OpEd

Plani pesëvjeçar i Kinës për ecjen vetëm

Përparimi drejt vetëvarshmërisë tek gjysmëpërçuesit do të jetë një sprovë e rëndësishme për aftësinë e Kinës që t’i përmbushë synimet e saj të gjera. Suksesi i saj do të varet theksueshëm nga shtrirja e pranimit të kufijve të autoritarizmit mes liderëve, direktivave nga lart-poshtë dhe kontrollit shoqëror. Këto qasje, të cilat janë qendrore për stilin e qeverisjes së Xisë, kanë funksionuar mirë në frenimin e krizës me COVID-19. Por në një kohë kur ekonomitë digjitale dhe informative po bëhen përherë më të rëndësishme, një vend në nivelin e zhvillimit të Kinës e ka para vetes vetëm një rrugë të ecjes përpara nëpërmjet transparencës, hapjes dhe fleksibilitetit institucional

Takimi i sivjetmë i legjislaturës së Kinës, Kongresit Kombëtar të Popullit, ishte njëri prej më të rëndësishmëve i kohëve të fundit. Kina është duke u ballafaquar me ambientin më armiqësor të jashtëm ndër dekada, me një numër përherë më të madh të vendeve që po ngrihen kundër represionit të saj politik dhe diplomacisë shtrënguese. Dhe tani domosdoshmëria për riformësimin e modelit të saj zhvillimoro-ekonomik është bërë më urgjent se kurrë. Derisa liderët e Kinës kanë ndaluar së përmenduri të ashtuquajturin kurth të të ardhurave të mesme, vendosmëria e tyre për ta shmangur këtë kërcënim në ngritje është e qartë.

Për t’u përballur me sfidat pasuese, Kina po i kthen sytë nga Plani i saj i 14-të pesëvjeçar, i cili ishte aprovuar zyrtarisht në takimin e fundit. Plani supozohet të garantojë që Kina të vihet në shtegun e përmbushjes së synimit të saj madhor afatgjatë, të afirmuar gjithashtu në takim, për t’u shndërruar në një “shtet të modernizuar socialist – me të ardhura për kokë banori në nivel OECD-je – deri më 2035.

Fraza “Plan pesëvjeçar” mund të ndjellë mendimin për caqet e prodhimit dhe të kuotave për thëngjillin, çelikun apo grurin. Por Kina nuk ka lëshuar ndonjë lloj dokumenti në më shumë se 20 vjet. Me plot 140 faqe, Plani i 14-të pesëvjeçar përbën një gamë të gjerë të synimeve dhe caqeve ekonomike, sociale, teknologjike dhe mjedisore, krejt për formësimin e sjelljes së qeverive lokale, ndërmarrjeve, institucioneve dhe qytetarëve.

Sa për siguri, këtu nuk përcaktohen caqe të prodhimit të grurit. Megjithëkëtë, kjo është vetëm njëra pjesë e strategjisë larg më gjithëpërfshirëse që e reflekton theksin përherë më të madh në lidhjen midis ekonomisë dhe sigurisë kombëtare.

Për presidentin kinez, Xi Jinping, siguria kombëtare kërkon jo vetëm një ushtri të modernizuar (të cilën Kina planifikon që ta bëjë deri në dekadën e ardhshme) dhe “stabilitet të brendshëm shoqëror” (i cili ka qenë jetik për udhëheqjen e Xisë). Kërkon gjithashtu veprim në fushat si ushqimi dhe burimet natyrore, tregtia, zinxhirët e furnizimit dhe teknologjia.

Kjo është arsyeja pse Plani i ri pesëvjeçar përfshin caqe detyruese jo vetëm për shpenzimet ushtarake, por edhe për prodhimin e grurit, investimet në kërkime dhe zhvillim, dhe rritjen në sektorin digjital. Për më tepër, ai vendos caqe ambicioze për udhëheqjen kineze në sektorët më bashkëkohorë, siç janë inteligjenca artificiale, kompjuterika kuantike, gjysmëpërçuesit, neuroshkenca dhe gjenetika, si dhe hapësira, deti dhe hulumtimi polar.

Për sa i përket mjedisit, Plani përfshin caqe detyruese për reduktimin e emetimeve të CO2-shit dhe intensitetit energjetik për njësi prodhimi. Në këtë fushë, sidoqoftë, caqeve u mungojnë ambiciet, duke e vënë në dyshim aftësinë e Kinës për ta përmbushur synimin e saj të shpallur më herët për mbërritjen e pikut të emetimeve të gazeve serrë deri më 2030 dhe arritjes së zero emetimeve deri më 2060.

Çfarë Plani pesëvjeçar nuk përfshin, për të parën herë ndonjëherë, është një cak për rritjen e përgjithshme të GDP-së për këtë periudhë. Në vend të kësaj, Qeveria është zotuar që ta mbajë nivelin e rritjes vjetore “përbrenda një përqindjeje të arsyeshme” – e cila, sipas kryeministrit Li Keqiang, nënkupton “mbi 6 për qind” për 2021 – derisa synon që t’i përmbushë caqet jodetyruese për një sërë variabëlish të tjera ekonomike.

