OpEd

Polarizimi shoqëror dhe mungesa e përgjegjësisë politike në Kosovë

Në një shoqëri demokratike, ku debati publik dhe pluralizmi politik janë themeli i zhvillimit, polarizimi shoqëror mund të kthehet në një barrë të rëndë, që ndalon progresin dhe ndikon negativisht në mirëqenien e përgjithshme. Fakte të tilla në shoqërinë kosovare ka mjaftueshëm. Shoqëria kosovare, duke kaluar nëpër faza të rëndësishme të tranzicionit politik, ekonomik dhe social, vazhdon të përballet me polarizim të thellë dhe një mungesë të përgjegjësisë politike për të adresuar këtë sfidë. Gjithë çka kontestohet. Të gjithë e kanë mirë dhe njëkohësisht të gjithë nuk e kanë mirë. 

Disa nga pasojat e polarizimit shoqëror në Kosovë janë: mungesa e gjuhës së kujdesshme politike, rritja e debateve ad hominem dhe mungesa e vizionit politik për reforma dhe progres. Kjo gjendje po dekurajon dhe demotivon të rinjtë e talentuar për fusha të ndryshme, sidomos në shkencë, dhe atyre nuk u mbetet zgjedhje tjetër përveç ikjes nga vendlindja.

Polarizimi shoqëror si pengesë për unitetin dhe zhvillimin

Polarizimi shoqëror në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese, duke u shprehur jo vetëm në ndarjet partiake, por edhe në segmentet e tjera të jetës shoqërore. Rrjetet sociale, mediet dhe debatet publike shpesh përforcojnë këto ndarje, duke krijuar një klimë ku bashkëpunimi dhe dialogu shihen si shenja dobësie. Kjo ndikon në prishjen e harmonisë shoqërore dhe redukton mundësinë për të ndërtuar politika dhe reforma gjithëpërfshirëse. Kjo do të stabilizohej në afatgjatë vetëm me një riorganizim të sistemit edukativo-arsimor.

Në një shoqëri kaq të polarizuar është e vështirë të identifikohen zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e rëndësishme kombëtare. Grupi dominues shpesh përpiqet të përjashtojë ose të delegjitimojë grupet e tjera, duke ndarë shoqërinë në "ne" dhe "ata". Ky mentalitet nuk u shërben interesave afatgjata të Kosovës, por vetëm atyre afatshkurtra partiake.

Mungesa e gatishmërisë për vetëdijesim politik

Një nga problemet kryesore që përkeqëson polarizimin është mungesa e vetëdijesimit të partive politike. Në vend të reflektimit për gabimet e tyre dhe krijimit të një programi politik që ofron zgjidhje të mirëfillta, partitë shpesh fokusohen në ruajtjen e pushtetit përmes retorikës ndarëse dhe sulmeve ndaj kundërshtarëve.

Vetëdijesimi politik kërkon një qasje të ndershme dhe të përgjegjshme ndaj qytetarëve. Politikanët duhet të pranojnë se politika nuk është vetëm një garë për pushtet, por edhe një garë për të marrë përgjegjësi për të përfaqësuar interesat e popullit dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë. Në Kosovë, kjo qasje është e munguar, duke i lënë qytetarët të zhgënjyer dhe me pak besim në sistemin politik. Prandaj ka lëvizshmëri ekstreme të ndryshimit të bindjeve politike – elektorale.

Gjuha politike: nga kujdesi te sulmet personale

Gjuha politike e përdorur nga shumë liderë në Kosovë shpesh mungon në kujdes dhe maturi. Në vend të fokusimit në ide dhe politika konkrete, shumë debate politike degjenerojnë në sulme personale dhe akuza të pabaza, të njohura si sulme ad hominem.

Kjo qasje është jo vetëm joproduktive, por edhe destruktive për shoqërinë. Kur liderët politikë përdorin gjuhë fyese ose përçmuese, ata dërgojnë një mesazh të gabuar te qytetarët, duke normalizuar sjellje të tilla edhe në nivel shoqëror. Kur lideri institucional me mbi pesë vite udhëheqje të institucionit kryesor të qeverisjes, Kuvendit, deklaron se, nuk besoj që në shoqërinë tonë gjendet një person me integritet për të udhëhequr Prokurorinë e Shtetit, atëherë çka mund të besojnë dhe mendojnë qytetarët që, çdo ditë mendojnë se si të ikin nga vendi. Si pasojë, qytetarët fillojnë të imitojnë këtë model komunikimi, duke kontribuuar më tej në ndarjet shoqërore dhe duke zvogëluar hapësirat për dialog konstruktiv.

