoni dhe në Serbi. Së fundmi një investitor gjerman ka hapur fabrikën e tij të katërt në Serbi në vlerë prej 60 milionë eurosh, ku do të punësojë edhe rreth 5 mijë veta. Investimet gjermane në ndërkohë i kanë hapur rrugën edhe ndërmarrësve jashtë Evropës. Për shembull, një kompani nga Koreja e Jugut po investon aktualisht rreth 35 milionë euro në hapjen e dy fabrikave të reja në Serbi, që do të punësojnë të paktën 1 mijë veta. Kompani të tjera botërore nga ky sektor kanë rritur cilësinë e investimeve, duke hapur qendrat e tyre të hulumtimit dhe zhvillimit.
Kjo tregon se rajoni po bëhet gjithnjë e më atraktiv, jo vetëm për krahun e lirë të punës, por edhe për profesionistët që ofron. Vetëm në vitin e fundit Serbia ka arritur të tërheqë mbi 2.6 miliardë euro investime të huaja, ndërsa vetëm nga janari deri në maj të këtij viti edhe 1.2 miliardë euro të tjera. Sa për krahasim, Kosova në vitin e kaluar ka arritur të tërheqë jo më shumë se 288 milionë euro. Mbetja e Kosovës larg këtyre trendëve pozitivë të rajonit, dëshmohet edhe me faktin e përmendur më lartë se gjatë viteve të fundit nuk është regjistruar asnjë investim serioz dhe asnjë investitor ndërkombëtar me peshë nuk ka ankoruar në Kosovë.
Prandaj, edhe numri i vendeve të hapura të punës dhe struktura e eksporteve vazhdojnë të mbeten gati të pandryshuara. Nëse analizohet më detajisht struktura e investimeve të huaja tek ne, del se ajo dominohet nga investimet në sektorin e paluajtshmërive. Kjo nuk do të thotë asgjë tjetër, përpos se diaspora nuk është duke dërguar vetëm para, por po vazhdon të blejë banesa, toka e shtëpi. Pasi që transferet për këto shitblerje bëhen kryesisht nga jashtë, ato figurojnë si investime të huaja. Këto investime sigurisht që kontribuojnë në mbarëvajtjen e sektorit të ndërtimtarisë, por nuk janë të qëndrueshme dhe produktive në afat të gjatë.
Tani kur pritet të ndodhë liberalizimi i vizave, sigurisht se një pjesë e konsiderueshme e fuqisë punëtore do ta lëshojë vendin në kërkim të mundësive më të mira. Kjo do të sjellë rënie të konsumit në vend, por edhe rënie të atraktivitetit për investime të huaja, si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore të lirë e të kualifikuar. Gjendja do të vazhdojë të përkeqësohet, për aq sa themelet e shtetit të Kosovës do të vazhdojnë të lëkunden e të pasqyrohemi si një storie e papërfunduar.
Ekonomisë i duhet një përshpejtim i reformave për një ambient të favorshëm për investime e biznes, në radhë të parë përmes rritjes së stabilitetit politik, forcimit të legjitimitetit shtetëror e të sundimit ligjor dhe përmes një sistemi gjyqësor krejtësisht të pavarur e efikas. Duhet edhe një qasje krejtësisht e re në qeverisjen ekonomike, veçanërisht në promovimin e investimeve, duke u fokusuar në futjen e Kosovës në orbitën e ndërmarrësisë gjermanofolëse përmes një shënjimi të mençur të këtyre tregjeve dhe përmes një oferte të re të shërbimeve profesionale për investitorët, larg ndikimit të politikanëve.