Kina do të përqendrohet në zbatimin e “strategjisë së saj të qarkullimit të dyfishtë”, sipas së cilës do ta reduktojë varshmërinë e saj nga kërkesa e jashtme, në favor të rritjes së varshmërisë nga vetvetja. Derisa Qeveria do të vazhdojë të vërë theksin tek eksportet, do ta rrisë gjithashtu zëvendësimin e importit dhe do të vendosë masa të mbrojtjes së zinxhirëve furnizues, sidomos kur kompanitë amerikane janë fuqimisht të përfshira. Ç’është më e rëndësishmja, Kina planifikon që ta nisë konsumin e brendshëm të mallrave që i prodhon. Shqetësimet në rrafshin e sigurisë pa dyshim se qëndrojnë në epiqendër të gjithë kësaj strategjie.

Qeveria e Kinës ka gjithashtu në plan që të ndërmarrë reforma në fusha të tjera vendimtare, ndonëse atyre rëndom u mungon kredibiliteti. Për shembull, autoritetet synojnë që ta nxisin ringjalljen rurale dhe ta luftojnë pabarazinë. Por kanë dështuar që t’i bëjnë disa prej intervenimeve vendimtare, siç janë rishpërndarja e të ardhurave dhe pasurisë, reformat në tatime dhe një rregullim i sistemit të fragmentuar dhe thellësisht të pabarabartë të mirëqenies sociale të vendit, e cila e pengon mobilitetin në sferën e punës. Për më tepër, nuk ekzistojnë dispozita për hapjen e industrive të shërbimit.

Një faktor i nënkuptuar i pabarazisë, të cilin Qeveria kineze po planifikon ta adresojë është sistemi i saj i regjistrimit të familjeve (hukou). Duke i ndërlidhur njerëzit me “vendlindjet” e tyre, ky sistem shpesh ua ka bllokuar punëtorëve emigrantë qasjen në arsimim, përkujdesje shëndetësore dhe në shërbimet e tjera shoqërore. Plani i ri pesëvjeçar synon që t’i shfuqizojë apo shlyejë kufizimet në qytetet e vogla dhe të mesme, dhe të paraqesë një sistem të pikëve në qytetet e mëdha.

Por, në të shkuarën, kostot e larta dhe rezistenca e fuqishme e kanë penguar rëndom reformimin hukou, me kufizimet e reja që i kanë zëvendësuar ato që janë hequr. Mbetet të shihet nëse e njëjta gjë do të ndodhë edhe kësaj radhe.

Qeveria e Kinës gjithashtu synon që ta trimërojë një “shkallë të denjë të natalitetit” për ta adresuar zvarritjen ekonomike në pritje, të shkaktuar nga mplakja e popullatës. Dhe ka edhe propozime për ngritjen e moshës së ulët statusore të pensionimit “në mënyrë fazore”. Që të dyja këto reforma janë më se të vonuara. Por planeve për zbatimin e tyre u mungojnë hollësitë.

Krejt në fund, Qeveria e Kinës do t’i kushtojë prioritet strategjisë së saj 1.6 biliardë dollarësh për shkencë dhe teknologji, me qëllim të arritjes së vetëvarshmërisë në fushën e teknologjive të avancuara. Gjysmëpërçuesit, të cilët e krijojnë thelbin e teknologjive të tilla, janë jetikë për përmbushjen e këtij synimi.

Këtu Kina nuk niset nga një pozitë e fuqishme. Aktualisht mund të përmbushë vetëm 16 për qind të kërkesave të saj, kryesisht të ulëta, për çipa, nëpërmjet prodhimit të brendshëm, dhe vlera e importeve të gjysmëpërçuesve të saj e tejkalon atë të importeve të saj bruto të naftës. Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke e zhvilluar një fushatë të presionit ekonomik ndaj Kinës – përfshirë sanksionet, kontrollet e eksportit dhe vëzhgimin e investimeve – ka arsye për shqetësim shtesë.

Problemi i Kinës është se, ndonëse është prodhuesja kryesore e botës, ajo i ka ngulitur dobësitë në fushat themeltare, siç janë pjesët themelore, materialet dhe teknologjitë e avancuara. Siç ka thënë ish-ministri i Industrisë dhe Teknologjisë Informative, Miao Wei, në fillim të këtij muaji, këto dobësi nënkuptojnë se vendi ndodhet të paktën 30 vjet prapa nga të qenët një ekonomi prodhuese me “fuqi të madhe”.

Përparimi drejt vetëvarshmërisë tek gjysmëpërçuesit do të jetë një sprovë e rëndësishme për aftësinë e Kinës që t’i përmbushë synimet e saj të gjera. Suksesi i saj do të varet theksueshëm nga shtrirja e pranimit të kufijve të autoritarizmit mes liderëve, direktivave nga lart-poshtë dhe kontrollit shoqëror. Këto qasje, të cilat janë qendrore për stilin e qeverisjes të Xisë, kanë funksionuar mirë në frenimin e krizës me COVID-19. Por në një kohë kur ekonomitë digjitale dhe informative po bëhen përherë më të rëndësishme, një vend në nivelin e zhvillimit të Kinës e ka para vetes vetëm një rrugë të ecjes përpara nëpërmjet transparencës, hapjes dhe fleksibilitetit institucional.

(George Magnus, një kërkues i asociuar në Qendrën për Kinë të Universitetit të Oxfordit dhe në SOAS të Universitetit të Londrës, është autor i librit “Red Flags: Why Xi’s China Is in Jeopardy”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).