OpEd

Po garoj nga qelia e burgut për president të Turqisë

Turqia tani e kupton se ndëshkimi kolektiv i kurdëve në periferinë juglindore lidhet me liritë dhe kulturën demokratike anembanë vendit. Çka ishte kufizuar për kurdët, është shndërruar në normë edhe për kundërshtarët e Erdoganit tjetërkund. Shpresa e vetme për të ardhme demokratike dhe liberale bazohet në bashkimin tonë për të mposhtur regjimin autoritar

Edirne, Turqi – Turqia do të votojë në zgjedhje presidenciale dhe parlamentare më 24 qershor. Unë jam një prej gjashtë kandidatëve që garojnë për president. Unë po garoj nga qelia ime e burgut.

Po shkruaj prej një burgu të sigurisë maksimale në Edirne, qytet në Turqinë Veriperëndimore, afër kufirit me Bullgarinë. Jam arrestuar para tetëmbëdhjetë muajsh, sa isha deputet i Parlamentit turk dhe bashkëdrejtues i Partisë Popullore Demokratike, të njohur si HDP, për të cilën kishin votuar gjashtë milionë votues në zgjedhjet e fundit.

Më burgosën mua këtu, sepse Edirne është larg prej vendlindjes, familjes dhe miqve të mi në rajonin juglindor kurd të vendit. Shoku i dhomës është, si puna ime, deputet i Parlamentit.

Gjatë gjashtë muajve të kaluar kemi dëgjuar zhurmë të padurueshme ndërtimtarie. Një burg i ri i madh po ndërtohet afër tonit. Gjendje e jashtëzakonshme u shpall në Turqi pas përpjekjes së dështuar për grusht shtet më 2016, dhe brigjet ekzistuese janë zgjeruar përtej mundësive të veta. E drejta për fjalën e lirë dhe mbledhjen e lirë është hequr, dhe numri i njerëzve të rëndomtë të burgosur është rritur dita-ditës.

Qeveria turke e prirë prej Partisë Drejtësi dhe Zhvillimit të Recep Tayyip Erdoganit, e njohur si AKP, ua ka kthyer shpinën vlerave demokratike universale dhe ka çuar vendin në prag të krizës ekonomike dhe politike.

Me përjashtim të presidentit Erdogan, të gjithë bashkëkandidatët kanë deklaruar se duhej të lirohesha. Ata i lënë anash diferencat ideologjike dhe më dalin në krah, sepse e dinë se Qeveria po më mban për shkak që të fitojë terren dhe jo për shkak se kam kryer ndonjë krim. Ata e dinë se po të isha i lirë, mundësitë e Erdoganit për t’i fituar zgjedhjet do të ishin larg më të vogla. Ata e dinë se pavarësisht se kush fiton, burgosja e një kandidati presidencial do të lërë në hije legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.

Jam në mesin e dhjetëra mijëra disidentëve që janë shënjestruar prej masave ndëshkuese të normalizuara në gjendje të jashtëzakonshme. Qeveria deri tani ka nisur 102 hetime dhe ka ngritur 34 raste të ndara kundër meje në gjykata. Nëse do të dëgjohej fjala e prokurorisë, atëherë do të dënohesha me 183 vjet burgim.

Akuzat kundër meje në aktakuzën e ngritur nga prokurorët bazohen krejtësisht në fjalime dhe deklarata të mia politike. Sikur sistemi turk i drejtësisë nuk do të futej nën sqetull të presionit të Qeverisë dhe nëse do t’i qëndronte ligjit. Pas arrestimit, nuk më është organizuar asnjë seancë dëgjimore në gjykatë për më shumë se një vit. Hetimet kanë qenë të padrejta. Arrestimi im ishte vendim politik. Unë mbetem peng politik.

Vetëm lufta demokratike e popullit për lirinë e tij do ta çlirojë Turqinë nga autoritarizmi dhe frika, dhe do t’i çlirojë institucionet e saj – drejtësinë dhe shtypin – nga kontrolli qeveritar.

Më është privuar e drejta për të mbajtur tubime elektorale dhe të komunikoj drejtpërdrejt me popullin. Burrat dhe gratë e HDP-së po bëjnë fushatë me vendosmëri të madhe. Komunikoj me ju dhe botën përtej mureve të burgut nëpërmjet mesazheve që i përçojnë avokatët e mi. U adresohem njerëzve nëpërmjet llogarive sociale të këshilltarëve të mi që po më ndihmojnë.

Llogaria ime në “Twitter” është joaktive prej kohës së arrestimit. Kur nisën të shfaqeshin përsëri postimet e mia në shtator 2017, rojat e burgut u turrën që të inspektonin qelinë. Bastisja ishte masive. Kur i pyeta se çfarë po kërkonin, më thanë se ishin në kërkim të burimit të postimeve të mia.

