OpEd

Planeti i histerisë

Derisa nuk ka një mekanizëm që na i filtron mendimet gjithologe, na mbetet që ta kursejmë veten nga kjo dopamina online, që mbi të gjitha ka një dëm kolateral të pakthyeshëm. Derisa ta kuptojmë këtë, duhet pajtuar se po jetojmë në planetin e histerisë online, ku secili ndien nevojën të përfshihet në trendin e gjykimit kolektiv mbi gjithçka që ndodh mes nesh

Histeritë kolektive tashmë janë të njohura dhe të studiuara në sociologji dhe psikologji. Fenomeni i transmetimit të një ideje, mendimi, paragjykimi apo kërcënimi nga njëri tek tjetri deri te një masë më e madhe njerëzish, është diçka që është shfaqur nëpër kohë. Por ky fenomen në kohët tona po bëhet i dukshëm në shprehitë online ku një mendim, gjykim a qoftë vetëm supozim i dikujt ka tendencë të merret si i vërtetë nga një masë e madhe njerëzish. Nga shumë aspekte pozitive që na kanë ofruar avancimet teknologjike, ka diçka të errët e të pakontrolluar, ku miliona njerëz rrëshqasin pa qenë të vetëdijshëm se duke mbetur medoemos aktiv nëpër rrjete, asnjë gjë të mirë nuk i sjellin zhvillimit të komunikimit masiv e aq më pak shoqërisë në përgjithësi.

Obsesioni për të lënë një mendim në gjithçka që paraqitet si lajm a fenomen, varësia për të lexuar çdo koment, e turri për të gjykuar veprimet e ndryshme, nxisin në rastin më të butë gjuhë të urrejtjes e në versionin më ekstrem thirrje për linçim a vrasje. Këtë situatë më së miri na e ilustron vrasja e Liridona Ademajt, një gruaje fatkeqe që përfundoi me një plumb në kokë, në një moment kur mund të ketë menduar se po kalonte një mbrëmje të zakontë familjare. Tragjedia e saj, sa hap e mbyll sytë u kthye në një tryeze suedeze me ushqim atraktiv, ku shuajnë urinë shumë pseudomedia apo krijesa online, që në ditët e sotme njeriu nuk di se ku t’i kategorizojë apo si t’i quajë. E them këtë, ngase materiali i vetëm me çka këto krijesa ‘mediatike” mbeten në horizont janë konspiracionet mbi tragjeditë, fatkeqësitë, problemet personale e historitë e tilla ku imagjinata e shfrenuar njerëzore pjell lloj-lloj përfundimi hamendësues. Por përveç atyre që rastet e tilla, si tragjedinë e Liridonës, i shfrytëzojnë kryekëput për një interes të caktuar, siç është rritja e frekuentimit të faqeve të tyre, ka një ushtri të tërë pjesëmarrësish online që japin një kontribut shumë të madh në mirëmbajtjen e këtij fenomeni pa qenë të vetëdijshëm se çfarë po bëjnë dhe pa e pasur asnjë përfitim personal.

Lind pyetja pse ekziston aq shumë dëshirë e të gjithëve për të dhënë mendim prej psikologu, sociologu, prokurori a gjyqtari pa qenë fare të tillë? Pse të gjithë duan medoemos të lënë të shkruar apo të thënë diku versione me përfundime se si dhe pse është vrarë dikush që ishte krejt i/e panjohur për publikun deri në atë moment? Pse e ndien aq shumë presionin social për të shprehur opinionin personal e i cili nuk ka asnjë bazë, asnjë mbështetje në argumente e rrethana, e shpeshherë është krejt jashtë logjike? A nuk munden t’i shpëtojnë dot kësaj sindrome marrë parasysh që nuk kanë asnjë thirrje profesionale për t’i dhënë epilogun edhe një rasti shumë kompleks, zbardhja e të cilit mund t’i marrë vite përkushtimi e mundi drejtësisë. Në rastin e Liridona Ademajt nuk u kursyen të gjejnë motivin e vrasjes, të bëjnë psikoanalizën e dorasit, të linçojnë publikisht babanë e të dyshuarit, si një njeri që medoemos duhet të ketë një pjesë të fajit për të birin monstër. Nuk u kursyen të bëjnë terror psikologjik mbi familjet duke dashur të nxisin atë që ishte plaga më e madhe e kësaj shoqërie me shekuj, gjakmarrjen.