Një gjuhë politike e kujdesshme, e bazuar në argumente dhe respekt për kundërshtarin, është thelbësore për të krijuar një shoqëri të shëndetshme demokratike. Fatkeqësisht, mungesa e kësaj qasjeje në politikën kosovare ka pasoja afatgjata për kulturën politike të vendit. Kritikës i ka humbur kuptimi dhe çdo ditë që kalon kuptohet si kundërshtim, pastaj kundërshtimit i duhet kundërvënë pamëshirshëm me më shumë kundërshtim.

Debati ad hominem dhe ndikimi në shoqëri

Debati ad hominem, ku sulmet personale zëvendësojnë diskutimet mbi çështjet reale, ka një ndikim të thellë në shoqërinë kosovare. Ky lloj debati, jo vetëm që largon vëmendjen nga çështjet e rëndësishme, por krijon një klimë të mosbesimit dhe armiqësisë midis individëve dhe grupeve të ndryshme.

Kur debati publik përqendrohet tek individët dhe jo tek idetë, qytetarët ndihen të papërfaqësuar dhe të zhgënjyer. Kjo dëmton besimin në institucionet demokratike dhe shton cinizmin ndaj politikës. Për më keq e shton urrejtjen ndaj politikës dhe fjalës politikë, sepse të njëjtën e ngatërron me partinë dhe fjalën parti. Debati ad hominem shpesh çon në thellimin e stereotipave dhe paragjykimeve, duke e bërë më të vështirë krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.

Mungesa e vizionit politik për reforma dhe progres

Problem shqetësues në politikën kosovare është mungesa e një vizioni afatgjatë për reforma dhe progres shoqëror. Shumë prej partive politike fokusohen kryesisht në çështje afatshkurtra, duke e lënë pas dore nevojën për reforma strukturore dhe politike që mund të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Ndjekin politika ad-hoc që i ngjasojnë administrimit të gjendjes momentale.

Reformat në arsim, drejtësi, ekonomi dhe administratë publike janë thelbësore për të krijuar një shoqëri të qëndrueshme dhe të drejtë. Megjithatë, mungesa e një vizioni të qartë dhe angazhimit për këto reforma ka bërë që shumë prej këtyre fushave të degradojnë më tej.

Për shembull, sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të përballet me sfida serioze, duke përfshirë mungesën e transparencës, efikasitetit dhe pavarësisë. Pa një qasje të koordinuar dhe të qëndrueshme për reformimin e këtij sistemi, është e vështirë të garantohet sundimi i ligjit dhe drejtësia për të gjithë qytetarët. Vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve paragjykohen dhe komentohen nga politikanët. Kjo është shqetësuese. Është e çuditshme se si mund të flitet për shtet të së drejtës kur mungon sundimi i ligjit. Kjo pa dyshim se e krijon kulturën e vërsuljeve të politikanëve ndaj drejtësisë, kulturë që po shënon rritje në shoqërinë tonë, dhe kjo rezulton me demotivim edhe të pak atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë integritet personal dhe profesional.

Rruga përpara: Bashkëpunimi dhe përgjegjësia

Për t’i adresuar këto sfida, është thelbësore që liderët politikë të angazhohen për një kulturë të re politike, të bazuar në dialog, respekt dhe bashkëpunim. Politika nuk duhet të jetë një lojë e fitores me çdo kusht, por një përpjekje e përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.

Duke kërkuar llogaridhënie dhe duke votuar për kandidatë që ofrojnë zgjidhje reale dhe vizion afatgjatë, qytetarët mund të ndihmojnë në ndryshimin e kulturës politike në Kosovë. Edhe për këto zgjedhje të 9 shkurtit më së vështiri do të jetë zgjedhja e duhur, por, zgjidhje më e mirë është përzgjedhja e kandidatit – kandidatëve më të mirë, dhe kjo me shërbyer si kriter përcaktues pastaj për të votuar edhe për partinë, sepse logjika e përcaktimit së pari, për partinë, pastaj për kënd të thonë ka dalë shumë keq deri më tani, sidomos prej 2019 e këndej ku secila legjislaturë ishte më e dobët se tjetra.

Në përfundim, polarizimi shoqëror dhe mungesa e përgjegjësisë politike janë sfida serioze për shoqërinë kosovare. Megjithatë, me një angazhim të përbashkët për dialog, reforma dhe vizion afatgjatë, është e mundur të krijohet një shoqëri më e drejtë, më e bashkuar dhe më e zhvilluar.

(Autori është profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)