Mjeti i vetëm i sofistikuar që gjetën në qelinë ishte një çajnik elektrik që e përdor për ta ngrohur ujin. Pasi e panë se nuk kisha si ta përdorja çajnikun për të postuar statuse në internet, gardianët ia mbathën. Pavarësisht prej absurditetit të incidentit, kjo tregon shumëçka për frikën e rrënjosur thellë që ngufat liderët autoritarë kur përballen me kundërshtarë që ngulmojnë pavarësisht persekutimit. Sa akute duhet të ketë frika e Erdoganit?

Gjatë tre vjetëve të kaluar, AKP-ja ka kryer një fushatë të pandalshme propagande me miratim të mediave për të minuar Partinë Demokratike Popullore duke portretizuar anëtarët tanë si “bashkëpunëtorë terroristë”. Megjithatë, votuesit dhe mbështetësit tanë nuk janë dorëzuar.

Në verën e vitit 2015, pas prishjes së procesit të paqes dhe rikthimit të konfliktit të armatosur në rajonet kurde juglindore të Turqisë, partia ime bëri çmos që të parandalonte konfliktin nëpërmjet procesit të dialogut. Ne do të mundë të gjenim më shumë shtigje efikase për të ndalur luftimet.

Por gjithçka ndryshoi pas zgjedhjeve të qershorit 2015, ku rezultati tregoi se partia e Erdoganit kishte humbur shumicën parlamentare. Qeveria e tij insistonte në ndërhyrje ushtarake, dhe ushtria turke lëvizi kundër rinisë kurde militante që kishte vendosur barrikada në disa qytete dhe qyteza.

Erdogani kërkonte ndëshkimin e kurdëve, që ia vodhën partisë së tij shumicën parlamentare, dhe të konsolidohej vota nacionaliste. Partia e tij i fitoi zgjedhjet e nëntorit 2015 dhe ai vazhdoi të intensifikonte pastaj konfliktin.

Zgjedhjet e ardhshme do ta përcaktojnë të ardhmen e Turqisë. Nuk ka asnjë gjasë që ndonjë kandidat që shmang mbështetjen e popullsisë kurde të Turqisë – rreth një e pesta e 81 milionë banorëve të Turqisë – dhe kërkesat e tyre, mund të fitojë.

Sundimi antidemokratik në Turqi burgos një parti politike që nuk fiton dhjetë për qind të votave nacionaliste nga përfaqësimi i saj në Parlament. Numri i deputetëve transferohet te partia që kalon pragun zgjedhor dhe ka numrin e dytë më të madh të votave.

Ne besojmë fort se do ta kalojmë pragun, por nëse dështojmë të marrim dhjetë për qind të votave, rreth tetëdhjetë ulëset tona parlamentare do të shkojnë për partinë e Erdoganit, që do t’i ofronte atij shumicë të rehatshme në Parlament dhe pastaj do të konsolidonte presidencën e tij ekzekutive. Në thelb, sundimi i AKP-së do të sigurohet padrejtësisht nëpërmjet votave të miliona qytetarëve kurdë të fragmentarizuar.

Erdogani dhe AKP-ja e tij në pushtet po përdorin gjendjen e shtyrë të jashtëzakonshme dhe masat e tjera për të siguruar se HDP-ja të mos fitojë dhjetë për qind të votave.

Mijëra vendvotime janë rilokuar në rajonin juglindor kurd, që do t’i detyrojë votuesit e fshatrave të udhëtojnë me kilometra nëpër postblloqe ushtarake për të votuar në vend se të votonin në fshatrat e tyre. Numër në ngritje i personelit të sigurisë po dërgohet nëpër qendra votimi në rajon, që do të mundë të përbëjë kërcënim për votuesit tanë.

Në një xhirim të Erdoganit duke iu drejtuar punëtorëve të partisë së tij që rrodhi në media javën e kaluar, ai theksonte rëndësinë e dështimit të HDP-së për ta kaluar pragun zgjedhor dhe u kërkoi atyre që të identifikonin mbështetësit e HDP-së dhe të “kryenin punë speciale”.

Turqia tani e kupton se ndëshkimi kolektiv i kurdëve në periferinë juglindore lidhet me liritë dhe kulturën demokratike anembanë vendit. Çka ishte kufizuar për kurdët, është shndërruar në normë edhe për kundërshtarët e Erdoganit tjetërkund. Shpresa e vetme për të ardhme demokratike dhe liberale bazohet në bashkimin tonë për të mposhtur regjimin autoritar.

(Autori është kandidat presidencial i Partisë Demokratike Popullore në Turqi. Shkrimi është botuar në prestigjiozen amerikane “New York Times”).