Ndërsa familja e viktimës përsëriste se pret që drejtësia ta thotë fjalën e saj, me dhjetëra portale bombarduan me tituj mbi kohëzgjatjen e besës së dhënë për familjen e dorasit duke nxitur kështu pafund komente e thirrje se gjaku duhet larë vetëm me gjak, se dënimi me vdekje duhet ekzistuar e se tipat si Naimi duhet varur në shesh! Komentet e tilla nxitëse për fenomene të caktuara apo edhe vrasje misterioze me siguri që janë të përhapura gjithandej edhe në shoqëri të tjera. Andaj profesionistët e fushës së psikologjisë e sociologjisë tashmë po hulumtojnë e analizojnë arsyet se pse njerëzit janë aq të varur për të komentuar e gjykuar mbi çdo ngjarje që zgjon interesim. Psikologët mendojnë se obsesioni ynë me rrjetet sociale është kompleks dhe atë e përcaktojnë disa faktorë të ndryshëm. Ndër të tjera është nevoja që ta bëjmë veten të dukshëm në sferën online ku frekuentojmë. Vërtetimi i ekzistencës sonë i përcjellë me ndonjë like apo kundër-koment, na i shton vetëbesimin, sigurinë për opinionin dhe nxit kënaqësinë e momentit se zëri ynë po dëgjohet. Është si një lloj loje ku mund të përfshihesh rastësisht teksa lexon tituj nxitës, por më pas krijon një dëshirë qëndrimi dhe thellohesh edhe më në komentime e argumentime të tilla që janë krejtësisht të paarsyeshme. Loja bëhet e tillë aq sa në trurin tonë liron atë që quhet dopamina e që është faktori kryesor për stimulimin e kënaqësisë. Mjafton shpërblimi në këtë rast një like ose një koment, sa për të na mbajtur të lidhur me motorin e gjenerimit të kënaqësisë sonë. Pra ne kënaqemi teksa shkruajmë e komentojmë mbi tragjedinë e një gruaje në këtë rast, mbi tragjedinë e dy fëmijëve teksa panë t’u vritet nëna para syve dhe mbi tragjedinë e një familjeje të tërë, që do ta ketë shumë të vështirë ta rindërtojë jetën tashmë të rrënuar nga një akt makabër.

Por dopanima e tepërt që na e nxit këtë kënaqësi momentale është jashtëzakonisht e dëmshme për trurin e trupin aq sa mund të shkaktojë sëmundje si hiperaktiviteti, skizofrenia apo edhe defekte të tjera anësore. Prandaj vetëkontrolli dhe përmbajtja nga komentimi i secilit fenomen online, vetëpërmbajtja dhe ndërgjegjësimi se ne nuk mund të jemi në të njëjtën kohë edhe mjek, edhe filozof, edhe hetues e gazetar, është i domosdoshëm. Derisa nuk ka një mekanizëm që na i filtron mendimet gjithologe, na mbetet që ta kursejmë veten nga kjo dopamina online, që mbi të gjitha ka një dëm kolateral të pakthyeshëm. Derisa ta kuptojmë këtë, duhet pajtuar se po jetojmë në planetin e histerisë online, ku secili ndien nevojën të përfshihet në trendin e gjykimit kolektiv mbi gjithçka që ndodh mes nesh. Se po s’iu bashkuam trendit, do ta kemi humbur mundësinë për t’u ndier të pranishëm në këtë jetën paralele që sot na e bën të mundur teknologjia.